Kryeministri Rama fton në dialog pa kushte Lulzim Bashën

17:20 | 22/05/201917:200

Kreu i maxhorancës përsërit ftesën për dialog drejtuar kryeopozitarit Basha, këtë herë përmes një letre të hapur publike. Kryeministri Rama shprehet ndër të tjera se nuk mbështet rrugën e zgjedhur nga opozita me djegie mandatesh, protesta të dhunshme dhe bojkot zgjedhjesh. Por thekson se kjo nuk e pengon ta ftojë Bashën të ulen pa humbur kohë në tryezën e dialogut.

Kryeministri Edi Rama përmes një letre publike përsërit ftesën për dialog pa kushte drejtuar kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha.

“Zoti Kryetar, Ju drejtohem me këtë letër publike, në përpjekjen për t’i thirrur arsyes Suaj dhe për t’iu kthyer të vetmes rrugë që demokracia njeh, për trajtimin e mosmarrëveshjeve mes palëve: Dialogut!”

Shefi i qeverise i kujton Bashës 17 majin e dy viteve më parë ndërsa akuzon kryedemokratin se nuk iu përmbajt marrëveshjes.

“Unë sigurisht, s’kam asnjë mirëkuptim për rrugën e zgjedhur prej Jush, qyshse braktisët marrëveshjen pozitive të 17 majit 2017 dhe vendosët ta nxirrnit grupimin Tuaj, plotësisht jashtë shinave të shtruara në atë marrëveshje. S’kam se si ta mirëkuptoj as gjuhën e urrejtjes, as djegien e mandateve, as dhunën e frymëzuar e organizuar prej Jush, prej së cilës nuk jeni distancuar asnjëherë; për të cilën jeni akuzuar botërisht, me emër e me mbiemër, nga partnerët e miqtë e pazëvendësueshëm të Shqipërisë dhe si pasojë e së cilës sot, një numër jo i vogël ndjekësish Tuajt gjenden në duart e drejtësisë. S’kam si të mirëkuptoj kurrsesi, as bojkotin e pa-precendentë të zgjedhjeve dhe lëre pastaj, shantazhin mbi vendin e mbi qytetarët e këtij vendi, se Ju nuk do t’i lini ata të votojnë në 30 qershor.”

Ndonëse ndajnë qëndrime diametralisht të kundërta, Rama thotë se kjo nuk mund t’i pengojë të ulen e të bisedojnë në një tryeze.

“Por mungesa e plotë e mundësive të mia për të mirëkuptuar gjithë sa më lart, nuk më pengon, përkundrazi, më detyron t’iu drejtoj publikisht, këtë herë me shkrim, ftesën për t’u ulur pa humbur kohë në tryezën e Dialogut. Dialogun s’mund ta pengojnë assesi, qoftë pozicioni Juaj ekstrem në lidhje me zgjedhjet vendore, qoftë pamundësia ime ekstreme në lidhje me datën kushtetuese të zgjedhjeve.”

Ndërkohë kryeministri përsërit prerë se zgjedhjet e 30 qershorit opozita nuk mund t’i ndalojë.

“Jeta politike nuk mbaron në 30 qershor dhe që të jemi të qartë mes nesh, zgjedhjet në 30 qershor Ju mund t’i vështirësoni, nëse do t’i shkoni deri në fund rrugës pa krye, ku po e udhëhiqni grupimin tuaj politik, por s’ka asnjë shans që t’i ndaloni të zhvillohen.  Por dialogu duhet të nisë pa humbur kohë, pavarësisht atyre që thoni e mendoni të bëni Ju në 30 qershor dhe pavarësisht faktit se unë 30 qershorin s’kam asnjë fuqi ligjore ta negocioj, edhe pse Ju jeni i lirë ta diskutoni në tryezën e dialogut.”

Ndërsa përsërit se nuk ka fuqi ligjore për të shtyrë datën e zgjedhjeve Rama i thotë Bashës se shqiptarët nuk e meritojnë përkeqësimin e situatës politike në vend.

“Unë Ju ftoj në një dialog pa kushte dhe në kushtet kur Shqipëria e shqiptarët, nuk meritojnë përkeqësimin e një situate politike krejt të pakuptimtë, e cila po u kushton në mënyrë krejt të pamerituar. Shumica dërrmuese e tyre, përfshirë edhe shumicën e atyre që si zgjedhës të pakicës, s’kanë votuar e s’kanë ndërmend të votojnë ndonjëherë për mua dhe qeverinë që drejtoj, duan dialog mes nesh, e jo acarim mes shqiptarëve dhe dëmtim të Shqipërisë, për shkakun tonë. Aq më pak duan çka Ju po u ofroni sot, në një rrugë ku, të kuptohemi, nuk është fare halli im se do shkoni keq e më keq politikisht si grupim, po ku edhe ata vetë janë të humbur dhe ku askush nuk del i fituar”.

Kryeministri shpreson të marrë një përgjegjësi pozitive nga kundërshtari i tij politik për këtë ftesë dhe të ulen sa më parë në dialog./ABC News Albania 24/7

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono