Rajoni

MBULIM-MBYLLET-SAMITI-I-SOFJES-1280x720.jpg
ent ela16:36 | 17/05/2018

Në Sofje të Bullgarisë u mbajt sot samiti i BE dhe Ballkanit Perëndimor, ku morën pjesë liderë të vendeve të Unionit, liderët e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe drejtues të institucioneve të BE. Në përfundim të tij ai u vlerësua i suksesshëm nga presidenti i Këshillit Europain Donald Tusk. Në sapo përmbyllëm një samit shumë të mirë mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor- tha Tusk në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin e Komisionit Junker dhe kreun e Bullgarisë Bojko Borisov, vendi i të cilit ka presidencen e radhës së BE. Tusk tha se në Samitin e Sofjes u konfikrmua perspektiva europiane për gjithë rajonin e Ballkanit. Sipas tij në këtë rajon ka probleme që duhen zgjidhur, por e ardhmja e tij është në BE. Tusk u shpreh me tej: “Ashtu siç e kam thënë edhe gjatë vizitave të mia në rajon, Bashkimi Europian do të mbetet partneri më i qëndrueshëm për Ballkanin Perëndimor. Për të shmangur çdo konfuzion, më lejoni që të jem shumë i qartë. Nuk shoh të ardhme tjetër për Ballkanin përveç BE-së”- nënvizoi presidenti i Këshillit Europian.

Ndërsa gjatë punimeve të samitit Presidenti francez Emmanuel Macron zbehu shpresat e vendeve të Ballkanit Perëndimor për integrimin në BE, kur deklaroi se para zgjerimit duhet një reformim i thellë në union.

Ai u shpreh sot në Samitin e Sofjes se mbështet Ballkanin të ecë përpara në drejtim të integrimit në BE, por për zgjerimin duhet kujdes.

“15 vitet e fundit kanë treguar një rrugë që e ka dobësuar Europën, duke menduar çdo herë për zgjerimin e saj”- tha Makron. Kjo , sipas tij,  nuk i shërben as vendeve kandidate, as shteteve anëtare. Por presidenti francez u shpreh dakord që Ballkani të ketë një dialog strategjik të përforcuar me BE dhe një perspektivë të qartë.

Megjithatë mesazhi i liderëve  europianë ishtë i qartë: Është koha për të folur për reforma substanciale dhe jo për data të caktuara.

Në përfundim liderët kanë firmosur deklaratën e përbashkët të punimeve të samitit të Sofies ku përfshihen disa marrëveshje bashkëpunimi në fusha të ndryshme. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe ai i Maqedonisë, Zoran Zaev ishin larguar më herët nga samiti dhe e kishin firmosur më përpara deklaratën e përbashkët. Ndërsa bashkë me liderët europianë marrëveshjen e nënshkruan presidenti serb  Vuçiç, ai kosovar Thaçi, boshnjaku Izetbegoviç dhe kryeministri malazez Markoviç. /abcnews.al

TSIPRAS-ZAEV-1280x720.jpg
gra moz15:12 | 17/05/2018

Kryeministri i Maqedonisë dhe Greqisë, Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras, u takuan në kuadër të samitit BE-Ballkani Perëndimor, që po mbahet në Sofje. Sipas deklaratës zyrtare të qeverisë maqedonase, dy kryeministrat diskutuan rreth situatës aktuale të bisedimeve mes dy vendeve për çështjen e emrit, si dhe për gjetjen sa më shpejt të një zgjidhjeje. Pas takimit, kreu i ekzekutivit maqedonas Zaev në profilin e tij në Facebook shkruajti se Maqedonia dhe Greqia po forcojnë miqësinë mes tyre. Ndër të tjera ai theksoi se me kryeministrin Tsipras u shprehën optimistë se mund të gjendet një zgjidhje që mbron dinjitetin e qytetarëve të dyja vendeve. Ky është takimi i i katërt i dy liderëve./abcnews.al

andrej.jpg
gra moz14:15 | 17/05/2018

Në samitin e Sofjes mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor është krijuar një dinamikë e re. Disa vende kanë shprehur nevojën që samite të tilla të zhvillohen më shpesh për të afruar vendet e rajonit me Unionin.

