Kosovë, prokuroria zbulon planin e ISIS

15:48 | 10/10/2018

Prokuroria e Kosovës ka zbuluar detaje të rëndësishme nga një grupim terrorist. Hetuesit kanë mësuar se ISIS, me anë të disa shtetasve kosovarë planifikonte sulme në Kosovë, Shqipëri, Francë dhe Belgjikë.

Mbi gjashtë muaj hetime të Prokurorisë Speciale të Kosovës kanë zbardhur planet e një grupi i cili dyshohet se është i lidhur me ISIS për të kryer sulme terroriste në Kosovë, Shqipëri, Francë e Belgjikë. Kjo raportohet nga media “Kallxo.com” që thekson se hetimet e Prokurorisë kanë zbardhur se grupi i lidhur me struktura të larta të ISIS kishte ndërtuar plane për të destabilizuar Kosovën.

Ndërsa për ta arritur këtë qëllim grupi kishte ideuar sulme në diskoteka në Graçanicë, sulme mbi Kishën Ortodokse në Mitrovicën e Veriut, sulme në stadiumin “Elbasan Arena” në Shqipëri e deri tek sulmet vetëvrasëse mbi KFOR-in. Ky publikim vjen pak ditë pasi Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 6 personave për vepra penale që lidhen me terrorizmin. Njëri nga të akuzuarit e Prokurorisë, Bujar Behrami në mbrojtjen e tij të dhënë në Polici më datë 12 Shtator 2018 ka pranuar veprimet e tij inkriminuese duke dhënë dhe detaje të tjera.

Mësohet se paratë do të dërgoheshin nga ish vendet Sovjetike si Kirgistani, Rusia apo Uzbekistani. Ndërsa ai që urdhëronte dërgesën e financimit ishte, Abu Ahmed, shef i inteligjencës së ISIS. Shqiptarët në Kosovë kontaktonin fillimisht me Lavdrim Muhaxherin dhe Ridvan Haqifin që gjendeshin në Siri, dhe këta të fundit bënin kërkesën tek Abu Ahmed. Sa i përket atentatit në ndeshjen Shqipëri-Izrael në “Elbasan Arena”, Behrami bëri me dije se fillimisht ishte planifikuar të kryhej me dron ndaj fansave të Izraelit dhe pastaj të vazhdohej me armë ‘Kallashnikov’.

Lidhur me sigurimin e armëve, Behrami tregoi se kishte kërkuar në internet për eksplozivë të ndryshëm, ndërsa një bashkëpunëtor i tij, kishte siguruar eksploziv në Shqipëri me çmimin 1 mijë euro kilogrami. Por ai kishte hasur probleme në blerjen e helmeve edhe pse për këtë ishte takuar me një ushtarak të lartë në Shqipëri. Një ndër detyrat e këtij grupi terrorist, ishte dhe gjetja e personave që ishin të gatshëm të vetëflijoheshin në sulme kamikaze në Kosovë./abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono