20:06 | 02/02/2019

Një investigim i Zërit të Amerikës u bë shkak që debati politik të degradonte në kuvend, mes Edi Ramës e Sali Berishës. Arsyet e aktorëve politike shkojnë përtej asaj që duket. Detajet i sjell Mimoza Koçiu me Politika në ABC News.

Në këtë mënyrë Edi Rama e Sali Berisha spikatën javën politike që lamë pas, e jo se është e pazakontë që dy politikanë të kahjeve të kundërta të përplasen në akuza. Ishte vetë Edi Rama që e orientoi vëmendjen publike tek rivali Sali Berisha, të cilin e mundi në 2013, e gradualisht nuk e përdor më si kartë për t’u mbrojtur politikisht.

Përse vallë kjo lëvizje me këtë shfaqje degraduese javën politike që lamë pas?

Në mënyrë të pazakontë Kryeministri Rama, spikati me mungesën mediatike për disa ditë. Të ishte një zgjedhje personale, apo një fundjavë e gjatë, pas ekspozitës që çeli të premten e 25 Janarit në Berlin? U shfaq vetëm të mërkurën, në eventin socialist të bashkëqeverisjes, që e mban në godinën e qeverisë. Por të vetët i kryen detyrat: grupi parlamentar miratoi e zbatoi qëndrimet politike të javës: rrëzimin edhe të emrit të dytë të propozuar nga Presidenti për kryetar të KLSH, rrëzimin e dekretit të Metës për Ligjin mbi Noterinë, e pranimin e pjesshëm të dekretit për kadastrën. Dy ministra zhvilluan një dëgjesë me ankesat e banorëve të kanionit të Holtës, ku qeveria kishte miratuar ndërtim heci, ndërsa u kryen disa lëvizje të tjera në agjensi të rëndësishme. Pas kreut të ARRSH më herët, javën politike që lamë pas, u largua edhe drejtuesi i KESH, për t’u zëvendësuar me Benet Becin, që mbante prej 13 vitesh detyrën e kreut të FSHZH, e në krye të Fondit u emërua ish-administratori i Bashkisë në kohën e Ramës, Dritan Agolli.

Këto lëvizje kaluan pa zhurmë, por çka bëri efekt të fortë publik, ishte rikthimi i një çështjeje që po harrohej prej tre muajsh: inkriminimi e blerja e zgjedhjeve. E solli VOA përmes një investigimi të gazetarëve shqiptarë për BIRN.

Historia nuk është e panjohur, e protagonisti më i spikatur i përgjimeve Vangjush Dako, nuk kishte mohuar komunikimin me personazhet në studion e Blendi Fevziut. A ishte vallë rastësor rifreskimi i asaj historie? Prej fillimit të këtij viti, Zëri i amerikës u jep zë investigimeve mbi punën e qeverisë. Për skandalin e DH Albania, VOA thotë se kompania me letra të fallsifikuara, ishte asistuar nga institucionet shqiptare në rrugëtimin ku mori 30 milionë euro për projekte publike. Ndërsa dy javë më herët, e njëjta media që financohet nga qeveria amerikane, publikoi një investigim mbi punësimet partiake në sistemin e burgjeve. Risjellja në vëmendje e përgjimeve, mbi mënyrën se si janë marrë votat, padyshim që ngre pikëpyetje të forta mbi legjitimitetin e pushtetit të Kryeministrit. Pikëpyetje që ia kishte dalë t’i zbuste, duke e paraqitur opozitën si të dobët. Nxitimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të nisur hetim për nxjerrje të sekretit hetimor, pas publikimit të përgjimeve nga VOA, në fakt rrit pikëpyetjet se përse Vangjush Dako i lakuar në përgjime, nuk është thirrur për të dhënë shpjegime.

Ndryshe nga rasti i investigimit në punësimin në burgje (14 Janar) ku reagoi me dy Twitter, duke e krahasuar VOA-n me mediat e Tiranës që i quan kazan, Edi Rama heshti ditën e publikimit të përgjimeve, njëlloj si për materialet mbi “DH Albania”.

Opozita u duk se gjeti një provë më shumë për akuzat e saj për blerje të zgjedhjeve, e madje ndërtoi strategjinë parlamentare të të enjtes rreth saj.

Ishin përgatitur të flisnin që në çështjen e parë, aktin normativ për një ndryshim në ligjin për buxhetin 2018, ku ministrja e re e Financave do kishte përballjen e parë me Kuvendin.

Edi Rama kishte zgjedhur të mos ishte në seancë, e të ruante heshtjen, që pas investigimit të publikuar nga VOA. Por opozitës i duhej prania e tij për të zhvilluar debatin, e nxitjen e parë e bëri ish-Kryeministri Berisha.

Siç paralajmëroi se po e priste, Edi Rama informoi kishte zhvilluar një bisedë telefonike me këshilltarin për sigurinë të presidentit Trump

Bisedë me Shtëpinë e Bardhë. Në fokus Shqipëria,rajoni dhe objektivi strategjik për një marrëveshje paqeje mes Kosovës e Serbisë,që të mbyllë konfliktin historik.Këshilltari për Sigurinë John Bolton, më falenderoi në emër të Presidentit për qëndrimet konseguente të Shqipërisë

Por njëlloj si për vizën e Berishës, korridoreve të ngushta të politikës e medias, qarkullon lajmi se Rama po shpreson një vizitë në Shtëpinë e Bardhë, pas dëbimit të dy diplomatëve iranianë, qëndrim për të cilin mori përgëzime nga vetë presidenti amerikan. Nga ana tjetër, lobimi për variantin e artikuluar nga Hashim Thaçi për rishikim të kufijve mes Kosovës e Serbisë, ka mbërritur deri në paradhomën e shtëpisë së bardhë, e Edi Rama duket i vetmi që i qëndron Thaçit në krah. Nëse në Kosovë, kundërshtar i fortë i idesë është Kryeministri Haradinaj, në Shqipëri, një edhe një zë i fortë kundër, me impact mes shqiptarëve të rajonit është pikërisht Sali Berisha, shënjestra që Rama iu vu edhe disa orë më vonë, mbrëmjen e të enjtes. E Berisha iu përgjigj përmes Opinionit të Blendi Fevziut.

Kryeministri Rama nuk e mbylli me aq. Të nesërmen e sulmoi fort Berishën për llogari të Hashim Thacit, të cilin ish km e kishte sulmuar sërish, për idenë e rishikimit të kufijve. Në fakt Presidenti Thaci, njëlloj si Rama, kishte patur një komunikim me këshilltarin për sigurinë të Trump John Bolton, për marrëveshjen me Serbinë, një sinjal se si Thaçi ashtu edhe Rama, po kërkojnë konsensus amerikan, në mungesë të atij shqiptar.

Edi Rama ka hapur shumë fronte njëkohësisht, që i janë kthyer në sfida jo të lehta. Lulzim Basha po përpiqet ta mbajë fokusin tek protesta e 16 shkurtit, edhe pse nuk ia doli ta tërhiqte në atë debat Edi Ramën të enjten në Kuvend. Lëvizjet e tij kanë tiparet e përgatitjeve për fushatë parlamentare, edhe pse në radhë janë zgjedhjet vendore.

Studentët po i kthehen gradualisht mësimit, ndërsa vendrezistenca mbetet fakulteti i drejtësisë. ku një grup studentësh pengojnë mësimin edhe për ata që duan t’i rikthehen. Zhvendosja tek gjimnazi “Petro Nini”, për ata që duan mësim, duket më shumë një zgjidhje imazhin, që vë në pikëpyetje seriozitetin së pari të Fakultetit të Drejtësisë e së dyti, të vetë ministrisë së arsimit.

Prej kohësh Shqipëria pluraliste nuk e ka normalitetin, pikë të fortë, e këtë e dëshmoi me zhvillimet e javës politike që lamë pas. /abcnews.al



Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono