Kukan për braktisjen e takimit të 13 të MSA: Nuk ishte strategji e mirë

17:20 | 17/10/2018

Në një intervistë eskluzive për ABC News, raportuesi në hije për Shqipërinë, Eduard Kukan, shprehet se braktisja e takimit të 13 të MSA-së në Bruksel nga opozita nuk ishte një strategji e mirë, dhe pse opozita ka evidentuar akuza shumë serioze lidhur me Taulant Ballën dhe se vazhdon të marrë informacione me ato që ajo i quan si “aktivitete kriminale” të Taulant Ballës. Raportuesi Kukan flet edhe për deklaratën e përbashkët e aprovuar në fund të takimit.

Në gjirin e komitetit të MSA-së BE-Shqipëri në nivelin parlamentar jemi mësuar të shohim debate të ashpra, me tone të larta, por këtë rradhë opozita braktisi sallën e takimit në Bruksel. Ç’mendoni për këtë?

Eduard Kukan, eurodeputet: Ne morëm disa të dhëna, sipas të cilave, kolegët tanë të partisë demokratike kanë evidentuar disa probleme lidhur me bashkëdrejtuesin e seancës, Taulant Balla. Ata erdhën në takim dhe bënë një deklaratë për këtë. Ato që ata evidentojnë janë akuza shumë serioze. Dhe ata vazhdojnë të thonë që marrin gjithnjë e më shumë informacione lidhur me ato që ata i quajnë “ aktivitete kriminale” të Taulant Ballës. Por nuk mendoj, se ishte korrekte që të braktisej salla. Sado serioze të jenë gjërat, unë mendoj se kjo çështje duhet zgjidhur në Shqipëri, në Kuvendin e Shqipërisë dhe jo të tentohet të zgjidhet në Parlamentin Europian. Në këtë kuptim, vendimi i tyre nuk ishte i drejtë. Më pas, deputetët e opozitës nuk morën pjesë më në takim. Gjithsesi, ishte pozitive që takimi u zhvillua dhe mundëm të shpreheshim. Dhe ne aprovuam një deklaratë të përbashkët. Disa amendamente u aprovuan, disa u hodhën poshtë. Do mbetet në histori që në takimin e 13 të komitetit të MSA-së u aprovua një deklaratë e përbashkët e ekuilibruar. Këshilla ime për deputetët e Partisë demokratike është kjo. Nëse ata do të kishin qënduar, ata do të mund të kishin përsëritur akuzat shumë herë. Ata e bënë këtë vetëm një herë dhe pastaj ikën. Nuk mendoj, se ishte një strategji e mirë.

Çfarë elementesh të rinj përmban deklarata që mund të jenë si vlerë e shtuar ndaj rezolutës së aprovuar për Shqipërinë?

Eduard Kukan, eurodeputet: Deklarata e përbashkët është në vijueshmërinë e rezolutës së aprovuar për Shqipërinë nga Komisioni i Punëve të Jashtme. Rezolutën e vlerësoj si shumë të mirë për arritjet që ka bërë vendi dhe për çështjet që mbeten të hapura për t’u zgjidhur para qershorit 2019, ku pritet të jepet një datë për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Nuk kishte ndonjë thelbësisht të re, por është konfirmim që Shqipëria merret seriozisht për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE.

Mesazhi kryesor i rezolutës për Shqipërinë ishte që përgëzohet fillimi i zbatimit të reformës në drejtësi dhe të procesit të Vettingut, por kërkohet vijimi i saj dhe më shumë rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe pastrimit të parave dhe drogês. Ju vetë deklaruat se këto fenomene po dëmtojnë progresin e vendit në integrimin europian.

Eduard Kukan, eurodeputet: Ne i thamë këto, sepse janë të vërteta. Reforma e drejtësisë dhe procesi i Vettingut është një reformë shumë e vështirë. Ne e kuptojmë shumë mirë që është e komplikuar. Por ia vlen vërtet, që të merren të gjitha masat për zbatimin e saj. Ne e dijmë që ka pengesa dhe vështirësi. Nuk ka mjaftueshëm gjyqtarë në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese, por mesa u informova, kjo pritet të zgjidhet para fundit të vitit. I kuptojmë ngërçet, por duhet vazhduar puna, sepse nëse reforma zbatohet plotësisht, ju do keni një sistem gjyqësor më të mirë se disa shtete anëtare të BE-së. Prandaj ia vlen që të bëhen të gjitha përpjekjet për këtë. Problemet e tjera të cilat janë pasqyruar në rezolutë lidhur me krimin e organizuar, korrupsionin, pastrimin e parave dhe kultivimin e kanabisit janë një mesazh i qartë për lidershipin politik dhe për qeverinë, që ne i njohim problemet, i kemi shënuar ato dhe nëse nuk do ketë progres pasi i kemi artikuluar disa herë këto çështje, atëherë ky do bëhet problem edhe më i madh. /abcnews.al

Gazetare e ABC News: Erisa Zykaj

 



Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono