Londër vs Bruksel, çfarë ka në marrëveshjen për Brexit

17:30 | 17/11/2018

Kryeministrja britanike Tereza Mej duket më se e bindur në rrugën e saj për të nxjerrë Britaninë e Madhe nga Bashkimi Europian. Dhe pse tashmë ka një pjesë të mirë të partisë së saj kundër, Mej ka theksuar se nuk do të ketë një referendum të dytë dhe se marrëveshja e arritur me Brukselin është në interes të vendit. Përveç një periudhe të gjatë tranzicioni gjatë së cilës do të vazhdojnë negociatat, ka dhe një marrëveshje për Irlandën e Veriut. E kjo e fundit mund të shkatërrojë çdo gjë.

Pas një viti e gjysmë negociatash, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dhe negociatorët e Bashkimit Europian kanë arritur një marrëveshje për Brexit. Për Bashkimin Europian është një fitore, sipas pjesës më të madhe të analistëve, ndërsa qeveria britanike, e cila në këto negociata ka pasur gjithnjë një pozicion të brishtë, meqenëse nuk mund të vendoste kushte u detyrua të heqë dorë nga shumë nga pikat që i konsideronte thelbësore. Politiko.eu shkruan se në mes të mjegullës politike është një marrëveshje e gjatë 585 faqe që mbron interesat ekonomike të Bashkimit Europian dhe i afrohet objektivave të tij politikë afatgjatë, duke lënë njëkohësisht Mbretërinë e Bashkuar të bllokuar në vijat e saj të kuqe.

Marrëveshja nuk është ende përfundimtare dhe për momentin është miratuar vetëm nga qeveria britanike. Për ta bërë zyrtare duhet dhe miratimi i 27 krerëve të shtetit dhe qeverive të vendeve anëtare, votimi në Parlamentin Europian dhe mbi të gjitha në atë britanik. Ky i fundit do të jetë dhe hapi më i vështirë, meqënëse poltikanët britanikë që kërkojnë një dalje pa kompromis, sidomos ata të Partisë Konservatore, kanë thënë tashmë se janë kundër një marrëveshjeje që jep shumë. Sipas mediave një e treta e ministrave britanikë kanë votuar kundër marrëveshjes, ndërsa brenda dy ditësh dy ministra, një nënsekretare dhe një figurë tjetër e rëndësishme politike dhanë dorëheqjen në formë proteste, kundër marrëveshjes.

Pika kryesore e marrëveshjes është vendimi për të vazhduar negociatat përtej momentit zyrtar të daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Europian. Gjë që do të ndodhë në 29 Mars të 2019-s. Gjatë kësaj periudhe tranzicioni në Mbretërinë e Bashkuar do të vijojnë të jenë në fuqi të gjitha rregullat europiane, edhe pse vendi nuk do të ketë më asnjë të drejtë për të modifikuar diçka. Kjo pasi nuk do të ketë më përfaqësues britanikë në institucionet europiane dhe vendi nuk do të jetë pjesë e BE-së.

Periudha e tranzicionit do të zgjasë deri në Dhjetor të 2020-s, një periudhë gjatë së cilës negociatorët do të vazhdojnë bisedimet e tyre për të zgjidhur çështjet e shumta që mbesin pezull, e sidomos ato në fushën tregtare. Nëse deri në Korrik të 2020-ës nuk do të jetë arritur një marrëveshje, afati mund të shtyhet edhe më shumë. Për momentin kohëzgjatja mund të jetë e përhershme pasi dhe në dokument është shkruar se afati përfundimtar është në 20XX, pra mund të jetë dhe deri në 2099. Por ndërmjetësuesit britanikë kanë premtuar se në versionin përfundimtar të marrëveshjes afati i fundit do të jetë deri në muajt e parë të vitit 2021.

Industrialistët britanikë janë të kënaqur me këtë marrëveshje, pasi do i japë atyre më shumë kohë për t’u përshtatur me situatën e re. Por marrëveshja u pëlqen shumë më pak autorëve më të ashpër të Brexit, sipas të cilëve kjo periudhë e gjatë tranzicioni është një një lloj poshtërimi që Bashkimi Europian i bën Britanisë së Madhe.

Por argumenti më kontrovers i gjithë marrëveshjes është ai që kërcënon dhe miratimin e saj: “backstop” – barrierë. Thënë ndryshe mekanizimi i emergjencës që duhet të aplikohet ndaj Irlandës së Veriut në rast se, në fund të periudhës së tranzicionit nuk do të gjendet një marrëveshje përfundimtare. Pika qendrore që bën të domosdoshëm ekzistencën e kësaj barriere, është fakti se askush nuk dëshiron krijimin e një kufiri  të ashpër, me kontrolle doganore mbi personat dhe mallrat, mes Irlandës së veriut dhe Republikës së Irlandës.

Është një problem ekonomik, të dy anët e këtij kufiri janë thellësit të integruar me një fluks të madh mallrash dhe njerëzish, por dhe politik. Irlanda e Veriut ka përjetuar një luftë të përgjakshme civile mes grupeve katolike që donin bashkimin me Republikën e Irlandës dhe grupeve të protestantëve që mbështesnin qëndrimin në Mbretërinë e Bashkuar. Një nga arsyet për të cilat u arrit paqja ishte pikërisht krijimi i një integrimi të fortë mes dy anëve të kufirit, një integrim që mund të zhduket nëse do të aplikohen rregulla të forta doganore.

Për të shmangur këtë situatë, negociatorët europianë këmbëngulën që të kenë në marrëveshje një mekanizëm barriere, që jep një zgjidhje urgjente në rast se marrëveshja nuk do të arrihej. Negociatat për natyrën e kësaj barriere janë ato që muajt e fundit mbajtën pezull dhe përpilimin e marrëveshjes mes Londrës dhe Brukselit. Por sot zgjidhja e gjetur ka lënë të pakënaqur shumë persona dhe kërcënon të hedhë në erë të gjithë marrëveshjen. Pasi ajo aktualja parashikon që në mungesë të një marrëveshjeje do të vendoset një union doganor mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Europian. Kjo nënkupton që mes dy zonave nuk do të ketë tarifa, taksa apo pagesa ekstra.

Marrëveshja nuk mund të hyjë në fuqi nëse të dyja palët nuk bien dakord. Në këtë mënyrë, nga një anë lëvizja e mallrave do të jetë më e lehtë, nga ana tjetër Mbretëria e Bashkuar do të jetë e varur nga zona doganore europiane. Dhe pasoja e kësaj do të jetë kufizimi i pushtetit të qeverive britanike për të negociuar marrëveshje tregtare me vendet e treta joanëtare të Bashkimit Europian. Për shembull nëse Bashkimi europian aplikon tarifa ndaj një vendi të caktuar, Mbretëria e Bashkuar nuk mund të bëjë një marrëveshje që anulon këto tarifa. Kjo pasi duhet të respektojë rregullat e unionit doganor ku bën pjesë. Pikërisht kjo nuk u pëlqen aspak mbështetësve të ashpër të Brexit, të cilët kërcënojnë se do të rrëzojnë qeverinë dhe se do të votojnë kundër marrëveshjes në parlament.

Por ka një tjetër aspekt të kësaj barriere që rrezikon të bëjë situatën dhe më të komplikuar. Negociatorët britanikë kanë fituar marrëveshjen për zonën doganore të veçantë, të cilën europianët e kundërshtonin. Por në shkëmbim kanë pranuar kushte shumë të ashpra. Një nga kushtet është që Londra mund të tërhiqet nga kjo barrierë vetëm nëse bien dakord të dyja palët. Ndërsa kushti i dytë përbëhet nga një seri regullash specifike që do të aplikohen vetëm në Irlandën e Veriut. Në thelb, Irlanda e Veritu do të jetë edhe më e integruar në tregun e përbashkët europian, në krahasim me pjesën tjetër të vendit. Në fakt nuk do të ketë kontrolle doganore mes Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës, e cila është pjesë e Bashkimit Europian. Por do të ketë kontrolle mes Irlandës së Veriut dhe pjesës tjetër të Mbretërisë së Bahskuar. Pra, është njësoj sikur kjo barrierë të vendoste që, në rast se nuk do të ketë marrëveshke,për disa mallra kufiri do të spostohet nga kufiri tokësor mes Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës, në atë detar që ndan dy ishujt.

Ideja që Irlanda e Veriut të ketë një trajtim ndryshe nga pjesa tjetër e vendit ishte refuzuar më parë dhe nga partia nacionaliste e Irlandës së Veriut, e cila mbështet integrimin me Mbretërinë e Bashkuar. Një parti e vogël, por që për momentin i garanton mazhorancën qeverisë konservatore të Mej. Liderët e kësaj partie kanë kritikuar ashpër marrëveshjen por nuk është e qartë nëse do të votojnë kundër saj apo kundër qeverisë së kryeministres Mej. Por në secilën rrethanë, rezultati më i mundshëm do të ishte fundi i marrëveshjes aktuale dhe hapja e një skenari të paparashikueshëm.

Që marrëveshja të hyjë në fuqi janë tre hapat: marrëveshja duhet të ratifikohet nga vendet anëtare të Bashkimit Europian dhe kjo mund të ndodhë në 25 Nëntor gjatë samitit të jashtëzakonshëm europian. Marrëveshja do të konfirmohet dhe nga Parlamenti Europian, e më pas nga ai britanik. Votimi mund të ndodhë brenda muajit Dhjetor, por nuk është konfirmuar ende. Qeveria e Mejit mund të rrëzohet, duke ndryshuar totalisht situatën. Por mediat britanike lënë në lojë dhe mundësinë e një referendum të dytë për marrëveshjen e arritur.

Por marrëveshja e arritur e konfirmuar nga Brukseli dhe Londra, shkaktoi një tërmet të vërtetë në qeverinë konservatore të Tereza Mej dhe në skenën politike britanike. Dorëheqje, mocione votëbesimi, polemika, ankth, trazira në tregje si dhe rënien në pikiatë të stërlinës. Por ajo, kryeministrja, gruaja e dytë në Dauning Strit pas Margaret Theçer, vazhdon me këmbëngulje rrugën e saj.

“Linja ime është ajo e duhura. E ndjej në cdo qelizë të qënies sime, dhe për këtë arsye do të vazhdoj punën”, theksoi Mej.

Dita nisi me një seri dorëheqjes dhe më pas miratimin jo unanim të marrëveshjes nga ministrat e mbetur të ekzekutivit, pas një mbledhjeje të zgjatur më shumë se pesë orë.

Ata që u larguan në shenjë proteste, përveç dy nënsekretarëve dhe disa zyrtarë të tjerë, janë dhe dy ministra mbështetës të fortë të Breksit. Ester Mekvei, ministre e Punës dhe Pensioneve dhe Dominik Rab, njeriu i cili në këtë marrëveshje duhej të kishte vendosur firmën e tij si ministër për Breksit. Por dhe ai ndoqi rrugën e paraardhësit të tij Devid Devis, duke u larguar. Mekvei e konsideroi një tradhti të referendumit të 2016-s. Ndërsa Rab shpjegon se nuk mund të mbështesë me ndërgjegje një marrëveshje që rrezikon integritetin territorial të veneit. Kjo për shkak të mekanizmit të barrierës për një kohë të pacaktuar, në mbrojtje të një kufiri pa barrierë mes Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës.

Fjalë të rënda që duket se shenjojnë fatin e qeverisë, ndërsa stërlina shënon rënie  të lirë. Por asgjë nuk duket të zbusë kryeministren Mej e cila ka falenderuar personat e larguar, të cilët kanë çuar në 20 numrin e dorëheqjeve në këto dy vitet e fundit. Kryeministrja mbërriti në parlament për të mbrojtur marrëveshjen, në të njëjtin moment që u dorëzua dhe një mocion për votëbesimin e saj. Janë 48 firmat që do ta bënin të mundur, nga 318 deputetë të parlamentit.

Por Mej shprehet e gatshme për t’u përballur me këdo dhe me gjithçka. Mesazhi që dha fillimisht në parlament dhe më pas në një konferencë për shtyp, ishte i qartë: ajo nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen. Por dhe Bruksel nuk janë shumë të bindur, me Donald Tusk, i cili vijon të përsërisë se mund të mos ketë marrëveshje dhe as Breksit. Hipoteza që kryeministrja britanike vazhdon t’i mohojë kategorikisht. Mej i thotë “jo” çdo ideje për një referendum të dytë para deputetëve eurofilë më të bindur: duke mbrojtur marrëveshjen e arritur si më të mirën përballë akuzës së liderit laburist Xheremi Korbin, i cili e konsideron si një dështim të madh. Por Mej është përballur dhe me anëtarë të partisë së saj të cilët e akuzojnë se ka sjellë në shtëpi një marrëveshje jo të kënaqshme.

Janë të shumtë ata që mbeten skeptikë, në një moment që në parlamentin britanik nuk ka një mazhorancë të qartë. Por kryeministrja është e vendosur duke konfirmuar se sfida e saj e radhës është ratifikimi i kësaj marrëveshjeje në parlament, ndoshta para krishtlindjeve, kur të gjitha letrat në tryezë të jenë të hapura. Sipas saj, lidershipi është të bësh gjërat e duhura në interesin kombëtar, e jo gjërat e lehta. “Unë kam bërë punën time, pres që parlamenti  të bëjë punën e tij,” theksoi ajo.

Por çfarë ndodh nëse nuk arrihet një marrëveshje, dhe pse Britania e Madhe rrezikon të dalë nga Bashkimi Europian pa një të tillë?

Londra fuqizoi në 29 Mars të 2017-s artikullin 50 të traktateve europiane, atë që vendos daljen e një vendi nga Bashkimi Europian. Në bazë të traktateve, dy vjet pas këtij momenti, një vend është automatikisht jashtë Bashkimit Europian, me apo pa marrëveshje. Kjo është arsyeja pse në 29 Mars të 2019-s Britania e Madhe do të jetë gjithsesi jashtë Bashkimit Europian. Nëse Britania e Madhe mbërrin në 29 Mars pa një marrëveshje me Brukselin, të miratuar nga të gjitha palët, do të bëhet një vend i tretë dhe do të përballet me Bashkimin Europian sipas rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë.

Cilat do të jenë pasojat? Të gjithë mallrat që hyjnë dhe dalin nga portet britanike, do u nënshtroheshin inspektimeve doganore. Aktualisht një kamion që mbërrin në Dover, shpenzon dy minuta për të kaluar; kontrolli i çdo ngarkese do të çonte në kolaps doganat madje as porti i Kales nuk do të ishte në gjendje të përballej me situatën. Shumë mallra do të mbeteshin të bllokuara në kufij.

Një problem tjetër do të lindte mes Irlandës së Veriut dhe Ulster, pasi ai do të bëhej kufiri i vetëm fizik mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Europian. Aktualisht 30 mijë persona në ditë kalojnë nga ai kufi, që në fakt është i hapur. Rikthimi në një pikë kufitare të ashpër do të kishte pasoja, si dhe do të ndizte tensione politike. Jo rastësisht Europa këmbëngul në faktin se Brexit nuk duhet të përfshijë dhe rivendosjen e një barriere fizike në Irlandë, në mënyrë që të ruajë marrëveshjet për paqe të arritura 20 vjet më parë.

Dalja pa një marrëveshje do të nënkuptonte më pak të drejta për 3 milion europianë që jetojnë në Britaninë e Madhe. Londra premtoi se do të mbrojë të drejtat e tyre, por statusi i tyre do të ishte i paqartë. Europianët do të humbisnin të drejtën e rezidencës së përhershme dhe nuk do të kenë më akses automatik në sistemin shëndetësor britanik. Në kufij do të ketë radhë të gjata për kontrollet e madje mund të rihyjë në fuqi sistemi i vizave. Mund të hyjnë sërish në fuqi tarifat e roaming, që në Bashkimin Europian janë hequr, për telefonatat. Por qeveria britanike disa herë ka këmbëngulur se nuk do të deportohet askush që aktualisht është resident në Britaninë e Madhe.

Në Mbretërinë e Bashkuar pritet dhe një rritje e ndjeshme e çmimeve, edhe për shkak të zhvlerësimit prej 15 përqind të monedhës vendase, stërlinë. Tarifat për qumështin dhe djathin mund të shkojnë deri në 45 për qind, cmimi i mishit mund të rritet me 37 për qind, por dhe ato të veshjeve, këpucëve, pijeve dhe duhanit me 10 për qind. Britanisë së Madhe një gjë e tillë mund t’i kushtojë humbjen e 800 mijë vendeve të punës.

Por pas Marsit 2019, fluturimet mes Britanisë së Madhe dhe Europës mund të pezullohen në rast se nuk do të ketë marrëveshje. Trafiku ajror monitorohet nga Agjencia Europiane për Sigurinë Ajrore, por nuk ka rregulla të njëjta në bazën e Organizatës Botërore  të Tregtisë, të cilës do i binte dhe kjo përgjegëjsi në rast të një marrëveshjeje të munguar. Aktualisht flitet për marrëveshje emergjente të përkohshme, por nëse ky boshllëk juridik nuk mbushet në kohë, atëherë fluturimet mund të pezullohen. Shumë shpejt kompanitë ajrore mund të mos garantojnë më prenotime për pas muajit Mars të 2019-s.

Sipas mediave britanike ka shumë pak mundësi që marrëveshja aktuale të miratohet në parlamentin e vendit. Partia laburiste, skocezët e SNP-së, partia DUP e Irlandës së veriut, dhe më shumë se 50 deputetë konservatorë kanë bërë të qartë se do të votojnë kundër. Kryeministres britanike Mej i mungojnë rreth 100 vota. Nëse çdo gjë shkon sipas parashikimeve do të votohet në ditët e para të Dhjetorit. Pra kryeministrja ka pak javë kohë për të mbledhur votat që i duhen. Dhe nëse nuk do ia dilte, ka dy mundësi: të modifikojë marrëveshjen, ose ta tërheqë për të shmangur humbjen në parlament. Por në çdo rast Mej do të detyrohej të rihapte negociatat me Europën.

Por në rast se parlamenti britanik nuk e miraton marrëveshjen aktuale, pasojat janë të vështira për t’u parashikuar. Por mundësia më e madhe është se Mej do të jepte dorëheqjen. Pasardhësi i saj mund të përpiqet të negociojë një marrëveshje të re me Bashkimin Europian, duke shpresuar të bëjë më mirë dhe më pas ta miratojë në parlamentin e vendit. Por gjithsesi negociatat duhet të përfundojnë para 29 Marsit, datë zyrtare pas së cilës Mbretëria e Bashkuar do  të jetë zyrtarisht jashtë Bashkimit Europian. Nëse brenda kësaj date nuk do të ketë një marrëveshje që parashikon një periudhë tranzicioni, Mbretëria e Bashkuar do të përjetojë një Breksit të ashpër, pra një Mbretëri të Bashkuar të çoroditur, që mund t’i shkaktojë dëme të pallogaritshme vendit./abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono