Kinë, dënim me vdekje trafikantit kanadez

23:45 | 30/04/2019

Tensionet mes Kanadasë dhe Kinës vazhdojnë të thellohen. Shkak për acarimin e mëtejshëm është bërë dënimi me vdekje që drejtësia kineze i ka dhënë një trafikanti kanadez, lëvizje kjo që konsiderohet si hakmarrje ndaj arrestimit të menaxheres së gjigandit kinez të teknologjisë “HUA UEI”.

Një gjykatë kineze ka dënuar me vdekje një shtetas kanadez për prodhim dhe trafikim droge, duke thelluar edhe më tej tensionet e krijuara pas arrestimit të drejtoreshës së gjigandit të teknologjisë “HUA UEI”. Kanadezi Fan Uei, me prejardhje kineze, ishte lideri i një skeme prodhimi dhe trafikimi të metamfetaminës, tha gjykata në vendimin e saj. Duke reaguar, ministrja e Jashtme kanadeze Kristia Frilend dënoi përdorimin e dënimit me vdekje duke e cilësuar atë mizor dhe çnjerëzor.

“Kanadaja i qëndron e palëkundur qasjes së saj kundër dënimit me vdekje kudo në botë dhe natyrisht shqetësohemi në mënyrë të veçantë kur ky dënim aplikohet ndaj shtetasve kanadezë”, deklaroi Frilend. Edhe një i dyshuar tjetër u dënua gjithashtu me vdekje, por nënshtetësia e tij nuk u bë publike nga gjykata.

Kjo e fundit shpalli vendimin edhe për 9 persona të tjerë, përfshirë një amerikan dhe 4 meksikanë. Gjykata nuk saktësoi dënimet ndaj tyre, por sipas mediave ndërkombëtare ka gjasa që 5 prej tyre të kenë marrë burgim të përjetshëm ndërsa 4 të tjerët dënime të gjata. Në total, të 11 të dyshuarit kanë mundësinë që ta apelojnë vendimin.

Fan Uei është kanadezi i dytë që dënohet me vdekje për krime të lidhura me drogën në Kinë që nga fillimi i vitit, dënime këto që kanë përshkallëzuar tensionet mes dy vendeve. Dhjetorin e kaluar, policia kanadeze arrestoi shefen ekzekutive financiare të “HUA UEI”, Meng Uanzhou, e bija e themeluesit të kompanisë, me kërkesë të prokurorëve amerikanë. /ABC News Albania 24/7


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono