KE do të presë deri në janar për të shqyrtuar propozimin e Francës për zgjerimin

20:08 | 19/11/201920:080

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE do të presin derisa të nisë punë ekipi i ri i Komisionit Europain, për të shqyrtuar propozimin e Francës mbi metodologjinë e zgjerimit. 6 shtete anëtare i kanë kërkuar Komisionit Europian që të paraqesë propozime konkrete në janar lidhur risitë e kësaj metodologjie.

Diskutimi i ministrave të jashtëm të Bashkimit Europian mbi zgjerimin ka qenë i shkurtër. Shtetet anëtare kanë mundur të shprehin në parim mbështetjen ose vërejtjet e tyre lidhur me propozimin francez për reformimin e metodologjisë së zgjerimit të BE-së, por pa hyrë në detaje:

Tytti Tuppurainen, ministre e jashtme e Finlandës: “Ne i mirëpresim propozimet e shteteve anëtare. Kjo ndihmon vashdimin e procesit. Por, ne sot nuk diskutuam veçanërisht mbi propozimin francez. Shtetet anëtare morën fjalën për t’u shprehur, se ku ndodhemi aktualisht me procesin e zgjerimit dhe ne dëgjuam edhe  propozimin francez. Kishte vende që e mirëpritën dhe kishte vende që kishin shqetësime lidhur me këtë plan. Qëndrimi i përgjithshëm është të presim fillimin e mandatit të Komisionit të ri Europian për të shqyrtuar idetë e Komisionit se si tê ecim pêrpara me procesin.

Ministrja Tuppurainen  nuk ka mundur të thotë nëse ka aktualisht një shtet anëtar të Bashkimit Europian që e konsideron propozimin francez të papranueshëm:

 Tytti Tuppurainen, ministre e jashtme e Finlandës: “Ne nuk votuam mbi propozimin francez. Ne dëgjuam mendimet e shteteve anëtare dhe ne diskutuam në përgjithësi politikën e zgjerimit dhe perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Diskutimi sot nuk ishte mbi propozimin francez Pra, mbetet për t’u parë”.

Ndërkohë, 6 shtetet anëtare kanë firmosur një letër drejtuar Komisionit Europian që të paraqesë propozime konkrete në janar lidhur me ndryshimin e metodologjisë së zgjerimit. Ata mbështesin nevojën e përmirësimit të procesit të negociatave të anëtarësimit, por duke bërë të mundur hapjen  e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në mars tê 2020.

Andreja Metelko Zgombic, sekretare e shtetit për çështjet europiane: “Ne kuptojnë vërejtjet që francezët kanë dhe jemi të gatshëm që të diskutojmë, se si mund të përmirësohet metodologjia e negociatave të anëtarësimit. Ne do të marrim propozimin francez si një impuls për të përmirësuar procesin e zgjerimit për vendet kandidate. Kroacia gjatë presidencës së saj do të lehtësojë konsensusin në mënyrë që të bëhet e mundur hapja e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por njëkohësisht tê përmirësohet procesi i anëtarësimit dhe ka hapësirë për këtë”.

Presidenca finlandeze ka theksuar se Komisioni i ri Europian duhet të përgatisë samitin e marsit, ku liderët europianë do t’i rikthehen çështjes së zgjerimit. /abcnews.al

 

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono