Kosova lë përshtypje të madhe në Angli

14:45 | 11/09/2019

Vlerësim i madh për Kosovën pas ndeshjes në Angli, për Euro 2020. Mediat angleze dhe trajneri Southgate vlerësojnë paraqitjen e skuadrës më të re të Europës.

Nuk patën fatin të luanin në “Uembli”, por gjithsesi ishin në vendin e shpikësve të lojës. Futbollistët e Kosovës mbërritën në stadiumin e “Shën Mërisë” (“Saint Meri”) të Southamptonit me famën e surprizës së kontinentit, por gjithsesi nuk mundën të shmangnin plotësisht kompleksin e inferioritetit.

Sidoqoftë, pasi provuan tapetin e barit, dhe pasi u përshtatën me atmosferën e rrallë angleze, ata arritën ta thoshin fjalën e tyre. Humbja 3-5 ishte gjithsesi disfatë, por nga ato që lenë shije të dyfishtë, mërzi dhe krenari.

Dy herë Valon Berisha dhe një herë Vedat Muriqi me penallti, tundën rrjetën e portierit të Anglisë, Jordan Pickford dhe skuadra e trajnerit Bernard Challandes luajti sidomos një pjesë të dytë të madhe.

Për tifozët anglezë kjo ishte një e papritur, diçka krejt tjetër nga fitorja 4-0 në “Uembli” ndaj Bullgarisë, po për eliminatoret e Europianit. Challandes ishte teëpr I nervozuar pas pjesës së parë, aq sa shkaktoi edhe ilaritet për komentatorët britanikë në studio, pas ndeshjes pati fjalë pozitive për  futbollistët e tij.

“Jam krenar me lojtarët, – pohoi zvicerani, – treguan karakter ndaj kombëtares më të fortë të botës. Nuk mund t’i fajësoj që pësuan gola të lehtë, pasi Anglia ishte shumë e mirë. Bëmë gabime, dhe marr përgjegjësinë time për humbjen, por bëmë edhe lojë sulmuese të madhe. Rezultati nuk është i keq, dhe nuk duhet të dorëzohemi për kualifikimin”.

Trajneri i Anglisë, Gareth Southgate, vlerësoi skuadrën e vogël shqiptare dhe nuk u ndje i zhgënjyer.

“Nuk u habita nga Kosova, – deklaroi ai, – e prisja që do të luante kështu, do të bënte presing, dhe do të na vinte në vështirësi në mbrojtje. Kosova ka futbollistë shumë të mirë, nuk mund ta nënvleftësojmë. Tifozët e saj duhet të jenë krenarë, dhe ka gjasa që të shkojë në Europian. Fitorja jonë ishte e merituar, në një atmosferë të madhe”.

Ashtu si lojtarët, edhe tifozët e Kosovës spikatën. Atmosfera e tyre ishte e shkëlqyer që para ndeshjes, duke detyruar një polic anglez të vinte një plis në kokë. Në përfundim, përkrahja e tyre për lojtarët në stadium, ishte madhështore.

Mediat në Kosovë patën padyshim vlerësim të lartë. Gazeta Ekspres e Prishtinës jep reagimet e dardanëve, Hadërgjonaj, Muriqi e Valon Berisha, si dhe fjalët e trajnerit Shaland sesi motivoi skuadrën në pushim.

Gazeta “Telegraf” po në Kosovë, i bën jehonë reagimit të mediave ndërkombëtare për paraqitjen e dardanëve në Angli. Po ashtu, “Telegrafi” përzgjedh reagime të tifozëve anglezë të cilët lavdëruan lojën e zhvilluar nga Kosova, sidomos në sulm.

“Daily Mail” e Londrës veçon Jadon Sanchon, autor të dy golave, por thekson se Kosova kishte meritën e saj në festivalin e golave në Southampton.

Tabloidi tjetër The Sun titulloi se “Kane, Sancho e Sterling shkëlqyen në sulm, por gabimet e mbrojtjes ndaj Kosovës sollën shqetësim të madh”.

Kështu kaloi sfida më e madhe në historinë e ekipit të ri dhe të vogël përfaqësues. Shanset për kualifikim në Europian mbeten, duke pasur 8 pikë e duke qenë në vend të tretë në grup./ABC News Albania 24/7


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono