Liverpuli barazon në shtëpi, Çelsi shkatërrohet me 4 gola

17:23 | 31/01/201917:230

Skuadrat kryesore të Anglisë e patën sërish të vështirë në ndeshjet e Premier Ligës. Pas dështimit të dy ekipeve të Mançesterit, këtë e provuan edhe Liverpuli e Çelsi

U kuptua që në fillim se nuk ishte java e duhur për të fortët. Pasi dy skuadrat e Mançesterit provuan sesa e vështirë është Premier Liga, u erdhi radha edhe dy skuadrave të tjera të majës së tabelës.

Liverpuli dhe Çelsi dolën nga fusha krejtësisht të pakënaqur, ndonëse blutë e Londrës ishin të shkatërruar. Skuadra e trajnerit Jurgen Klop nuk arriti të përfitonte maksimalisht nga disfata e Mançester Sitit, pasi mori vetëm një barazim në stadiumin e vet, “Anfild”.

Leisteri, një rival serioz, i hapi punë dhe e mbylli ndeshjen 1-1, me Liverpulin që tani është 5 pikë larg Sitit, ndërsa shpresa ishte për të shkuar në +7. Sadio Mane kaloi vendasit në epërsi që në minutën e tretë, por mbrojtësi i kombëtares angleze, Harri Megajer barazoi në fund të pjesës së parë.

Të kuqtë kërkuan një penallti pas pushimit, dhe ajo mund të ishte dhënë, por përsa i përket lojës, Leisteri e meritoi barazimin. “Nuk duhet të shqetësohemi shumë nga ky rezultat, – theksoi Klopi pas ndeshjes, – natyrisht, nuk jam i lumtur sepse doja që të fitonim, por nuk ia dolëm dhe tani jemi edhe më shumë të shkëputur nga Siti”.

Liverpuli gjithsesi ka me vete historinë. Tetë herë në 9 sezonet e fundit, kampione ka dalë ajo skuadër që ka pasur një epërsi prej 5 pikësh ose më shumë në fund të muajit janar. E qartë që Çelsi doli nga mesjava shumë më keq se Liverpuli, pas katastrofës 0-4 në fushën e Bornmuthit.

Londinezët pësuan humbjen më të rëndë në 23 vitet e fundit, një sinjal i qartë se fundi i trajnerit Sarri mund të jetë i afërt, sidomos me një president si Roman Abramoviçi.

“Ndoshta është faji im që nuk arrij t’i motivoj këta lojtarë, – u shpreh italiani, – në fund të ndeshjes, i mbajta futbollistët për 50 minuta në dhomën e zhveshjes. Ne mund të humbasim, por jo në këtë mënyrë”. Analistët parashikuan se Sarri është në rrezik të madh, sidomos pasi kritikoi publikisht lojtarët e tij një javë më parë. Çelsi doli jashtë zonës Champions, me golaverazh më të dobët se Arsenali, ndërsa Mançester Junajtidi është shumë pranë. Liverpuli, ndërkaq, ka 61 pikë ndaj 56 të Sitit, ndërsa Totenhemi u afrua me dyshen e kreut pas suksesit ndaj Uatfordit./abcnews.al

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono