Kombëtarja mund të bëhet me trajner shqiptar

17:52 | 12/10/2018

Një trajner shqiptar mund të ulet në stolin e kombëtares. Presidenti Duka mësohet se ka biseduar me emra të njohur të Superligës, në rast dështimi të Kristian Panuçit.

Pas 16 vitesh mund të ndodhë ndryshimi i madh. Një trajner shqiptar mund të kthehet në stolin e kombëtares.

Burime në Federatën Shqiptare të Futbollit bëjnë me dijë se presidenti Armand Duka ka kontaktuar me disa emra të njohur, që kanë punuar me vite në Superligë, ndërsa po mendon një alternativë për Kristian Panuçin.

Nuk ka siguri për emra konkretë, por besohet se njëri prej trajnerëve të kontaktuar është Ilir Daja.

Tekniku i sotëm i Flamurtarit ka dalë tri herë kampion i Shqipërisë me Elbasanin, Dinamon dhe Skënderbeun, ndërsa ka edhe përvojë ndërkombëtare, pasi është kualifikuar me Skënderbeun në fazën e grupeve të Ligës së Europës.

Ndërkohë, në një prononcim zyrtar për ABC News, Duka ka përgënjeshtruar zërat se po kërkon një zëvendësues të Panuçit. Por pavarësisht kësaj, ai gjykon se duhet të jetë i përgatitur për çdo rast.

Nëse italiani do të vazhdojë me rezultatet negative, presidentit nuk do t’i mbetet rrugë tjetër përveçse ta shkarkojë, ndonëse nuk pritet që kjo të ndodhë pas sfidës ndaj Izraelit këtë të diel në Ligën e Kombeve.

Me shumë gjasë, numri 1 i Federatës do të presë deri në nëntor, në përfundim të ndeshjeve të këtij kompeticioni.

Që nga viti 2002, me zgjedhjen e Dukës si president, kombëtarja ka pasur vazhdimisht trajnerë të huaj, ku më i suksesshmi doli Xhani De Biazi, me të cilin Shqipëria u kualifikua për në finalet e Euro 2016-ës.

Trajneri i fundit shqiptar në stolin kuqezi ishte Sulejman Demollari, ndërsa përpara tij ishin edhe i ndjeri Medin Zhega apo Astrit Hafizi./abcnews.al





Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono