Sport

gjokaaa.jpg
G. P.20:40 | 20/08/2019

Ish-trajneri i Kukësit Ernest Gjoka, në studion e emisionit “Pressing” zbuloi faktin që mes tij dhe presidentit Gjici gjithçka ishte mbyllur pa nisur ndeshja e kthimit me Debrecenin. Pas kaq kohësh në heshtje, Gjoka shprehet në lidhje me këtë shkarkim.

Ish-trajneri i Kukësit, Ernest Gjoka, sqaron për herë të pare arsyet e largimit nga verilindorët, pas eliminimit nga Debreceni në Kupat e Europës. Në studion e emisionit “Pressing” këtë të hënë vetë Gjoka zbuloi se që para ndeshjes së kthimit ndaj hungarezëve, ishte pothuajse i shkarkuar, prej pikëpamjeve të ndryshme që kishte me drejtuesit për mënyrën si do luhej ky takim.

“Thjesht qe për ndeshjen e kthimit, qenë dy pikëpamje të ndryshme si ta përgatisnim ndeshjen, një e jona si staf dhe një e presidentit. Nuk u gjet akordi dhe që gjatë zhvillimit të pjesës së dytë unë e kisha mbyllur historinë e Kukësit, thjesht po mbyllja ndeshjen”, tha Gjoka.

Trajneri që me Kukësin ka marrë një titull kampion, një kupë dhe një Superkupë kishte kohë që mbante heshtjen e tij në lidhje me këtë largim, sërish pas një eliminimi në kupat e Europës. Ndërkaq, Gjoka shtoi se largimi i Shametit, Cuculit dhe Valdet Ramës nga kukësi do të ndikojnë shumë në ecurinë e kësaj skuadre, pasi bënin shumë punë dhe mungesat e tyre do të ndihet shumë shpejt./ABC News Albania 24/7

valdet-rama.jpg
G. P.20:20 | 20/08/2019

Ish-sulmuesi i Kukësit zyrtarisht nuk është më pjesë e kampionatit shqiptar, por së fundmi ka nënshkruar me gjermanët e Meppen, një skuadër në një nga ligat e Gjermanisë. Ndërkaq, pritet që Kukësi të zyrtarizojë shumë shpejt afrimin e Kristal Abazajt.

Nuk ka më asnjë dyshim tashmë. Ish-futbollisti i Kombëtares dhe Kukësit Valdet Rama, është prezantuar sot te skuadra e Mepen, duke u rikthyer kështu në futbollin gjerman. Pasi i dha fund aventurës me Kukësin, Valdet Rama nuk ka humbur kohë, teksa ka nisur sot aventurën e re në ligën e tretë gjermane.

“Mepen forcohet në sulm me Valdet Ramën, një ëndërr e madhe e trajnerit Kristian Neidhart për shumë kohë. 31-vjeçari ka firmosur kontratë dyvjeçare me opsionin rinovimin në bazë të paraqitjeve të bëra. Ai mund të kishte firmosur më herët, por kishte kontratë me Kukësin deri në përfundim të Kupave të Europës”, shkruan klubi në njoftimin zyrtar.

E ndërkaq, pritet që së shpejti Abazaj një njohje e vjetër e kampionatit shqiptar, me Luftëtarin e Skënderbeun, tashmë shumë shpejt pritet të kalojë te skuadra e Shpëtim Duros.

Abazaj, kartonin e të cilit e zotëron Anderlehti do të jetë futbollisti më i ri i Kukësit dhe pritet vetëm firma në kontratë dhe prezantimi, ndërkohë që orët në vijim mund të jenë vendimtare për të.

Abazaj flitej se kishte një akord me Tiranën, por në fakt bardheblutë nuk kanë arritur të bindin dhe të plotësojnë kushtet financiare të sulmuesit, i cili e njeh mirë futbollin në vend.

Abazaj mund të vihet nën urdhrat e Shpëtim Duros shumë shpejt dhe ndoshta do të jetë i gatshëm që në ndeshjen ndaj Partizanit. Por zyrtare nuk ka ende asgjë për momentin./ABC News Albania 24/7

lionel-messi-barcelona_48fpe72bfm4m179j5rtchzp47-1280x720.jpg
G. P.18:53 | 20/08/2019

“Pa fituar një kupë bote me Argjentinën, Messi nuk mund të jetë lojtari më i mirë në botë”, sipas ish-trajnerit të Spanjës dhe Realit të Madridit, Jose Antonio Camacho. Sipas tij, disa mungesa të mëdha në CV-në e tij e bëjnë të pamundur për 32-vjeçarin që të jetë më i mirë në histori.

Ish-trajneri i Real Madridit dhe Spanjës, Jose Antonio Camacho thekson se Lionel Messi nuk mund të vlerësohet si futbollisti më i mirë i të gjitha kohëve pa e fituar ende Kupën e Botës.

Për shumë njerëz, superylli i Barcelonës është talenti më i mirë që i ka mbathur këpucët e futbollit. Dhe është e vështirë të argumentosh kundër kësaj duke pasur parasysh të gjitha që i ka arritur pesë herë fituesi i Topit të Artë gjatë karrierës së tij të shquar.

Camacho, megjithatë, nuk pajtohet se Messi mund të cilësohet si lojtari më i mirë në histori të sportit të futbollit. Ai thotë se është adhurues i magjikut nga Amerika Jugore, por ndien se disa mungesa të mëdha në CV-në e tij e bëjnë të pamundur për 32-vjeçarin që të jetë më i mirë në histori.

“Ai është lojtar shumë i mirë, por nuk mund të jesh më i miri në botë, e aq më tepër më i miri në histori, nëse je argjentinas dhe nuk e fiton Kupën e Botës”, tha Camacho për gazetën spanjolle ABC në lidhje me Messin.

“Ka vende më me pak traditë kur nuk është shumë më rëndësi nëse s’e fiton Kupën e Botës, por Argjentina është forcë dominuese”, shtoi ai. “Jo, ka Kupën e Botës, Messi nuk mund të jetë më i miri”, këmbënguli ai.

Ndërkaq, në lidhje me dëmtimin e Mesit, mediat spanjolle raportojnë se kapiteni i Barcelonës, Lionel Messi, është i gatshëm të luajë në ndeshjen e së dielës, kundër Real Betisit, duke e përshpejtuar kështu procesin e rikuperimit.

32-vjeçari pësoi lëndim në fillim të përgatitjeve me Barcelonën, pasi u kthye nga Kupa e Amerikës me Argjentinën. Që nga atëherë, ai ka qenë duke u stërvitur i vetëm, ndaras skuadrës së Barcelonës./ABC News Albania 24/7

sanchez.jpg
G. P.18:20 | 20/08/2019

Kalimi i Alexis Sanchez tek Inter, tashmë duket vetëm çështje orësh. Zikaltrit presin vetëm konfirmimin e Manchester United. Inter kërkon të transferojë kilianin në formën e huazimit, pa paguar asgjë, por me detyrim blerjeje për 15 milionë euro. Sa i përket shumës që përfiton sulmuesi, nga 20 milionë euro në sezon që merr aktualisht, do të zbresë në 10 milionë euro.

Orët e merkatos në Itali janë shumë intensive dhe zikaltërit e Interit kërkojnë ende një goditje. E kështu së fundmi kalimi i Alexis Sanchez tek Inter, tashmë duket vetëm çështje orësh. Pritet vetëm konfirmimin i Manchester United.

Inter kërkon të transferojë kilianin në formën e huazimit, pa paguar asgjë, por me detyrim blerjeje për 15 milionë euro. Sa i përket shumës që përfiton sulmuesi, nga 20 milionë euro në sezon që merr aktualisht, do të zbresë në 10 milionë euro.

Nga ana e tyre anglezët e Manchester United nuk kanë dhënë ende një përgjigje për ofertën e Interit, ndërsa janë të vetëdijshëm që vetë Sanchez dëshiron të luajë në Itali, për të tentuar rikthimin në ditët e tij më të mira, por njëkohësisht do të gjente edhe më shumë hapësira.

Trajneri Solskjaer ka lënë gjithçka të hapur, madje në një deklaratë të fundit ai shprehej se Zanchez, për momentin, është një lojtarë i United, teksa shtoi se duhet pritur se çfarë do të ndodhë deri në fund të merkatos.

Skuadra e Marotës beson shumë që të vijë një konfirmim sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që sulmuesi të nisë stërvitjen me pjesën tjetër të grupit. Fakti që Sanchez e dëshiron kalimin tek Inter e favorizon klubin milanez, ndërsa për të është gati dhe fanella me numrin 7. Sidoqoftë aspekti financiar ende nuk ka dakordësi mes palëve./ABC News Albania 24/7

riubery.jpg
G. P.18:04 | 20/08/2019

Ish-futbollisti i Bajernit Frenk Riberi është tashmë futbollisti më i ri te Fiorentina. Francezi vijon karrierën me futbollin Italian nën fanellën vjollcë. Çdo gjë është kopsitur, mungon vetëm zyrtarizimi nga ana e klubit italian.

Ish-futbollisti që bëri epokë me Bajernin është tashmë futbollisti më i ri te Fiorentina. Kështu francezi vijon karrierën me futbollin italian nën fanellën vjollcë. Çdo gjë është kopsitur, mungon vetëm zyrtarizimi nga ana e klubit.

Një operacion që vetëm 40 ditë më parë shikohej si një diçka thuajse e pamundur tashmë është fakt. Një nga arsyet e nënshkrimit të Riberi te Fiorentina natyrisht është edhe gruaja e tij Wahiba, e cila ka dhënë OK e saj për një jetë në Itali.

Vizitat mjekësore do të realizohen ditën e mërkurë. E kështu për trajnerin Montela, ardhja e Riberi është një mbështetje e madhe për ofensivën e skuadrës vjollcë. Riberi pas mungesës së rinovimit të kontratës së tij me Bajernin, për disa javë ishte në një rebus të madh për destinacionin e ardhshëm të karrierës.

Oferta kishte nga PSV Eindhoven, apo edhe nga rusët e Lokomotiv Moskë. Riberi ishte një flamur simbol te bavarezët ku për 12 sezone që luajti me atë fanellë fitoj 9 tituj kampionë në Budesliga, një Ligë kampionesh, një Botëror klubesh, një superkupë europiane, 6 kupa të Gjermanisë, 5 superkupa në Gjermani dhe një Kupë të LIgës.

Tashmë një sfidë e re për të në Itali, ku natyrisht Fiorentina nuk ka peshën e Bajernit, por do të përfitojë mjaft nga pasha e francezit në aspektin sulmues./ABC News Albania 24/7

united.jpg
G. P.17:34 | 20/08/2019

Manchester United nuk shkoi më shumë se një barazim, në transfertën e javës së dytë ndaj Uolverhemptonit. Pas fitores ndaj Çelsit në debutim, ekipi i Solskjaer ndalet. Por, ky barazim pak e shqetëson trajnerin, skuadra e të cilit gjendet në vendin e katërt me 4 pikë.

Mançester Junajtid nuk shkoi më shumë se një barazim, në transfertën e javës së dytë ndaj Uolverhemptonit në Premier Ligë.  Pas fitores ndaj Çelsit në debutim, ekipi i Solskjaer e nisi përsëri mirë, ku që në minutën e 27-të, zhbllokoi shifrat me Antoni Marsial, pas një pasimi brenda zone nga Rashford.

Vendasit nuk u dorëzuan, dhe në minutën e 55-të, barazuan shifrat me një supergol të Neves. “Djajtë e kuq” patën një rast të artë për të kaluar sërish në avantazh, pas një penalltie të fituar nga Pol Pogba në minutën e 68-të.

Francezi që provoi nga pika e bardhë, e nuk arriti ta çojë topin në fundin e rrjetës, pasi portieri kundërshtar e ndali topin. Deri në fund, nuk pati më gola të tjerë, dhe Junajtid tani e sheh veten në vendin e katërt, me 4 pikë. Për këtë ndeshje, norvegjezi që drejton djajtë e Mancester theksoi, Solskjaer theksoi:

“Dominuam zotërimin e topit, shënuam golin e parë dhe në pjesën e dytë e dinim që ata do të vinin sikur t’u ishte djegur shtëpia. Ata shënuan ndoshta golin që merituan. Mendova se e morëm sërish ndeshjen në kontroll dhe mund ta kishim fituar.

Në pjesën e parë bëmë një paraqitje të konsoliduar. E dyta ishte pak e ngadaltë, por po përmirësohemi. Jemi një skuadër e re, e cila do të mësojë. Ne mësuam në fushë sonte. Fituam edhe një penallti që normalisht do të na jepte dy pikë më shumë, por ndonjëherë portieri bën pritje të mira. Penalltia? Si Pogba, ashtu edhe Marsial i godasin ato. Asnjë problem nuk shoh”./ABC News Albania 24/7

duarte-1.jpg
G. P.17:20 | 20/08/2019

Milani ka qenë aktiv në këtë merkato vere duke afruar disa futbollistë, ku kryesisht i është besuar edhe të rinjve. Një nga afrimet e verës, është edhe Leo Duarte i cili ka ardhur nga Flamengo te kuqezinjtë. Sot ka qenë dita e tij e prezantimit zyrtar në shtëpinë Milan.

Një tjetër përforcim për skuadrën e Milanit. Së fundmi është prezantuar dhe ka dalë përpara mediave mbrojtësi brazilian Duarte, i cili u transferua nga Flamengo te Milani për 10 milionë euro. 23-vjeçari deklaroi se është gati të hajë edhe barin për të dhënë maksimumin te Milani dhe për të fituar një vend titullari. Braziliani ka dal përpara mediave duke bërë kështu dhe prezantimin zyrtar me klubin kuqezi.

“Isha duke bërë shopping me gruan time, kur më telefonoi Maldini. Babai im është fans i Paolos dhe ne jemi krenar për këtë. Milani ka mbrojtës cilësorë, nëse duhet të ha barin për të fituar një vend titullari do e bëj. Do të jetë një luftë e shëndetshme. Romagnoli është një futbollist i shkëlqyer. Kur shikoja ndeshje në Brazil, e ndiqja gjithmonë me vëmendje. Ai po më ndihmon shumë në pozicion. Shpresoj të adoptohem për të dhënë kontributin tim. Mendoj se nga fiziku dhe trupi mund t’i ngjaj pak Thiago Silvës, por me këmbë në tokë. Nëse do të kem gjysmën e suksesit të tij, do të jem i lumtur”, u shpreh Durate.

“Unë dola nga futbolli brazilian dhe është padyshim ndryshe nga këtu, veçanërisht në nivelin taktik. Më duhen akoma disa ditë për tu përshtatur me idetë e klubit dhe trajnerin. Dua të mësoj gjuhën dhe të mësoj më shumë nga loja e Giampaolo. Nëse mund të kem gjysmën e suksesit të Thiago Silva-s do të jem i lumtur, shpresoj të marr pikët pozitive”, kanë qenë fjalët e para në media të mbrojtësit më të ri të Milanit, që tashmë vihet në urdhrat e trajnerit, ku për pak ditë do të nisë edhe sezoni i ri./ABC News Albania 24/7

partizani-3.jpg
G. P.21:04 | 19/08/2019

Pas një ndeshje me shumë ritëm e gola, trajneri i Kukësit konstaton që skuadra duhet të ishte më e vëmendshme në mbrojtje. Ndërsa homologu i tij mendon se ky start shërben shumë për një kampionat të gjatë dhe ku do të ketë shumë rivalitet.

Partizani e Kukësi prodhuan një finale superkupe me ritëm gola dhe emocione. Pavarësisht faktit që kishte një fitues, dhe kampionët morën një tjetër trofe, sërish të dyja formacionet dhanë sinjalet që do të shkojnë gjatë në betejën rivalizuese me njeri-tjetrin në këtë edicion.

Do të takohen për pak ditë bashkë sërish në “Elbasan Arena”, aty ku është e vështirë të sjellësh njerëz në stadium. Kampionët dhe nënkampionët e vjetshëm do të ngrenë siparin e kampionatit të 81-të kombëtar ditën e premte.

Megjithatë, si Duro ashtu edhe Lerda e njohin disi më mirë tashmë jo vetëm njeri-tjetrin, por edhe lojën. Pas sfidës së ditës së djelë, Duro është I bindur që ia dhuroi më shumë Kukësi trofeun se sa vetë e fitoi Partizani.

Nga ana e tij, trajneri mendon se kjo ndeshje vuri në vështirësi skuadrën që drejton në disa momente, por shërben shumë për një start kampionati me moral të lartë. Për trajnerin e të kuqve, 3-4 skuadra do të provojnë deri në fund të rivalizojnë.

Superkupa u arshivua, tashmë skuadrat ritakohen bashkë të premten. Gara ka nisur. Nuk mungojnë golat, as rivalët, as loja, as merkato, por tifozët. Të dielën nuk ishin, efekti i të nxehtit, që mund të jetë po i tillë të premten. Sidoqoftë pjesa e tifozerisë në stadium, përveç derbit, mbetet pjesa më e painvestuar dhe më e pasensibilizuar e klubeve./ABC News Albania 24/7

armand-duka.jpg
G. P.20:31 | 19/08/2019

Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka shprehet optimist për një sezon me shumë rivalitet. Ndërkaq, mbetet në pritje të kryeministrit Rama për premtimin e dhënë në fund të korrikut.

Finalja e Superkupës, e ka ngrohur jo pak presidenti e FSHF-së, për pritshmëritë e sezonit që sapo ka nisur. Adrenalina dhe golat e finales së Superkupës i kanë shtuar një besim shumë të madh për një kampionat shumë kompetitiv, jo vetëm me Partizanin e Kukësin, por edhe me 8 të tjerat. Për mikrofonin e RTSH, Presidenti Duka shpreh pritshmëri të larta sezonale.

E ndërkaq, mbetet në pritje të premtimit publik të Kryeministrit Rama në lidhje me kalimin në parlament të paketës së Ligjeve për sportin, përfshirë Ligjin e Sponsorizimit.

Shtatori thuajse erdhi dhe Duka së bashku me komunitetin sportive presin fjalën e Ramës të miratojë ligjet. Dhe në aspektin institucional, për efekt të vetë Dukës në mes, por edhe aspektit sensitiv për sportin, këto ligje mund të jenë të vetmet të cilat Presidenti i Republikës mund ti dekretojë menjëherë pa i kthyer sërish në Parlament./ABC News Albania 24/7

fadil-vokrri.jpg
G. P.20:23 | 19/08/2019

E ndërsa tifozeria shqiptare ende nuk ka arritur në pritshmëritë për të mbushur stadiumin në sfidat e përfaqësueses kuqezi, në Kosovë, të gjithë biletat për ndeshjen zyrtare eliminatore të 7 Shtatorit Kosovë-Çeki shiten për 15 minuta.

Rezultati sjell publikun në stadium afër ekipit kombëtar. E ndërsa për kombëtaren shqiptare tifozeria shqiptare nuk është në nivelet e pritshme për të parë ekipin kombëtar në stadium, në Kosovë mjaftojnë 15 minuta për tu ezauruar komplet në rezervimin online kapaciteti i vendeve ulëse në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Për pak minuta janë shitur të gjitha biletat për ndeshjen mes Kosovës dhe Çekisë në kualifikueset për Euro 2020 të datës 7 Shtator. Lajmin e ka konfirmuar edhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, që ka thënë se si rezultat i kërkesave të shumta ka pasur probleme me sistemin online të biletave. Ai ka bërë të ditur se për vetëm 15 minuta pas daljes së biletave në shitje, në platformën “tiks.app” janë bërë gati dy milionë klikime.

“Brenda 15 minutave, 1 milion e 800 mijë klikime janë bërë në sistem për të blerë bileta online. Ka pasur probleme me sistem, dhe kjo ka ardhur edhe si rezultat i kërkesave të shumta, por edhe për shkak të një problemi të një kablloje të internetit. Si do që të jetë, të gjitha biletat janë shitur brenda dy orëve. Kjo është diçka e jashtëzakonshme. Ky interesim i madh i popullit, po vjen si rezultat i lojërave të mira që po bëjnë djemtë në fushë dhe ne jemi krenarë me ta”, ka thënë Ademi për KTV-në.

Federata e Futbollit të Kosovës ka njoftuar se interesimi ka qenë i jashtëzakonshëm për të siguruar bileta të ndeshjes Kosovë – Çeki. Një interesim i jashtëzakonshëm për ekipin kombëtar të Kosovës nga vetë kosovarët. Krejtësisht e kundërta ndodh me kombëtaren e Shqipërisë, që do ti duhet të kthejë besimin te tifozeria, më pas rezultatin dhe më tej akoma, praninë e tyre në stadium./ABC News Albania 24/7


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono