Konferenca për Libinë në Berlin: Marrëveshje unanime për zgjidhje politike, monitorim armëpushimit

21:48 | 19/01/202021:480

Ka përfunduar pas katër orësh e me një marrëveshje për armëpushim në Libi dhe monitorim të tij, konferenca e nivelit të lartë e thirrur në Berlin nga kancelarja gjermane Angela Merkel, nën kujdesin e OKB, e përfaqësuar nga sekretari i përgjithshëm Antonio Guterrez.

11 udhëheqës të vendeve kryesore të përfshira në konfliktin në Libi u mblodhën  në Berlin, për të vendosur paqen në këtë vend. Synimi ishte që të bindeshin

Rusia, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjipti, që të nxisin palët ndërluftuese të pranonin një armëpushim të qëndrueshëm në Tripoli, ku qeveria e mirëkuptimit, e njohur nga komuniteti ndërkombëtar, e që drejtohet nga Fayez al-Sarraj, prej muajit prill sulmohet nga forcat e marshallit Kalifa Haftar, që njihet si njeriu i fortë i Libisë Lindore.

Të dy udhëheqësit libianë ishin të pranishëm në konferencë por qëndruan në ambiente të ndara në kancelarinë gjermane, aty ku u mbajt takimi i nivelit të lartë.

Kancelarja Merkel ka diskutuar veçmas me të dy protagonistët libianë.

“Sarraj dhe Haftar kanë rënë dakord për krijimin e një komiteti ushtarak, që do jetë baza për të garantuar një armëpushim të përhershëm në Libi”, tha kancelarja Merkel në mbyllje të konferencës për Libinë në Berlin.

“Të gjithë janë dakord: kemi nevojë për një zgjidhje politike e nuk ka asnjë mundësi për një zgjidhje ushtarake”, ka shtuar ajo, duke saktësuar se “dëshirojmë të respektojmë embargon e armëve me më shumë kontrolle”.

Në dokumentin e dakordësuar thuhet se të gjithë aktorët, përfshi komunitetin ndërkombëtar, u impenjuan për të shmangur pazarllëqet.

Një ditë të mrekullueshme, e vlerësoi i dërguari special i OKB në Libi, Gasem Salamè, me urimin që zbatimi i marrëveshjes të nisë që të nesërmen.

Dokumenti i miratuar synon që t’i jepet fund ndërhyrjeve të shumta të huaja në Libi, ku përplasjet ushqehen nga oreksi për rezervat e mëdha të naftës që ka vendi, nga rivalitetet politike në rajon, dhe lojrat për influencë.

Ministri i jashtëm gjerman Heiko Maas tha se të dy palët, Sarraj dhe Haftar u impenjuan për të arritur një marrëveshje mbi puset e naftës, më i madhi, ai i Sharara, është bllokuar nga një grup i armatosur i  gjeneralit Kalifa Haftar./abcnews.al

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono