“Kushtetuesja”, Meta kallëzon në prokurori kreun e KED, Dvorani: S’kam shkelur Kushtetutën

19:20 | 19/11/201919:200

Pas përplasjes institucionale për emërimet në Gjykatën Kushtetuese, Presidenti i Republikës Ilir Meta firmosi kallëzimin penal për kreun e KED-së që u depozitua në tre prokurori. Kreu i shtetit e akuzon Ardian Dvoranin për “Shpërdorim detyre” dhe “Përvetësimi te titullit apo detyrës shtetërore”.

Në një reagim për këtë kallëzim, kreu i KED thekson se nuk ka kryer asnjë shkelje të Kushtetutës, por është i gatshëm t’i përgjigjet prokurorisë.  

Përplasja disa mujore midis Presidentit të Republikës Ilir Meta dhe Kreut të KED Ardian Dvoranit, u konkretizua me kallëzimin penal të firmosur nga Kreu i Shtetit kundrejt  Dvoranit. Presidenti e akuzon kreun e KED se nuk ka zbatuar ligjin në renditjen dhe përcjelljen e listave së kandiatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Në kallzimin e Presidentit të Republikës, nënvizohen dy akuza për Ardian  Dvoranin “Shpërdorim detyre” dhe “Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore” të parashikuar në nenet 248 dhe 246 te Kodit Penal.

Kallëzimi është dërguar në Prokurorin e Përgjithshme, prokurorine Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe Prokurorine e rrethit gjyqësorë Tiranë, të cilat do të vendosin se kush e ka kompetencën për të regjistruar dhe hetuar kallëzimin penal. Në padinë e depozituar në të treja organet e hetimit nëe kryeqytet ndër te tjera thuhet:

“Presidenti i Republikës ka konstatuar përgjatë veprimtarisë së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (2019) disa shkelje të rënda përgjatë ushtrimit të detyrës nga Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi zoti Ardian Dvorani, veprime këto të cilat kapërcejnë kufirin e “shkeljes disiplinore”, dhe hyjnë drejtëpërdrejtë në sjellje që e ngarkojnë zotin Dvorani me përgjegjësi penale. Veprimet dhe mosveprimet e tij kanë krijuar një pasojë shumë të rëndë, që është cenimi i legjitimitetit të të gjithë procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese”. 

Kallëzimi i firmosur nga kryetari i shtetit Ilir Meta thekson gjithashtu se:

“Presidenti i Republikës vlerëson ekzistencën e një rreziku real që i akuzuari Ardian Dvorani të kryejë sërish veprime kriminale dhe mafioze në shkelje të ngjashme të Kushtetutës dhe ligjit, që do të ndikonin drejtpërdrejt në mirëfunksionimin e organeve te reja kushtetuese”.

Pasi ka radhitur shkeljet, sipas tij, në një dokument prej 38 faqesh, Meta kërkon ndër të tjera nga prokuroria që të sekuestrojë materialet e mbledhjeve të KED te datave 21 shtator 2019 dhe 9 nëntor 2019.

Pas depozitimit të kallëzimit penal të presidentit, ka reaguar i padituri, kreu i KED Ardian Dvorani. Në një sqarim të gjatë me shkrim, kreu i KED thotë se si çdo shtetas e funksionar shtetëror, i nënshtrohet Kushtetutës e ligjeve dhe do t’i bindet organit të prokurorisë për të dhënë shpjegimet përkatëse.

“Kallëzimi penal i presidentit bazohet në pretendime për ekzistencën e disa fakteve, sjelljeve dhe veprimeve, të cilat janë të pavërteta, por që ndoshta kallëzuesi mendon se kanë ndodhur apo do të dëshironte të kishin ndodhur për motivet që i di ai”.

Presidenti e akuzon për marrje të kompetencave, por Kreu i  KED e sheh tjetërkund arsyen e këtij reagimi nga ana e Ilir Metës.

“Siç duket shtetarët tanë ende nuk janë mësuar dhe nuk ndjehen mirë që ndryshimet kushtetuese i kanë hequr, si në rastin e Presidentit e jo vetëm, autoritetin ekskluziv të mëparshëm, aq shumë të kritikuar e ndoshta të abuzuar, kur procesi ishte mjaft problematik, me mungesë transparence, pa procedura e kritere ligjore seleksioni e vlerësimi bazuar në integritetin e meritokracinë e kandidatëve, si edhe pa asnjë kufizim ligjor tjetër në thirrjen dhe përzgjedhjen e gjyqtarëve kushtetues. Tashmë është KED, një organ i ri i pavarur kushtetues të cilit Kushtetuta i ka ngarkuar kompetencën ekskluzive për të bërë verifikimin e integritetit të kandidatëve dhe më pas vlerësimin e renditjen e atyre që kualifikohen”.

Ardian Dvorani thotë se sjelljet e tij nuk përbëjnë asnjë vepër penale, por gjithsesi këtë sipas tij do ta vendosë prokuroria dhe gjykata. /abcnews.al

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono