Sport

GettyImages-923843328-1280x852.jpg
gra moz14:34 | 16/05/2018

Lionel Messi shkon në Botërorin e Rusisë me objektiva të qarta. Ylli argjentinas tregon ambiciet e tij në prag të Kupës së Botës, ndërsa flet edhe për Cristiano Ronaldon dhe për Nejmarin.

Një intervistë me Leo Messin nuk ndodh çdo ditë.

I mbiquajturi lojtari më i mirë i botës, pret më në fund një gazetar në shtëpinë e tij, në atë që mund të quhet muzeumi i karrierës së tij, duke prishur zakonin e tij për të qëndruar larg mediave.

Jemi në prag të Botërorit, ndaj edhe numri 10 argjentinas dhe katalanas, pranon një intervistë të gjatë me një televizion të vendit të tij, Argjentinës.

Çfarë do ta kënaqte Mesin në Rusi?

Lionel Messi:“Një Botëror i mirë për Argjentinën do të thotë të jemi mes 4 ekipeve më të mirë, të jemi në gjysmëfinale, edhe pse objektivi nuk është I tillë. Padyshim, ne duam që të jemi kampionë të botës në Rusi, edhe pse nuk qe e lehtë që të kualifikoheshim. E meritojmë që jemi në Botëror, ndërsa pres që rivalët tanë të jenë Brazili, Gjermania, Spanja dhe Franca”.

Gjithsesi, jo shumë kohë më parë, Mesi pati një moment ftohjeje dhe u tërhoq nga kombëtarja, edhe pse bëri prapakthehu.

Lionel Messi: “Pasi e mora atë vendim, u mendova më pas në qetësi dhe gjykova se ishte një mesazh i gabuar për brezin e ri, për tifozët dhe të gjithë njerëzit. Ne nuk duhet të dorëzohemi kurrë, por të luftojmë deri në fund për të arritur objektivat”.

Në Botëror, ai do të ketë kundërshtar ish-shokun e ekipit, Nejmarin.

Çfarë mendon Mesi për kalimin e tij të mundshëm tek Reali?

Lionel Messi: “Do të ishte diçka e tmerrshme, do të ishte e rëndë për të gjithë për atë që Nejmar përfaqëson tek Barcelona. Këtu ai fitoi tituj të rëndësishëm, fitoi Championsin, kampionatin. Do të ishte një goditje e rëndë për të gjithë. Nëse ai shkon tek Reali, do ta bëjë më të fortë si skuadër. Kam folur me Nejmarin dhe ai e di mendimin tim”.

Ish-trajneri argjentinas, Otavio Bianki, është shprehur se Messi do të jetë më i miri lojtar i të gjitha kohëve, pavarësisht nëse e fiton ose jo Botërorin.

Lionel Messi: “Nuk më intereson që të cilësohem më i miri i të gjitha kohëve. Unë luaj që të fitoj gjithçka, të fitoj trofe çdo vit, dhe nuk e mendoj aspak nëse do të jem më  i miri, i dyti apo i treti. Po ashtu, nuk garoj me Kristianon, por dua që të përmirësohem çdo vit. Është e vërtetë që kur Kristiano fiton apo Reali shkon në finalen e Championsit, unë nxitem që të fitoj gjithashtu. Unë jam konkurrues, fitues, dhe dëshiroj vetëm trofetë”.

Lionel Mesi është thuajse 31 vjeç dhe besohet se Botërori i Rusisë është shansi i tij i fundit në karrierë për taq fituar trofeun e madh me kombëtaren./abcnews.al

mancini-2.jpg
gra moz12:59 | 16/05/2018

Roberto Mancini ka ambicie të mëdha, ndërsa pritet të nisë detyrën si trajner i Italisë. Ai foli për objektivat e tij me të kaltrit, ndërsa kërkon maksimumin nga futbollistët.

Ka qenë i rëndësishëm që kur mbante veshur këtë fanelë.

Roberto Mancini ka qenë një nga yjet e Italisë kur luante në fushën e lojës, në Europianë e Botërorë, ndërsa tani do të jetë ylli i stolit.

Ish-sulmuesi i madh, sot trajner i dëgjuar i futbollit, flet se cili është synimi i tij, në punën më të rëndësishme të karrierës së tij.

Roberto Mancini: “Dua të jem një trajner për mirë dhe shpresoj ta kthej Italinë aty ku e meriton, pra në majë të Botës dhe të Europës. Prej vitesh nuk e fitojmë Europianin, ndaj do të kemi një provë të fortë, që do të nisë me Ligën e Kombeve. Dua që të jem unë njeriu që ta rindërtojë kombëtaren dhe ta ngjisë përsëri në nivele të larta. Dua që lojtarët që do të thërras, të kuptojnë se mund të realizojnë ëndrrat e tyre, pra të dalin kampionë të botës me Italinë. Ëndrrat janë shumë të rëndësishme për të dhënë maksimumin për kombëtaren”.

Mancini e vlerësoi ftesën e Federatës Italiane si diçka që nuk mund të refuzohej, dhe jo vetëm sepse e quajti krenari që të drejtonte ekipin përfaqësues.

Ndërsa udhëtonte drejt selisë së Federatës në Romë, ai bëri llogaritë e tij.

Roberto Mancini: “Kam shumë vite që stërvis skuadra dhe mendoj se ky ishte momenti i duhur, sepse gjykoj se secili prej nesh duhet të mendojë që të bëjë diçka të mirë për kombëtaren. Fakti që nuk shkuam në Botëror është diçka e rëndë për ne, që kemi qenë gjithnjë tifozë të kombëtares sonë, prandaj mendova se ky moment i vështirë ishte çasti i duhur për çdo trajner që dëshiron të bëhet selektor i kombëtares”.

Mançini ka firmosur kontratë deri në vitin 2020, në përfundim të Europianit, ndërsa mund ta rinovojë në rast suksesi./abcnews.al

kukesiiiiiii.jpg
gra moz11:54 | 16/05/2018

Sidrit Guri është transferimi i radhës i lojtarëve të Superligës jashtë vendit. Kukësi e Skënderbeu pritet të fitojnë të paktën 2 milionë euro nga shitja e futbollistëve deri në verë.

Ishte perla e këtij viti në Shqipëri, por nuk do të jetë më.

Sidrit Guri do të luajë në Belgjikë sezonin e ardhshëm, pikërisht me klubin e elitës, Ostende.

Kukësi lajmëroi me një njoftim zyrtar transferimin që besohet të ketë sjellë në arkat klubit 710 000 euro.

Edhe klubi i Ostendes zyrtarizoi përforcimin më të ri, me trajnerin Bros që bëri vlerësime të larta për sulmuesin shqiptar.

Mediat belge nuk harruan të theksonin se Guri është shënuesi më i mirë i kampionatit shqiptar me 20 gola, duke shkëlqyer sidomos në fazën e dytë.

Shkodrani 24-vjeçar ka meritë të madhe në kthesën e lojërave dhe të rezultateve të skuadrës së drejtuar nga trajneri Peter Pakult, që nga Janari, duke siguruar vendin e dytë, pjesëmarrjen në Europë dhe duke shpresuar për Championsin.

Për Kukësin, ky ishte transferimi i dytë për vitin 2018, pasi Elis Bakaj shkoi tek Shahtjor i Soligorskit në Bjellorusi, duke i sjellë Presidentit Gjici 120 000 euro fitim.

Ky duket se do të jetë një sezon shumë pozitiv për klubet shqiptare lidhur me shitjet e lojtarëve, pasi Skënderbeu ka realizuar ndërkaq kalimin e Kristal Abazajt në Belgjikë tek Anderlehti.

Korçarët pritet të kryejnë shitjen e radhës, atë të Devi Bregut, që luan ende tek Luftëtari ashtu si Abazaj, dhe që me shumë gjasa do të luajë jashtë Shqipërisë edicionin e ardhshëm.

Në total, Kukësi e Skënderbeu, mendohet se do të fitojnë mbi 2 milionë euro, vetëm nga këto transferime, ndërsa pritet të ketë edhe të tjera./abcnews.al

arbitri.jpg
gra moz15:14 | 15/05/2018

Një arbitër futbolli rrezikon burgun në Serbi, pas ndeshjeve të fundit të Superligës. Organet kompetente u vunë në lëvizje pas një vendimi skandaloz të gjyqtarit Obradoviç.

Mjaftoi një penallti për t’i vënë prangat.

Ishte vërtet skandaloze ajo që u dha nga arbitri Srgjan Obradoviç në një nga ndeshjet e fundit të Superligës së Serbisë, diçka që vuri në lëvizje organet kompetente.

Gjyqtari u ndalua nga policia, ndërsa përcaktoi në mënyrë vërtet qesharake që Spartaku i Suboticës të kualifikohej për në Ligën e Europës me fitoren 2-0 ndaj rivalit direkt, Radniçkit të Nishit.

Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë deklaroi se ndaj arbitrit Obradoviç është ngritur një akuzë kriminale, dhe se arrestimi i tij u bë pas kërkesës së Prokurorisë në Novi Sad.

Mediat në Serbi japin informacione të tjera.

Gazeta “Kurir” shkruan: “Obradoviç foli në polici dhe skandali është në prag. Gjyqtari kontrovers që krijoi kaos në Suboticë, i lidhur me kompanitë e basteve”.

Obradoviç njihet si gjyqtar që ka bërë shumë gabime në të kaluarën, në të gjitha nivelet e futbollit serb ku ka drejtuar.

Kështu, në takimin Napredak-Slloboda, ku ai dha penallti për ndërhyrje të dukshme jashtë zone.

Kulmi ishte në derbin mes Crvena Zvezdës dhe Partizanit një vit më parë, kur akordoi gol për vendasit, ndonëse gjatë aksionit topi kishte dalë mjaft përtej vijës fundore.

Gjithsesi, në Serbi, prokuroria dhe policia veprojnë në futboll, ndërsa në Shqipëri kjo nuk ndodh, pavarësisht se penallti skandaloze ka pasur plot./abcnews.al

golden-state.jpg
gra moz13:55 | 15/05/2018

Golden State fitoi finalen e parë të Konferencës Lindore në basketbollin amerikan. Kampionët në fuqi ia dolën në fushën e Hjustonit, pavarësisht shkëlqimit të yllit të vendasve, James Harden.

Një duel i madh në Arenën e Hustonit.

Dy nga lojtarët më të mëdhenj të gjallë ishin përballë, James Harden e Kevin Durant, dhe dy skuadrat më të forta të NBA-së këtë sezon patën sfidën e parë finale të Konferencës Perëndimore.

Golden State Ëarriors, kampion në fuqi, bëri një deklaratë të vërtetë force, duke triumfuar në fushën e ekipit më të mirë të sezonit të rregullt, Hjuston Rokitsit, madje me diferencë, 119-106.

Edhe pse Hardenm ylli kryesor i vendasve, luajti një nga ndeshjet më të mira të karrierës, kjo nuk mjaftoi.

I mbiquajtri “Mjekra” shënoi 41 pikë, përveçse kapi 4 topa në tabela e shërbeu 7 asistë, veçse Durant ishte thuajse në të njëjtin nivel.

Numri 35 i Golden State realizoi 37 pikë, duke qenë i papërmbajtshëm, e duke ndihmuar ekipin në momentet më të vështira.

Shpesh herë, Hjustoni e izoloi nga shokët, në një mbrojtje të fortë, por thuajse gjithnjë ai arriti të shënonte pikë në çdo pozicion.

Kampionët në fuqi të NBA-së përballuan fillimin më të mirë të kundërshtarit dhe u mbajtën në barazpeshë deri në pushim, për t’u shkëputur në gjysmën e dytë të ndeshjes.

Durant pati ndihmë edhe nga yjet e tjerë të ekipit, me kapitenin Klej Tompson që shënoi 28 pikë, Stefën Kërrin që pati 18 pikë, 6 topa në tabela e 8 asistë, dhe me Drejmond Grinin që shënoi 5 pikë, kapi 9 topa në tabela, pasoi 9 topa për kosh, vodhi dy topa e bllokoi dy gjuajtje të kundërshtarëve.

Kjo sfidë ishte ajo më shumë e pritura në plej ofin e basketbollit amerikan, pasi dy ekipet ishin më lart se kushdo tjetër.

Pavarësisht se Hjustoni është forcuar shumë, duke pasur edhe organiatorin Kris Pol, që këtë herë shënoi 23 pikë e kapi 11 topa në tabela, sërish kjo ishte më pak sesa talenti i madh i kundërshtarit.

Golden State fitoi epërsinë e faktorit fushë duke qenë tani favorit për finalen e madhe të NBA, ndonëse ndeshja e dytë do të luhet sërish në Hjuston, duke u gdhirë e enjtja./abcnews.al

kukesii.jpg
gra moz13:05 | 15/05/2018

Kukësi është vendosur paraprakisht nga UEFA si skuadër pjesëmarrëse në Ligën e Kampionëve, sezonin e ardhshëm. Gjithsesi, duhet pritur vendimi i KAS-it për dënimin e Skënderbeut.

Mund të jetë aty për të dytin vit radhazi.

Kukësi në Champions nuk është një ëndërr aq e largët, me UEFA-n që e ka vendosur në listën e ekipeve të Ligës së Kampionëve sezonin e ardhshëm, pasi siguroi vendin e dytë në Superligë.

Ëndrra do të bëhet realitet, sidoqoftë, vetëm pasi Gjyqi i Arbitrazhit Sportiv në Lozanë do të vendosë për dënimin e dhënë nga UEFA ndaj Skënderbeut.

Skuadra kuksiane, nëse gjithçka do të ecë mirë për të, do të jetë në vazon e parë në turin e parë eleminator, pra mes ekipeve më të fortë, ndryshe nga sezoni i kaluar, kur u ndesh me Sherifin e Tiraspolit.

Shorti hidhet në 19 Qershor, ndërsa ndeshja e parë është në program për t’u luajtur në 10 ose 11 Korrik.

Vjet, Kukësi mori pjesë në Champions si kampion i Shqipërisë, ndërsa nuk pati fat ndaj Sherifit të Moldavisë, duke u eleminua me gol në fushë kundërshtare.

Skënderbeu, ndërkaq, është i bindur se gjithçka do të jetë ndryshe, dhe se do të fitojë pafajësinë në KAS.

Presidenti Ardian Takaj, sqaroi kështu strategjinë e klubit, në një intervistë të posaçme për abc neës-in.

Ardian Takaj: “Do kërkojmë pezullimin e vendimit për marrjen pjesë në Champions League. Nuk është se gjykohemi për një çështje të re, është një çështje e vjetër. Ne kemi marrë pjesë një vit më parë në grupet e Europa League, prandaj nuk është se cënojmë garën në këtë aspekt”.

Gjykata Sportive në Lozanë pritet të japë vendimin për heqjen ose jo të dënimit të kampionëve të Shqipërisë përpara hedhjes së shortit në 19 Qershor.

Korçarët janë dënuar me 10 vjet përjashtim dhe 1 milionë euro gjobë nga Komisioni i Disiplinës dhe i Etikës në UEFA, ndërsa ky ndëshkim mbeti në fuqi edhe në Apel./abcnews.al

mancini-1.jpg
gra moz12:14 | 15/05/2018

Roberto Mançini është trajneri i ri i Italisë. Ish-trajneri i Interit dhe Manchester City-t cilësohet si shpresa e fundit e të kaltërve për t’u kthyer në lavdinë e dikurshme.

I përzgjedhuri zbriti më në fund nga qielli.

Roberto Mançini vuri këmbë në aeroportin e Fiumiçinos në Romë, në rrugën e tij drejt selisë së Federatës Italiane të Futbollit.

Do të jetë ai trajneri i ri i Italisë, personaliteti i vetëm që i plotësonte kushtet pas refuzimeve të Ançelotit apo Kontes.

I sulmuar nga mediat nga të katër anët, ndërsa nxitonte drejt makinës, Mançini nuk pati dëshirë të fliste, në përpjekje për të lënë gjithçka për në konferencën e prezantimit.

“Jam i lumtur dhe krenar për këtë detyrë, – u mjaftua të thoshte ai, – pas këmbënguljes së gazetarëve, nuk dua të flas para kohe për të ardhmen, të shohim se çdo të ndodhë”.

Më pas, erdhi firma në kontratë, që besohet të jetë e vlefshme për një cikël eleminator, atë të Europianit, dhe prezantimi me fanelën e shpalosur të Italisë, në krah të komisarit të jashtëzakonshëm Fabriçini, dhe të Alesandro Kostakurtës.

Pesëdhjetetrevjeçari cilësohet si shpresa e fundit e të kaltërve për t’u kthyer sërish në nivelet e dikurshme, pas dështimit për t’u kualifikuar për në Kupën e Botës në Rusi.

Karriera e Manços nuk ka të sharë, pasi fitoi tre tituj me Interin, disa Kupa të Italisë po me Interin, me Fiorentinën apo Lazion, si dhe Superkupën e Italisë.

Në Angli, u bë kampion me Manchester City-n, të njëjtën skuadër me të cilën fitoi Kupën dhe Superkupën e Anglisë, ndërsa në Turqi fitoi Kupën me Gallatasarajin.

Këtë sezon ai ishte në stolin e Zenitit të Shën Peterburgut në Rusi, detyrë të cilën e la në mirëkuptim me klubin, për të marrë drejtimin e kombëtares së vendit të tij.

Italia pësoi një katastrofë të vërtetë nën drejtimin e Giampiero Venturës, duke u mundur nga Suedia në play off-in e Botërorit.

Më pas, të kaltrit u drejtuan në disa miqësore nga Luigi Di Biago, në pritje të një zgjidhjeje përfundimtare.

Ndeshja e parë e Mançinit si trajner i Italisë do të jetë në 28 Maj ndaj Arabisë Saudite në Zvicër, pastaj në Nicë ndaj Francës në 1 Qershor, dhe në 4 Qershor në Torino ndaj Holandës.

Synimi është që gjithçka të jetë gati që italianët të kualifikohen për në Europian, në një grup ku ndodhen Portugalia e Polonia./abcnews.al

dedja.jpg
gra moz15:43 | 14/05/2018

Vllaznia duhet ta kërkojë fajin tek vetja për rënien e mundshme nga Superliga. Ish-trajneri i saj, Hysen Dedja, bën një analizë të skuadrës shkodrane dhe ka akuza për drejtuesit.

E ndan vetëm një fije nga fatkeqësia e madhe.

Kaq e rëndë duket mundësia e rënies së Vllaznisë nga Superliga, saqë kjo nuk arrin të besohet nga ata shkodranë që dhanë gjithçka për fanelën e saj.

I tillë Hysen Dedja, ish-futbollist kampion dhe ish-trajner kampion me skuadrën e qytetit të tij të lindjes.

Hysen Dedja: “Duhet ta them edhe në këto momente nuk arrij ta besoj. Ngaqë është ajo pjesa e matematikës, janë edhe 6 pikë dhe shpresoj përsëri që Vllaznia nuk do të bjerë një kategori më poshtë”.

Dedja thotë se gjendja e sotme nuk është rastësi dhe thekson diçka që e shqetëson në veçanti.

Hysen Dedja: “Nuk është problemi që ishte këtë kampionat. Vllaznia ka 7-8 vite që lundron në këto ujëra. Pra në këtë qytet po ndryshohet pskologjia. Kanë 7-8 vjet që nuk kanë reaguar. Vllaznia është larguar nga trofetë. Pse është ndryshuar ky mentalitet”?

Sipas Dedjes, kush janë fajtorët për gjendjen e skuadrës shkodrane?

Hysen Dedja: “Dihet ajo. Ata që drejtojnë. Duke filluar  nga kryetarja e bashkisë, e të gjithë me radhë. Administratori që ka përgjegjësi, stafi teknik ka përgjegjësi, të gjithë, që te përzgjedhja e lojtarëve, lojtarët. Unë do thosha që këto 7 vjet, të gjithë duhet të largohen vetë nga futbolli”.

Specialisti shkodran ka një akuzë edhe për trajnerin tashmë të dorëhequr, Ernest Gjoka.

Hysen Dedja: “Unë e kam dëgjuar në një intervistë të trajnerit, “kam shkuar të Vllaznia për ta shpëtuar nga kategoria”. Çfarë është kjo psikologji? Te Vllaznia nuk shkohet për ta shpëtuar nga kategori, por për ta çuar më lart. Shkodra ka njerëz sa të duash, që dinë vlerat e qyteti dhe psikologjinë e skuadrës, pa i hequr vlerat Gjokës. ”

Njeriu i stolit nuk dëshiron të merret me çështjet e aleancave që mund t’i kenë prishur punë Vllaznisë.

Dedja gjithsesi thotë se mbetet me shpresë që Vllaznia të fitojë ndeshjet e veta, ndërsa Kamza të gabojë në takimet e vështira me Laçin dhe Partizanin, dhe shkodranët të mbeten në elitë./abcnews.al

allegri.jpg
gra moz15:40 | 14/05/2018

Sezoni i Juventusit ishte legjendar dhe lojtarët meritojnë lavdërime të mëdha. Kështu u shpreh trajneri Allegri pas fitores së titullit, por nga Napoli erdhën sërish akuzat e përhershme

Festa ishte e madhe, edhe pse sikur është bërë e mërzitshme.

Nuk i duket kështu lojtarëve të Juventusit, edhe pse fituan titullin e 7-të radhazi, si askush më parë në Itali.

Ata nuk u kursyen aspak, as në fushën e stadiumit “Olimpiko”, pas barazimit me Romën, dhe as në dhomën e zhveshjes.

Ishte fundi i një edicioni të gjatë dhe fantastik, në të cilin u pronësua edhe Kupa e Italisë, dhe ku për fare pak nuk u eleminua Reali i plotfuqishëm në Ligën e Kampionëve.

Trajneri Allegri, njeriu që ka fituar 4 tituj radhazi, po ashtu 4 kupa të Italisë, radhazi, nuk mund të thotë tjetër përveçse fjalë të mëdha për lojtarët e tij, në një garë të vështirë me Napolin deri në javët e fundit.

Massimiliano Allegri: “Duhet t’i bëjmë komplimente të mëdha Napolit për sezonin që zhvilloi, por duhet t’i bëjmë komplimente edhe më të mëdha Juventusit sepse mbylli një edicion legjendar. U arrit titulli i 7 radhazi, ndërsa në 4 vitet e fundit, u fituan 4 tituj, 4 Kupa të Italisë dhe u arritën 2 finale të Championsit. Thjesht, në respekt të djemve tanë, duhet të marrim vlerësime. Në fund të fundit, gjithë ato gjëra që kam dëgjuar këtë vit, do t’i marrë era”.

Gjithsesi, pavarësisht se duket se askush nuk mund të ketë vërejtje, nga Napoli, erdhën akuzat e zakonshme.

Trajneri napolitan, Maurizio Sarri, që arriti rekordin e pikëve në histori me 88 të tilla pas fitores ndaj Sampdorias, nuk u kursye as këtë herë.

Maurizio Sarri: Keqardhja e vetme që kemi është që e humbëm titullin në hotel, dhe jo në fushë. Tek ne ndikoi për keq ndeshja Inter-Juventus për mënyrën sesi përfundoi. Më pyesni nëse titullin e fitoi skuadra më e fortë, dhe unë iu them se e fitoi skuadra me më shumë fuqi, në kuptimin e plotë të kësaj fjale. Për fat të keq, duhet të jemi më të fortë psikologjikisht, por edhe liga e futbollit duhet të përmirësohet pasi në 16 ndeshjet e fundit kemi luajtur 14 herë pas Juventusit”.

Kur duhet edhe një javë deri në mbyllje të Serisë A, tek Juventusi është konfirmuar vazhdimësia e Alegrit në stol, po ashtu e yjeve si Dibala apo Higuain, ndërsa premtohet kthimi i Pjaca-s, por refuzohet Donaruma.

Nuk dihet nëse Juventusi do të ketë sërish rival sezonin e ardhshëm këtë Napoli, pasi e ardhmja e Maurizio Sarrit mbetet ende e paqartë.

bostonn.jpg
gra moz12:46 | 14/05/2018

Lebron Xhejms pësoi një nga humbjet më të mëdha të karrierës në plej ofin e basketbollit amerikan. Skuadra e tij, Cleveland-i, u mund thellë nga Bostoni në finalen e parë të Lindjes.

Edhe pse ishin jashtë fushe, cilësoheshin favoritë, por nuk e respektuan dot parashikimin.

Nënkampionët në fuqi të NBA-së, basketbollistët e Cleveland-it, pësuan një humbje të rëndë në fushën e Bostonit, në ndeshjen e parë finale të Konferencës Lindore.

Është natyrisht vetëm fillimi, veç përballja e parë nga shtatë të mundshme, por disfata me shifrat 83-108 ishte tronditëse.

Lebron Xhejms, më së shumti në hije dhe i mbuluar fort nga kundërshtarët, përjetoi humbjen e dytë më të rëndë të karrierës në plej of, ndërsa nuk mundi të tregonte ato cilësi që e bënë lojtarin më të mirë të plej ofit deri tani.

Boston Celtics, rekordmen i titujve në NBA, nuk e pati problem mungesën për shkak dëmtimit të yllit kryesor, Kyre Irving, të ardhur pikërisht nga Klivlendi.

Vendasit përdorën moshën e tyre të re për t’i mposhtur rivalët më shumë të vlerësuar.

Yjet e rinj të tyre, si Morris, Tatëm, Horford, Braun apo Rozier ishin tepër të shpejtë për t’u mbuluar nga lojtarët më të vjetër të Kavaliersit.

Xhejms mundi të shënonte vetëm 15 pikë, ndonëse kapi 7 topa në tabela dhe shërbeu 9 asistë.

A mendohet që Bostoni të vazhdojë të dominojë dhe të arrijë në finalen e madhe të NBA-së?

Duhet të pritet ndeshja e dytë finale në Lindje, që do të luhet duke u gdhirë e mërkura në Shqipëri, dhe që do të jetë sërish në Boston.

Nëse vendasit fitojnë, atëherë Klivlendi dhe Lebroni do të jenë në telashe të mëdha, ndërsa nëse rezultati barazohet, atëherë sfida mund të përfundojë ndryshe./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore.


Kontakt

Telefono