Kur dezinformon Edi Rama: Politika në ABC News

21:09 | 21/12/201921:090

Politika në “ABC News” sjell këtë javë debatin për paketën anti-shpifje, që u finalizua me votim në Kuvend, pavarësisht reagimeve kombëtare e ndërkombëtare. Mimoza Koçiu  sjell këtë dinamikë me argumentimet dezinformimuese të kryeministrit Rama, në mbrojtje të iniciativës së tij për rregullimin shtetëror të mediave.

“Duan, s’duan ata, ky ligj do kalojë sot” deklaroi Rama.

“Qartësisht nuk e ke haberin fare të ligjit që ne sot do ta miratojmë, me gjithë keqardhjen që nuk ua plotësoj dot dëshirën që të tërhiqemi urgjent, sikundër na bëni thirrje. Ky ligj do miratohet sot si një e drejtë e gjithkujt që të mbrohet nga lumi i shpifjes”.

Me komoditetin e numrave në Kuvend, Edi Rama mund t’i verë kufi ligjor gjithçkaje që ai vetë mendon se nuk shkon, përfshi të drejtën e mediave për të qenë në krah të shoqërisë e përballë qeverisë, pa pengesa ligjore, sidomos të inciuara nga qeveria. I tillë ishte rasti i paketës së ligjeve të iniciuara prej Ramës, e që u votuan në kuvend më 18 dhjetor. As kundërshtimi i unifikuar i 15 organizatave të medias e të drejtave të njeriut, i KE e KiE përfshi eurodeputetë, nuk e lëkundën KM, që pasi mori mbështetje në “Tëitter” nga përfaqësuesi i OSBE për lirinë e medias, e justifikoi atë paketë që targetonte mediat, përmes një mbrojtjeje që i kishte të gjitha elementët e një dezinformimi publik, i bërë me gojën e kryetarit të qeverisë.

Po çfarë ndodhi javën politike që lamë pas?

“Të gjithë reporterët që bëjnë një lloj gazetarie të verifikimit nuk do të kenë asnjë lloj trysnie”.

Nuk u ul asnjëherë me organizatat e medias gjatë një viti të kundërshtive të tyre, por kaloi me unitet kartonash të të vetëve, dy pligje të propozuara prej tij. Nën hashtagun kryesor “Mos na prek fjalën”, gazetarët dolën në protestë, duke i kërkuar deputetëve njësoj si në komisionet e medias e ligjeve, rrëzimin e p.ligjeve, që i konsiderojnë një akt censure, e kontestuar së pari rolin prej gjykate që këto ndryshime i njohin Autoritetit të Mediave Audiovizive AMA. Ky rol i AMA-s dhe AKEP mbeti i tillë pas çdo ndryshimi që iu bë p.ligjeve. Madje edhe niveli i gjobave u rrit me propozim të nr dy të PS. Një ditë para votimit në parlament, Taulant Balla korrigjoi uljen nga 120 mijë lekë në 800 mijë, e propozuar në komisionin e medias e ligjeve. Sipas Ballës 800 mijë duhet të jetë niveli minimal i gjobës, që me propozimin e tij që kaloi në parlament, shkoi në 2 milionë lekë të reja, pra dyfishi i gjobës më të lartë të propozuar prej fillimit.

“Me gjobë 800 mijë lekë dëri në 2 milionë lekë”, tha Balla.

Ndryshimet, ishin bërë deri pak orë para seancës së votimit. Nuk është ky rasti i parë kur Kuvendi nxiton për t’iu përshtatur vullnetit të qeverisë. Ky i fundit iu drejtua gazetarëve që protestonin jashtë sallës së parlamentit, e që nuk i ka konsultuar ndonjëherë, me këtë gjuhë.

“Që ta marrin vesh të gjithë se këtu jemi përballë një turme që nuk lexon dhe që madje nuk denjon të lexojë e që madje e thotë hapur, “as na intereson fare se çfarë shkruhet në ligj, ne nuk duam ligj, sepse çdo ligj, cenon lirinë tonë”, u shpreh Rama.

Interesant është se teksa flet për shpifje e lajme të rreme, kryeministri nuk është aspak modeli që pretendon nga mediat, tashmë edhe me ndëshkime ligjore.

“Nga fjalia e parë te fjalia e fundit ligji është, jo 99%, por 100% i përputhur me standardet ndërkombëtare, jo 99, 100%”, theksoi kryeministri.

Në fakt si BE ashtu edhe KiE e kanë kundërshtuar ashpër këtë paketë ligjore. 9 ambasadorë të BE në Tiranë zhvilluan një takim me organizatat e gazetarëve e të të drejtave të njeriut më 17 dhjetor. Të njëjtën ditë, pak orë më vonë, përgjigja e Komisionit Europian interesimit të mediave ishte se edhe pas ndryshimeve më të fundit, drafti ngre shqetësime se nuk janë marrë parasysh rekomandimet ndërkombëtare. KE i referohet këasaj ekspertize të porositur prej tij, ku sugjerohet jo rregullimi nga shteti, por vetërregullimi nga mediat.

Komisioni u ka bërë thirrje autoriteteve që të marrin në konsideratë komentet e bëra nga OSBE dhe rekomandimet e Këshillit të Evropës, të mobilizuara nëpërmjet fondeve të BE, në mënyrë që të sigurojë përputhshmërinë me standardet europiane në fushën e lirisë së shprehjes. Këto rekomandime përfshijnë, ndër të tjera, kufizimin e qëllimit të rregullimit vetëm në shërbimet e mediave audio-vizive online, duke promovuar vetë-rregullimin, sigurimin e shqyrtimit të pavarur gjyqësor të ankesave të lidhura me median dhe forcimin e transparencës së pronësisë së mediave në vend.

Komisioni Europian i referohet edhe shqetësimit të përcjellë para tij, nga Komisionerja e Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatovic që flet për goditje të fortë të lirisë së medias.

“Unë jam veçanërisht e shqetësuar që kompetencat diskrecionale që u janë dhënë organeve rregullatore, mundësia e vendosjes së gjobave të ekzagjeruara dhe bllokimi i faqeve të internetit të mediave pa një vendim gjyqësor, si dhe ndërhyrja e një rregullimi nga Shteti të mediave online, mund të sjellin një goditje të fortë për lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave në vend… Eshtë me rëndësi të madhe të sigurohet që interneti të mbetet një forum i hapur dhe publik dhe që të mbizotërojë vetë-rregullimi nga ana e mediave, përfshirë mediat online”.

As Komisioni Europian e as komisionerja Mijatovic, nuk i korrigjuan deklaratat e tyre, pas ndryshimeve që mazhoranca deklaroi se bëri në p.ligjet. Por cka Km thotë të vërtetën kur deklaron konsultat me OSBE

“Mos më trego mua as PE as OSBE as BE, as KiE, se unë këtu flas me përgjegjësi, nuk tregoj përralla siç tregon ti dhe po të them që ligji është i dakordësuar, jo 99%, por 100% me OSBE-në, 100% me osve dhe i përputhur 100% me standardet ndërkombëtare”, tha Rama.

Kjo deklaratë ishte konfirmuar nga përfaqësuesi për lirinë e medias Harlem Desir, një ditë para se p.ligjet të kalonin në seancë plenare.

“Ne kemi punuar me kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë shqiptare, deri në momentin e fundit, për të përmirësuar projektligjet për median, dhe për t’i sjellë ato në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe rekomandimet e OSBE-së”.

Në qëndrimin në disa postime në tuiter, Desir shkruan se zyra e tij do monirorojë nga afër zbatimin e ligjit të ri. Reagimi i Desir befasoi së pari organizatat e mediave që kundërshtojnë prej një viti pligjet. Kjo pasi në të paktën 4 rekomandime ligjore të zyrës së Desir, shqetësimi për rolin e AMA-s e AKEP, ndaj përmbajtjes së lajmeve mbetej permanent dhe i ngjashëm me atë të organizatave të medias.

“Kush thotë që ky është një akt individual ose unilateral i qeverisë, gënjen. Kjo është paketë e cila është konsultuar 1 vit rresht. Unë kam patur komunikimin edhe me ata të BE, edhe me ata të Këshillit  të Europës….u thashë që jeni nën presionin e organizatave të rreme”, shpreht Rama.

Vetë Desir kishte zbuluar më 4 korrik të këtij viti, gjatë paraqitjes së raportit vjetor para këshillit të përhershëm të OSBE në Vjenë, komunikimet sistematike me km e bashkëpunëtorët e tij të ngushtë. Në atë raport, Desir thotë se më 28 Janar, i kishte shkruar KM Rama, duke i dhënë një analizë ligjore mbi draft ligjet, ekzistenca e të cilave u mësua publikisht në dhjetor 2018. Ajo analizë e janarit 2019, nuk është publikuar, por Desir thotë se fokusi i saj ka qenë tek regjistrimi i mediave online, roli i AMA-s dhe sanksionet e parashikuara. 6 javë më vonë, bën të ditur Desir, më 15 Mars, përfaqësues të zyrës së tij janë takuar me zv-sekretaren e përgjithshme të KM Elira Kokona dhe drejtorin e komunikimit të KM Endri Fuga, për atë që Km e quan paketë antishpifje. Një tjetër takim vetëm me zv sek e përgjithshme Kokona është mbajtur në 7 maj, për të diskutuar më tej ndryshimet ligjore. Më 6 qershor, Desir thotë se i shkroi përsëri KM Rama, duke i paraqitur analizën e dytë ligjore për ndryshimet në paketën e ligjeve të medias. Por kur Km Rama e miratoi paketën antishpifje në mbledhjen e qeverisë në 3 korrik 2019, zyra e Desir publikoi dy analiza të tjera, ku kritikonte faktin që AMA po merrte rolin e gjyqësorit

Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), organi rregullator i medias audiovizive, nuk duhet të zëvendësojë organet e pavarura gjyqësore ose mekanizmat vetërregullues të efektshëm për çështjet e lirisë së shprehjes,” duke shtuar se e njëjta gjë vlen edhe për bllokimin e përmbajtjes, për gjobat në rast të shkeljes së ligjit dhe për modalitetet e së drejtës për t’u përgjigjur.

Bashkë me shqetësimin për nivelin e gjobave, si kërcënim të lirisë së medias, këto vërejtje mbetën të pranishme, edhe në analizën ligjore të muajit nëntor të zyrës së Desir. Zbutja nisi deri diku në analizën e publikuar më 9 dhjetor, ku tashmë kërkohet garancia në ligj që vendimet e AMA s e AKEP të shkojnë sa më parë në Gjykatë. Përfaqësuesi për lirinë e medias, i detajon konsultimet me qeverinë prej korrikut e në vazhdim, në raportimin e rradhës para këshillit të përhershëm të OSBE më 21 nëntor të këtij viti. Në raport thuhet se përfaqësues të zyrës së tij janë takuar më 11 shtator me zv sekretaren e përgjithshme të KM Elira Kokona e drejtorin e komunikimit të KM Endri Fuga e një ditë më vonë, me sekretaren e Komisionit të Ligjeve, deputeten e mazhorancës Klotilda Ferhati. Në fillim të tetorit, ekspertë të OSBE ishin në Tiranë për konsultime me autoritetet, thotë Desir.

Interesant është se në zemër të kundërshtive për paketën antishpifje, vetë kreu i prezencës së OSBE në Shqipëri, Bernd Borchard i mëshon idesë së vetërregullimit të medias.

“Patjetër që vetërregullimi i medias parapëlqehet kundrejt çdo forme tjetër rregullimi. Por vetërregullimi nuk do të ndodhë nëse ai nuk është një proces organik, të cilit i bashkohen të gjithë mediat në të gjithë vendin. Nga ana e përmbajtjes, ne theksojmë pikëpamjen tonë se shpifja duhet dekriminalizuar, pra duhet hequr nga Kodi Penal. Por njerëzit, që janë objekt i përbaltjes dhe shpifjes, duhet të kenë të drejtën të mbrohen. Nëse vetërregullimi i medias nuk ndihmon, kjo mbrojtje duhet të bëhet e mundur përmes mjeteve të së drejtës civile, jo përmes së drejtës penale. Dhe veprimet duhet të ndërmerren nga një gjykatë, jo nga një organ administrativ”.

Pikëpyetjet se përse Harlem Desir i lexon standardet e mediave krejt ndryshe nga përfaqësuesi i OSBE në Shqipëri, nga KE e nga KiE, u bënë edhe më të forta, kur vetë Desir përgëzonte zyrtarisht procesin e vetërregullimit të mediave online në MV.

“Vetërregullimi i medias, është një mekanizëm i nevojshëm për promovimin e cilësisë së informacionit, ruajtjen e lirisë editoriale dhe forcimin e besueshmërisë së medias”.

Cfarë mund të detyrojë vallë një lexim kaq të kundërt, për dy vende fqinjë, të dyja në rradhë për hapjen e negociatave të antarësimit me BE? Ish-ministri i Shtetit pranë Ministrit të Jashtëm të Francës, Harlem Desir u zgjodh Përfaqësues i Lirisë së Medias i OSBE-së, në 17 Korrik 2017. Në CV e tij zyrtare vërehet karriera prej tre mandatesh si eurodeputet, e ajo politike, si sekretar i parë i PS franceze. Mandati i z. Desir përfundon në korrik të vitit të ardhshëm, pikërisht gjatë kryesisë shqiptare të OSBE. Në vendimin permanent të OSBE mbi funksionin e z.Desir lexohet qartë, se është kryesuesi i rradhës i OSBE, në këtë rast KM Edi Rama, me cilësinë e MJ të Shqipërisë, ai që që vendos nësë z.Desir duhet të marrë apo jo një mandat të dytë. du

Përfaqësuesi i OSBE për lirinë e medias emërohet në përputhje me procedurat e OSBE, nga Këshilli ministerial, me rekomandim të kryesuesit të rradhës, pas konsultimeve me shtetet anëtare. Ai ose Ajo do shërbejë për një periudhë prej tre vitesh, e cila mund të zgjatet përmes të njëjtës procedurë për një mandat tjetër tre vjeçar.

Padyshim që nuk do jetë e lehtë të sqarohet ky qëndrim, edhe pas reagimeve të përsëritura të raporterit për Shqipërinë në PE, David Lega, para dhe pas miratimit të asaj, që njihet si paketa antishpifje

“ Liria e mediave dhe e drejta e informacionit janë liritë themelore në Evropë dhe një pjesë e pazëvendësueshme  e kritereve të Kopenhagenit për anëtarësimin në BE. Legjislacioni i miratuar kërcënon këto liri që janë fituar kohë më parë nga populli shqiptar. Media e lirë ka raportuar vazhdimisht për abuzimin me pushtetin dhe ka ekspozuar shumë skandale korruptive. Prandaj, miratimi duhet të shihet si një kthim serioz mbrapa për Shqipërinë në rrugën e saj drejt sundimit të ligjit dhe demokracisë”

Koordinatori i PPE-së për Punët e Jashtme, Michael Gahler kujtoi se ligjet e miratuar nga qeveria bien ndesh me praktikën ndërkombëtare për mediat.

“Ne vërejmë me shqetësim të thellë që shumica parlamentare e qeverisë shqiptare, e udhëhequr nga Kryeministri socialist Rama, miratoi dhe dy ligje për median në kundërshtim të hapur me rekomandimet specifike të bashkësisë ndërkombëtare. Komisioni Evropian, Këshilli i Evropës, si dhe media dhe organizatat shqiptare dhe ndërkombëtare të shoqërisë civile kishin shprehur kundërshtime të forta kundër këtyre ligjeve. ”

E sigurt është që ajo paketë ligjore do bëhet objekt raportesh e do ndikojë edhe në indeksimin e Shqipërisë për lirinë e medias, kjo pavarësisht gjysëm të vërtetave, deri në kufijtë e qartë të dezinformimit publik që përcolli KM në parlament për të justifikuar atë iniciativë të tij ndaj mediave. Rastet flagrante të dezinformimit ishin së paku tre. I pari shembulli i Gjermanisë.

Rama: Në Gjermani është miratuar ligji për përmirësimin e zbatimit të ligjit ekzistues, në rrjete sociale. Ligji gjerman është sot përpjekja më e suksesshme për të shuar përmbajtën potencialisht të dëmshëm në internet. Nëse ligji gjerman do të kishte subjekte ata që janë tek dera e parlamentit, ata sot do ishin të gjithë me borxhe për të paguar pafundësinë e detyrimeve si rezultat i shkeljes së të drejtave të njeriut. Ata janë shkelës të të drejtave të njeriut.

Në fakt, me një kërkim të thjeshtë, zbulohet se ligji gjerman, që ka hyrë në fuqi në 1 janar 2018, nuk ka lidhje direkte me mediat. Ç’ka KM Rama nuk thotë është se ai ligj që quhet Akti i forcimit të rrjetit, ka si subjekt platformat sociale, pasi përhapja e urrejtjes në to, nisur nga fuqizimi i ekstremistëve, pas politikës së dyerve të hapura të kancelares Merkel për emigrantët, cënon sigurinë e paqen sociale në Gjermani. Rama nuk thotë se ligji gjerman detyron jo mediat, por platformat si Facebook, Twitter, Instagram, Snapchat, YouTube dhe Google, që të heqin cdo postim me përmbajtje urrejtjeje, propagande apo dhune brenda një afati 24 orësh. Gjoba prej 50 milionë eurosh të cilës i referohet KM është për platformat sociale, e jo për mediat, e madje mund të shkojë deri në mbi 5 milionë euro. Viktima e parë e këtij ligji në Gjermani u bë një deputete te partisë populiste Alternativa për Gjermaninë, Beatrix von Storch. Në 31 dhjetor 2017, deputetja kritikonte përmes një postimi në tuiter e FB urimet e policisë së Kelnit për vitin e ri, të bëra edhe në gjuhën arabe. Sipas saj kështu edhe barbarët islamikë dhe përdhunuesit në grup do e kuptonin urimin. Referenca ishte për ngjarjen e dy viteve më herët në Këln, ku në natën e ndërrimit të viteve, disa gra denoncuan ngacmime seksuale nga një grup emigrantësh arabë. Në zbatim të ligjit gjerman Tuiteri e FB i fshinë shpejt postimet e deputetes, e cila u ankua për censurë, ndërsa policia ngriti akuzë ndaj saj për nxitje të dhunës ndërfetare.

Rama: Parlamenti francez ka miratuar një ligj kundër lajmeve të rreme. Është ligji që mban emrin e Presidentit të Francës që krijon rregulla të reja, tejet të ashpra për t’i dhënë autoriteteve fuqinë për të hequr përmbajtjet e rreme përhapur përmes mediave sociale dhe madje për të bllokuar aksesin e vendeve që e publikojnë atë, si dhe për të zbatuar me transparencë për përmbajtjen e sponsorizuar, deri 5 muaj para periudhave zgjedhore, një disiplinë super strikte.

Edhe në rastin e Francës, Km një njohës i shkëlqyer i gjuhës frënge, zgjedh të thotë gjysëm të vërteta. Franca vërtetë ka miratuar ligj kundër lajmeve të rreme, i paraqitur nga ministrja e kulturës, sipas një premtimi të Emanuel Macron, që gjatë fushatës presidenciale 2017, kishte qenë i targetuar nga lajmet e rreme. Për shkak asaj eksperience të Makron, ligji kundër lajmeve të rreme i konsultuar gjerësisht me përfaqësues të mediave, vepron maksimumi 5 javë para zgjedhjeve dhe ka si subjekt lajmet që mund të sponsorizohen nga një burim i huaj për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve kombëtare në Francë, pikërisht shqetësi i debatit të njohur gjerësisht për ndërhyrjet ruse në zgjedhje në disa vende të botës, përfshi SHBA. Për pasojë, ai ligj francez detyron të gjitha platformat online, që  të bëjnë transparencë për lajmet me pagesë, duke publikuar emrin e autorit dhe shumën e paguar.

“Në tetor 2018, për shkak të rritjes së ndikimit të rrjeteve sociale në aspektin social, kulturor dhe ekonomik dhe politik të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, direktiva e BE-së është përafruar plotësisht me Republikën e Shqipërisë, me ligjin përkatës për mediat audio vizuale dhe është rishikuar dhe përditësuar rregullimi ligjor”.

Së pari shqetësimi i BE sipas dokumenteve që janë publike, ka qenë i ngjashëm me Gjermaninë e Francën, për lajmet e rreme në platformat sociale që kanë të bëjnë me dezinformimit. Në direktivën e KE për trajtimin e dezinformimit në Internet, thuhet se ekspozimi i qytetarëve ndaj dezinformimeve në shkallë të gjerë, përfshi informacionin e rremë ose mashtrues është një sfidë e madhe për Europën. KE ka miratuar një plan veprimi në dhjetor 2018, për të adresuar përhapjen dhe ndikimin e dezinformimit në internet, që nënvizon përgjatë 13 faqeve të tij rëndësinë e medias së pavarur, ndërsa në planin afatgjatë nxit përpjekje të vazhdueshme për mbështetjen dhe edukimin e medias, gazetarëve, verifikuesve të fakteve, kërkuesve dhe shoqërisë civile si e tërë.

Natyrisht asgjë e tillë nuk figuron në paketën antishpifje të propozuar nga KM, ndërsa meraku që spikati edhe në seancën e 18 dhjetorit, ishte tek targetimi që mediat i bëjnë politikës e vecanërisht KM.

Rama: Të gjithë ata që merren me politikë janë të destinuar që të kenë në kurriz atë turmë atje,  që t’i ngrejë dhe t’i ulë, kriminela e hajdutë, dhe banditë e maskarenj e të korruptuar apo secili ka të drejtën që të kërkojë llogari publike për atë çfarë i thuhet?! Kjo kjo nuk është cështje lirie shprehje, kjo është cështje e kufizimit të lirisë për të shpifur duke ngritur akuza penale, qindra miliona eurot e mia ofshore, pallatet e mia në spanjë…fakte që ose duhet të më largojnë mua nga jeta publike, ose të demaskohen.

Përkundër Ramës e partisë së tij në pushtet, opozita gjatë një tryeze me gazetarë, premtoi shfuqizimin e kësaj pakete.

Organizatat e mediave vazhdojnë t’i kundërshtojnë ato ligje dhe i kanë bërë thirrje presidentit për mosdekretim të tyre, ndërsa paralajmërojnë ankimim në GJK e më tej edhe në Strasburg. Duhet thënë se askush nuk e ka përgëzuar KM për kalimin e asaj që e quan paketë antishpifje

Fatkeqësisht liria e medias është përkeqësuar ndjeshëm. Pas shumë viteve, gazetarët u janë rikthyer protestave në mbrojtje të lirisë së shprehjes, ndërsa numri i reporterëve që janë detyruar të braktisin vendin është rritur progresivisht. As media dhe as gazetarët nuk janë armiqtë nga të cilët duhet të ruhemi. Ata nuk mund të trajtohen si të tillë!

Një zë i fortë kundërshtues erdhi nga ambasada USA, që në ditët e ardhshme do ketë në krye ambasadoren e re, tashmë të miratuar edhe nga Senati amerikan.

Daniel Koski: Fjala e lirë është fryma e demokracisë. Mbyte atë, ndërprite rrjedhën e saj dhe trupi politik mund të vdesë. Nga ana tjetër, fryma e mospajtimit ka fuqinë për të tronditur një shtet policor. Kjo është arsyeja pse diktatorët kërkojnë të shtypin zërat kritikë.

Madje edhe përfaqësuesi për lirinë e medias në OSBE, Harlem Desir kujdeset të nënvizojë në një intervistë për faqen online The Balkanista, se rekomandimet e zyrës së tij nuk janë reflektuar 100% sic pretendon KM, në paketën e miratuar nga kuvendi, prandaj ka shqetësime. Z.Desir shfaqet më pranë opsionit të vetërregullimit që i kishte vlerësuar mediave në MV

“Siç e kam thënë, zyra ime mbështet vetërregullimin si një mekanizëm i rëndësishëm për të promovuar gazetarinë cilësore dhe forcuar besueshmërinë, dhe ne këmi mbështetur iniciativa të tilla në shumë prej vendeve anëtare të OSBE. Për më tëpër, nënvizoj qëndrimin tim se AMA, si një agjensi rregulluese nuk mund të bëhet zëvendësues i gjyqësorit të pavarur. Megjithatë ne kemi garantuar futjen në ligj të masave që mbështesin mbikqyrjen e gjyqësorit. Kompetencat e trupave rregulluese duhet të jenë në mynyrë strikte të kufizuara me ligj dhe principet e angazhimet ndërkombëtare”.

Por ndryshe nga përfaqësuesi për lirinë e medias Desir, KE ka pranuar për VOA se paketa antishpifje që kaloi më 18 dhjetor në kuvend, nuk pasqyroi rekomandimet e KiE, të porositura pikërisht nga Komisioni, si ekspertizë për dy p.ligjet e paraqitura nga KM Rama.

Një zëdhënës i Komisionit Evropian i tha Zërit të Amerikës se Brukseli “merr shënim” miratimin në parlament të paketës anti-shpifje. Megjithëse ligjit iu bënë ndryshime deri në minutën e fundit dhe qeveria Rama theksoi se ato janë bërë në përputhje të plotë me OSBE-në, zëdhënësi i Komisionit, i tha Zërit të Amerikës se “rekomandimet e ekspertëve të Këshillit të Evropës nuk janë marrë në konsideratë” në variantin përfundimtar.

Edi Rama ka të gjithë kundër, por si zakonisht të vetët në rresht. Këtë ndërhyrje me institucione shtetërore në media, ia kundërshtoi vetëm Ditmir Bushati në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit socialist para seancës plenare. Por ish ministri i jashtëm nuk shkoi dot përtej abstenimit kur erdhi casti i votimit. Zërat kundërshtues të opozitës parlamentare nuk munguan e vetë Km replikoi me ta.

Por retorika e Km arriti të bindte edhe deputetë të opozitës, sidomos ata të njohur për gafat në publik.

Ligji për AMA-n u votua vec socialistëve, edhe nga Tom Doshi dhe Reme Lala e zgjedhur nga PDIU. Votat me mazhorancën i bashkuan dhe 9 deputetë të rinj, mes tyre emra që janë vendosur në qendër të mediave për shkak të gafave të tyre në Kuvend. Votë pro paketës antishpifje ka dhënë dhe Majlinda Halilaj, e cila u bë e njohur gjerësisht për fjalimin e saj mbi koorporatën. Bashkë me të, kanë mbështetur kryeministrin në ligjin e debatuar për median dhe Eugen Bojaxhiu, Edjola Braha, Ramazan Gjuzi, Nimet Musai, Edmond Stojku, Aurora Mara, Selami Jenisheri dhe Elvis Meço.

Impenjimi për atë iniciativë të KM, kishte bërë që të mos i kushtohej vëmendje cështjes më të rëndësishme që diskutohet në fund viti në kuvend, buxhetin dhe paketën fiskale

Ruci: A do flasë njeri për buxhetin?

Vullneti dhe ndikimi absolut i Km u pa edhe tek shkarkimi i Arben Malajt. Ish ministri socialist i financave akuzohet se shprehej në media, duke cënuar funksionin si anëtar i këshillit mbikqyrës i BSH, i votuar nga Kuvendi. Një propozim i KM për pezullimin e tij u finalizua në një votim shkarkimi, edhe pse shkarkimi i një socialisti të vjetër si Arben Malaj nuk pati konsensusin unanim në votë të grupit socialist (efekt votimi) Vetë Malaj nuk u kursye para votimit në vizatimin e ashpër të Edi Ramës me raste konkrete.

A do e ndihmojë vallë fuqia e numrave në kuvend Km, për të zbatuar atë që e quan paketë antishpifje, e që i kundërshtohet nga të gjithë? Koha do ta tregojë, nëse Edi Ramës do i mjaftojnë gjysëm të vërtetat që përcjell si modele të vendeve të BE, për të justifikuar kontrollin e cka quan shpifje të medias, edhe ndaj politikës, përmes institucioneve de fakto politike.

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono