Largimi i paralajmëruar i Armando Cungut Kukësi

15:28 | 20/03/2019

Largimi i Armando Cungut nga Kukësi ishte i paralajmëruar. Trajneri ishte në dyshim gjatë gjithë vitit 2019, pasi skuadra mbeti prapa Partizanit në Superligë, edhe pse u përforcua ndjeshëm në dhjetor.

Duhej të kishte ndodhur ndryshe. Pas një faze të parë shumë të mirë, Kukësi i drejtuar nga trajneri Armando Cungu, mori edhe tre përforcime të nivelit të lartë, si sulmuesin Vasil Shkurtaj, mesfushorin Rroca, dhe ish-lojtarin e kombëtares, Valdet Rama.

Për fatin e keq të kuksianëve, skuadra nuk e nisi mirë vitin 2019, ndonëse në fund të 2018-ës u ndodh vetëm 3 pikë larg Partizanit të vendit të parë. Siç ndodh shpejt në klubin verior, tensioni u ngrit dhe presidenti Gjici kërkoi ndryshim të menjëhershëm.

Pavarësisht përpjekjeve, të besuarit e Cungut nuk mundën të realizonin kthesën dhe trajneri u ndodh thuajse i shkarkuar, pas disfatës së pësuar në Durrës me Teutën.

Burime në klub, u shprehën për Abc News-in se edhe trajneri, edhe presidenti e menduan përfundimin e bashkëpunimit, por Gjici, pasi u mendua gjatë, vendosi ta mbante shkodranin.

Gjithsesi, kriza ishte në ajër, dhe shpërtheu pas humbjes së radhës në Superligë, asaj në fushën e Skënderbeut. Kaluan vetëm tri ditë, dhe Gjici vendosi largimin e trajnerit, i cili sipas njoftimit zyrtar të klubit, u bë me mirëkuptim. Reagimi i tifozëve ishte i dyfishtë.

Një pjesë e tyre, ishin dakord me largimin e Cungut, duke përdorur si argument rezultatet jo aq të mira sa priteshin, sidomos pas përforcimeve të dhjetorit.

Sidoqoftë, disa tifozë të tjerë i kujtuan klubit se shkarkon shumë teknikë, duke e quajtur të gabuar vendimin. Ata theksuan se Kukësi po luan jashtë fushe, si dhe që ekipi nuk është I plotësuar siç duhet në çdo repart.

Drejtori teknik, Ramadan Ndreu, e ka nisur ndërkaq stërvitjen me skuadrën, në përgatitje të ndeshjes së radhës në kampionat. Për Cungun, ky ishte largimi i dytë nga Kukësi, pas atij të vitit 2013.

Nën drejtimin e tij, dhe me drejtor sportiv Sulejman Starovën, u kaluan 4 ture në Ligën e Europës, një rekord shqiptar i thyer vetëm nga Skënderbeu. Gjithsesi, sukseset e jashtëzakonshme nuk mjaftuan, pasi shkodrani dha dorëheqjen pas humbjes me Partizanin në Krujë, duke ndjerë se do të shkarkohej.

Që nga ajo kohë, Kukësi ka pasur në drejtim të paktën 10 njerëz të stolit, duke arritur të shpallet kampion e të fitojë Kupën, pas shpenzimeve të mëdha të presidentit Gjici./abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono