KE pritet të rekomandojë hapjen e negociatave me Shqipërinë

10:12 | 16/04/2018

Komisioni Europian pritet të rekomandojë hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në. Media  prestigjoze europiane që citojnë pjesë nga raporti, bëjnë të ditur se Shqipëria po ecën përpara me 5 prioritetet kyçe, që janë thelbësore për integrimin në BE.

Shqipëria dhe Maqedonia, sipas informacioneve të para nga raporti vjetor i Komisionit Evropian, do të marrin rekomandime për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian. I intervistuar nga Deutsche Welle, Eduard Kukan, anëtar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian dhe kryetar shumëvjeçar i Komitetit për Bashkëpunimin me Ballkanin Perëndimor tha se ai beson se të dyja vendet kanë bërë përparim të qenësishëm në rrugën drejt BE.

“Shqipëria ka bërë një reformë të thellë juridike, e cila, pasi të zbatohet do të jetë reforma më e rëndësishme e zbatuar midis shteteve në procesin e zgjerimit, dhe do të thosha edhe më serioze se në rastin e disa shteteve anëtare të BE.”

Burime nga Bashkimi Evropian bëjnë të ditur se mbështetja dhe fokusi i Brukselit për procesin e zgjerimit nuk do të ndikojë në asnjë formë vlerësimin për gjendjen e demokracisë, sundimin e ligjit, të të drejtave të njeriut, ekonomisë dhe përputhshmërinë me standardet e BE në secilin nga 6 shtetet partnere në rajon.

Burime që kanë lexuar progresraportin për Shqipërinë bëjnë të ditur se në të vlerësohet me nota të larta, zbatimi i reformës në drejtësi. Por theksohet se Brukseli do të mbajë nën monitorim procesin e vetingut që ka nisur në Shqipëri.

Në vlerësimet e tij, Komisioni Evropian nënvizon se që prej vitit 2014, kur mori statusin e vendit kandidat, Shqipëria po ecën përpara në 5 prioritetet kyçe që janë thelbësore për integrimin në BE; reforma e administratës publike, reforma juridike, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut.

Pjesë nga progress raporti zbulon edhe EUObserver, sipas të cilit, Brukseli ka një strategji të re për të përshpejtuar zgjerimin. Në shkrimin një ditë para publikimit të raportit, Komisioni Evropian  vlerëson progresin e Shqipërisë,

 “Në dritën e progresit të arritur, Komisioni Evropian rekomandon që negociatat e pranimit të hapen me Shqipërinë”,

Pritet gjithashtu që të ketë një rekomandim pozitiv edhe për Maqedoninë pasi negociatat me Greqinë për emrin janë drejt finalizimit.

Ndërsa përsa i përket shteteve të tjera të Ballkanit, Serbia dhe Mali i Zi mund të bëhen pjesë e BE në 2025, shkruan EUObserver.

Ndërkaq këtë të martë ne Bruksel, komisioneri i Zgjerimit, Johanes Hahn, pritet që të paraqesë para komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian rekomandimin e Komisionit Evropian  për secilin vend të rajonit.

Më pas eurokomisioneri do të dalë në një konferencë shtypi në orën 15:30. Burime për ABC News në Bruksel bëjnë të ditur se nesër komisionerja evropiane për politikën e jashtme, Federika Mogerini, do të jetë në Tiranë për të dorëzuar progres raportin e fundit të Komisionit Evropian. Mogerini me Shqipërinë nis edhe një tur takimesh në Ballkan./abcnews.al




Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono