Lindja e Mesme, Merkel: Të rikthejmë marrëveshjen me Iranin

22:24 | 17/09/201922:240

Duke reaguar në lidhje me situatën në Lindjen e Mesme, kancelarja Angela Merkel ka deklaruar se një marrëveshje bërthamore me Iranin është mënyra e vetme për të ulur tensionet. Nga ana tjetër, Merkel ka kritikuar planin e aneksimeve të shpallur javën e kaluar nga kryeministri izraelit Netanyahu.

Kancelarja gjermane Angela Merkel bëri thirrje ditën e martë që vendet e Perëndimit të kthehen në marrëveshjen ndërkombëtare që frenon aktivitetet bërthamore të Iranit, si mënyra e vetme për të çtensionuar situatën në Lindjen e Mesme.

“Mendoj se mënyra e duhur për të ndalur Iranin që të pajiset me armë bërthamore është krijimi i një blloku tek i cili duhet të aderojmë të gjithë”, deklaroi Merkel gjatë një konference për shtyp me mbretin Abdullah të Jordanisë.

Megjithatë, vijoi ajo, ka edhe çështje të tjera për të cilat Irani është përgjegjës, si programi i raketave balistike dhe roli i tij në Siri.

“Në ditët e fundit tensionet në rajon janë përshkallëzuar dhe Gjermania do të jetë gjithmonë në favor të çtensionimit përmes zgjidhjeve afatgjata dhe proceseve politike”, vijoi Merkel.

Ndër të tjera, kancelarja kritikoi planin e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për të aneksuar kolonitë hebraike në Bregun Perëndimor, duke thënë se dëmton negociatat e paqes me palestinezët.

“Qeveria gjermane mbështet një zgjidhje të negociuar ndërkombëtarisht, me formulën e dy shteteve. Aneksimet janë gjithmonë të dëmshme dhe nuk ndihmojnë, ndaj ne nuk biem dakord”, tha Merkel.

Nga ana tjetër, mbreti Abdullah i Jordanisë u shpreh se, plani i njoftuar nga Netanyahu është një katastrofë që pengon çdo përpjekje për një zgjidhje paqësore me dy shtete./ABC News Albania 24/7

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono