Lihen në burg 3 protestues të 21 Marsit

14:25 | 24/03/2019

Gjykata e Tiranës la në burg 3 nga 6 të ndaluarit pas protestës së opozitës më 21 Mars, ndërsa për 3 të tjerë u vendos masa “arrest shtëpie”. Ish-deputetët e PD-së e cilësuan vendimin politik.

Gjykata e Tiranës la në burg 3 nga 6 të arrestuarit e protestës së opozitës të zhvilluar më 21 Mars para Parlamentit. Për Dorjan Protoduarin, Mariglen Doçin dhe Emiljano Mustafën, u vendos masa e sigurisë “arrest në burg”, ndërsa u lanë në arrest shtëpie Jurgen Gjikola, Arbër Kola dhe Bledar Dollia. Mbi të ndaluarit rëndon akuza “Kundërshtimi i punonjësit të policisë”, “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Gjykatësi Gert Hoxha vendosi që procesi të zhvillohet me dyer të mbyllura për shkak të numrit të lartë të përkrahësve të të ndaluarve. Jashtë godinës së gjykatës ishin familjarët dhe deputetët e dorëhequr të opozitës, të cilët mbështesnin personat e arrestuar nga Policia e Tiranës, mbrëmjen e 21 Marsit.

Në fjalën e tij, Edmond Spaho, ish deputeti i PD-së, dënoi vendimin, ndërsa paralajmëroi se protestat nuk do të ndalen.

“Siç e shihni edhe sot, prokuroria dhe gjykata me urdhër politik mbajti tre të ndaluar me arrest me burg pa fakte dhe prova. Shqipëria është ndoshta i vetmi vend në Evropë që burgos kur proteston për të drejtat e tua. Qëllimi i prokurorisë dhe gjykatës në këtë rast është të dalë në mbrojtje të mazhorancës me synim që do trembi protestuesit në protestat e ardhshme që do organizohen kundër kësaj qeverie dhe Edi Ramës, por janë të pashpresë në këto përpjekje që bëjnë pasi gjithmonë, kur qytetarët përplasen me qeverinë, fituesit janë qytetarët dhe kështu do ndodhë edhe me këtë mazhorancë dhe me Edi Ramën, i cili shumë shpejt do të lërë karrigen e pushtetit”, tha Spaho.

Pas zbardhjes së vendimit, avokatët Ivi Kaso dhe Artan Murrizi theksuan se do ta apelojnë vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë. Ndërkohë për protestën e 21 Marsit, u proceduan në gjendje të lirë në total 29 persona, ndërmjet tyre është Gazmend Bardhi, sekretar i përgjithshëm i Partisë Demokratike, i cili ishte organizatori i manifestimit./abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono