Video

dwftesa.jpg
G. P.13:52 | 17/07/2018

Mazhoranca dhe opozita u përfshinë në debate në komisionin parlamentar të edukimit dhe mjeteve të informimit publik. Shkak u bë shperndarja e dëftesave për nxënësit e arsimit parauniversitar.

Një pyetje provokuese që deputetja demokrate Albana Vokshi i drejtoi ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, për shpërndarjen e dëftesave për nxënësit në arsimin parauniversitar nxiti debat në komsionin parlametar për edukimin dhe mjetet e informimit publik.

“Ndiheni e turpëruar për deklaratën tuaj publike të fundit, ku keni mashtruar publikisht në lidhje me lëshimin e dëftesave? Këni gënjyer për dëftesat dhe ja ku e keni dëftesën, e cila është e gabuar dhe ju e keni mohuar këtë fakt. Këtu keni mashtruar kur keni thënë që dëftesat janë shpërndarë, ndërkohë mijëra mesazhe na kanë ardhur që njoftojnë se dëftesat do të shpërndahen në Shtator”, tha Vokshi.

Akuzat, ministrja Lindita Nikolla, i cilësoi shpifje, ndërsa u shpreh se për to i është drejtuar Prokurorisë.

“Padyshim do t’i shkoj deri në fund në organet e drejtësisë të gjitha akuzat që janë bërë publike karshi personit tim. Shpif, shpif se diçka mbetet nuk mund të jetë një vijë sjelljeje që na kalon duke mbyllur sytë edhe veshët. Sigurisht ka mbetur sjellja e një partie që ka humbur çdo kauzë, por për ne që punojmë me mish e me shpirt, me ndershëri për të  ndryshuar shumë nga zullumet e bëra qoftë edhe në sistemin arsimor, sigurisht kërkohet një sjellje tjetër. Ju sapo gënjyet, ku thatë që dëftesat do të shpërndahen në Shtator sepse është një proces që po vazhdon në të gjitha shkollat e Shqipërisë”, tha ministrja Nikolla.

Demokrati Luçiano Boçi sfidoi ministren e Arsimit me një email që Drejtoria Arsimore e Durrësit gjashtë ditë më parë i kishte dërguar drejtorive të shkollave në këtë zonë.

“Nëse jeni në procesin e dorëzimit të dëftesave në klasën së 9 të ndërpritet puna deri në një njoftim të dytë pasi do të riprintohen dhe njëherë dëftesat e tërhequra nga ju. Nëse keni shpërndarë dëftesa, se thatë nuk janë shpërndarë dëftesa ju lutem të gjeni mundësinë t’i mblidhni në shkollë”, tha deputeti Luçiano Boçi.

Ministrja Nikolla pranoi se ka pasur një gabim rendor nga 9 tek 11 vetëm tek dëftesat e klasës se nëntë, të cilat tha se pas publikimit të deputetit në rrjetet sociale dëftesat janë tërhequr. Në komisionin parlamentar të medias dhe mjeteve të informimit publik, ministrja e Arsimit ishte thirrur në një seancë dëgjimore për projektligjin për arsimin parauniversitar, por pjesën më të madhe të diskutimit e zuri çështja e dëftesave./abcnews.al

johannes-hahn-1.jpg
G. P.11:53 | 17/07/2018

Eurokomisioneri për zgjerim, Johanes Hahn, gjatë vizitës së tij në Shkup, përgëzoi Maqedoninë për reformat e kryera. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në referendumin për emrin e ri. Ndërsa kryeministri Zaev iu drejtua përsëri Rusisë, duke thënë se e ardhmja e Maqedonisë është vetëm në BE dhe NATO. Pasdite komisioneri Hahn do ketë takime në Tiranë me Presidentin Meta dhe kryeministrin Rama.

Eurokomisioneri për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johannes Hahn në vizitën e tij zyrtare në Shkup dha mesazhe shumë të qarta. Zyrtari i Bashkimit Europian fillimisht zhvilloi një takim me kryeministrin Zoran Zaev, dhe më pas ata dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp. Hahn theksoi se Këshilli i Evropës ka pranuar përparimin e Maqedonisë, ndërsa tani duhet që vendi të përgatitet për bisedimet me BE-në. Gjithashtu i bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në referendumin për marrëveshjen me Greqinë dhe të vendosin për fatin e vendit.

Johannes Hahn: “Tani ju mbetet juve, qytetarëve që të vendosni për të ardhmen tuaj. Dera e BE-së është e hapur, juve ju mbetet ta shfrytëzoni këtë mundësi duke marrë pjesë në referendum, sidomos të rinjtë. Është e rëndësishme të merret pjesë në referendum dhe të shfrytëzohet e drejta e votës. Bëhet fjalë për vendin tuaj dhe të ardhmen tuaj. Përparimin e Maqedonisë e ka pranuar edhe Këshilli i Evropës. Sot jam këtu që të fillojmë zyrtarisht procesin e përgatitjes për bisedimet me BE-në”.

Ndërsa Zaev u shpreh se Maqedonia ka arsye për të festuar për shkak të fillimit të fazës së parë të anëtarësimit në strukturat euro-atlantike. Gjithashtu kryeministri iu drejtua Rusisë, duke thënë se Maqedonia nuk ka alternativë tjetër përpos anëtarësimit të plotë në BE dhe NATO. Ndër të tjera, Zaev njoftoi se kush do të drejtojë bisedimet me Brukselin.

Zoran Zaev: “Maqedonia përmes planit 3-6-9 ka arritur reforma në gjyqësor, administratë. Vitin e kaluar kemi shënuar dy suksese në fushën e fqinjësisë së mirë: marrëveshjen me Greqinë dhe Bullgarinë. Me Hahn kemi përcaktuar hapat e ardhshëm për procesin e skanimit për bisedimet me BE-në. Në seancën qeveritare Hahn na njoftoi për procesin, ndërsa ne kemi nxjerrë disa përfundime: Bujar Osmani do të jetë shef i delegacionit që do të bisedojë me BE-në, Zoran Mariçiç do të jetë këshilltar i veçantë”.

Ndërkohë, gjatë qëndrimit në Shkup, eurokomisioneri Hahn ka marrë pjesë në një seancë të qeverisë së Maqedonisë./abcnews.al

tomor-alizoti.jpg
G. P.10:59 | 17/07/2018

Takimi mes Donald Trump dhe Vladimir Trump ishte në fokus të Mbrëmje në ABC Neës nga Mirela Milori.

Tomor Alizoti u shpreh se sjellja e Trump është një strategji. Sipas tij, ai me aletat shprehet i ashpër, ndërsa me kundërshtarët më i butë.

E rëndësishme për Trumpi është Irani, siguria e Izraleit dhe Siria. Këto, sipas Alizotit, ai nuk i zgjidh dot pa Rusinë./abcnews.al

admir-thanza.jpg
G. P.10:14 | 17/07/2018

Nuk ka kaluar dot sitën e Vettingut, anëtari i Gjykatës së Lartë, Admir Thanza. Ai u shkarkua sot nga detyra, pasi nga hetimi i kryer ndaj tij rezulton se jo vetëm nuk justifikon pasurinë, por edhe ka fshehur një dënim nga drejtësia italiane për vjedhje të kryer në bashkëpunim.  

Ashtu siç pritej, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit largoi gjyqtarin Admir Thanza nga sistemi i drejtësisë. Thanza, i cili ishte pjesë e Gjykatës së Lartë, më herët ka qenë anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe i Gjykatës Kushtetuese.

Thanza rezulton se është dënuar me 40 ditë burg dhe 100 mijë lireta gjobë nga Gjykata e Pizas në Itali në vitin 1999 për një vjedhje në supermarket. Detaji i pazakontë u bë publik gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar javën e kaluar për llogari të procesit të Vettingut.

Vendimi i fajësisë, në të cilin vuajtja e burgut ishte pezulluar për gjyqtarin, u bë i ditur nga ana e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Sipas KPK-së, gjyqtari Thanza kishte dijeni për këtë dënim të Gjykatës së Pizas, pasi kishte qenë në sallën e gjyqit gjatë shpalljes së tij, por nuk e kishte deklaruar atë në formularin e dekriminalizimit.

Javën e kaluar, gjyqtari në seancën dëgjimore pranoi dënimin, por këmbënguli se nuk e kishte kryer veprën penale për të cilën ishte dënuar, por thjeshtë kishte marrë përsipër një krim të kryer nga një e afërme e tij. Sipas KPK-së, veç dënimit, Thanza nuk kishte deklaruar as një procedim penal të nisur ndaj tij për akuzën e “korrupsionit” nga Prokuroria e Shkodrës dhe të pushuar në Prokurorinë e Përgjithshme nga prokurori Kristaq Beluri në 26 Korrik 2016.

Thanza figuronte problematik edhe në pasurinë e tij. Sipas Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, gjyqtari ka fshehur pasurinë dhe ka bërë deklarim të rremë. I njëjtë ishte edhe rezultati i hetimit të thelluar të KPK që vlerësoi se ka mosjustifikim të shpenzimeve të kryera dhe nga analiza financiare gjatë gjithë karrierës në gjyqësor nga viti 1992 e në vijim Thanza del me bilanc negativ.

Po gjatë javës së kaluar, Prokuroria e Përgjithshme është vënë në lëvizje për rastin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Admir Thanza. Drejtoria e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme ka nisur verifikimet ndaj gjyqtarit Admir Thanza për shkelje të ligjit dekriminalizimit. /abcnews.al

SEANCA-TOM-NDRECA-1280x720.jpg
G. P.09:23 | 17/07/2018

Të njëjtin fat ka patur edhe anëtari tjetër i Gjykatës së Lartë, Tom Ndreca, i cili u shkarkua sot nga detyra nga ana e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

“Të shkarkojë nga detyra subjektin e rivlerësimit Tom Ndreca”.

Ky ishte vendimi i dhënë sot nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në lidhje me anëtarin tjetër të Gjykatës së Lartë, Tom Ndreca. Kontrolli i Ndrecës u bazua vetëm në kriterin e figurës dhe pasurisë.

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar kishte përcjellë dy raporte për gjyqtarin. Në të parin, ai vlerësohej i përshtatshëm për sistemin, por i dyti fliste për një kontakt të papërshtatshëm të tij me një person të përfshirë në krimin e organizuar që lidhen me kunatin e tij.

Megjithëse dyshimet ndaj kunatit të gjyqtarit ishin zeruar nga Prokuroria e Shkodrës, Komisioni tha se gjyqtari Ndreca ka bërë deklarim të pasaktë në deklaratën e Vettingut, pasi nuk e ka pohuar këtë kontakt të papërshtatshëm.

Vetë Ndreca në seancën dëgjimore të zhvilluar të premten e kaluar tha se kishte dijeni për procedimin e kunatit, por shtoi se ai nuk kishte pasur ndonjëherë cilësinë e të pandehurit, pasi hetimi është pushuar. Sa i përkiste pasurisë, nga hetimi i thelluar  administrativ kishte rezultuar se gjyqtari zotëronte dy apartamente dhe një garazh në Tiranë, një apartament në Golem, dy depozita bankare të familjarëve dhe llogari rrjedhëse dhe kursime cash.

Por teksa nuk kishte gjetur parregullsi në këto pasuri, KPK pretendoi se gjyqtari kishte lënë pa deklaruar një shumë prej 1.5 milionë dhe 100 mijë lekë lekë likuiditet të anëtarëve të familjes dhe një automjet të djalit./abcnews.al

kroaciaa.jpg
G. P.16:56 | 16/07/2018

Ndryshe nga Franca, në Kroaci u festua qetë vendi i dytë dhe përkundër humbjes, kroatët ishin të lumtur, pasi realizuan një kthim të madh në futboll. Festa u bë në çdo zonë të vendit. Vukovari, dikur kryqendra e luftës së viteve ’90, tani feston dhe e sheh si rimëkëmbje, finalen e shtetit tashmë edhe anëtar i BE.

Ndryshe nga Franca, në Kroaci u festua qetë vendi i dytë dhe përkundër humbjes kroatët ishin të lumtur, duke arritur një kthim të madh në futboll. Festa u bë në të gjitha vendet e këtij shteti.

Vukovari, që dikur ishte kryqendra e luftës së viteve ’90 dhe ku ranë gjysma e viktimave, tani feston dhe e sheh si rimëkëmbje finalen e shtetit të fundit që u antarësua në BE.

Në rrugët e Kroacisë nuk ka ngelur njeri. Të gjithë kanë ikur të ndjekin ethet e futbollit. Në sheshin “Franje Tuxhman” të Vukovarit, qytetit të shkatërruar të luftës tani kroatët janë për finale.

Ndeshja fillon me entuziazëm. Vite pas luftës sporti tregon kthimin e fuqisë së shtetit ish Jugosllav. Pjesa e parë me pak fat, por kroatët arrijnë të shënojnë gol.  Francezët janë të vështirë, por për kroatët kjo eshtë festë gjithsesi.

“Jemi të lumtur pasi im atë ka mbrojtur në luftë Kroacinë dhe ata na kanë mundësuar ne këtë festë”.

“Lumturi e madhe pasi jemi popull i vogël dhe komb i madh në futboll”.

“Pas gjithë gjërave që kanë ndodhur në luftë këtu kjo për ne është lumturi e pafund”.

Pjesa e dytë zbeh paksa shpresat. Të gjithë janë të veshur në ngjyrat e simbolit të shahut e deri tek luku. Kroacia ende shpreson të jetë e para. Shënojnë golin e dytë.  Fundi nuk i dëshpëron dhe duartrokitjet nuk mungojnë, ashtu siç nuk mungon as mbështetja për çunat kroatë në Rusi.

“Kroacia është shteti i dytë në mjeshtrinë  e futbollit në botë. Dhe kjo është arritja më e madhe që pas pavarësisë e Kroacisë në këtë sport”.

Festa vazhdoi në tërë Kroacinë./abcnews.al

pallate.jpg
G. P.16:47 | 16/07/2018

Tirana renditet kryqyteti i pestë më i shtrenjtë në Europë për blerjen e një apartamenti. Portali Numbeo ka analizuar situatën në raport me të ardhurat.

Sot është më e lirë të blesh një shtëpi në Amsterdam, Berlin, Stokholm, Bruksel, Athinë, sesa në Tiranë, kjo në raport me të ardhurat.

Portali Numbeo në gjashtë muajorin e parë të vitit  e rendit kryeqytetin e Shqipërisë të pestin në Europë, nga 31 kryeqytete, për përballimin e blerjes së një apartamenti. Më të ardhurat e disponueshme mesatare të familjeve shqiptare duhen mesatarisht 17.65 vite për të blerë një apartament në Tiranë

Në vend të parë, si më i shtrenjti, ndër kryeqytetet e Europës, përsa i përket përballimit është kryeqyteti i Serbisë, Beogradi, ku me të ardhurat e disponueshme duhen 21.2 vite për të blerë një apartament. Më pas renditen Roma, me 20.74, Moska me 19.85 vite dhe Parisi me 18.5 vite, të ndjekura nga Tirana.

Nëse në vitin 2012 Tirana renditej e 49 përsa i përket çmimit të apartamenteve në raport me të ardhurat, në 2017-n kryeqyteti renditej në vendin e 12. Në gjashtë mujorin e parë të 2018-s, Tirana është ngjitur në klasifikim duke u renditur e shtata.

Në 6 vjet është përkeqësuar me 42 vende, teksa çmimet janë rritur me 30-40% krahasuar me 6 vjet më parë.

Në rajon, kryeqyteti më i përballueshëm për të blerë një shtëpi është Prishtina, e cila renditet e 17 nga 31 kryeqytete të Europës. Më pas renditet në vendin e 12-të Sarajeva, e ndjekur nga Shkupi në vendin e 10-të./abcnews.al

ilir-metta.jpg
G. P.16:43 | 16/07/2018

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në kuadër të Ditës Botërore të Aftësive Rinore vizitoi shkollën profesionale “Rogacionistët” në Lezhë, të drejtuar nga At Antonio Leuci. Kreu i Shtetit u njoh me zhvillimin e kurseve profesionale për punimet dhe qëndisjet me dorë, recetat e grupit të kuzhinës si dhe punën e grupit të fotovoltaikëve.

Ndërkohë, presidenti i Republikës vuri në dukje se: “Një vizion, i pashoqëruar me veprim, mbetet një ëndërr!”  

Një nga problemet tona më të mëdha, theksoi kreu i shtetit është që t’i mbajmë të rinjtë në vendin tonë. Dhe jo vetëm kaq, por t’i mbajmë duke u dhënë një mundësi. Presidenti i Republikës vlerësoi se arsimi profesional është një mundësi shumë e mirë edhe për rritjen e cilësisë së shërbimit në fushën e kulinarisë e të ushqimit./abcnews.al

ekonomia.jpg
G. P.16:35 | 16/07/2018

Në bazë të një auditi të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, Komisioni Parlamentar i Ekonomisë  kërkon thellim të hetimit për çështjen e blerjes nga ana e Bankës së Shqipërisë së Hotel Dajtit. Dyshimet janë se banka qendrore ka emetuar para enkas për blerjen e godinës, ku shitësi ishte qeveria shqiptare.

Komisioni i Ekonomisë dhe Financave i kërkon Kontrollit të Lartë të Shtetit që të thellojë auditimin dhe hetimin e çështjes së blerjes së Hotel Dajtit në kushtet e emetimit të monedhës. Kërkesa është bërë në rezolutën që ky komision miratoi për veprimtarinë e KLSH-së, bazuar në një audit të mëparshëm që organi më i lartë i kontrollit të institucioneve publike ka bërë në Bankën e Shqipërisë.

“Komisioni i Ekonomisë dhe Financave nxit KLSH të thellojë më tej hetimin e blerjes së Hotel Dajtit në kushtet e financimit me emetim të monedhës pavarësisht faktit se të ardhurat mund të ishin për të bërë një blerrje të tillë”, tha Blerina Gjylameti.

Auditi i KLSH-së nuk është bërë ende publik, por në bazë të rezolutës së miratuar në këtë seancë bëhet fjalë për blerjen e godinës nga ana e bankës qëndrore në vitin 2010 me një vlerë prej 30 milion eurosh. KLSH dyshon se janë emetuar para enkas për blerjen, duke shkelur rregullat. Përveç kësaj Komsioni i Ekonomisë kërkoi rihapjen e një auditi të plotë të ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës./abcnews.al

etleva.jpg
G. P.16:20 | 16/07/2018

15 mijë rezulton numri i vizitorëve të Muzeut Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia e gjetheve” në një vit. Drejtoresha Etleva Demollari në një intervistë për ABC News thotë se ka një rritje prej 15 përqind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Nga ana tjetër, turistët duken kureshtarë për t’u njohur me mënyrën e përgjimit në sistemin komunist në Shqipëri./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore.


Kontakt

Telefono