Donika Prela në vetting, problem puna “në të zezë” e të shoqit

10:20 | 22/01/201910:200

Drejtuesja e komanduar e Prokurorisë për Krimet e Rënda u ul të martën përballë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ku kërkoi konfirmimin në detyrë. Nga relatimi i bërë nga treshja gjykuese e vettingut duket se “themra e Akilit” për Prelën do të jetë punësimi në të zezë për vite me radhë i bashkëshortit të saj inxhinier. Kjo për faktin se të ardhurat financiare të bashkëshortëve buronin vetëm nga pagat e tyre.

Sipas raportit të KPK, për disa vite gjatë harkut 2003-2011, bashkëshorti i saj ka punuar si inxhinier pa kontratë punë, është paguar me para cash dhe nuk ka paguar tatime dhe kontributet e sigurimeve shoqërore.

Vetë Prela kundështoi faktin. Sipas saj, ndonëse pa kontrata formale, shoqëria kishte paguar sigurimet për të shoqin, pa i cënuar pagën neto. Prela foli edhe për një padi kundër shoqërisë së ndërtimit, për detyrimet e papaguara.

Në këtë pikë këmbënguli edhe vëzhguesi i ONM në sallë, Theo Jacobs. Përmes një metafore, ai tha se kjo situatë e mospagimit të taksave i linte një shije të keqe, si ajo që të mbetet në gojë pas konsumimit të një ilaci në mëngjes.

“Pse bashkëshorti juaj është paguar në cash në 2003-2009? Ai ka pasur llogari bankare. Kjo mund të duket pyetje pa vend, por kjo reduktohet kur nuk janë paguar as taksat. Si për koincidencë për pagesat cash nuk janë paguar taksa, ndërsa për ato në banke po. Bashkëshorti juaj është viktime në këtë skemë shmangie taksash, apo është pjese e saj?”, pyeti Jacobs.

Prela nga ana e saj tha se është firma e ndërtimit që nuk ka respektuar detyrimet kontraktore. “Në këtë rast të dëmtuarit jemi ne. Nëse ne do të donim të ndërtonim të ardhura të paligjshme, mund të rrisnim në mënyrë fiktive rrogën. Por duket qartë që nuk është rasti”, tha titullarja e Krimeve.

Vëzhguesi Jacobs shprehu habi edhe për një borxh të marrë në vitin 2007 pa asnjë akt shkresor tek një i afërm i bashkëshortit të prokurores. Prela tha se në realitetin shqiptar të kohës nuk çohej ndërmend formalizimi i një borxhi tek një i afërt.

Sipas KPK aktualisht Prela zotëronte një banesë të blerë nga të ardhurat e fituara nga shitja e një apartamenti në Tiranë dhe një në Durrës, si edhe 1 mijë m2 truall në Petrelë. Komisioni ngriti dyshime për blerjen e pronave të mëparshme në vlera më të ulëta nga tregu, por Prela argumentoi se çmimi kishte qënë preferencial, pasi ndërtuesi ishte shoqëria ku punonte i shoqi. Sipas KPK Prela nuk kishte probleme me figurë, apo me aftësitë profesionale.

Gjatë hetimit administrativ, ONM i kishte kërkuar Prelës informacion për dosjen “Shullazi”, informacion i servirur prej saj. Prela u lakua gjërësisht tre muaj më parë për shkak të përplasjes së saj me prokurorët e Krimeve që nuk pranuan të shortoheshin për dosjen.  Seanca e shpalljes së vendimit për “fatin” e Donika Prelës në sistemin e drejtësisë do të zhvillohet në 29 Janar./abcnews.al

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono