Rusi 2018

kitarovic.jpg
G. P.15:23 | 15/07/2018

Presidentja kroate, Kolinda Grabar-Kitaroviç, u shpreh e bindur në fitoren e kombëtares së saj në finale e Botërorit në Moskë përballë Francës.

Duke folur me gazetarët mëngjesin e sotëm në Zagreb para se të nisej për në kryeqytetin rus ku do të ndjekë ndeshjen së bashku me homologun rus Putin, Grabar-Kitaroviç u shpreh se nuk e kishte menduar asnjëherë se do të arrinin në finale dhe pse shpresonte.

Por tashmë që finalja është aty ajo tha se ndihej krenare për djemtë e kombëtares dhe besonte në fitore. Grabar-Kitaroviç shtoi se shpresonte se një moment i tillë magjik për futbollin kroat mund të influencojë pozitivisht dhe në sektorë të tjerë të jetës në vend.

“Duhet të japim mesazhin se jemi një komb talentesh jo vetëm në sport, por dhe në shumë sektorë të tjerë e aktivitete”, përfundoi ajo./abcnews.al

bilancet.jpg
G. P.14:15 | 15/07/2018

Finalistet e sotme të Botërorit kanë luajtur pesë herë në të kaluarën me njëra-tjetrën. Skuadra favorite për të marrë titullin, ka bilanc më pozitiv.

Franca dhe Kroacia synojnë fitore në finalen e Botërorit, por si janë ndarë në të kaluarën? Dy skuadrat kanë luajtur përballë njëra-tjetrës 5 herë, dhe epërsia është me francezët.

Të mbiquajturit “gjelat” kanë fituar tri herë, ndërsa dy takime të tjera janë mbyllur në barazim. Kroacia, pra, do të kërkojë fitoren e parë në histori, kur dy ekipet të ndeshen në finalen e Moskës.

Historia nisi relativisht vonë, në 1998-n, në gjysmëfinalen aq shumë të famshme të Kupës së Botës në Francë. Edhe pse kroatët kaluan në epërsi me anë të Davor Shukerit, vendasit ia dolën të fitonin.

Autor i dy golave ishte një mbrojtës, Liliam Thuram, ashtu siç ishte një mbrojtjes, Samuel Umtiti, autor i golit të fitores ndaj Belgjikës, në gjysmëfinalen e tanishme.

Në nëntor 1999, Franca triumfoi 3-0 në “Stade de France”, ndërsa në Maj të vitit 2000, në prag të Europianit, francezët ia dolën edhe një herë tjetër, 2-0 në stadiumin “Maksimir” të Zagrebit.

Ishin vitet e dominimit francez në futbollin botëror. Dy përballjet e fundit janë mbyllur në barazim. Dy me dy në Qershor 2004, në finalet e Europianit në Portugali, dhe 0-0 në  miqësoren e luajtur në 2011, në Paris. Franca dhe Kroacia ndeshen pra pas plot 7 vjetësh./abcnews.al

ndeshja.jpg
G. P.13:58 | 15/07/2018

Kush do të jetë kampione e botës, Franca apo Kroacia? Kjo do të mësohet pas finales së madhe të Botërorit, që luhet në orën 17:00 në Moskë.

Ja edhe udhëtimi i fundit.

A thua Franca po shkon drejt triumfit të madh të radhës, një tjetër titulli botëror?

Me gjashtë finale në histori, kjo kombëtare ka padyshim një traditë më të madhe sesa Kroacia.

Luhet për Kupën e dytë të Botës, që do ta vendoste Francën edhe më shumë në mes kombëtareve më të lavdishme në rruzull, dhe trajneri Didier Deschamps, e di se çdo të thotë të fitosh.

“Është një privilegj i madh, është kënaqësi e vërtetë të jesh këtu. U kam thënë lojtarëve se nuk ka gjë më të bukur sesa një finale e Kupës së Botës. Do t’u them po ashtu, “ruani qetësinë, besoni në vetvete dhe përqëndrohuni”. Pësimet e finales së humbur në 2016 do të na ndihmojnë këtë herë. Kroacia ka talent dhe përvojë të madhe, por jemi ndeshur edhe më parë me ekipe të këtij niveli, me lojtarë si Messi apo Hazard”, tha trajneri i Francës.

Kapiteni Lloris thotë sesi është motivimi tek francezët.

“Jemi në finale, por nuk mendojmë se e kemi arritur qëllimin tonë. Ne duam të fitojmë Kupën e Botës, por e dimë se kemi përballë një kundërshtar të një cilësie maksimale. Kroacia meriton po aq vlerësim sa edhe ne. Do të duhet të luajmë finalen e përsosur për t’ia dalë”, tha kapiteni francez.

Kroacia luan finalen e parë në histori, dhe padyshim euforia është më e madhe tek ajo.

Mund të jetë një minus, por trajneri Zllatko Daliç ka besim te karakteri i lojtarëve të tij.

“Është pragu i finales së Botërorit dhe lojtarët e dinë se çdo të thotë kjo. Më vjen mirë që lojtarët e mi thonë se janë 100 për qind gati. Nëse nuk do të ishin, nuk do të donin të luanin. Nuk është se jemi stërvitur shumë së fundmi, sepse nuk kemi nevojë. Kishim nevojë për të pushuar, gjithçka tjetër e dimë”, u shpreh Daliç.

Luka Modriç, mos ndoshta mendon se mund të fitojë edhe Topin e Artë?

“E përsëris se jam i përqëndruar tek suksesi i kombëtares. Natyrisht, është kënaqësi kur përmendem si fitues i mundshëm i Topit të Artë, por nuk dua që të mendoj për këtë. Kemi shansin të arrijmë një sukses të madhe dhe shpresojmë që me ndihmën e Zotit t’ia dalim”, tha Modriç.

Dy ekipet nuk kanë asnjë mungesë, ndërsa parashikimet favorizojnë Francën.

PRAG-FINALJA-1280x720.jpg
ent ela17:01 | 14/07/2018

Në finale në fillim nuk ishte menduar Kroacia, por te ballkanasit ka optimizëm se mund të fitojnë edhe trofeun. Nga ana tjetër Franca synon të triumfojë për herë të dytë në Kupën e Botës.

Kroacia e ka fituar botërorin e saj duke arritur në finale, por të gjithë te skuadra ballkanase kërkojnë të bëjnë mrekullinë të mundë Francën të dielën në Moskë. Zlatko Dalic nuk do të mendojë për të kaluarën dhe përvojën e skuadrës kundërshtare, por për të motivuar lojtërt e tij.

Zlatko Dalic (Trajner i Kroacisë): Nuk na intereson kundërshtari, as tradita dhe statistikat, pasi janë bërë për tu thyer. Do të jetë momenti më i bukur i jetës sonë dhe futbollistëve i ka thënë të zhvillojnë lojën e tyre. Uroj që në fund 4 milionë kroatë të dalin të festojnë në rrugë.

Francezët kërkojnë trofeun e dytë të Kupës së Botës, pas atij të fituar 20 vite më parë në shtëpi. Antoine Griezmann dëshiron t’i sjellë gëzim bashkombasve të tij.

Antoine Griezmann (Futbollist i Francës): Nuk mendoj për Topin e Artë, por për të fituar Kupën e Botës, vetëm kjo më intereson. Nuk ka rëndësi se cili do të shënojë, pasi i rëndësishëm është objektivi final. Jemi një ekip i madh dhe duan të gëzojë francezët, të jenë krenarë.

Francë – Kroaci do të luhet të dielën në orën 17:00 në stadiumin “Luzhniki”. /abcnews.al

PRAG-NDESHJE-ANGLI-BELGJIKE-1280x720.jpg
ent ela12:51 | 14/07/2018

Anglia dhe Belgjika luajnë sot finalen e vogël të Botërorit. Të dyja skuadrat janë të zhgënjyera, por premtojnë se do të japin maksimumin për vendin e tretë

Lodhja është rraskapitëse, por duhet bërë edhe një sforcim.

Anglia dhe Belgjika janë në sprovën e fundit në Kupën e Botës, për fat të keq jo në finalen e madhe, por në atë të voglën.

Do të luajnë për vendin e tretë.

Dy ekipe shumë të fortë, ndër më të mirët në rruzull, shpresojnë të lenë pas zhgënjimin e gjysmëfinaleve të humbura, edhe pse dihet se në fund do të gëzohet vetëm njëra palë.

Thënë kjo, duhet shtuar se do të ketë disa ndryshime.

Trajneri i Anglisë, Sauthgejt, ka lojtarë me probleme fizike si Tripier, Henderson apo Uolker.

Ai premton maksimumin, por paralajmëron edhe rotacionin.

Sauthgejt: Kanë qenë dy ditë të vështira për ne, pasi ishim 20 minuta larg finales së Kupës së Botës. Gjithsesi, lojtarët e mi kanë qenë të pabesueshëm dhe jam krenar që punoj me ta. Ata duan ta mbyllin me sukses këtë turne, një detyrim që e kemi ndaj vetes tonë, por sidomos ndaj publikut anglez. Ne i bëmë ata krenarë, por duhet ta bëjmë këtë deri në fund. Natyrisht, ndaj Belgjikës, nuk do të jetë i njëjti formacion si ndaj Kroacisë, por duam të bëjmë sa më pak ndryshime që të jetë e mundur”.

Belgjika nuk do të ketë asnjë mungesë potenciale, pasi mbrojtësi Mënier u kthye nga pezullimi, por ndryshimet nuk do të mungojnë.

Trajneri Martinez pyetet se çfarë dhurate kërkon për ditëlindje.

“Është shumë e lehtë t’i jap përgjigje kësaj pyetjeje, – tha ai, – Ne duam që të fitojmë. Vendi i tretë ka rëndësi, edhe për faktin se në një turne të madh, kushdo mban mend më shumë ndeshjen e fundit. Çdo tifoz belg e meriton ta ketë këtë ndjesi në kujtesën e tij. Anglia është një skuadër shumë e shpejtë, shumë dinamike. Është shumë e rrezikshme në goditjet standarde, prandaj duhet të jemi të kujdesshëm dhe të japim maksimumin”. /abcnews.al

 

 

finalja.jpg
G. P.15:23 | 13/07/2018

Kupa e Botës nuk është vetëm një sukses sportiv, por edhe ekonomik për Kroacinë. Tifozët ballkanas nuk po i kursejnë shpenzimet, ndërsa ndjekin ndeshjet e ekipit të zemrës.

I gjithë vendi po fluturon nga gëzimi.

Një çmenduri e vërtetë ka përfshirë Kroacinë dhe tifozët saj nuk kanë ndërmend shpejt të zbresin me këmbë në kokë.

Gjithsesi, kjo ndjenjë e rrallë nuk ka sjellë vetëm lumturi e dalldisje, por ka ndikuar ndjeshëm në ekonominë e vendit të vogël.

Faktori i njohur “Kënaqësi” ka bërë që kroatët ta fusin më lehtë dhe më shpesh dorën në xhep.

“Kur luan Kroacia, njerëzit shpenzojnë 30 për qind më shumë, – shkruan faqja e specializuar, “novac.hr”, – që nga fillimi i Botërorit, kroatët kanë ngrënë 9 milionë qebape, dhe më shumë se 1 milionë racione mishi të skarës”.

Ka një dallim mes kroatëve dhe anglezëve.

Plot 5 milionë banorë të ishullit britanik nuk shkuan në punë pas fitores me Kolumbinë.

Në të kundërt, kroatët kanë qenë të detyruar që të punojnë për të financuar shpenzimet e qejfit gjatë Kupës së Botës.

Jo vetëm kaq.

Kroatët, përgjithësisht, i kanë ndjekur ndeshjet nëpër sheshe dhe kafene, por mjaft prej tyre kanë preferuar t’i shikojnë në shtëpi.

Kjo ka bërë që shitja e televizorëve të dyfishohet gjatë Botërorit.

Shumë para janë harxhuar për modelet e flokëve.

Po ashtu, shpenzimet kanë qenë shumë më të mëdha për të blerë fanelën e kombëtares apo suvenire të tjera./abcnews.al

eden-hazard.jpg
G. P.15:02 | 13/07/2018

Reali i Madridit ka gjetur pasardhësin e Cristiano Ronaldos. Kampionët e Europës kanë bërë një ofertë prej 170 milionë eurosh për njërin nga yjet më të mëdhenj të Botërorit.

Ky njeri ka bërë të harrohet Neymari.

Jo vetëm kaq, por Eden Hazard është identifikuar si pasardhësi i Topit të Artë dhe lojtarit më të mirë të botës vitin e kaluar.

Reali i Madridit kampion i Europës, pasi zgjidhi çështjen e stolit me Julen Lopeteguin, është hedhur menjëherë në sulm, dhe ofron 170 milionë euro për kartonin e futbollistit të Çelsit.

Ylli 27-vjeçar pritet të largohet nga Blutë e Londrës, shpejt pas shkarkimit të trajnerit Antonio Conte, pra tekniku i ri, Mauricio Sarri, nuk pritet ta ketë në dispozicion edicionin e ardhshëm.

Tifozët madrilenë kishin votuar për Hazard-in si dëshirë e parë e tyre, ndaj Nymar-it, dhe klubi vendosi të veprojë shpejt, sidomos pas lajmeve se edhe Barcelona po mendonte për kapitenin belg.

Hazard po shkëlqen në Kupën e Botës në Rusi, duke udhëhequr Belgjikën deri në gjysmëfinale.

Ai ishte ndoshta lojtari më i mirë i ndeshjes ndaj Francës, pavarësisht humbjes 0-1, dhe shpreson të ndihmojë ekipin për të fituar medaljen e bronzit në finalen e vogël ndaj Anglisë.

Hazard e ka cilësuar Realin si skuadrën e duhur për të luajtur dhe besohet se ky transferim do të kryhet. Nuk dihet sesa do të kërkojë Çelsi, por duket se numri 10 belg do të bëhet lojtari i dytë më i shtrenjtë në histori./abcnews.al

JEHONA-PER-KROACINE-1280x720.jpg
ent ela21:43 | 12/07/2018

Festë e madhe në Kroaci pas kualifikimit për në finalen e Kupës së Botës. Tifozët dhe mediat në delir, ndërsa shpresa është e madhe për të fituar titullin.

Pritja mori fund, radhën e pati harbimi.

Kroacia e gjitha, që nga Zagrebi, Spliti, Dubrovniku apo çdo qytet tjetër u dha pas një entuziazmi që po e bënte të çmendej.

U mund Anglia dhe, në stadiumin “Luzhniki”, në Moskë, futbollistët festuan jo me presidenten, por këtë herë me kryeministrin.

“Kurrë nuk kam parë një ekip kaq të bashkuar sa ky, – theksoi kapiteni Modriç pas suksesit, – merituam gjithçka, por nuk duam të ndalemi këtu. Gjithsesi, nuk mund të festojmë gjatë. Na pret ndeshja më e vështirë në Botëror”.

“Futbollistët e mi nuk janë normalë, –  ishin fjalët e trajnerit Daliç, – nuk është fitorja ime, por e tyre. Besoj se kemi edhe një hap për të bërë. Ende nuk jemi të ndërgjegjshëm se çfarë kemi bërë, po as bota nuk është e ndërgjegjshme se çfarë mund të bëjë Kroacia”.

Mediat mezi gjetë fjalët për të kushedi sesatën herë.

“Jutarnji List”: Ne jemi kroatë! Të zjarrtët në finale, kombi në delir!

“Veçernji List”: Fitore historike! Kroacia, një dashuri që nuk mund të shuhet!

“Sllobodnja Dalmacija”: Finalja do të jetë e zjarrtë, por që do të thotë edhe finalja do të jetë e jona!

“Sportske Novosti”: Ëndërroni, ëndërroni, ëndërroni! Kroacia në finale të Botërorit!

“L’Ekip”: Fantazmat! Njëzet vjet pas gjysmëfinales së humbur me ne, kroatët na dalin përpara në finalen e Botërorit!

“Marka”: Kroacia mbërrin në Hënë! Një vend me vetëm 800 futbollistë profesionistë, lë botën me gisht në gojë!

“La Gazeta delo Sport”: Finale italiane! Perishiç e Manxhukiç rrëzojnë Anglinë. Në Moskë do të jemi edhe ne!

Rrjetet sociale shpërthyen me tallje.

Në një fotomontazh jepej Mbretëresha Elizabeta II veshur me fanelën e Kroacisë.

Një foto tjetër kishte Mario Manxhukiçin dhe diçiturën “Brexit”.

Fotoja tjetër, “ja mëngjesi i anglezëve, dhe ja mëngjesi i kroatëve”! /abcnews.al

TRADITA-SPORTIVE-KROATE-1280x720.jpg
ent ela19:28 | 12/07/2018

Një Kroaci finaliste e Botërorit nuk mund të quhet rastësi. Shteti i vogël ballkanas ka traditë jo vetëm në futboll, por edhe në shumë sporte të tjerë.

Kanë qenë prej kohësh në hartën e Botës.

Kroatët, finalistët e Botërorit 2018, padyshim mund të mbështeten tek një traditë aspak e vogël.

Jo vetëm për shkak të heroizmit në Botërorin 1998, ku dolën të tretët në botë.

Futbolli i vendit ballkanas ka qenë i shquar që në fillim të shekullit të 20-të, për të arritur tek Dinamo e Zagrebit që fitoi Kupën e Qyteteve Panaire, Ligën e sotme të Europës, në 1967.

Të famshëm yjet e fushës e të stolit, Bobek, Çajkovski, Zebec, Vujoviç, për të mbërritur tek Bobani, Prosineçki e Shukeri.

Basketboll ka qenë po ashtu në kulme botërore, me traditë të paktën që nga Kreshimir Çosiçi.

Cibona e Zagrebit, kampione e Europës në 1985 e 1996, Jugoplastika e Splitit kampione e Europës në 1989, 1990, 1991

Kroacia është ajo e yjeve të koshit si i paharruari Drazhen Petroviç, hero i Cibonës, Realit të Madridit, Nju Xhersi Netsit në NBA.

Numri 1 i kombëtares së Jugosllavisë dhe asaj të Kroacisë.

I jashtëzakonshëm edhe Toni Kukoç, legjenda tjetër e basketbollit, me Jugoplastikën, Benetonin e Trevizos dhe Çikago Bullsat e Majkëll Xhordanit.

Krenari nuk ka qenë vetëm basketbolli.

Kombëtarja e vaterpolit për meshkuj doli kampione olimpike në 2012 në Londër, dy herë kampione e botës, po ashtu kampione e Europës dhe fituese e Ligës Botërore.

Mladost Zagreb u shpall 7 herë kampion i Europës për meshkuj, për klubet, Jug i Dubrovnikut 4 herë, Jadrani i Splitit dhe POSHK-u i Splitit nga një herë.

Në hendboll për meshkuj, Kroacia doli kampione olimpik në 1996 e 2004, kampione bote në 2003, si dhe 4 herë nënkampion bote, e dy herë nënkampion Europe. /abcnews.al

SI-E-PERJETUAN-HUMBJEN-ANGLEZET-1280x720.jpg
ent ela19:16 | 12/07/2018

Tifozët anglezë, krenarë për kombëtaren e tyre, edhe pas humbjes me Kroacinë. Besimi është i madh se rezultatet do të jenë më të mira në të ardhmen

Pati dëshpërim, por jo fatalitet.

Eleminimi i Anglisë nga Kupa e Botës solli thyerje zemre dhe lot tek tifozët, edhe pse nuk e zhduku optimizmin dhe shpresën.

Mijërat e tifozëve, në Moskë, në Londër apo kudo gjetkë, ëndërruan dhe dëshiruan vetëm fitoren dhe kalimin në finale, veçse gjithkush ishte I ndërgjegjshëm se një epokë e re po hapej.

Ndjenjat e tifozëve i shprehu besnikërisht media britanike, aq shumë e kritikuar për komercializmin e saj të skajshëm.

“Metro”: Një goditje në Ballkane! Anglia humbet ndaj Kroacisë në Kupën e Botës, por ata mbeten heronjtë tanë!

“Deili Meil”: Heronjtë! Thyerje zemre në Kupën e Botës për Anglinë! Ne jemi krenarë për ju të gjithë!

“Star Sport”: Kro No! Agoni në kohën shtesë, ndërsa luanët trima rrëzohen!

“Deili Mirror”: Thesar kombëtar! Luanët trima të Sauthgejtit kthyen besimin për ëndrrën angleze, pavarësisht humbjes së Moskës!

“Dhë Tajms”: Ata po kthehen në shtëpi me kokën lart!

Trajneri Garet Sauthgejt u ngushëllua nga e shoqja, në stadiumin bosh, pas ndeshjes, ndërsa u shpreh pozitivisht.

“Jam i ndërgjegjshëm se kemi humbur një ndeshje shumë, shumë të rëndësishme, – tha ai, – dhimbja është e madhe, por gjithsesi askush nuk priste që ne të arrinim deri këtu. Jam krenar për lojtarët e mi”.

Tifozët anglezë bënë thirrje që Sauthgejt të marrë përsipër detyrën e kryeministrit, në vend të Tereza Mejit.

Sidoqoftë, u humb një mundësi të madhe.

“Anglia ka arsye për të qarë, por edhe për të qenë optimiste, – tha trajneri I Mançester Junajtidit, Zhoze Murinjo, – një skuadër shumë e re, që u përmirësua shumë. Por, Anglia nuk e mbylli ndeshjen në pjesën e parë dhe pagoi çmimin”.

Hidhërimi tek tifozët ndonjëherë ishte aq i madh, saqë ata u përleshën me policinë. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono