Kryegjyqtari i Sarandës para KPK-së

12:03 | 04/01/2019

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nisi seancat dëgjimore për vitin 2019 me kryetarin e Gjykatës së Sarandës, Alltun Çela. KPK konstatoi një sërë parregullish me pasuritë e gjyqtarit. Përpos tyre, Çela mori një vlerësim negativ edhe nga DSIK si i papërshtatshëm për sistemin.

Seanca e parë për vitin 2019 në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit i përkiste gjyqtarit Alltun Çela, kryetar i Gjykatës së Sarandës. Çela zgjodhi të përballet i vetëm me treshen gjykuese pa u shoqëruar me avokat.

Raporti i IKDKP-së fliste për deklarim të saktë të pasurisë dhe në përputhje me ligjin nga ana e gjyqtarit Çela. Por Komisioni listoi një sërë paqartësish. E tillë ishte fakti që një sipërfaqe prej 17 mijë e 540 metër katrorë, e përfituar në vitin 1994 bazuar në ligjin 7501, mbante emrin e tij dhe jo të babait, ndonëse ata jetonin bashkë.

Vetë gjyqtari sqaroi se edhe pse jetonte në të njëjtën banesë me prindërit, në gjendjen civile figuronte familje më vete dhe se ashtu ishte vlerësuar nga Komisioni i Ndarjes së Tokës. Komisioni vëreu paqartësi edhe tek një shtëpi banimi në pronësi të gjyqtarit në Fshatin Tatzan, Delvinë, që figuronte si dhuratë nga babai. Ndonëse ekzistonte një vendim gjyqësor për njohje pronësie, Komisioni tha se gjykata është shprehur vetëm për banesën dhe jo për një sipërfaqe prej 600 m2 truall pranë saj.

Probleme u konstatuan për një pronë pranë ish-fabrikës së biskotave të Sarandës e përshtatur për banim, pasi sipas hetimit të KPK, përshtatja ishte bërë në vitet 1994-1995, ndërsa pronësia ishte marrë në vitin 1995. Komisioni ngriti dyshime për një ambient magazinë të blerë në vitin 2002 nga gjyqtari, të dhënë me qira e mandej përshtatur për banim, si edhe për një truall prej 400 metër2 përfituar nga Këshilli Bashkiak Saranda në vitin 1999, por i paregjistruar në ZRPP. Kryegjyqtari i Sarandës këmbënguli për çdo rast se pasuria e tij ishte e ligjshme dhe e rregullt.

Por kundër tij ishte edhe raporti i përcjellë nga Drejtoria për Sigurimin e Informacionit të Klasifikuar. Pa dhënë shpjegime, relatorja tha se sipas DSIK-së, gjyqtari Çela është i papërshtatshëm për të qënë gjyqtar.

“DSIK të më paraqesë një provë”, tha gjyqtari, që kërkoi në përfundim konfirmimin e tij në detyrë. Vendimi përfundimtar për Çelën pritet të shpallet në 8 Janar./abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono