Lionel Mesi thyen rekordin e asisteve në La Liga

16:53 | 25/02/2018

Lionel Mesi e vendosi veten edhe më shumë në historinë e ligës spanjolle, pas ndeshjes së fundit me Barcelonën. Argjentinasi mban tani, edhe rekordin e asisteve, edhe atë të golave.

Gjithmonë pritet me kërshëri ndeshja e tij e radhës.
Futbolli ka shumë yje, por Lionel Mesi sërish mbetet i veçanti, edhe më i veçantë sesa e mendonte veten Zhoze Murinjo kur mbërriti tek Çelsi.
Legjenda e gjallë e Barcelonës ia shtoi edhe më shumë famën vetes në sfidën në “Kamp Nou” ndaj Gironës.

Ishte mbrëmje e La Ligës, por një mbrëmje rekordesh.
Mesi u bë njeriu-asist numër 1 në historinë e kampionatit spanjoll, me topin e dhënë për Suarezin.
Miçell i Realit kishte arritur në 147 asiste, Leo ka tani 148.

Jo vetëm kaq, por ai vazhdon të thellojë rekordin e tij të golave.

Argjentinasi mbetet i shkëputur, tashmë me 371 rrjeta, të realizuara në vetëm 403 ndeshje.

Rekordet e Gerd Mylerit lihet pas ashtu siç lihet pas Kristiano Ronaldo, numri 2 në renditjen e golave në La Liga, me rrumbullak 300 të tillë, për të mos folur për ish-rekordmenin e shquar, Telmo Zarra, që ka mbetur shumë prapa në kuotën 251.

Duke pasur edhe rekordin e më shumë golave në një sezon, 50 në 2011-2012, legjenda e Mesit bëhet më e plotë.
Duke qenë në krye të renditjes së shënuesve edhe për këtë sezon, numri 10 pritet ta fitojë sërish Këpucën e Artë, për të 5-ën herë, dhe për të qenë fare pranë Telmo Zarrës, që ka 6 Këpucë të Arta.
Trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde, nuk e pati të lehtë të komentonte spektaklin e yllit të tij kryesor, në fund të ndeshjes së fituar 6-1 ndaj Gironës.

“Mesi i bën gjërat që të duken të lehta, – theksoi Valverde, – por, në të vërtetë nuk janë aspak të lehta. Është e vështirë të gjesh fjalët pas një paraqitjeje të tillë. Pikërisht, atëherë kur mendon se ke parë gjithçka që mund të bëjë, Leo të habit me diçka tjetër. Të gjithë presim të shikojmë se çfarë do t’i pjellë mendja në ndeshjen e radhës”.

Kënaqësia e trajnerit dhe e publikut, sidoqoftë, nuk ishte vetëm për argjentinasin.
Suksesi bëri që Barcelona të mbante ritmin në krye të kampionatit me 65 pikë, dhe pa asnjë humbje pas 25 javësh të luajtura.

Luis Suarez ishte autor i 3 golave, duke qenë edhe ai në garë për Këpucën e Artë, e duke lënë pas një fillim të vështirë të sezonit.
Lajmi tjetër shumë i rëndësishëm ishte që dy blerjet e shtrenjta, Kutinjo e Dembele, më në fund po integrohen në ekip.

Braziliani shënoi golin ndoshta më të bukur në ndeshjes, përveçse shërbeu asist për një nga golat e Suarezit.
Francezi nuk e gjeti dot rrugën e rrjetës, por sërish ndihmoi shokët dhe prova e tij ishte shumë pozitive.
Me këtë formë, katalanasit janë pranë titullit, në finalen e Kupës së Mbretit, por edhe në pretendime të mëdha për të fituar edhe Championsin./abcnews.al




Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono