Liverpuli mbajti kreun e Premier Ligës, dhe trajneri Klop tregon sekretin

18:59 | 22/04/2019

Liverpuli u ngjit sërish në krye të renditjes në Premier Ligën angleze, por këtë herë merita ishte plotësisht e lojtarëve. Trajneri Jurgen Klop tregon se çfarë ndodhi në stadiumin e Kardifit

Ishte një fitore e ndryshme nga të tjerat. Liverpuli kishte arritur shumë suksese këtë sezon, dhe jo më kot pretendon titullin në Angli dhe Championsin, por kjo në fushën e Kardifit, mund të quhet e veçantë.

Në pushimin e ndeshjes, futbollistët nuk u mjaftuan me fjalimin dhe sqarimet e zakonshme të trajnerit Jurgen Klop, por u mblodhën rreth njëri-tjetrit, duke u motivuar e duke diskutuar sesi duhej arritur suksesi.

Kur dolën në fushë në pjesën e dytë, barazimi 0-0 ndryshoi shpejt, ndeshja u fitua dhe kreu I renditjes në Premier Ligë u rifitua.

Mesfushorët Vajnaldum dhe Xhejms Milner ishin autorët e golave, në një përballje të vështirë në fushën e Kardifit, në Uells, e zorshme jo vetëm sepse vendasit rrezikojnë të bien nga kategoria.

Jurgen Klopi sqaron.

“Nuk jam aspak i lumtur me faktin që Kardifi e kishte lënë fushën pa e ujitur, pra e kishte lënë të thatë, në mënyrë që të dëmtonte lojën tonë, – tha trajneri gjerman, – gjithsesi, ne ia dolëm, dhe duhet të them se kjo ishte për meritë të futbollistëve të mi. Ishin ata që e nxorrën veten nga balta, dhe nuk patën nevojë për mua. Pretendojnë titullin dhe Championsin, por nuk do të mendojmë për këto gjëra. Do të përqëndrohemi vetëm për ndeshjen e së premtes ndaj Hadërsfildit, ndërsa më pas do të mendojmë që të pushojmë”.

Faqet sportive të gazetave angleze, i bënë jehonë fjalëve të Klopit.

“Deili Ekspres”: Klopi lejon lojtarët që të marrin fuqinë, trajneri i Liverpulit vlerëson futbollistët që diskutuan mes tyre në pushimin e ndeshjes, duke u motivuar për fitoren!

“Star Sport” pohon po këtë: Pushteti i lojtarëve! Plaku i artë Xhejms Milner festoon golin me penallti, duke imituar një ecje me shkop!

Liverpuli iu përgjigj siç duhet fitores së arritur të shtunën nga Mançester Siti, 1-0 ndaj Totenhemit, dhe u rikthye në krye të renditjes.

Të kuqtë kanë 88 pikë ndaj 86 të ekipit të Pep Guardiolës, që ka një ndeshje më pak të luajtur.

Fati I titullit ndoshta do të vendoset këtë fundjavë, në derbin e Mançesterit, në fushën e Junajtidit në “Old Traford”.

Nëse Siti fiton pritet të shpallet kampion, nëse nuk ia del, titulli mund të quhet i Liverpulit./abcnews.al



Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono