Lleshaj takon Avramopulos: Holanda ka perceptim të gabuar për krimin në Shqipëri

17:43 | 09/10/201917:430

Konferenca e shtypit e Komisionerit për Migracionin dhe Punët e Brendshme, Dimitris Avramopoulos dhe ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, Sandër Lleshaj, nxorri në pah këndvështrimet e ndryshme mbi çështjen e luftës kundër krimit të organizuar dhe problematikës së azilkërkuesve shqiptarë. Lidhur me skepticizmin e Holandës, ministri Lleshaj konsideron se problemi i krimit të organizuar është një çështje perceptimi i zmadhuar i realitetit, pasi krimi i ushtruar nga personat që mbajnë pasaportën shqiptare dhe kryejnë krime në Holandë është shumë i vogël krahasuar me vende të tjera të Bashkimit Europian.

Sandër Lleshaj, Ministër i Brendshëm: “Perceptimi është ai që është. Është një perceptim i zmadhuar i realitetit. Jemi përpjekur ta sqarojmë dhe më shumë  dhe po përpiqemi për të ndërtuar mekanizma bashkëpunimi, për të adresaur këtë problem për krime që kryhen në Holandë dhe juridikisht janë përgjegjësi e Holandës. Por ne ndjejmë përgjegjësi për këtë”.

Lidhur me pyetjen e ABC News, se pse nuk janë arrestuar krerët e strukturale kriminale pas kapjes së sasive të mëdha të kokainës në Shqipëri, por vetëm ekzekutuesit e urdhrave, ministri Lleshaj konsideron se janë kapur shumë peshq të mëdhenj. Ndërkohë që komisoneri Avramopolous njeh progresin në operacionin e goditjes së drogës, por bën thirrje për rritjen e hetimeve dhe dënimeve të kriminelëve.

Sandër Lleshaj, Ministër i Brendshëm: “Nuk e di se ç’quani ju peshq të mëdhenj. Ne mendojmë se u kemi dhënë fre grupe të organizuara dhe kemi kapur dhe sasi të mëdha kokaine në bashkëpunim me shtetet anëtare si Greqia. Nuk e di nëse ju quani peshq të mëndhenj ndërkombëtarë ata që kontrollojnë kokainën në vend. Ndoshta këta mund të jenë peshq të mëdhenj. Por për mendimin tonë, ne kemi kapur shumë peshq të mëdhenj në kuadër të krimit të organizuar”.

Dimitris Avramopoulos, komisioner për migracionin: “Fakti që operacionet kundër krimit të organizuar janë në vazhdimësi në Shqipëri janë si rrjedhojë edhe e bashkëpunimit të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, kjo është gjë e mirë. Por hetimet dhe ndjekjet penale duhet të jenë më të thella. Duhet që të goditen grupet kriminale dhe për kriminelët të ketë dënimet përfundimtare në Gjykatë”.

Për azilkërkuesit, statistikat e ministrit Lleshaj ndyshojnë nga ato të komisionerit Avramopoulos. Ministri Lleshaj flet për një rënie konsekutive të numrit të azilkërkuesve në zonën Shengen, ndërkohë që komisioneri Avramopoulos flet për një rritje të lehtë këtë vit.

Sandër Lleshaj, Ministër i Brendshëm: “Në të gjithë zonën Shengen ka një rënie të vazhdueshme dhe eskpotenciale të numrit të azilkërkuesve shqiptarë me një anomali në Francë. Kjo lidhet me politikat e ndryshme që ndjek Franca”

Dimitris Avramopoulos, komisioner për migracionin: “Në gjysmën e parë të këtij viti, ka patur një rritje të lehtë të azilkërkuesve shqiptarë. Ndaj Shqipëria duhet të vazhdojë të verë në zbatim ato masa që ka aprovuar dhe të vazhdojë të punojë me të gjitha shtetet anëtare dhe marrëveshjet e ripranimit duhet të funsionojnë mirë. Lidhur me aktivizimin e mekanizimit të pezullimit të vizave, pas njoftimit të marrë nga Holanda ne arritëm në përfundimin, se nuk përmbushen rrethanat për aktivizimin e këtij mekanizmi. Por unë i bëj thirrje autoriteteve shqiptare që të marrin masa të sigurojnë këtë dhuratë që u është bërë nga Bashkimi Europian”.

Lidhur me pyetjen e ABC News, nëse ka siguri 100% që ky mekanizëm nuk do aktivizohet nëse ka njoftim nga autoritetet franceze, komisioneri Avramopoulos është përgjigjur:

“Unë isha i qartë se ne nuk duam të aktivizojmë këtë mekanizëm.. Mos më drejtoni pyetje lidhur me 100% siguri. Nuk mund të kesh siguri 100% për asgjë në jetë”.

Konferenca e shtypit është zhvilluar në vijim të nënshkrimit të marrëveshjes mbi luftën kundër terrorizmit midis komisionerit Dimitris Avramopoulos dhe Ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, Sandër Lleshaj  Kjo marrëveshje është pjesë e planit të përbashkët të veprimit për luftën kundër terrorizmit midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Ky plan kërkon veprime ambicioze dhe konkrete për të arritur 5 objektiva kundër terrorizmit, përfshirë parandalimin dhe kundërveprimin e radikalizmit, shkëmbimin efektiv të informacionit, luftimin e financimit të terrorizmit dhe mbrojtjen e qytetarëve.  /ABC News Albania 24/7

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono