Kur Ilir Meta i jep leksion Edi Ramës

15:40 | 17/11/2018

Sandër Lleshaj është ministri i ri i Brendshëm. Përplasja kushtetuese mes Presidentit e Kryeministrit mori fund vetëm pasi gjeneral Lleshaj u lirua nga funksioni ushtarak. Dinamikat e këtij zhvillimi të javës politike që lamë pas dhe lëvizjet e aktorëve që u përfshinë, na i sjell Mimoza Kociu në Politika në ABC News.

Më në fund e ka ministrin e vet të brendshëm Sandër Lleshaj. Presidenti ia dekretoi 3 orë para përfundimit të afatit të dytë kushtetues, të premten e 16 Nëntorit. Ky zhvillim i javës politike që lamë pas, ishte epilogu i asaj që nuk ishte thjesht një përplasje mes presidentit e KM, por një ilustrim se si dy institucionet më të larta të vendit, i qasen ligjit e kushtetutës. Për herë të parë një president ktheu propozimin e Kryeministrit për dekretim ministri, e po për herë të pare, një kryeministër propozoi një ushtarak aktiv për ministër të Brendshëm. Institucioni më i lartë i pavarur në vend dhe ekzekutivi matën forcat publikisht, në një debat që u zhvillua në vetë të parë. Me nxjerrjen në lirim të gjeneral Sandër Lleshajt, e dekretimin e tij më pas si ministër i Brendshëm, Presidenti i dha një leksion kushtetues kryeministrit, që plot dy herë i propozoi për ministër një person në konflikt kushtetues.

Po cfarë ndodhi javën politike që lamë pas?

Pas refuzimit pa dekret të Sandër Lleshajt për ministër të brendshëm, Kryeministri ia dërgoi për herë të dytë të njëjtin emër, këtë herë me sqarime për figurën e personit, i emëruar zv ministër i Brendshëm e i komanduar ministër. Gatishmëria e shprehur nga Presidenca për rishqyrtimin e Sandër lleshajt, u përshëndet nga Kryeministri, ndërsa në këtë komunikim publik, Meta e Rama, përmes zëdhënësve, shigjetuan njëri-tjetrin, duke thënë se Presidenti nuk kishte marrë dot sqarime herën e parë pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme, ndërsa Kryeministri, se nuk i ishte kërkuar asnjë lloj sqarimi nga presidenti, as në takimin 90 minutësh, i iniciuar nga vetë shefi i qeverisë për sqarim. Qëndrimi duket nuk i pëlqeu Metës, që si përgjigje publikoi 14 pikëpyetjet për Sandër LLeshajn, drejtuar MM. Thelbi i dyshimit të presidentit ishte nëse Lleshaj ishte ushtarak aktiv, pasi fitoi gjyqin për shfuqizimin e dekretit të presidentit Nishani, që e kishte liruar nga detyra.

Referenca penguese është pikërisht kushtetuta, që ndalon një ushtarak aktiv të emërohet në funksione të tjera publike a politike. Dukshëm KM e ka marrë si sfidë personale, e u përgjigj para se ta bënte MM. Në stilin e Metës, Rama publikoi në tëitter atë që e konsideroi një zgjidhje shteruese. Shkruan se Lleshaj nuk është general aktiv, por në rast dyshimi të presidentit, i bashkangjit një kërkesë nga vetë Lleshaj, tashmë në detyrën e zv ministrit të brendshëm, që i kërkon dalje në lirim. Në fakt sipas ligjit, kërkesën për lirim të një ushtaraku e bën MM, por KM dukej I vendosur ta zgjidhte në nivel personal situatën.

Padyshim që me rezistencën për ministrin e Brendshëm, Ilir Meta i dha një tjetër dimension figurës së presidentit të republikës. Këmbëngulja atipike presidenciale, zbuloi konfliktin kushtetues në propozimin e Kryeministrit. Kërkesa e ministrisë së mbrojtjes për ta liruar nga detyra si general aktiv Sandër Lleshajn, e konfirmoi më tej. 7 orë pasi e nxori në lirim, mbrëmjen e të premtes, kreu i shtetit firmosi edhe dekretin miratues për Sandër Lleshajn si ministër i brendshëm. Konflikti formal institucional u kapërcye, por jo ai njerëzor. Nëse me Edi Ramën komunikon përmes sekretares, Ilir Meta po dëshmon publikisht se preferon një tjetër interlokutor, Gramoz Ruçin, një anashkalim që mund të mos i pëlqejë fort shefit të mazhorancës. Sidoqoftë e sigurt është se në lojën e preferuar të Kryeministrit, ai që bëri shah-mat këtë herë, ishte pikërisht kreu i shtetit./abcnews.al





Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono