Vëzhgim në shkollat e Tiranës/ Rreziku nga suvaja, dyshohet për kolona të dëmtuara

21:47 | 02/12/201921:470

Në një ditë të zakonshme do të ishte plot me nxënës, por dita nuk është aspak e tillë.

Në shkollat e Tiranës, do të duhej të kishte nisur java e re mësimore, por aty sheh vetëm mësuese dhe mësues, si këtu në oborrin e Gjimnazit “Sami Frashëri”.

Hyrja është rreptësisht e ndaluar në një nga shkollat më të mira të kryeqytetit.

Inxhinierët nuk lejojnë njeri të hyjë brenda, ndërsa mësueset ishin të shqetësuara edhe më shumë nga tërmeti i fundit.

Ato qëndrojnë aty për disa orë, dhe pastaj largohen nëpër shtëpi.

Punimet në Gjimnaz nuk besohet të zgjasin, por gjithsesi, askush nuk dëshiron të nxjerrë një përfundim të nxituar.

Siç thuhet, “kur digjesh nga qulli, i fryn edhe kosit”.

Shkolla mban një emër të nderuar, dhe nuk ka harruar të shprehë solidaritet me të prekurit nga tërmeti.

Drejtoresha e Gjimnazit na tha të merrnim leje në Drejtorinë Arsimore Rajonale.

Nuk ngurrojmë të shkojmë aty, por të marrësh informacion nuk është e lehtë.

Na thonë që drejtori është në mbledhje, ndërsa në shkallët e saj të jashtme ngjiten e zbresin drejtues të ndryshëm shkollash të qarkut të Tiranës, që vijnë të zgjidhin problemet ose të marrin një përgjigje.

Jo gjithnjë, shqetësimi i tyre ka lidhje me tërmetin

Këtu nuk të japin dot leje për të hyrë dhe për të filmuar në shkolla, na thonë të shkojmë në Ministrinë e Arsimit.

Por edhe në Ministrinë e Arsimit duhet të presësh.

Duhet një farë kohe të merret informacioni, por më në fund vjen përgjigja.

“Ministria e Arsimit ka marrë vendim që të mos lejojë mediat të mos filmojnë në ambientet e shkollave, për të mos hapur panik”.

Atëherë, na mbetet të shikojmë vetë sesi është gjendja e shkollave në kryeqytet, pasi pavarësisht vendimit të Ministrisë, prindërit dhe fëmijët duan informacion.

Diku në periferi është Shkolla “Pal Engjëlli”, në rrugën e Tufinës.

Natyrisht, bosh si gjithë të tjerat, por këtu ka optimizëm.

Problemi ishte rrëzimi i suvatimit në korridor, dhe tani është riparuar.

Trupi mësimor ndihet i qetë, edhe pse i lodhur nga tensioni.

Në palestër luhet volejboll.

Në fund të fundit, le të përfitojmë nga rasti që nuk ka nxënës që do të kryenin orët e fizkulturës.

Një nga shkollat që krijoi shqetësimin më të madh ishte ajo 9-vjeçare “Kongresi i Lushnjes”, pranë zonës tradicionale të Tiranës që njihet me emrin “Xhamlliku”.

Ashtu si në shumë institucione të tjerë arsimorë, edhe këtu problemi u krijua në vendin e bashkimit të ndërtesës së vjetër, me shtesën e bërë në vitet 90-të.

Në shoqërinë e drejtoreshës, Oltës, ngjitemi në katin e dytë për ta parë gjendjen nga afër.

“Kam psë vite në këtë shkollë  dhe vetëm një pjesë e saj ka pësuar krisje , për shkak të ngurtësisë së materialit që është përdorur për të bërë mbylljen. Specialistët pas verifikimeve kanë pohuar se shkolla nuk ka asnjë dëmtim në strukturë.

Specialistët kanë ardhur këtu, madje që ditën e parë.

Gjithsesi, duket se ka një mungesë sinkronizimi apo koordinimi, pasi vijnë nga grupe nga ndërmarrja numër 3, nga bashkia, specialistë nga Kosova apo edhe të tjerë.

Paniku ndihet në ajër, dhe drejtoresha dëshiron të japë një mesazh.

“Fëmijët edhe pridërit duhet të jenë të qetë sepse sipas specialistëve kjo ësht ëndër shkollat që ka strukturën më të fortë”, tha drejtoresha.

Jemi në skajin tjetër të Tiranës, në Kombinat, në shkollën “Myslym Keta”.

Pasi i  kërkuam për gjithë ditën, ja ku i gjetëm më në fund specialistët në veprim.

Një grup djemsh nga Shqipëria e Kosova, që bënë një kontroll të gjerë.

Ata nuk kishin autorizim për të folur, veçse diçka u mor vesh.

Njëri prej tyre tha në kushte anonimiteti se dyshohej për 2 ose 3 kolona me probleme, por duhej vazhduar kontrolli derisa të nxirrej përfundimi i sigurt.

Le të presim për të parë përfundimin, por një gjë është e qartë, kjo shkollë ka dëmtime të shumta, në mure e suvatime, dhe vështirë të jetë gati në 5 dhjetor.

Edhe pse kanë ardhur disa grupe kontrolli, ende nuk ka një përfundim, dhe drejtori Dashnor Hoxha nuk është i qetë.

“Dëmtime kishim në palestër dhe në pjesën e papafingos e kanë vëzhguar specilstës dhe do ti përcillnin  një plan të detajuar të Ministrisë. Kemi pasur edhe përfaqësues, inxhierë nga Bashkia të cilë në bahskepunin do të japin një përgjigje nëse do të bëhet mësim apo jot”, tha Hoxha.

Nëpër klasa, në papafingo, por sidomos në palestër shenjat e rrënimeve janë lehtësisht të dukshme e të dallueshme.

Le të urojmë që kontrolli i fundit të nxjerrë një përfundim, pasi ka kaluar gati një javë që nga tërmeti, dhe tek “Myslym Shyri” ende nuk dihet gjendja e saktë, jo më të parashikohet se kur do të jetë gati për mësim.

Pritja dhe dëshira është e madhe që jeta të kthehet në normalitet, por njëkohësisht kërkohet që edhe siguria e fëmijëve të jetë e plotë.

Po nëse ndodh sërish tërmet, a dinë mësuesit sesi të sillen?

“Kur ra tërmeti i 21 shtatorit morëm disa plane se si të mënaxhojmë klasën për të mos krijuar panik. Tani na ka ardhur përsëri nga Ministri e Arsimit komuniki që secili mësuaes të hartojë një plan sesi të menaxhohet situata”, tha drejtori.

Duhet të largohemi, ndërsa kontrolli i specialistëve vazhdon.

Po në Kombinat, në lagjen më të goditur të Tiranës, ka edhe ndërtesa të tjera mësimdhënieje.

Për fat Shkolla 9-vjeçare “Shyqyri Peza”, nuk paraqet rrezik.

Të paktën kështu të thotë roja, ndërsa përcjell disa fëmijë të shoqëruar nga dy gra.

Me gjasë, “Shyqyri Peza” mund të jetë gati që në afatin e vendosur tani, në 5 dhjetor.

Roja thotë se specialistët kanë ardhur, dhe se dëmtimet e vogla në suvatime janë riparuar.

Mbetet të urdhërohet kthimi i nxënësve, një pjesë e të cilëve janë larguar nga Tirana, madje mund të ketë të ikur edhe nga Shqipëria.

Nuk dihet nëse, edhe pasi gjithçka të normalizohet, njerëzit do të largojnë revoltën për drejtuesit e shtetit shqiptar të 30 viteve të fundit.

Duket se kjo revoltë nuk përjashton askënd, apo ndoshta jashtë saj mbeten ata të 1912-ës.

Jo çdo shkollë në kryeqytet është e braktisur.

Tek “Lasgush Poradeci” nuk gjen vetëm mësues, punonjës nuk gjen specialistë për kontroll.

Kjo është një qendër strehimi për banorët e Kombinatit të cilëve u janë dëmtuar shtëpitë.

Ata vazhdojnë të shtohen pasi ndërtesa të tjera dalin të pabanueshme, si ajo me numrin 165.

Njerëzit kanë harruar kushtet e shtëpisë, por duhet të mësohen edhe kështu, si në një komunë të lashtë, vendosur në klasa dhe në palestër.

E keqja e ka edhe një të mirë, sepse kështu ndihen më pranë njëri-tjetrit.

Më të lumturit ndihen fëmijët, të bashkuar në një lojë të madhe, që të paktën u largon frikën nga tërmeti.

Përveç sistemit 9-vjeçar dhe të mesëm, në Tiranë duhet të bëhet gati edhe infrastruktura për shkollat e larta.

Në Qytetin Studenti ka disa godina të nxjerra si të pabanueshme, ato me numër, 20, 21 apo 22.

Aty nuk është e mundur të hyhet brenda.

Rrethimi me shirita është vendosur që më parë, ndërsa pritet të mësohet nëse dëmet janë vetëm në suvatime dhe mure, apo edhe strukturore.

Ajo që duket qartë është një çarje në vendin e bashkimit mes dy godinave.

Konvikti i vajzave ishte rikonstruktuar tani së fundmi, dhe fasada duket e bukur, veçse pas tërmetit tashmë është e pabanueshme.

Studentet e fundit largohen duke marrë me vete sendet e tyre.

Mjaft prindër kanë ardhur nga rrethet të shqetësuar për vajzat.

Tirana është ende në pritje që të përfundojë kontrolli në ndërtesat e shkollave dhe në konvikte, ndërsa pak besohet se mësimi do të rifillojë në 5 dhjetor.

 

/abcnews.al

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono