Luftë për bastionin e fundit në Siri

13:41 | 10/02/2019

Ndonëse të pakët në numër, militantët e Shtetit Islamik kanë zgjedhur të luftojnë për të mbrojtur bastionin e tyre të fundit në Siri. Njësitë paraushtarake pro-amerikane kanë deklaruar se beteja për neutralizimin e tyre është shumë e ashpër.

Të grumbulluar në enklavën e fundit, në kufirin me Irakun, militantët e ISIS në Siri po u bëjnë një rezistencë të ashpër fraksioneve të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara. Një zëdhënës i Forcave Demokratike Siriane ka deklaruar për “Associated Press” se po përballen me xhihadistët me më shumë eksperiencë luftarake, të cilët po mbrojnë bastionin e tyre të fundit. Deri dy vjet më parë, ISIS kontrollonte zona të konsiderueshme në Siri dhe Irak, por tashmë ata janë mbledhur në një zonë të vogël në lindje të Sirisë, ku po përpiqen të mbijetojnë.

Në ditët e fundit, pas një ndërprerjeje njëjavore të luftimeve për të lejuar largimin e rreth 20 mijë civilëve, Forcat Demokratike Siriane kanë nisur betejën finale për të shtypur ISIS në fshatin kufitar të Baguzit. Zëdhënësi i fraksionit të mbështetur nga ushtria amerikane ka deklaruar se beteja është shumë e ashpër.

“Aty kanë mbetur xhihadistët me më shumë përvojë, që do të luftojnë deri në fund. Ndaj mund t’i imagjinoni vetë agresivitetin dhe përmasat e luftimeve”, ka thënë zëdhënësi.

Forcat Demokratike Siriane, të mbështetura nga ajri nga koalicioni ndërkombëtar, kanë dëbuar Shtetin Islamik nga shumë qytete dhe fshatra në veri-lindje të Sirisë në muajt e fundit. Në 2014-n, që ishte dhe viti i pikut, ISIS ngriti kalifatin duke u shtrirë në mbarë Sirinë dhe Irakun fqinj, në një sipërfaqe të barabartë me atë të Britanisë së Madhe, duke sunduar mbi 7.7 milionë njerëz. Dhjetorin e kaluar, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi tërheqjen e 2 mijë trupave me argumentin se militantët e rrjetit terrorist ishin mposhtur. /abcnews.al



Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono