Laçi, surpriza e Superligës

13:32 | 08/10/201813:320

Laçi është një nga të papriturat kryesore të Superligës këtë sezon. Skuadra kurbinase ndodhet në vendet e para, falë punës së trajnerit Mergjyshi, por edhe të aftësisë së presidentit Laska për të qenë në pozicion të mirë në hierarkinë e futbollit shqiptar.

Prej vitesh ndodhet pranë majave.

Emrin e ka Laçi, ekip i një qyteti të vogël me të njëjtin emër dikur thjesht një fshat, tashmë i mësuar edhe me trofe, dhe me kupat kontinentale. Pasi fitoi Kupën e Shqipërisë dy herë në tri finale, fitoi edhe Superkupën e Shqipërisë, si dhe mori pjesë me sukses në Ligën e Europës, po shkëlqen edhe në Superligë.

Tashmë, nën drejtimin e trajnerit Artan Mergjyshi, që po vazhdon njëlloj si Cungu, Mezani apo Prenga. Është e pamundur të intervistosh sot te kurbinasit, pasi presidenti Laska nuk e lejon, ndërsa vetë numri 1 i klubit është një nga arsyet kryesore të suksesit.

Jo teknikisht, pasi kjo është ekskluzivitet i trajnerëve, por me forcën me të cilën drejton klubin, duke mos lejuar probleme të lojtarëve me stafin teknik. Burime pranë klubit pohojnë se presidenti ka ditur të pozicionohet në hierarkinë e futbollit shqiptar, gjë që do të thotë se të paktën nuk dëmtohet nga arbitrat.

Laçi nuk shpenzon sa shumë klube të tjerë me pretendime, si Skënderbeu, Kukësi, Partizani, Tirana apo Flamurtari. Jozyrtarisht, dihet se buxheti vjetor nuk shkon më shumë se 300.000 euro, ndërsa për fitore të rëndësishme ka shpërblime.

Pas suksesit të kësaj jave ndaj Tiranës, u dhanë 3.500 euro për lojtarët. Suksesi nuk ka qenë i lehtë për një ekip të pathyer deri tani dhe shumë pranë kreut.

Burime në ekip tregojnë se trajneri Mergjyshi është dashur të mbrojë disa herë zgjedhjet e tij teknike, duke aktivizuar shkodranin Shtubina, e duke lënë në stol sulmuesin maqedonas, Altiparmakovski, të sjellë nga klubi, por që nuk e ka bindur teknikun.

Problem pritet të jetë fakti se disa ndeshje do të luhen në fushë asnjanëse, për shkak të punimeve që kanë nisur në fushën e stadiumit kurbinas. Përvoja e sezoneve të kaluara ka treguar se Laçi është nga ato ekipe që ka ditur të jetë konkurrent deri në fund, pra nuk do të ishte habi që sërish të kualifikohej për në garat europiane./abcnews.al

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono