Këshilli Kombëtar i PD miraton ngritjen e aleancave qytetare

21:30 | 11/06/201921:300

Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike miratoi vendimin e kryesisë për ngritjen e Aleancave qytetare në 61 bashkitë e vendit në mbrojtje të demokracisë. Në mbledhjen me dyer të mbyllura Basha ka hedhur poshtë zërat për një marrëveshje mes tij e Edi Ramës, pasi kërkesa e opozitës për largimin e tij dhe nxjerrjen para drejtësisë të atyre që vodhën zgjedhjet, janë kushte të panegociueshme.

Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike miratoi vendimin e kryesisë për ngritjen e Aleancave qytetare në 61 bashkitë e vendit për mbrojtjen e demokracisë në nivel lokal. Mësohet se në mbledhjen me dyer të mbyllura kryetari Basha i ka kushtuar vëmendje përgënjeshtrimit të zërave për një marrëveshje të tij me Edi Ramën, si një taktike dezinformimi e vetë kryeministrit, ka thënë Basha, për të ngritur dyshime e pasiguri tek qytetarët.

“Nuk ka asnjë negociatë me Edi Ramën. Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë pazar me Edi Ramën. Nuk ka as ndërmjetës dhe as kanale të fshehta mes meje dhe Edi Ramës”, mësohet të ketë deklaruar Basha në këtë mbledhje.

Kryeopozitari ka nënvizuar se dy janë qëndrimet e qarta të PD: largimi i Edi Ramës është kusht i panegociueshëm që nuk ka ndryshuar, njëlloj si dalja para drejtësisë e të gjithë atyre që vodhën votat e shqiptarëve. Këto dy parime qëndrojnë në themel të kërkesave të opozitës ka thënë Basha, duke u kërkuar anëtarëve të Këshillit Kombëtar që të mos bien pre e propagandës së kryeministrit.

“Ne nuk dolëm nga Kuvendi për të bërë pazar. Ne nuk bojkotuam zgjedhjet lokale për të bërë pazar. Ne nuk kemi shpallur largimin e Ramës për t’u ulur me të në tavolinë. Do të ishte çmenduri dhe nuk do të sillte asgjë të mirë për vendin”, citohet të ketë deklaruar kryetari i Partisë Demokratike.

Në vendimin e miratuar nga Këshilli Kombëtar, thuhet se  Aleancat qytetare në çdo bashki duhet të ngrihen brenda datës 15 Qershor, pasi sipas demokratëve me kundërshtimin e dekretit të presidentit për anulimin e 30 qershorit dhe paralajmërimin për shkarkimin e kreut të shtetit, Edi Rama po rrezikon seriozisht stabilitetin demokratik të vendit dhe themelet e demokracisë, duke tentuar së fundmi, organizimin e një grushti shteti ndaj zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, nëpërmjet vijimit të një farse elektorale, që synon marrjen me dhunë të pushtetit dhe eliminimin e pluralizimit politik.

“Degët e Partisë Demokratike në bashkëpunim me partitë e tjera të Opozitës së Bashkuar, janë përgjegjëse që, brenda datës 15 Qershor 2019, të formojnë Aleancat Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë në nivel lokal, në 61 bashkitë e vendit. Ato duhet të fillojnë menjëherë procesin e ndërgjegjësimit të qytetarëve për rrezikun që i kanoset demokracisë në vend,si dhe planin e masave që duhet të ndërmerren nё terren për të mbrojtur rendin demokratik dhe kushtetues”.

Sipas Bashës, kjo aleancë synon të bëjë bashkë opozitën me elitën e shoqërisë, njerëzit e paangazhuar dhe rininë për t’i dhënë fund tranzicionit nëpërmjet zgjedhjeve të lira e të ndershme, ndryshimit të sistemit të kalbur nga korrupsioni dhe kriminalizimi i tij, duke bërë bashkë shqiptarët jo thjesht për të sjellë në pushtet Partinë Demokratike por për të ndryshuar Shqipërinë./ABC News Albania 24/7

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono