Kosovë, shtohen zërat për zgjedhje të parakohshme

12:33 | 03/04/2018

Qeveria Haradinaj tashmë nuk ka mazhorancën në Kuvend pasi me largimin e listës serbe ng koalicioni qeverisës, i mbeten vetëm 51 vota. Por nga ana tjetër as opozita nuk ka votat e mjaftueshme për të rrëzuar qeverinë. Kjo situatë ka nxitur dhe më shumë zërat për zgjedhje të reja në vend.

Pas daljes së Listës Serbe nga qeveria e Kosovës, koalicioni qeverisës ka humbur shumicën në Kuvend, duke nxitur një pjesë të opozitës që të parashikojë zgjedhje të parakohshme në vend. Por aktualisht dhe pse qeveria e Haradinaj nuk ka më mazhorancën, as opozita nuk ka 61 votat që i duhen për ta rrëzuar atë. Një gjë e tillë do të ndodhte vetëm nëse Lista serbe e larguar nga koalicioni, do i bashkohej opozitës.

Subjekti politik që po inkurajon pjesën tjetër të spektrit politik në Kuvend për zgjedhje të parakohshme është Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ndonëse në opozitë, aktualisht përbën grupin më të madh parlamentar.

Deputeti Arben Gashi, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se një qeveri e pakicës nuk mund ta udhëheqë vendin, prandaj sipas tij, vendi duhet të shkojë në zgjedhje sa më parë.

Nga ana tjetër, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në deklaratat për media shprehet se nuk i cilëson  serioze propozimet për zgjedhje të parakohshme të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje, e cila po kalon një moment të vështirë pas largimit të një numri të madh të deputetëve dhe zyrtarëve të saj, vlerëson se ka shumë arsye pse kjo qeveri duhet të dorëhiqet.

LDK bën apel që përfaqësuesit e partive politike të takohen sa më parë që të bisedojnë për një proces të shpejtë zgjedhor. Një opsion tjetër që i krijon shumicën Qeverisë, pa pasur nevojë të shkohet në zgjedhje është që një subjekt opozitar, në këtë rast edhe LDK-ja, t’i bashkohet koalicionit qeverisës. Por, deputet Arben Gashi e përjashton çdo mundësi që LDK t’i bashkohet qeverisë Haradinaj.

Pas konfirmimit të largimit të Listës Serbe, Qeveria e Kosovës, e cila ishte zgjedhur me 61 vota në Kuvend, edhe zyrtarisht tani mbetet në kuotën e 51 votave, që nënkupton se e ka humbur shumicën./abcnews.al



Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono