Rusi 2018

messi.jpg
gra moz21:58 | 21/06/2018

Kroacia shkatërron 3-0 Argjentinën dhe kualifikohet për në turin e dytë të Botërorit. Messi dhe yjet e tjerë argjentinas, bëjnë gati valixhet për t’u kthyer në shtëpi.

Ajo që parandihej, nuk mund të mos ndodhte. Argjentina në Botëror ishte si boksieri në prag të nokautit, dhe këtë ia shkaktoi Kroacia, duke e mposhtur 3-0. Luka Modriç fitoi duelin e yjeve me Lionel Messin, i cili tashmë po bën gati valixhet për t’u kthyer në shtëpi.

Asnjë rëndësi nuk pati fakti që argjentinasit ishin nënkampionë të botës, ndërsa kroatët shumë më modestë si emër, pasi në stadiumin e Nizhni Novgorodit u pa vetëm skuadra ballkanase.

Ante Rebiç, Luka Modriç dhe Ivan Rakitiç ishin autorët e golave, në një ndeshje që kroatët e fituan duke dominuar mesfushën, e duke bllokuar të gjithë yjet që Argjentina pati në fushë.

Nuk bënë punë as Messi e Aguerro, as Higuain e Dybala që hynë në lojë në pjesën e dytë. Futbolli nuk është një lojë individësh, por sport kolektiv, dhe gjigandët e Amerikës së Jugut nuk ishin të tillë.

Ata nuk patën lojtarët e duhur në mbrojtje e në mesfushë, po ashtu nuk përballuan dot presionin, dhe nuk dihet nëse trajneri Sampaoli ishte njeriu më i përshtatshëm për stolin.

Për tifozët në tribuna, mes të cilëve edhe Diego Armando Maradona, vuajtja duhet të ketë qenë e madhe. Në krahun tjetër, Kroacia e arriti kulmin që kërkonte, të paktën për fazën e grupeve. Lojtarët e saj janë të mrekullueshëm, Modriç, Rakitiç, Perisiç, Mandzukic apo Lovren.

Ata po bëjnë krenar një shtet me pak më shumë se 4 milionë banorë, dhe ndoshta mund t’i afrohen mrekullisë së vitit 1998, kur kombëtarja e Shukerit, Bobanit e Prosineçkit doli e treta në botë.

Argjentina ende nuk është eleminuar, por është shumë pranë. Nëse Islanda mund Nigerinë, Messi me shokë nuk do ta kenë më fatin në duart e tyre. Kroacia kryeson grupin D me 6 pikë në dy ndeshje, ndërsa Argjentina e madhe ka vetëm 1./abcnews.al

franca.jpg
gra moz19:54 | 21/06/2018

Franca u kualifikua për në raundin e dytë të Botërorit, pas fitores 1-0 ndaj Perusë. Kjo, pas golit të adoleshentit Kylian Mbappe, që eleminoi skuadrën nga Amerika e Jugut.

Përse kaq pak gola ky Botëror?

Dhe përse këtë e bën edhe një skuadër e mbushur stërplot me talente si Franca? Me Griezmann, Giroud, Mbappe e Pogba në formacion, dhe me Dembelenë, pritej që formacioni europian të bënte namin, por ai bëri pak.

Jo se i munguan rastet, por loja në fushë nuk iu përgjigj parashikimeve dhe as pretendimeve të yjeve të saj tepër të vlerësuar. Fitorja dhe kualifikimi u zgjidh vetëm me një gol të 19-vjeçarit Kylian Mbappe, me yllin e Paris SG, që u bë shënuesi më i ri i Francës në historinë e kupave të botës.

Më parë, ky rekord i takonte David Trezegesë. Skuadra e trajnerit Deschamps pati edhe fatin me vete, kur portieri Lloris e shpëtoi pikërisht përpara sesa të kalonte në avantazh.

Kapiteni luajti ndeshjen numër 100, dhe u paraqit në mënyrë të panjollë. Franca humbi disa raste, duke luajtur më mirë sesa në sfidën e parë ndaj Australisë.

Kjo edhe falë lojës më të hapur të peruanëve, të cilët pranuan të rrezikonin në kërkim të fitores. Edhe amerikanolatinët i patën disa raste, aq sa mund të krijonte një ekip shumë më modest sesa francezët, por nuk patën as qetësinë dhe as klasin për të konkretizuar.

Nga Franca, ndërkaq, pritet më shumë se kaq, si skuadra ndoshta më e talentuar e Botërorit. Kualifikimi vërtet u arrit, por vetëm dy gola të shënuar në dy ndeshje janë shumë pak.

Në renditje, francezët kryesojnë me 6 pikë në dy ndeshje, ndjekur nga Danimarka me 4, Australia me 1 dhe Peruja e eleminuar me zero pikë./abcnews.al

australia.jpg
gra moz18:29 | 21/06/2018

Danimarka dhe Australia e mbyllën në barazim ndeshjen e tyre në grupin C. Australianët shmangën eleminimin falë penalltisë së kthyer në gol nga kapiteni Jedinak.

Kontinenti ende mbetet në Botëror. Australia, përfaqësuese e një pjese të rëndësishme të rruzullit, e mbajti veten në turne pasi shmangu humbjen ndaj Danimarkës.

Sfida e grupit C në stadiumin e Samarës u përcaktua sërish nga teknologjia, sepse gjyqtari spanjoll Mateu Lahoz u këshillua me VAR-in për të dhënë penalltinë e australianëve.

Prekje me dorë ishte, po ashtu 11-metërshi, ndonëse kartoni i verdhë për Poulsenin u duk tepër. Kapiteni Jedinak nuk gaboi dhe ambicia e skuadrës nga Hemisfera e Jugut bëri të vetën.

Danimarka e nisi më mirë takimin, duke qenë edhe më e qetë pasi kishte fituar ndeshjen e parë ndaj Perusë. Europianët shënuan shpejt, me një aksion-model dhe gol-model nga ylli i Tottenham-it, Cristian Eriksen.

Gjithsesi, kur kujton Danimarkën e viteve 80-të e të viteve 90-të, kjo e sotmja nuk të bën përshtypje. Dëshirë dhe përpjekje për lojë kolektive, por tepër larg stilit dhe frymës sulmuese të epokës së Elkjerit, Lerbit apo vëllezërve Laudrup.

Barazimi duket se lë në pozita më të mira pikërisht danezët, edhe pse mund të mos rezultojë kështu. Ndeshjen e fundit ata e kanë me Francën, ekipin më të fortë të grupit, dhe në rast humbjeje, rrezikojnë eleminimin./abcnews.al

messss.jpg
gra moz17:45 | 21/06/2018

Argjentinës i duhet patjetër fitorja në ndeshjen e sotme me Kroacinë, për të mos rrezikuar largimin nga Botërori. Kroacia, në të kundër, kualifikohet nëse fiton.

Nuk duan që të përsëritet ky moment. Lionel Messi humbi penalltinë, potencialisht fituese, ndaj Islandës, dhe tifozët argjentinas nuk u ndjenë mirë që nga ai çast, e në vazhdim.

Kombëtarja e tyre zhgënjeu me barazimin 1-1, por gjithsesi, përpara sfidës së radhës kundër Kroacisë, ata janë detyrimisht optimistë. Nizhni Novgorodi është plot me amerikanojugorë, ndërsa skuadra e trajnerit Horge Sampaoli, bëri përgatitjet e fundit për sfidën.

Sampaoli u kritikua ashpër, dhe nuk dihet nëse do të hedhë në fushë Higuainin apo Dibalën, apo të ndryshojë skemën 3-4-3. Ai nuk flet për këto në konferencën për shtyp.

“Nuk kemi kohë për të humbur në Botëror dhe duhet të kërkojmë fitoren që në këtë ndeshje. Nuk mund të mendojmë për barazimin sot dhe të arrijmë kualifikimin në ndeshjen e fundit. Nuk funksionon kështu. E dimë sesa e vështirë do të jetë, pasi Kroacia ka një brez të madh lojtarësh, por nuk kemi rrugë tjetër përveçse të synojmë fitoren”.

Kroacia e ka një lojtar që e njeh shumë mirë Mesin, mesfushorin Ivan Rakitiç.

“Duke pasur në përbërje lojtarin më të mirë të botës, e dimë se do të na i vështirësojnë shumë gjërat, prandaj ka rëndësi që të luajmë të bashkuar. Mesi luajti mirë edhe në ndeshjen e parë, përtej rezultatit, gjuajti 8 herë në portë, dhe mund të kishte shënuar 2 apo 3 gola. Pres një Mesi dhe një Argjentinë shumë më agresive”.

Trajneri i Kroacisë, ndërkaq, jep disa detaje sesi po e përgatit këtë ndeshje, ndoshta me mesfushorin Badelj në vend të Kramariçit.

“E kam thënë se do të kemi disa ndryshime të vogla, edhe në taktikë, edhe në përbërje. Gjithsesi, nuk do të ketë lëvizje të shumta, aq më tepër që ndaj Nigerisë luajtëm një ndeshje mjaft të mirë. Djemtë dhanë maksimumin dhe nuk është koha për ndryshime të mëdha. Edhe ndaj Argjentinës ne duhet të ruajtëm stilin tonë të lojës dhe të tregojmë cilësitë që kemi”.

Edhe tifozët kroatë janë të shumtë në Nizhni Novgorod, si dhe janë euforikë.

Nëse kombëtarja e tyre fiton, ajo kualifikohet./abcnews.al

diego-costa-spain-iran-1280x713.jpg
gra moz22:45 | 20/06/2018

Spanja pati nevojë për një gol aksidental që të arrinte fitore në ndeshjen ndaj Iranit në Kupën e Botës. Skuadra nga Europa e pati shumë të vështirë dhe u shpëtua nga Diego Costa.

I duhej dikush që ta nxirrte nga balta.

Spanja e gjeti tek Diego Costa, njeriu që shënon golat dhe siguron fitoret, ashtu si Cristiano Ronaldo tek Portugalia.

I mbiquajturi “djalë i keq i futbollit”, sulmuesi 29-vjeçar e gjeti mënyrën sesi të realizonte në portën e Iranit, me gju apo me ndonjë pjesë tjetër të këmbës, dhe të shpëtonte ekipin e tij nga telashet.

U mendua e lehtë, por doli shumë e vështirë që ish-kampionët e botës dhe dy herë kampionët e Europës të kalonin pengesën iraniane në stadiumin e Kazanit. Patën përballë një trajner që i njeh mirë si Carlos Queiroz, por patën edhe faj vetë, përveç meritës së Iranit, që fitorja nuk doli aspak e sigurt.

Loja e iberikëve nuk ishte aspak e shpejtë dhe pasimet horizontale nuk i dhanë befasi ndaj një kundërshtari që u mbrojt dhe luftoi fort për çdo top. Iranianët vendosën të sulmonin vetëm pasi pësuan golin, pasi nuk kishin çfarë të humbisnin më.

Për hir të së vërtetës, u treguan shumë të rrezikshëm, dhe Spanja nuk e pati aspak të lehtë t’i përballonte. Madje u shënua edhe një gol, por që u anulua në mënyrë korrekte nga përdorimi i VAR-it.

Ezatolahi ishte në pozicion jashtë loje në momentin e shënimit, edhe pse gjyqtarit iu deshën 2 minuta që të përdorte teknologjinë për ta vërtetuar.

Ashtu si Portugalia, as Spanja nuk bindi, duke forcuar bindjen se asnjë skuadër e madhe nuk ka mbërritur në formën e duhur në Botërorin rus.

Pavarësisht fitores, spanjollët nuk janë të kualifikuar, madje edhe mund të eleminohen në rast kombinimi të pafavorshëm të rezultateve në ndeshjet e fundit të grupit B, Spanjë-Marok dhe Portugali-Iran./abcnews.al

metrojjj.png
gra moz21:49 | 20/06/2018

Një simulim nga ato që vetëm Pepe mund të bëjë ndodhi gjatë ndeshjes Marok – Portugali. Ish-lojtari i Real Madrid aktroi në mënyrë të tillë saqë në internet tashmë e krahasojnë me atë të një aktori për çmimin Oscar.

Gjatë minutave shtesë, kapiteni i Marokut, Med’hi Benatia, e preku në shpatulla lojtarin portugez, por reagimi i këtij të fundit ishte me të vërtetë befasues.

Pepe njihet për reagimet e tij shpërthyese dhe të çuditshme që nga koha kur luante me Realin e Madridit. Tashmë është pjesë e Beshiktashit të Turqisë, ndërsa po jep ndihmesën e tij edhe në këtë Kupë Bote pasi u thirr në kombëtaren portugeze nga trajneri Fernando Santos.

Fitorja e Portugalisë ndaj Marokut bëri që kjo e fundit të ndeshjen e radhës ta luajë për statistikë pasi do të largohet nga turneu. Ndërkohë nëse Spanja fiton me dy gola diferencë sonte ndaj Iranit do të marrë vendin e parë në grupin B. Fituesi i këtij grupi do të ndeshet me vendin e dytë të grupit A, që do të ndahet mes Uruguajit ose Rusisë./abcnews.al

Untitled-1.jpg
gra moz21:10 | 20/06/2018

Një gazetare sporti, e cila po raportonte në një lidhje të drejtëpërdrejtë për Kupën e Botës në Rusi ka postuar në Instagram momentin e një incidenti që ndodhi pikërisht me të.

Julieth Gonzalez Theran ishte në një lidhje direkte me Deutsche Welle, në qytetin rus të Saransk, kur u ngacmua seksualisht nga një tifoz.

Në videon e postuar nga ajo, Theran ndodhet në një shesh të mbushur me njerëz. Ajo po tregonte se prapa saj ndodhej një orë që po numëronte mbrapsht deri në fillimin e Kupës së Botës në atë qytet.

Ndërkohë që po fliste, një tifoz del përpara kamerës, vendos dorën në gjoksin e gazetares dhe e puth në faqe.

Gazetarja vazhdoi të fliste përpara kameras sikur të mos ishte shqetësuar fare nga veprimet e tifozit.

Por pasi e postoi foton në mediat sociale ajo komentoi duke thënë se, “Kisha dy orë që përgatitesha dhe asgjë nuk ndodhi”.

“Por kur ishim në lidhje direkte ai përfitoi nga kjo. Erdhi, më puthi dhe më preku gjoksin. Më duhej të vazhdoja lidhjen, por pasi mbarova u mundova ta shikoj kush ishte, por personi ishte larguar”, shkruan gazetarja kolumbiane.

Komentuesit u shprehën të zemëruar nga veprimet e këtij tifozi, por kishte edhe nga ata që nuk mbështesnin gazetaren. Deri më tani, sipas mediave, autoritetet ruse nuk e kanë identifikuar ende tifozin./abcnews.al

arabiaaa.jpg
gra moz19:35 | 20/06/2018

Uruguaji u kualifikua për në raundin e dytë të Botërorit, duke i dhënë kualifikimin edhe Rusisë. Gjithsesi, ndaj Arabisë Saudite u arrit një fitore aspak bindëse.

Kur fiton dhe kualifikohesh, zakonisht nuk ka kritika.

Uruguaji, në të kundërt, duhet të ketë marrë shumë pas paraqitjes tepër të zbehtë ndaj Arabisë Saudite edhe pse objektivin e realizoi plotësisht, madje i bëri nder edhe Rusisë, duke e kualifikuar përfundimisht edhe atë.

Pritej shumë më tepër nga një ekip që në Botërorë vjen traditën e fitimit të dy kupave të botës dhe të vendit të katërt në Afrikën e Jugut në 2010. Uruguaj nuk pati fuqi dhe lojë për të kënaqur dhe e rrezikoi veten deri në fund.

Për fat, Luis Suarez e shënoi golin e tij, që në minutën e 23-të të pjesës së parë, duke e festuar siç duhet ndeshjen numër 100 për ekipin përfaqësues. Problemi i ekipit të trajnerit Tabarez ishte që nuk pati mesfushë dhe lojë për të mbështetur dy nga sulmuesit më të mirë të botës, Suarezin dhe Edinson Cavani-n.

Kur shënon vetëm një gol ndaj ekipit deri tani më të dobët të Botërorit si Arabia Saudite, patjetër që tifozët ndihen shumë të shqetësuar. Me po këtë rezultat amerikanojugorët kaluan edhe Egjiptin, dhe sërish me goditje standarde, por ku i dihet, ndoshta i kanë lënë golat për në fazën e mëvonshme.

Pas dy ndeshjeve të luajtura deri tani nga secila skuadër, Rusia dhe Uruguaj kanë nga 6 pikë, ndërsa Egjipti dhe Arabia Saudite janë të eleminuar pa asnjë pikë./abcnews.al

spanjaaaa.jpg
gra moz17:47 | 20/06/2018

Spanja luan sonte ndaj Iranit me synim arritjen e fitores së parë në Botëror. Pretendentja për titull nuk mund të bëjë më asnjë gabim, pas barazimit me Portugalinë.

Nuk u kënaqën plotësisht me të parën.

Tifozët spanjollë shpresojnë që skuadra e tyre të lerë pas përfundimisht krizën e stolit, dhe barazimin 3-3 ndaj Portugalisë e të nisë të fitojë në Botëror. Sfida e dytë e grupit B, është ajo ndaj Iranit, teorikisht e fitueshme, por që mbetet gjithsesi për t’u fituar në fushë.

Trajneri Hierro është i qetë të paktën nuk ka probleme fizike. Mbrojtësi Carvajal është shumë mirë ndërsa la pas dëmtimin e finales së Championsit, dhe është i disponueshëm. Hierro ndërkaq pyetet për duelin me ish-trajnerin e tij tek Reali, Carlos Queiroz-in e Iranit.

Fernando Hierro: “Po, është e vërtetë që e njohim Karlosin prej shumë kohësh, një njeri për të cilin është kënaqësi të flasësh dhe me të cilin të punosh. Keiroz ka krijuar një ekip të fortë dhe të bashkuar, në mbrojtje dhe në sulm. E dimë se Irani pëson pak gola, dhe shumë i rrezikshëm në goditjet standarde. Duhet të japim maksimumin për të fituar”.

Andres Iniesta, dashuria e gjithë spanjollëve, u pyet për ndikimin e ndryshimit të trajnerit, dhe u përgjigj duke thënë se “është një situatë që u përpoqëm ta kalonim sa më shpejt, një situatë jo e mirë”.

Ish-ylli i Barcelonës nuk pranoi kritika për mbrojtjen, duke thënë se është gjithë ekipi që mbron, jo vetëm katër lojtarët e prapavijës.

Irani është në pozitë më komode.

Fitorja ndaj Marokut e bën që të luajë edhe për barazimin, që dihet se do ta ketë shumë të vështirë, por me trajnerin Queiroz që nuk dorëzohet.

Carlos Queiroz: “Është kënaqësi të luajmë ndaj Spanjës, njërit prej kandidatëve kryesorë për të fituar Botërorin. Të gjithë lojtarët e mi e vlerësojnë shumë këtë mundësi dhe duan që ta luajnë siç duhet. Ne vijmë pas një fitoreje, por nuk duam të ndalojmë këtu. Nuk kemi ardhur në Botëror thjesht për të luajtur, por për të fituar ndeshjet”./abcnews.al

ronaldo12.jpg
gra moz16:45 | 20/06/2018

Maroku është skuadra e parë e eleminuar nga Kupa e Botës. Afrikanët humbën ndaj Portugalisë, me golin e Cristiano Ronaldos, ndonëse ishin më të mirët në fushë.

Një gol në fund dhe një në fillim.

Ky ishte fati i keq i Marokut, tashmë të eleminuar nga Botërori, ndërsa pas Iranit, suksesin e arriti edhe Portugalia. I përhershmi Cristiano Ronaldo ishte njeriu i suksesit, të paktën duke bërë atë që vendosi fatin e sfidës së grupit B, golin e vetëm të saj që në minutën e 4-t.

Janë katër rrjeta për Topin e Artë, shënuesi më i mirë në Rusi deri tani, njeriu i vetëm që realizon për kampionët e Europës. Cristiano ka tani 85 gola me kombëtaren, një më shumë se Ferenc Pushkash i Hungarisë, në vendin e dytë të renditjes së të gjitha kohëve.

Portugalia ende nuk është e kualifikuar, por nuk besohet se do të gabojë në përballjen e fundit në grup, ndaj Iranit. Kjo, megjithatë, është vetëm ajo që tregon rezultati, pasi gati 100 minutat e lojës në stadiumin “Luzhniki” të Moskës, ishin krejt tjetër gjë.

Maroku jo vetëm ishte skuadra më e mirë në fushë, por mund të thuhet se ishte e vetmja që kërkoi të luante, ndoshta e detyruar nga pësimi i golit shpejt. Futbollistët afrikanë bënë çdo gjë mirë, por vetëm një gjë krejtësisht gabim, gjuajtjen drejt portës.

Tri herë Benatia, dy herë Zieç, por edhe Faisal, Busufa e Belhanda patën mundësi të shumta për të shënuar, por shpërdoruan, duke mos përballuar dot presionin psikologjik të një nivelit të tillë.

Marokenët, gjithnjë simpatikë në Botëror, i qëndruan besnik imazhit të tyre, me Amrabarin, një nga më të mirët në fushë. Portugalia, nga ana e saj, u tregua pragmatiste.

Ashtu si ndaj Spanjës, praktikoi kundërsulmin, me shpresën tek Ronaldo, që mund të kishte shënuar edhe ndonjë gol tjetër dhe që ndihmoi shokët për të realizuar edhe ata.

Portugezët duken të njëjtët si në Europian, por nuk dihet nëse ky nivel mund të mjaftojë që të shkojnë përpara në Kupën e Botës./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore.


Kontakt

Telefono