Dinamika e samitit të Sofjes ka filluar të prodhojë frytet e saj. Mbështetësit më të fortë të zgjerimit janë vendet që kanë përjetuar transformimin e dukshëm të vendeve të tyre gjatë procesit të negociatave. Ndaj ata nuk hezitojnë t’a mbështesin fort zgjerimin. Madje, Kroacia ka insistuar që në konkkuzionet e deklaratës të përfshihet edhe samiti i ardhshëm për Ballkanin që do zhvillohet në 2020-n.

Andrej Plenkoviç: “Së pari, ne duhet të përshëndesim iniciativën e kryeministrit bullgar Bojko Borisov që organizoi këtë samit, pasi ky është samiti i parë pas 15 vjetësh për Ballkanin. Ka patur një samit në Kroaci në 2000, pastaj në Selanik në 2003. Pra, ka patur një hendek të këtij formati prej shumë shumë kohësh. Ndaj në konkluzionet e samitit është përfshirë, se unë si kryetar i Këshillit në vitin 2020 do të organizoj një samit me synimin për të krijuar një qasje sistemike jo vetëm për zgjerimin, por edhe për mbështetje konkrete për vendet e Ballkanit, në nënyrë që të përmbushen kriteret në bazë të meritës individuale dhe të plotësohet plani në kohën e duhur”.

Dalia Grybauskaité, presidente e Lituanisë: “Në teori, organizata e Bashkimit Europian është e hapur ndaj çdo vendi që ndan të njëjtat vlera europiane dhe është në të njëjtën linjë me politikën e jashtme të  saj. Dhe sigurisht që ne përkrahim një rajon të Ballkanit Perëndimor në paqe dhe prosperitet”.

Leo Varadkar, Kryeministri i Irlandës: “Jam shumë i gëzuar që të jem sot në Bullgari për samitin e Ballkanit dhe të flas me disa nga kryeministrat e vendeve të Ballkanit. Irlanda është një mbështeëse e fortë e procesit të zgjerimit. Ne kemi përfituar kaq shumë nga ky proçes dhe dëshirojmë që edhe pjesë të tjera të Europës të përfitojnë nga ky proces”

Johannes Hahn, Komisioner për Fqinjësinë Dhe Zgjerimin: “Kemi krijuar një dinamikë të re në rajonit të Ballkanit, që ka ndikim pozitiv për avancimin e të gjithë vendeve. Strategjia e re ofron mundësi për të gjithë. Në këtë kuadër është në interesin e Kosovës, që të punojë për zgjidhjet dhe për një marrëveshje ligjore të detyrueshme. Konteksti aktual ka krijuar një momentum të ri dhe një motivim të ri për të dyja palët ( Serbinë dhe Kosovën) që të arrijnë një marrëveshje të re”.

Samiti pritet t’i japë shtysë projekteve konkrete të infrastrukturës, transportit, energjisë dhe dixhitalizimit, si edhe bashkëpunimit më tê fortë kundër terrorrizmit, krimit të organizuar dhe korrupsionit./abcnews.al

AKSI-I-SAMITIT-1280x720.jpg
ent ela17:22 | 16/05/2018

Materiali në vijim na njeh me 3 akset kryesore ku do të mbështetet samiti i Sofies si dhe çfarë synohet të arrihet me to.

Erisa Zykaj: Aksi i parë ka të bëjë me zgjerimin e ardhshëm të Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit. Liderët europianë do të diskutojnë mbi progresin e çdo vendi të Ballkanit aspirant për anëtarësimin në BE, por pa dhënë data dhe pa dalë me konkluzione për secilin vend. Aksi i dytë ka të bëjë me promovimin e Bashkimit Europian të krijimit një tregu rajonal dhe klime investimi favorizuese në Ballkan, duke mbështetur ndërlidhjen e rajonit në mënyrë substanciale në të gjitha dimensionet, transport, energji, ekonomi, dixhitalizimi dhe, shkëmbimet në fushën e arsimit. Aksi i tretë ka të bëjë me bashkëpunimin në sigurinë nga njëra anë për luftën kundër terrorizmit, radikalizimit dhe kthimin e luftëtavrëve të hua, dhe nga ana tjetër luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Donald Tusk, President i Këshillit Europian: “Nesër ne do takohemi me partnerët e Ballkanit së bashku për herë të parë në 15 vjet. Do të jetë një oportunitet për të të dyja palët për të konfirmuar, se perspektiva europiane mbetet zgjedhja gjeostrategjike e vendeve të Ballkanit. Përtej pikëpamjes afatgjatë, ne duam të tregojmë se kujdesemi për zhvillimet ekonomike sociale në rajon këtu dhe sot”.

Dimensionit energjitik do t’i jepet prioritet në samitin e Sofje përmes përmirësimit të efikasitetit të energjisë, ndërlidhjet më të mira ndërkufitare, diversifikimin e burimeve dhe rrugëve energjitike, si dhe një energji më të ekuilibruar të kombinuar me energji të rinovueshme. Në draft-konkluzionet e samitit, thuhet se BE-ja përshëndet angazhimin e vendeve të Ballkanit për të përshpejtuar zbatimin e Traktatit të komunitetit të energjisë dhe komunitetit të transportit. Liderët europianë përshëndesin gjithashtu vendosmërinë për heqjen e të gjitha pengesave administrative në kufi për përfundimin e tregut rajonal të energjisë elektrike dhe zbatimin e planit shumëvjeçar të veprimit të korrikut 2017 për zhvillimin e zonës ekonomike rajonale. Gjithashtu në draft thuhet, se BE pranon të promovojë një mjedis miqësor për tregun dhe investimet në Ballkanin Perëndimor për të lëvizur më shpejt drejt një ekonomie dixhitale.  Një theks i veçantë do të vihet në drejtim të krijimit të mundësive të mëtejshme për të rinjtë, duke siguruar që kjo të kontribuojë në zhvillimin socio-ekonomik të Ballkanit Perëndimor.

Donald Tusk, President i Këshillit Europian: “Investimi në ndërlidhjet infrastrukturore dhe njerëzore me dhe brenda Ballkanit Perëndimor është në interesin më të mirë të Bashkimit Europian . Dhe do të jetë objektivi i samitit tonë. Unë shpresoj që t’i sjellim miqtë tanë të Ballkanit Perëndimor më afër BE-së”.

Lidhur me sigurinë, BE-ja synon të bashkëpunojë më fort me Ballkanin për luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit, përfshirë financimin, radikalizimin dhe kthimin e luftëtarëve të huaj.BE thekson, se rezultatet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë thelbësore për transformimin politik dhe socio-ekonomik të rajonit dhe gjithashtu për stabilitetin dhe sigurinë rajonale, të cilat janë në interesin më të mirë të qytetarëve të tyre. /abcnews.al

 

 

vucic-1.jpg
gra moz15:12 | 16/05/2018

Në një intervistë ekskluzive për TV Klan, Presidenti serb Aleksandër Vuçiç vlerëson se tashmë marrëdhëniet dypalëshe me Shqipërinë janë më të mira se më parë. Ndërsa në lidhje me Kosovën, Vuçiç deklaroi se duhet të tolerojnë të dyja palët si Kosova ashtu edhe Serbia.

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë kanë njohur progres, duke u bërë më normale në krahasim me të shkuarën. Komenti vjen nga Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, në një intervistë ekskluzive për TV Klan.

“Së pari Serbia dhe Shqipëria sot kanë marrëdhënie më të mira se sa i kanë patur më parë dhe për këtë është meritor kryeministri shqiptar Edi Rama. Këtë nuk e kam penguar as unë dhe nëse asgjë tjetër pas shumë dekadash në të cilat nuk kemi patur kurrëfarë marrëdhëniesh mendoj se kemi vendosur marrëdhënie racionale dhe normale edhe pse nuk do ti vlerësoja si të jashtëzakonshme”.

Kur u pyet për Kosovën, Presidenti Vuçiç nënvizoi se e vetmja rrugë është që të dyja palët duhet të kuptojnë se duhet të lëshojnë diçka.

“Ajo që e kërkojnë shqiptarët është përkufizim vetëm se ata kërkojnë njëqind përqind të territorit të Kosovës. Pse do të mendonit ju se përkufizimi me 100 për qind të territorit të Kosovës më i drejt dhe më e mirë se sa me 90 përqind apo me 50 apo 30 përqind. Këtu shtrohet pyetja nëse mundemi ne të dyja palët apo ne dhe Prishtina të gjejmë dicka racionale reale dhe që do të thoshte humbje për të dyja palët dhe kur është humbje për të dyja palët kjo është minimumi i kënaqshëm edhe për njërën edhe palën tjetër”.

Kreu i shtetit serb pranoi se ka biseduar për Kosovën edhe me kryeministrin Rama.

“Me kryeministrin Edi Rama kam folur disa herë. A kemi folur ne thellësisht për çështjen e Kosovës? Jo në ketë mënyrë. A jam i gatshëm të flas me të gjithë për cështjen shqiptare dhe cështjen serbe, unë jam i gatshëm dhe këtu nuk shoh asgjë të keqe dhe asgjë të gabueshme. Kreun e qeverisë tuaj e respektoj shumë dhe ai ka ardhur në Beograd edhe pse në fakt takimet kanë qenë disi ashtu…ai ka dashur që këtu të fitoj pikë politike ndoshta dhe unë ia kam kthyer në mënyrë të njëjtë në Tiranë shpresoj, por marrëdhëniet tona sot janë tjera. Është bërë e zakonshme të shihemi dhe besoj se mund të kemi biseda shumë më të qeta dhe në besim të mirë. Dhe, besoj se kemi dicka më shumë besim tek njëri-tjetri”.

Sa i përket arrestimit të shefit të zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriç, Vuçiç akuzoi Prishtinën se nuk i qëndroi fjalës.

“E dini ne kemi qenë të premtën në mbremje në të dy anët e tavolinës, Thaçi, Çollaku, Gjuriç dhe unë. Marko të premtën ka dorëzuar kërkesën për vizitë në Kosovë. Ata kanë organizuar sulm ndaj Markos të hënën. Kjo nuk bëhet”.

Presidenti Vuçiç u ndal edhe te vrasja e Oliver Ivanoviçit, duke refuzuar të thotë nëse ajo ka qenë e motivuar etnikisht. Ky është një rast ku dialogu mes nesh ka ndikuar shumë, tha Vuçiç./abcnews.al

KOTZIAS-NE-SHKUP-1280x720.jpg
gra moz15:50 | 15/05/2018

Mediat greke raportojnë se kjo do të jetë jave vendimtare përsa i përket bisedimeve mes Athinës dhe Shkupit për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së emrit të Maqedonisë. Sipas të përditshmes Ekathimerini, po diskutohet për një traktat ndërkombëtar, që siguron anëtarësimin e Shkupit në NATO, vetëm pas disa korrigjimeve në Kushtetutën maqedonase.

Një diplomaci në lëvizje është cilësuar kjo javë nga mediat greke për sa i përket bisedimeve mes Athinës dhe Shkupit për çështjen e emrit të Maqedonisë, në kërkim të një zgjidhjeje të shpejtë dhe përfundimtare. Ekathimerini shkruan se bisedimet kanë vijuar në takimin e radhës mes ministrit të Jashtëm grek Kotzias dhe homologut të tij maqedonas Dimitrov fundjavën e kaluar. Negociatat po vijojnë mbi tre dokumente: një nga secili ministër dhe i treti nga zyra ndërmjetësuese e Kombeve të Bashkuara.

Sipas burimeve të së përditshmes grek, diplomatët po diskutojnë rreth mundësisë së një traktati ndërkombëtar që parashikon anëtarësimin e Shkupit në NATO, kur vendi të ndryshojë pika të caktuara në Kushtetutën e tij. Traktati më pas do të duhej të ratifikohej në parlamentin grek dhe atë maqedonas.

Qëllimi është që të shënohet një progres i atillë në mënyrë që kryeministri grek Tsipras dhe ai maqedonas Zaev të diskutojnë për çështjen para samititi të Be-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor që do të mbahet në Sofie të enjten.

Të dyja palët kanë arritur marrëveshje në disa çështje të lehta politike duke premtuar se do të bashkëpunojnë në fushën ekonomike, atë të edukimit dhe kulturës.

Presioni ndërkombëtar për gjetjen e një zgjidhjeje sa më shpejt vazhdon. Për këtë arsye para një muaji kur komisioneri europian për zgjerimin Johanes Hahn u shpreh se cështja do të zgjidhej për dy javë, ministri i Jashtëm grek e cilësoi deklaratën si të pavend dhe i kërkoi që të mos sabotonte negociatat mes palëve./abcnews.al

serbia.jpg
gra moz14:53 | 15/05/2018

Në pritje të referendumit për Kosovën pas deklaratës së Presidentit të Serbisë Vucic se në Qershor do të jepte propozimin e tij, serbët shprehen kundër njohjes së pavarësisë dhe pro ndarjes së vendit.

Pas deklaratës së Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç se njerëzit do të vendosnin vetë për të ardhmen e Kosovës, serbët kanë nisur të hamendësojnë se cila do të jetë pyetja e referendumit.

Televizioni serb Prva TV ka bërë një mini referendum në rrugët e Beogradit të dielën, duke ofruar tre mundësi për Kosovën: Njohje e pavarësisë, konflikt i ngrirë dhe ndarje.

Dikush u përgjigj se do të donte një konflikt të ngrirë dhe jo ndarje pasi Koova, sipas tij, ka qenë gjithnjë tokë serbe.

Të tjerë mendojnë se konflikti i ngrirë është një realitet tashmë dhe se zgjidhja më e mirë do të ishte ndarja. Por pjesa më e madhe nënkuptonin ndarjen e Kosovës dhe jo një konflikt që zgjat pa fund pasi duhej gjetur një zgjidhje. Aktualisht asgjë spo funksionon, theksojnë të intervistuarit.

Rezultatet e nxjerra nga Prva TV pjesërisht përputhen me ato të sondazheve që tregojnë se 80 për qind e serbëve nuk do e pranojnë pavarësinë e Kosovës, por 33 për qind e tyre janë dakord me ndarjen e saj.

Analistët serbë mendojnë se pyetja e referendumit për Kosovën do u tregojë qartë njerëzve se si politikanët në vend mendojnë ta zgjidhin përfundimisht këtë çështje.

Serbia ka zhvilluar shtatë referendume që nga viti 1990 dhe të paktën katër prej tyre kishin si temë Kosovën./abcnews.al

ramush-haradinaj123.jpg
gra moz14:49 | 15/05/2018

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj njoftoi se komuniteti serb që jeton në Kosovë po pranon shndërrimin e Forcave të Armatosura në Ushtri. Shefi i qeverisë i bëri thirrje Listës Serbe që të votojë ndryshimet kushtetuese për këtë çështje.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj zhvilloi konferencën për sigurinë me ambasadorët e huaj. Pas kësaj, shefi i qeverisë doli në një konferencë për shtyp. Haradinaj foli gjerësisht për shndërrimin e Frocave të Sigurisë në Ushtri.

Ramush Haradinaj: “Po e përmend këtë, multietnike, për faktin se është paraparë se fuqëzimi i mandatit të FSK;së bëhet me ndryshime të neneve kushtetuese. Mendoj që argumentet për të marrë besimin e Listës Serbe vërtetë janë plotësuar. Por, vendimi është politik, e duke qenë politik nuk e kemi të qartë këtë vote. Kosova i ka përmbush  argumentët që janë të nevojshme për të ndodhur transformimi i FSK-së në ushtri. Por duhet të vendos për mënyrën e ecjes përpara”.

Haradinaj tregoi se ambasada amerikane në Prishtinë ka ndihmuar shumë në betejën për të shndërruar Forcat e Sigurisë në ushtri. Gjithashtu ai njoftoi se formimi i ushtrisë nuk nënkupton marrjen e detyrave të KFOR-it./abcnews.al

vucic.jpg
gra moz12:44 | 15/05/2018

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç në një rrëfim për gazetën “Financial Times” ka treguar se është i fiksuar me Kosovën. Ndërsa media prestigjoze shkruan se për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe do të ishte e përshtatshme një zgjidhje e njëjtë me atë të Irlandës së Veri.

Gazeta prestigjoze britanike “Financial Times”, në një shkrim të gjatë për situatën mes Beogradit dhe Prishtinës, ka marrë prononcimin e Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

“Jam i fiksuar me Kosovën. Pa zgjidhur atë problem, çdo gjë që kam arritur deri tani do të ishte e parëndësishme. Kriza e parë do të na vrasë ne”, shprehet Presidenti serb për “Financial Times”.

Teksa nga ndërkombëtarët Vuçiç shikohet si politikan proevropian, gazeta prestigjoze nuk ka harruar të rikujtojë se ai e ka nisur karrierën si ultranacionalist me fjalinë e famshme se “për çdo serb të vrarë, do të vrasë 100 myslimanë”, pas masakrës së Srebrenicës më 1995. Gjithashtu përmend edhe faktin se Vuçiç shërbeu si ministër në administratën e Sllobodan Millosheviçit.

“Financial Times”, shkruan edhe për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Në artikull theksohet qëndrimi i ministrisë serbe të Jashtme dhe të Mbrojtjes që kanë mbështetur haptazi shkëmbimin e territoreve me Kosovën. Por kjo për fuqitë perëndimore do të hapte kutinë e pandorës në rajon.

“Zgjidhja më e mundshme do të përfshinte marrëveshjet e autonomisë dhe ndarjes së pushtetit të ngjashëm me Irlandën e Veriut për zonat e mbizotëruara nga serbët, në këmbim të njohjes së shtetësisë së Kosovës, por edhe kjo do të ishte një hap shumë i madh për shumë serbë dhe do të përballej ende me pengesat e një referendumi, ku Vuçiç mund të hasë në rezistencë të ashpër nga disa qarqe, duke përfshirë kishën ortodokse serbe”, thekson Financial Times.

Ndërkohë, duke qëndruar tek çështja e Kosovës, mediat e Beogradit raportojnë të rejat e fundit. Gazeta “Blic” shkruan se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet perëndimore kanë paraqitur një plan për zgjidhjen e problemit të Kosovës, për presidentin serb Aleksandar Vuçiç. Sipas dokumentit të siguruar nga kjo media, aty sqarohet se plani është mjaft pozitiv për Serbinë. Megjithatë ende nuk ka marrë pëlqimin konkret nga kreu i shtetit./abcnews.al

KOSOVE-SERBI-OKB-1280x720.jpg
ent ela23:14 | 14/05/2018

Ambasadorja e Kosovës në OKB, Vlora Çitaku dhe ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç kanë shkëmbyer akuza në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në lidhje me zbatimin e marrëveshjeve të arritura në bisedimet e Brukselit.

Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Vlora Çitaku dhe ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç janë përplasur të hënën në një seancë të mbajtur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Shkak është bërë deklarata e shefit të diplomacisë serbe, që ka kritikuar Prishtinën se nuk po zbaton marrëveshjet e arritura në bisedimet e Brukselit. Daçiç ka thënë se deklaratat e qeverisë së Kosovës, se do të lejojnë krijimin e Shoqatës së Komunave Serbe në këmbim të ulëses në OKB tregojnë se Prishtina nuk ka ndërmend të përmbushë detyrimet e saj. Nga ana e saj, Çitaku ka deklaruar se Kosova është e përkushtuar për të normalizuar marrëdhëniet me Serbinë, por ka akuzuar Beogradin se po pengon serbët e Kosovës që të integrohen. Ambasadorja i është referuar arrestimit të disa serbëve vetëm sepse i ishin bashkuar Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe ndalimit që iu bë kombëtares kosovare të karatesë të marrë pjesë në kampionatin europian që mbahet në Novi Sad. Çitaku ka folur edhe për krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, duke nënvizuar se Serbia në këtë rast nuk e ka të drejtën e vetos. “Ky vendim do të merret nga institucionet e Kosovës”, ka thënë Çitaku. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore.


Kontakt

Telefono