Luftë me të gjithë, pas Kinës, SHBA betejë tarifash edhe me Indinë

11:31 | 16/06/2019

Pas thellimit të konfliktit tregtar me Kinën, Shtetet e Bashkuara janë përfshirë në një betejë tjetër tarifash, këtë herë me Indinë. Vetë Nju Delhi zyrtar ka reaguar duke paralajmëruar rritjen e tarifave për 28 produkte amerikane.

India ka deklaruar se duke filluar nga e diela do të vendosë tarifa mbi 28 produkte amerikane, përfshirë bajamet dhe mollët. Tarifat e reja, disa prej të cilave arrijnë në 70 për qind, janë një përgjigje ndaj refuzimit të Shteteve të Bashkuara për të përjashtuar Nju Delhin nga taksat e larta për çelikun dhe aluminin e importuar.

Më herët gjatë muajit, presidenti Donald Trump njoftoi gjithashtu se Uashingtoni do të anulonte statusin e partnerit të veçantë tregtar për Indinë. Vetë vendi aziatik vendosi tarifa deri në 120 për qind vitin e kaluar, por bisedimet tregtare bënë që të shtyhej hyrja e tyre në fuqi.

Në një njoftim për shtyp, Ministria e Financave në Indi deklaroi se vendimi ishte në interes të vendit. Marrëdhëniet tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Indisë arritën vlerën e 142 miliardë dollarëve në vitin 2018, shtatëfish më shumë se në vitin 2001.

Por 5.6 miliardë produkte indiane eksporti, më parë të çliruara nga taksat, tani do të preken prej tyre për shkak të anulimit të trajtimit preferencial nga sistemi amerikan. Lëvizja është akti i fundit i Uashingtonit për të riparuar atë që e quan tregti të padrejtë me vendet e tjera.

Presidenti Trump ka kërcënuar gjithashtu me vendosjen e sanksioneve nëse India vazhdon të blejë naftë nga Irani dhe nëse vijon me planet për të blerë sistemet raketore ruse S-400./ABC News Albania 24/7



Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono