Rajoni

VLADIMIR-LLUKA-1280x720.jpg
ent ela16:56 | 19/11/2018

Marrëdhëniet tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës ishin në fokus të bisedës së Ministrit të Zhvillimit Ekonomik të Kosovës Valdrin Lluka, në studion e ABC News me gazetaren Bruna Çifligu.

Lluka pranon se marrëveshjet e nënshkruara kanë pasur probleme dhe nuk janë zbatuar të gjitha, por disa janë në përfundim e sipër, ndërsa më 26 nëntor do të nënshkruhet në Pejë marrëveshja për roaming.

“Edhe në tregun e Kosovës e Shqipërisë vazhdon të mbizotërojë axhenda e importeve nga vende të tjera si Italia, Greqia dhe Maqedonia. Disa nga marrëveshjet nuk kanë arritur të konkretizohen, mirëpo ato janë në përfundim e sipër, ka marrëveshje që nuk janë implementuar, kanë patur probleme, por disa janë në përfundim e sipër. Në 26 nëntor do të nënshkruhet marrëveshja e roaming që do t’u mundësohet qytetarëve nga Kosova e Shqipëria pa pagesë shtesë dhe do përfitojnë pak më shumë qytetarët nga Kosova”.

Një tjetër marrëveshje e rëndësishme për ministrin kosovar është edhe marrëveshja rajonale për tregun energjitik, e cila nuk është implementuar për shkak pengesës nga Serbia. e cila nuk e njeh Kosovën si treg të veçantë.

“Kosova me rajonin ka disa marrëveshja, por ajo me fokus të veçantë është Marrëveshja rajonale për tregun energjetik. Nuk kemi qenë në gjendje ta implemetojmë për shkak të mosnjohjes së Kosvës nga Serbia si një treg i veçantë apo kontrollues energjik, është ngritur vëmendja nga Bashkimi Evropian dhe jemi duke afruar për një zgjidhje përfundimtare që do mundësohet shkëmbimin e energjisë për qytetarët e rajonit. Kjo do bëhet e mundur kur Kosova të bëhet e pavarur në tregun energjetik”.

Lidhur me tarifën prej 10% për mallrat serbe dhe boshnjake, e cila nuk është pritur mirë nga BE, Lluka thekson se ka patur presion nga Bashkimi Evropian, por Kosova duhet ta shfrytëzojmë si mekanizëm për të dërguar disa procese përpara.

“Ka presione, Bashkimi Evropian ka qenë më kritik, por Kosova tregtinë me Serbinë e ka mjet të vetin për të përdorur për interesat e veta, duke ditur që Serbia është importuesi më i madh në Kosovë  duhet ta shfrytëzojmë si mekanizëm për të dërguar disa procese përpara. Ne prej 5 vitesh jemi peng i integrimit energjetik mes Kosovës dhe Shqipërisë, pasi Serbia nuk e njeh Kosovën dhe ne kemi humbje 25 milionë euro në vit, pa llogaritur dëmet e tjera financiare. Edhe në këtë rast edhe BE ishte dorëzuar nga zgjidhja përfundimtare. Ne kemi qenë në vazhdimësi pjesë e bllokadave të Serbisë ndaj Kosovës. Edhe sot Serbia lobon që Kosovës mos t’i jepet vota në Interpol”.

Ministri kosovar apeloi që në këtë rast bizneset e Kosovës dhe Shqipërisë të rrisin bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve, të kenë tregti të mallrave dhe të rrisin prodhimin.

Sipas tij sfida e qeverisë dhe ministrisë që ai drejton është rregullimi i tregut energjetik dhe lehtësirat për biznesin.

“Sfida aktuale në Kosovë është rregullimi i tregut energjetik. Janë rreth 300 milionë euro humbje e biznesit në vend dhe fokusi i energjisë është primari në vend dhe heqja e burokracisë”. /abcnews.al

protesta-2.jpg
G. P.14:09 | 19/11/2018

Mijëra qytetarë të Maqedonisë organizuan një protestë në Shkup duke kundërshtuar marrëveshjen për emrin me Greqinë. Gjithashtu ata dolën në rrugë për të kërkuar amnisti për protagonistët e dhunës së 27 Prillit në parlament.

Disa mijëra mbështetës të lëvizjes ‘Bojkotoj ndryshimet kushtetues’ kanë protestuar mbrëmë përpara Kuvendit duke bërë thirrje për zgjerimin e qëndresës kundër ndryshimit të Kushtetutës dhe Marrëveshjes me Greqinë lidhur me emrin. Organizatorët paralajmëruan se protesta do të ketë çdo ditë nga ora 16-20 në parkun përballë parlamentit, por edhe në qendra të tjera të vendit.

Ndryshimi i emrit të shtetit përbën veprën më të rëndë penale të tradhëtisë, gjenocid mbi popullin maqedonas dhe krim kundër njerëzimit, tha Todor Petrov nga Kongresi Botëror Maqedonas, duke bërë të ditur se organizata e tij ka bërë kallëzim penal kundër kryeministrit Zoran Zaev dhe ministrit të Jashtëm, Nikola Dimitrov, por edhe kundër 80 deputetëve të cilët votuan fillimin e ndryshimit të Kushtetutës, për vepra penale kundër kombit.

Të pranishmit kanë duartrokitur kërkesën e tij për anulimin e zgjedhjes së Talat Xhaferit kryetar të Kuvendit dhe amnisti për protagonistët e ngjarjeve të përgjakshme të 27 Prillit. Petrov ka bërë thirrje që deputetët e opozitës të mos jenë statistë në Kuvend, ndërkohë që për ish-kryeministrin e arratisur, Nikola Gruevski, tha se është viktimë e përndjekjes politike./abcnews.al

haradinaj12.jpg
G. P.14:05 | 19/11/2018

Liberalizimi i vizave për Kosovën duhet të jetë pjesë e agjendës së Bashkimit Europian. Ka qenë kjo kërkesa e kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili theksoi se vendi i ka përmbushur të gjitha kushtet. Këto deklarata kreu i ekzekutivit kosovar i bëri gjatë mëngjesit të punës mes kryeministva të Ballkanit Perëndimor në Vjenë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është takuar me kancelarin austriak, Sebastian Kurz dhe liderët e Ballkanit Perëndimor në Vjenë. Në fjalën e tij në këtë takim pune, Haradinaj theksoi se Kosova ka kryer detyrat e saj përsa i përket liberalizimit të vizave:

Ramush Haradinaj:“Kosova është e përkushtuar në fuqizimin e bashkëpunimit rajonal dhe është e gatshme të marrë përsipër detyrimet e saj, por kjo duhet të jetë reciproke. Për këtë arsye unë kërkoj që liberalizimi i vizave të futet në axhendën e Bashkimit Evropian, sepse Kosova tashmë ka përmbushur kriteret e vendosura nga Bashkimi Europian”.

Takimi në fjalë u organizua nga kancelari austriak, Sebastian Kurz, për të diskutuar rreth perspektivës evropiane të rajonit. Në këtë takim ka qenë i pranishëm dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ajo e Serbisë Ana Brnabiç, ai i Malit të Zi, Dushko Markoviç dhe Denis Zvizdiç si përfaqësues i Bosnje Hercegovinës. Ndryshe nga kolegët e tij, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev ka anuluar pjesëmarrjen në takim për shkak të problemeve të brendshme politike./abcnews.al

BREXIT-NDRYSHIMET-ABC-M5-T2.mpg_snapshot_00.22-1280x961.jpg
G. P.19:59 | 18/11/2018

Anëtarë të kabinetit të Thereza Mej po përpiqen të bindin kryeministren të ndryshojë disa amendamente të marrëveshjes për Breksit. Përpjekjet vijnë pasi konservatorët e pakënaqur deklarojnë se varianti aktual i draftit do të realizojë vetëm një shkëputje gjysmake të Britanisë nga BE-ja.

Një grup prej 5 ministrash po përpiqen të bindin kryeministren britanike Thereza Mej që të bëjë disa ndryshime në marrëveshjen për Breksit. Dokumenti prej 585 faqesh përmban kushtet e largimit të Mbretërisë së Bashkuar, detajet se sa para duhet t’i paguajë Bashkimit Europian dhe të drejtat e qytetarëve gjatë periudhës së tranzicionit. Pavarësisht valës së kritikave, kryeministrja Mej e ka mbrojtur marrëveshjen dhe ka premtuar se do të bëjë realitet finalizimin e saj, i planifikuar për më 25 nëntor. “Ka ende shanse për ta përmirësuar marrëveshjen. Britania nuk mund të mbetet e bllokuar në unionin doganor të BE-së”, ka deklaruar kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Andrea Lidsom.

Publikimi i draftit shkaktoi polemika të shumta në klasën politike britanike dhe Mej u ndodh në një pozitë të vështirë pas dorëheqjes së disa ministrave, përfshirë atë të Breksit. Disa eksponentë të konservatorëve, që nuk bien dakord me variantin e Mej, kanë hedhur firmat për një votëbesim për kryeministren, që rrezikon t’i hapë shumë telashe lidershipit të saj. Mark Fransua, një nga ligjvënësit konservatorë që kanë deklaruar publikisht se kanë hedhur firmën, ka deklaruar se plani i Mej do ta lërë Britaninë gjysmë brenda dhe gjysmë jashtë Bashkimit Europian dhe paralajmëroi se varianti i marrëveshjes nuk do të kalojë kurrë në Parlament./abcnews.al

behgjet-pacolli.jpg
ent ela12:57 | 18/11/2018

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli konfirmoi se në axhendën e samitit të Interpolit është konfirmuar si pikë e rendit të ditës votimi i Kosovës për anëtarësimin në këtë organizatë.

Përmes një statusi në Facebook, Pacolli shprehet se ky është një fillim i mbarë dhe se lufta kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe terrorizmit është synimi i Kosovës.

Ai ka shtuar se votimi do të ndodhë të martën, më 20 nëntor. /abcnews.al

5bf06e5d5669d.image_.jpg
ent ela10:38 | 18/11/2018

Pas protestave të dhunshme mbrëmjen e së shtunës në Athinë, 19 persona janë arrestuar pasi kanë sulmuar agjentët e policisë. Mijëra vetë marshuan në përkujtim të revoltës studentore të vitit 1973, që çoi në rrëzimin e diktaturës ushtarake.

19 persona janë arrestuar nga policia në Athinës pas përplasjeve në shesh me anarkistët. Arrestimet u kryen jashtë Politeknikut, ku një grup njerëzish që morën pjesë në një marshim, në 45 vjetorin e revoltës studentore kundër regjimit ushtarak, sulmuan agjentët e policisë.

Mbi 10 mijë demonstrues përshkuan në mënyrë paqësore akset kryesore të kryeqytetit helen, ku masat e sigurisë ishin shumë të larta. Ata mbanin në duar parrulla me shkrimin “Rezistencë” dhe të tjera në lidhje me krizën financiare që për 8 vjet rresht drobiti Greqinë. Marshimi përfundoi tek selia e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, të cilat grekët i akuzojnë se mbështetën diktaturën ushtarake të viteve 1967-1974.

Por në përfundim të marshimit shpërthyen trazirat, me protestuesit që hodhën gurë dhe bomba molotov ndaj forcave të policisë pranë Politeknikut të Athinës, ku shumë të rinj mbetën të vrarë në vitin 1973. Ndërsa të tjerë ngritën barrikada me karrige dhe sulmuan forcat e rendit nga tarracat e pallateve. Nga ana e saj policia u detyrua të reagonte me gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë turmën. /abcnews.al

AC6F4FCC-A14F-4C79-BA90-469E287FFF3B_w1023_r1_s-933x445.jpg
ent ela09:14 | 18/11/2018

Të gjitha partitë politike shqiptare kanë kundërshtuar propozimin e Entit Shtetëror të Statistikave në Maqedoni, që gjatë regjistrimit të popullsisë të fshihet paragrafi rreth përkatësisë etnike dhe asaj fetare.

Këto reagime vijnë pasi drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave ka paralajmëruar se në bazë të propozim-ligjit për regjistrimin e popullsisë, nuk parashihet paragrafi mbi përkatësinë etnike dhe religjionit.

Drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave, Apostoll Simovski, ka theksuar se të dhënat rreth përqindjes së përkatësisë etnike dhe asaj fetare janë keqpërdorur për qëllime politike.

Në bazë të regjistrimit të popullsisë, që parashihet të realizohet në prill të vitit 2020, për të kuptuar se cilës bashkësi etnike i takon çdo qytetar i Maqedonisë, duhet të përgjigjet në pyetjen “cila është gjuha amë e tij, dhe cilën gjuhë flet në komunikim“.

Partitë politike shqiptare konsiderojnë se regjistrimi i popullsisë në asnjë mënyrë nuk paraqet vetëm një proces të thjeshtë statistikor, por ky operacion është dhe politik sepse pikërisht përqindja e përkatësisë etnike ndërlidhet me realizmin e shumë të drejtave të shqiptarëve që burojnë nga marrëveshja e Ohrit.

Një person duke votuar në referendumin e 30 shtatorit në Maqedoni.

Regjistrimi i fundit është realizuar në vitin 2002, që u shoqërua me debate të shumta lidhur me përqindjen e popullatës shqiptare, e cila rezultoi të jetë 25.17 për qind. Nga numri i përgjithshëm dhe në bazë të kësaj përqindjeje, u përcaktuan edhe dispozitat kushtetuese mbi të drejtat e bashkësive etnike.

Xhevdet Nasufi, njohës i çështjeve juridike, i cili ka qenë i kyçur në hartimin e marrëveshjes së Ohrit, për Radion Evropa e Lirë, thotë se në këtë formë që propozon Enti Shtetërorë i Statistikave, do të thotë dhe shlyerje e të drejtave të caktuara për popullatën shqiptare, të drejta këto që janë të garantuara me Dokumentin Kornizë të Ohrit që i dha fund konfliktit të armatosur gjatë vitit 2001.

“Këtë e them për një arsye shum të thjeshtë, sepse marrëveshja e Ohrit në fakt është një marrëveshje mes shqiptarëve dhe maqedonasve nga e cila buron ai postulati kryesor për pozitën, statusi si dhe avancimi i të drejtave të shqiptarëve, zhvillimi i demokracisë, zhvillimi i kulturës, arsimit, zhvillimin e gjithçkaje që është me interes të realizimit të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni“.

“Këtu si shtyllë kryesore kemi përfaqësimin e shqiptarëve në institucione në përputhje me përqindjen e shqiptarëve sa i përket numrit të përgjithshëm të popullatës si dhe përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe”, thotë Nasufi.

Sipas tij, përderisa nuk është realizuar në tërësi marrëveshja e Ohrit, paragrafi i përkatsisë etnike mbetet element shumë i rëndësishëm në procesin e regjistrimit të popullsisë.

Por, Donco Gerasimovski ish drejtor i Entit Shtetërorë të Statistikave, për Radion Evropa e Lirë thotë se në shumë shtete të Bashkimit Evropian, gjatë procesit të regjistrimit fare nuk përfshihet përkatësia etnike dhe ajo fetare.

Sipas Gerasimovskit, regjistrimi duhet të paraqet një proces të pastër statistikor rreth numrit të popullsisë në Maqedoni, ku për bazë duhet të merret shtetësia maqedonase.

Me rëndësi është përfshirja e popullsisë në procesin e regjistrimit, në mënyrë që të sigurohen të dhënat e nevojshme për numrin e personave që jetojnë në Maqedoni, në mënyrë që institucionet përkatëse të mund të realizojnë planifikimin dhe zhvillimin e çënjtjeve në lëmi të caktuara”, thotë Gerasimovski.

Por, me këtë qëndrim nuk pajtohet Xhevdet Nasufi, sepse siç thotë, Maqedonia me marrëveshjen e Ohrit paraqet një shtet me shumë specifika të veçanta ku pikërisht përqindja e popullatës është vendimtare për realizimin e të drejtave të caktuara të shqiptarëve në Maqedoni.

“Akoma nuk mund të themi se është mbyllur çështja e integrimit të shqiptarëve në sistem. Integrimi i shqiptarëve në sistem është çështje madhore, ai përfshin vendimarrje ai përfshin zbatim dhe kontroll të politikave shtetërore dhe ne jemi të vetëdijshëm se shqiptarët në këto segmente nuk janë prezente, ose janë në nivel minimal, në margjina të përfillshme”, thotë Nasufi.

Ndryshe, regjistrimi i Popullsisë në Maqedoni për herë të fundit është realizuar para 16 viteve . Institucionet e ndryshme kanë theksuar se mungesa e regjistrimit të popullatës u shkakton probleme të shumta gjatë planifikimit të politikave ekonomike, arsimore, sociale.

Mungesa e regjistrimit të popullatës ka nxjerr shumë anomali dhe në listën zgjedhore.

Partitë politike shqiptare, veçmas ata në opozitë, thonë se pa një përfaqësim të drejtë dhe adekuat në pozitat drejtuese të Entit Shtetëror të Statistikave, regjistrimi i popullsisë nuk mund të jetë i besueshëm./REL

GREQI-PERLESHJET-ABC-M5-T2.mpg_snapshot_00.27-1280x509.jpg
G. P.22:10 | 17/11/2018

Marshimi përkujtimor në nder të revoltës studentore të 73-shit në Athinë është shoqëruar me akte dhune. Të rinjtë kanë sulmuar me gurë dhe bomba molotov policinë, e cila është përgjigjur me gaz lotësjellës.

Policia greke është përleshur pasditen e së shtunës me të rinjtë në qendër të Athinës, ku mijëra vetë marshuan për në përkujtim të revoltës studentore të vitit 1973, që çoi në rrëzimin e diktaturës ushtarake. Mbi 10 mijë demonstrues përshkuan në mënyrë paqësore akset kryesore të kryeqytetit helen, ku masat e sigurisë ishin shumë të larta. Ata mbanin në duar parulla me shkrimin “Rezistencë” dhe të tjera në lidhje me krizën financiare që për 8 vjet rresht drobiti Greqinë.

Marshimi përfundoi tek selia e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, të cilat grekët i akuzojnë se mbështetën diktaturën ushtarake të viteve 1967-1974. Por në përfundim të marshimit shpërthyen trazirat, me protestuesit që hodhën gurë dhe bomba molotov ndaj forcave të policisë pranë Politeknikut të Athinës, ku shumë të rinj mbetën të vrarë në vitin 1973. Ndërsa të tjerë ngritën barrikada me karrike dhe sulmuan forcat e rendit nga tarracat e pallateve. Nga ana e saj policia u detyrua të reagonte me gaz lotësjellës dhe topa uji për të shpërndarë turmën./abcnews.al

 

GRUEVSKI-ARRATIJA-MBULIM.mpg_snapshot_00.04-1280x826.jpg
G. P.20:59 | 17/11/2018

Pak ditë pasi dorëzoi kërkesë për azil në Budapest, ish-kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski është larguar nga Hungaria. Lajmin e bën të ditur agjencia bullgare “Fokus-Njuz”, që citon burime pranë partisë opozitare maqedonase VMRO-DPMNE. Sipas burimeve, destinacioni i ish-kryeministrit të dënuar me 2 vjet burg për korrupsion dhe shpërdorim detyre është Rusia ose Turqia.

Ndërkohë, mediat në Hungari shkruajnë se, Gruevski është larguar nga Budapesti që të mërkurën, me avionin e një biznesmeni të afërt me kryeministrin Viktor Orban. Pak ditë më parë, autoritetet hungareze deklaruan se për arsye sigurie kishin pranuar kërkesën e Gruevskit për azil dhe se do ta shqyrtonin atë në aspektin juridik, në përputhje me ligjet ndërkombëtare./abcnews.al

ceki.jpg
G. P.17:04 | 17/11/2018

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev shprehet i bindur që Nikolla Gruevski do të kthehet në vend. Ndërsa kryetari i BDI-së Ali Ahmeti duke folur rreth mundësive për amnisti, tha se koalicioini qeverisës po shqyrton disa praktika amerikane dhe evropiane.

Kryeministri Zoran Zaev ka deklaruar se ish pararendësi i tij Nikola Gruevski, i cili iku në Hungari ku ka kërkuar azil politik, do të kthehet në Maqedoni, njësoj si ish kryeministri kroat Ivo Sanader i cili qe dënuar për korrupsion dhe ishte larguar nga Kroacia, por që pas një viti iu dorëzua autoriteteve kroate.

Në intervistën dhënë TV Alsat, Zaev ka folur edhe për debatet dhe dilemat nëse do të ketë apo jo amnisti. Më herët, para tij, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, pranoi në Klan debat se koalicioni qeverisës po shqyrtëzon praktika të vendeve evropiane dhe të Shteteve të Bashkuara lidhur me rastet e përgjimeve.

Kryeministri Zoran Zaev,në intervistën dhënë Alsat-it ka pranuar se i përket parlamentit që në kuadrin e kompetencave të ofrojë zgjidhjen e pranueshme për idenë e tij për falje e pajtim, por nuk ka përjashtuar as mundësinë e një amnistie për personat e implikuar në ngjarjet e 27 prillit të vitit të kaluar, me përjashtim të aktorëve kryesorë që morën pjesë në dhunën e ushtruar. Gjithë kjo, si pjesë e asaj që kryeministri e quan pajtim politik e që nuk nënkupton anashkalimin e shtetit të së drejtës.

Po për këtë çështje, por edhe kontekst të megaskandalit të përgjimeve, më herët, në Klan debat foli edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. Sipas tij, me qëllim të tejkalimit të gjendjes së krijuar, po shqyrtohen praktikat në vende e kontinente të tjera.

“Jo të falet ai që ka bërë krimin, por të shihet edhe njerëzit të cilët kanë qenë të përfshirë, por pa u njëllosur, apo pa i lyer duart të shprehemi kështu radikalisht me gjak. Raste të tilla ka pasur në Çeki, në Afrikën e Jugut, por pse mos të themi që është edhe rasti i Watergate në mes të SHBA-ve”, tha Ahmeti.

Edhe Ali Ahmeti, edhe Zoran Zaev, kanë folur për përpjekje të vështira që rezultuan me krijimin e shumicës së dy të tretave. Kreu i integristëve madje është i mendimit se e vërteta për këtë do të dalë sheshit, pas disa dekadash.

Sidoqoftë, tash kur ish-kryeministri Nikola Gruevski mori rrugën prapa diellit dhe kur njerëz të konsideruar si të tajfës së fij kanë nisur të flasin më açik për atë që ndodhi, është për t’u pritur që të ofrohet një model afrim-pajtimi i cili parashikohet se mund ta fus vendin në ujra më të qetë drejt integrimit të plotë euro-atlantik./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono