Lulzim Basha, sfida e një proteste

16:55 | 09/02/2019

Opozita orientoi debatin publik javën politike që lamë pas, ndërsa mazhoranca qëndroi më në hije, edhe për shkak të mungesës fizike të Kryeministrit Rama, një një vizitë në Arabinë Saudite, përmbajtja e të cilës u kufizua në shumë foto, e pak informacion mbi çfarë u kërkua e çfarë u arrit me Riadin. Opozita e zhvendosi oponencën në komisionet parlamentare e kuvend, ndërsa Lulzim Basha vijoi turin e përditshëm nëpër qytete, për të sensibiluzuar qytetarë që t’i bashkohen në protestën e paralajmëruar më 16 shkurt, sipas tij për largimin e qeverisë.

Çfarë ndodhi javën politike që lamë pas?

Qetësinë e qeverisë e prishi që në fundjavë Presidenti Ilir Meta, që risolli në vëmendje çështjen e banorëve të Unazës së re. Një përfaqësi të banorëve, që protestojnë prej 3 muajsh për mënyrën si do prishen objektet e tyre, nga ndërtimi i segmentit rrugor Shkolla Teknologjike-Sheshi “Shqiponja”, Ilir Meta e priti në presidencë, duke i dhënë kështu një vizibilitet institucional kauzës së tyre.

Skandali i DH Albania, firmës që me dokumente false, kishte fituar tenderin e këtij segmenti, hodhi hije të forta dyshimi për korrupsion mbi projektin e Unazës së Re. Legalizimin e atyre dyshimeve e bëri kreu i shtetit, së pari duke pritur banorët, e së dyti, me një qëndrim të detajuar public, në të cilin sugjeronte anullimin e menjëhershëm të atij projekti, me shkelje të shumta ligjore, bazuar në informacionet që kishte marrë nga institucionet publike.

Pakënaqësia e fortë e kryeministrit u lexua në një reagim ndaj presidentit, të cilin e renditi si orientues të opozitës, kundër qeverisë. Në të njëjtën linjë erdhi edhe reagimi i Erion Veliajt që kërkon një mandat të dytë në krye të Bashkisë Tiranë

Megjithatë, formalisht qeveria pranoi përmes ministres së infrastrukturës se mund të bëheshin përmirësime në projekt, nëse lind nevoja.

Pas qëndrimit publik të Presidentit, banorët protestues të Unazës së Re, gjetën një arsye më shumë për kërkesën e tyre për anullimin e atij projekti, realizimi i të cilit, u prish objektet në pronësi të tyre. Këtë pakënaqësi qytetare, por edhe çdo tjetër, po kërkon të mbledhë nëpër Shqipëri, Lulzim Basha. Në ndalesat e përditshme nëpër qytete, u kërkon t’i bashkohen protestës së thirrur më 16 Shkurt, e u jep edhe zgjidhjet që propozon PD, kur të vijë në pushtet.

Krahas takimeve të Bashës, edhe javën politike që lamë pas, opozita mbështeti aktet simbolike antiqeveritare, të bllokimit të rrugëve në Mat, Rrogozhinë e Milot. Po cfarë do ndodhë më 16 Shkurt? Qytetarët edhe pse nuk ngurrojnë të rendisin vështirësitë e përditshme, e kanë të fortë hijen e skepticizmit prej marrëveshjes së 17 Majit 2017 mes Bashës e Ramës, por edhe protestat tipike të liderit të opozitës, që nisin e mbyllen me fjalime.

Studentët janë kategoria që me protestën e Dhjetorit të vitit të kaluar sollën ndryshimin e 1/3 së qeverisë. Tashmë janë të ndarë mes mësimit e bojkotit. Të pakënaqurit nga çfarë u ofron qeveria, janë pakica bllokuese e mësimit në disa universitete. Por stafetën e kundërshtimit, javën politikën që lamë pas, duket e kanë marrë pedagogët. Të parët, ata të shkencave sociale sugjerojnë grevën e kërkojnë anullim ose rishikim të ligjit për arsimin e lartë. Në mënyrë të pazakontë, krah studentëve protestues u shfaq javën politike që lamë pas, lideri i Vetëvendosjes në Kosovë, Albin Kurti.

Mbështetjen për studentët, e ka të përbashkët me shefin e opozitës Lulzim Basha, me të cilin ndajnë edhe qëndrimin për mosprekje të kufijve të Kosovës, në dialogun me Serbinë. Javën politike që lamë pas, rishikimin e ligjit për arsimin e lartë e mbështetën publikisht edhe rektori i universitetit të Tiranës, e ai i Mjekësisë, në një dëgjesë në komisionin parlamentar të edukimit që drejtohet nga opozita. Në të njëjtin komision, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj u përball me akuzat për ndërhyrjen e policisë në fakultetet, ku studentët protestojnë.

Por javën politike që lamë pas, opozita e orientoi publikun edhe tek procesi i Vettingut. Konfirmimi në detyrë i drejtueses së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, pas rezervave të shfaqura nga ONM në seancën dëgjimore, solli reagim të fortë të PD. Por fokusi i opozitës mbeti edhe tek një ngjarje e rëndë e ndodhur prej Tetorit të kaluar në Kavajë. Abuzimi i një minoreneje nga bashkëmoshatarë të saj u mësua nga Sali Berisha, e shënjestër publike u bë policia, që u akuzua se nuk kishte reaguar.

Çështja u rimor edhe në seancën e të enjtes, ku në mungesë të Kryeministrit, për shkak të vizitës në Riad, opozita targetoi ministrin e Brendshëm. Lulzim Basha e Sandër Lleshaj u përplasën për funksionin që e njihnin të dy, të ministrit të Brendshëm. Megjithatë, duket se Lulzim Basha po përpiqet të orientojë publikun tek protesta, pa u fokusuar gjatë tek beteja parlamentare. Socialistët po ia vështirësojnë ringritjen e komisionit hetimor Tahiri, afatet e të cilit tashmë kanë skaduar, ndërsa vetë ish-ministri i Brendshëm, pa të shtyheshin për herë të pestë hetimet ndaj tij për “trafik narkotikësh”, si grup i strukturuar kriminal dhe “korrupsion”.

Por çka po luhet pas kuintave është interesante. Për të mos patur një rast të ri Tahiri, socialistët po propozojnë një ndryshim në rregullore, ku rritet imuniteti për deputetin në rast të një kërkese për arrestim. Kështu, kërkesa për të autorizuar caktimin e masës së arrest ne burg ose në shtëpi, heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, kontrollit personal a të banesës, duhet t’i paraqitet kryetarit të Kuvendit nga prokurori, bashkë me arsyetimin dhe provat mbështetëse. Socialistët duken të vendosur për ta miratuar, e për këtë po shmangin Këshillin e Legjislacionit, organi përgjegjës për rregulloren, pasi aty kanë numra të barabartë me opozitën. E sollën për të dytën javë rresht në komisionin e ligjeve, aty ku i kanë votat për ta miratuar.

Katër muaj larg një vendimi të KE, nëse Shqipërisë do i hapen apo jo negociatat e antarësimit, nuk ka një përpjekje për një tryezë me opozitën apo me parlamentin. Interesant është se lobimi për hapjen e negociatave ka nisur jo me ministrin e jashtëm të komanduar, por me Gramoz Ruçin. Me në krah, kreun e grupit parlamentar të socialistëve, kreu i Kuvendit, zhvilloi takime në Bundestag, për të matur pulsin e skeptikëve brenda institucionit që do votojë vendimin për hapjen e negociatave, në emër të Gjermanisë. PD, që po e përdor konsulencën e simotrës gjermane në qeveri CDU-së së kancelares Merkel për programin e saj ekonomik, bën konstatimet e veta. Rolin që ka bundestagu, e nënvizoi ministri gjerman i Shtetit Michael Roth, që ftoi opozitën shqiptare të votojë reformën zgjedhore.

Pavarësisht qëndrimit të shprehur si nga mazhoranca ashtu edhe nga opozita pro integrimit të vendit, palët duken shumë larg një bashkëpunimi për këtë kauzë. Kryeministri e ka harruar premtimin publik për një platformë me opozitën. Kjo e fundit është e fokusuar tek protestat për largimin e tij, kurse Kreyministri tek angazhimi për t’u siguruar se studentët nuk do i ketë më përballë si Dhjetorin e kaluar, nuk le rast pa e shigjetuar.

Megjithatë, përtej përgatitjeve për protestën e 16 Shkurtit për të larguar kryeministrin Rama, në seancën e të enjtes opozita bashkoi votat me mazhorancën pro anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO, njëlloj edhe për ratifikimin e marrëveshjes me BE për monitorimin europian të kufirit. Lulzim Basha duket se po e kryen një nga detyrat që i kërkohet nga ndërkombëtarët, angazhimin në parlament. Ndërkaq a intensifikuar takimet me diplomatë edhe në Tiranë, nga të cilët kërkon konsensus për synimin e shpallur, një qeveri tranzitore. Por protesta e 16 shkurtit do jetë padyshim testi i besimit të qytetarëve tek kryetari i PD e opozita./abcnews.al

 


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono