Lista e Bashës: Kryebashkiakët e tjerë me të shkuar ose me lidhje kriminale

13:57 | 14/08/2019

“Rama po përpiqet me shpejtësi të lajë duart”. Kështu u shpreh kreu i demokratëve këtë të mërkurë në lidhje me rastin e kryebashkiakut të sapozgjedhur të Shkodrës, Valdrin Pjetri.

Sipas kreut të selisë blu, rasti i Pjetrit nuk është rast i shkëputur. Kjo sepse sipas Bashës, sot një pjesë e mirë e të gjithë kryebashkiakëve, që Edi Rama u imponoi me dhunë shqiptarëve janë me të shkuar kriminale ose me lidhje të tanishme kriminale.

“Pjerin Ndreu në Lezhë një njeri nga lista e zezë e ambasadës amerikane për përfshirje në trafiqe, u hoq nga policia me Fatos Nanon, u rikthye deputet me Edi Ramën, u kap në dosjen 184, u kandidua për Bashkinë e Lezhës. Valbona Sako në Durrës është e përfshirë në vjedhjen e votave në bashkëpunim e krimin dhe është përfaqësuese e bandës Dako-Avdylaj me familjarë eksponentë të rëndësishëm të drogës

Artur Bushi në Krujë është i dënuar për trafik droge dhe nuk duhet të jetë kryebashkiak. Agim Kajmaku në Vorë është një person me dy identitete dhe i përfshirë në veprimtari të paligjshme në Greqi. Dionis Ymeraj në Dibër është gjithashtu njeri me të shkuar kriminale. I pushuar për korrupsion dhe nën hetim për korrupsion, i përfshirë në vjedhjen e votave në Dibër, përfaqësues i bandës së Ymer Lalës. Rakip Suli duhet të ishte përjashtuar dhe ndjekur penalisht, kur ishte deputet, për përfitimet e paligjshme në konflikt interesi për objektet me qera e me kontrata, por as nuk u përjashtua, as u dënua, por u kandidua. Tërmet Peçi në Tepelenë, Klement Ndoni, të arrestuar në flagrancë nga policia dhe të ndjekur nga prokuroria për qindra kilogramë kanabis”, tha Basha gjatë një konference për mediat.

Ndër të tjera, kryedemokrati theksoi se Rama po mundohet të imponojë sot përfaqësues të krimit dhe të pakicës kudo në Shqipëri.

“Edi Rama dhe mercenarët e tij në media dhe kudo, që sot po përpiqen t’i bëjnë dalje Valdrin Pjetrit duke larë duart, nuk patën asnjë fjalë për të thënë për Vangjush Dakon. E ndaluan edhe SHBA-të të hyjë në Amerikë për korrupsion, por Edi Rama dhe mercenarët e tij nuk thanë asnjë fjalë dhe nuk shkruan asnjë rresht. Për Damian Gjiknurin e kapur në korrupsion dhe në tentativë për të pastruar para në SHBA, të kapur në dosjen e 184 si koka e operacionit për shitblerjen e votave me bandën e Ymer Lalës, Edi Rama dhe mercenarët e tij nuk kanë asnjë koment

Për Jurgis Çyrbjen, përfaqësuesin e bandës së Shullazit në Kuvend, Edi Rama dhe mercenarët e tij nuk kanë thënë asnjë fjalë dhe nuk kanë shkruar asnjë rresht.  Nuk ka thënë e shkruar asgjë as për Ilir Ndrazhin, përfaqësuesin politik në Kuvend të bandës së Avdylajve. As për Rrahman Rrajan, as për Taulant Yaris, as për Ulsi Manjën, Xhemal Qefaliajn, Paulin Sterkajn, të kapur dhe evidentuar në bashkëpunim me bandit për vjedhjen e votave në Dibër, Durrës, Shkodër, Elbasan dhe gjithë Shqipërinë.

As për bandën e Xibrakës, bandën e fabrikës së kokainës, ku kanë dalë nga burgu autorët kryesorë. Pse kanë dalë?  Kush nuk e mban mend më  Estref Halili nga Kolonja e Lushnjes u shty drejt vetëvrasjes në paraburgimin e stërzgjatur për një cigare hashash, ndërkohë  që krerët e bandës së kokainës u shoqëruan nga policia drejt arratisë dhe ata që u kapën tashmë janë liruar. E vërteta është se të gjithë këta i mbrojti Edi Rama, se kështu mbron të vëllain e tij Olsin e përfshirë drejtpërdrejt me protagonistët e fabrikës së kokainës në Xibrakë. E vërteta është se lidhja e Edi Ramës me krimin është një lidhje e përhershme”, theksoi Basha./abcnews.al



Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono