Kryesore

cff14257-1b24-46ba-92ce-30ee71d6b0fa.jpg
R D14:44 | 22/01/2020

Prokuroria e Përgjithshme e ka verifikuar kryebashkiakun e Matit, Agron Malaj dhe e ka shpëtuar nga shkarkimi. ABC News siguron një vendim të prokurorit Petrit Fusha, i cili ka vlerësuar se mbajtja e armës pa leje, meqë është bërë në vitin 1999, nuk e pengon Malajn përjetësisht, por ai mund të vazhdojë detyrën, sepse është rehabilituar.

Disa vepra penale e ndalojnë një person përjetësisht të ushtrojë funksione publike. Armëmbajtja pa leje në mjediset publike nuk e lejon një person të zgjidhet deputet apo kryetar bashkie. Këtë argument Partia Demokratike e ngriti ndaj kryebashkiakut të Matit, Agron Malaj i cili ishte dënuar në vitin 1999 për armëmbajtje.

PD i kërkoi prokurorisë ta verifikojë këtë rast përmes sektorit të dekriminalizimit. Por, prokuroria e ka bërë një herë këtë gjë. ABC Neës ka siguruar këtë dokument, të vitit 2017, që mban firmën e prokurorit të atëhershëm, Petrit Fusha.

Asokohe, Agron Malaj ka qenë drejtor i OSHEE-së në Dibër, dhe Drejtoria e Adminsitratës Publike i ka kërkuar prokurorisë ta verifikojë në lidhje me dënimin e vitit 1999.

Prokurori Petrit Fusha, ka dalë në konkluzionin se Agron Malaj, prekej nga ligji i dekriminalizimit, por ishte rehabilituar. Duke qenë se Kodi Penal në vitin 1999 kur është dënuar Malaj, ishte ndryshe nga formulimi kur ligji i dekriminalizimit u miratua, atëherë Prokuroria i tha DAP=it, se Malaj ishte rehabilituar.

Ai e mbajti detyrën si drejtor i OSHEE-së, dhe më pas mori dhe detyrën si kryebashkiak sepse edhe KQZ argumentoi po një lloj.

Në këto kushte, përvarësisht kërkesave të PD-së, kjo cështje mund të quhet e mbyllur, sepse pavarësisht hijeve të dyshimta të argumenteve juridike, edhe Prokuroria edhe KQZ-ja e kanë hetuar më herët këtë rast dhe kanë marrë vendim në favor të kryebashkiakut të Matit. /abcnews.al

Screenshot_3-6.png
R D14:27 | 22/01/2020

Uniformat blu kanë arritur të zbardhin vrasjen që ndodhi mbrëmjen e së hënës në zonën e Astirit në Tiranë. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se autori i dyshuar, është 29-vjeçari Noel Dishi, me të cilin viktima ka pasur njohje të mëparshme. Ky i fundit përdorte edhe dy emra të tjerë, pasi ka pasur probleme me drejtësinë franceze, në fushën e narkotikëve. Të njëjtën gjë kishte bërë edhe viktima Vilson Noka Tofçiu, duke ndryshuar mbiemrin e tij.

Madje pas deportimit nga Franca të Vilson Tafçiut në nëntor të 2018, në të njëjtën mënyrë ishte deportuar edhe 29-vjeçari Dishi, i shpallur në kërkim si i dyshuar në atentatin e tipit mafioz të ndodhur në zonën e Astirit.

Noel Dishi është në kërkim policor, pasi ka dyshime se e ka nxjerrë në pritë Vilson Tofçiun me origjinë nga Peshkopia.

Kjo pistë përforcohet edhe më shumë sepse 29-vjeçari nuk iu është përgjigjur thirrjeve për t’u vënë në dispozicion të organeve të drejtësisë në lidhje me ekzektutimin e mikut të tij. Ai ka familjen në Sukth dhe është babai i dy fëmijëve.

Kërkimet janë shtrirë edhe në Kosovë nga ku dyshohet se është larguar autori i krimit.

Pista kryesore ku janë përqendruar hetimet, është vrasja për shkak të trafikut të lëndëve narkotike. Tafçiu, prej disa vitesh ka jetuar në Belgjikë dhe Francë, ku edhe ka kryer dënimin prej 8 muajsh burg për drogë. Për ngjarjen e rëndë janë sekuestuar një armë zjarri dhe një automjet, ndërsa nuk është zbuluar porësitësi i vertetë i këtij atentati mafioz që tronditi kryeqytetin.

Hetuesit kanë administuar 20 deponime të dëshmitarëve okularë si dhe kanë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në zonë për të zbuluar se kush i ka ndihmuar autorët të largohen pas krimit./abcnews.al

foto-7-1280x733.jpg
R D14:01 | 22/01/2020

Një kryetar Bashkie është kapur duke pirë kokainë në ambientet e një lokali. Fakti tashmë është i pamohueshëm.
Disa foto janë publikuar mëngjesin e kësaj të mërkurë ekskluzivisht në Abc News.  Ato janë pjesë e një regjistrimi filmik që do të publikohet në orët në vijim në abcnews.al. Paraprakisht mësohet se bëhet fjalë për kryetarin e një bashkie veriore.

Gazetari investigativ Artan Hoxha foli pak ditë më parë për ekzistencën e këtyre pamjeve. Ai tha se ka kohë që është regjistruar por u spostua për shkak të termetit.

“Është në ambient publik (lokal), se po të ishte në zyrë nuk ke si e filmon. Nëse e merr narkotikun në banesë apo në një ambient të mbyllur, nuk ka asnjë problem se thua jam përdorues. Përveç faktit që je i zgjedhur vendor, pastaj kalon në një nivel tjetër. Por, nëse e merr në ambient publik ky është problem”, deklaroi Artan Hoxha.

Teksa ishte i ftuar në “Opinion”, numri II i PD-së, Gazment Bardhi tha se “ka dijeni dhe e ka parë videon”.
/abcnews.al

 

sotme.jpg
in a12:48 | 22/01/2020

Sa më të thella të jenë zonat e vendit aq më shumë skamje ka. S’ka punë, e për pasojë as para. Shteti e ka më të thjeshtë të japë ndihmë ekonomike në nivele lëmoshe që s’ju del as për bukë jo më të paguajnë fatura apo fëmijët të kenë mbarëvajtje në mësime. “ABC News” ndalet në Kopacëz, një fshat i thellë i Delvinës, në të cilin jeton familja Zyberi. Nga e gjithë historia për fat të keq kuptohet se me shumë të ngjarë jeta e 4 fëmijëve të familjes kur të rriten do të jetë njësoj si e prindërve të tyre.

Familja nuk ka mjaftueshëm as ushqimet bazike, jetojnë në terr prej vitesh dhe me një ndihmë ekonomike qesharake.

“70 mijë lek marim në muaj, nuk na dalin as për bukë. Energjinë elektrike na e kanë prerë”, tregon Jeta nëna e katër fëmijëve.

Pamjet e tregojnë qartë se ushqimet e fundit kanë mbaruar dhe ato çfarë kanë mbetur janë disa fruta, që ua kanë falur, ndërsa oxhaku që në mbrëmje funksionon jo vetëm si ngrohës, por edhe për të ndriçuar kur bie natë.

Fëmijët e mitur janë ata që kanë kosto më të madhe jo vetëm për të sotmen por dhe për të ardhmen e tyre.

“Unë e di si i çoj në shkollë, me shumë vështirësi”, shprehet nëna e fëmijëve.

Mësuesja e një prej vajzave të familjes tregon se sa të vështirë e kanë fëmijët me kushte të tilla jetëse për të mësuar.

“Nuk kanë as tavolinë apo divan. Gjendja e tyre është shumë e vështirë. Mundohemi dhe përpiqemi që ata të arrijnë diçka në shkollë”, thotë mësuesja Florina Roboci.

6 antarët e familjes Zyberi luftojnë për mbijetesen e ditës dhe sigurimin e ushqimit. Ndaj vetvetiu lind pyetja a munden fëmijët me barkun bosh të përqëndrohen dhe të shkollohen për të patur një jetë më cilësore se ata që i sollën në jetë? Besojmë se të gjithë pasi ndoqën këtë histori e kanë një përgjigje, do të jetë e pamundur nëse përgjegjësi kryesor shteti do ti japë vetëm fondin e lëmoshës dhe asnjë mbështetje tjetër./abcnews.al

di.jpg
in a12:27 | 22/01/2020

Abc News publikoi sot ekskluzivisht disa sekuenca filmike të një kryebashkiaku që duket se merr kokainë në lokal. Disa orë më pas nga selia e PD-së, Ervin Salianji tha se bëhet fjalë për kryetarin e Bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla.( Artan Hoxha publikon fotot e kryebashkiakut duke pirë kokainë)

“Opinioni publik është tronditur sot nga pamjet sesi kryebashkiaku ilegjitim i Bulqizës, i emëruar nga Edi Rama, është duke konsumuar kokainë. Kokaina, heroina, kanabisi, vjedhja, zhvatja janë cilësitë kryesore të kësaj bande që drejton sot vendin. Janë cilësitë e kryeministrit të Shqipërisë, që i ka klonuar tek emërimet e tij politike në pushtetin lokal dhe në administratën publike”, u shpreh Ervin Salianji.

Më tej ai theksoi se janë lidhjet me krimin, është hajdutëria dhe babëzia motivi kryesor që e ka shtyrë Edi Ramën të kapë sistemin e ri të drejtësisë, siç vulosi së fundmi, emërimin antikushtetues të vartësit të vet Artur Metani në krye të Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, një prej organeve më të rëndësishme të drejtësisë.

Emërimi i paligjshëm dhe nul me dhunën e kartonave i Artur Metanit është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin “Për organet e qeverisjes së sistemit të Drejtësisë”, i cili ndalon një jurist të emërohet Inspektor i lartë i Drejtësisë, nëse ai ka mbajtur funksione politike në administratën publike gjatë 10 viteve të fundit.

Artur Metani është në kushtet e ndalimit kushtetues dhe ligjor, pasi ai ka qenë Këshilltar Juridik i Presidentit të Republikës, një pozicion që ligji për administratën publike e konsideron shumë qartë so funksion politik.

Edhe Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, edhe Parlamenti kanë shkelur me vetëdije ligjet dhe Kushtetutën, duke qenë në dijeni të plotë të faktit ndalues se Artur Metani në 10 vitet e fundit ka qenë “funksionar politik”, si pjesë e Kabinetit të Presidentit të Republikës” tha Salianji./abcnews.al

Lexo edhe: VIDEO EKSKLUZIVE/ Enkel Demi: Kryebashkiaku po festonte mandatin me kokainë

pk.jpg
in a12:22 | 22/01/2020

Një kryetar bashkie është filmuar duke marrë kokainë në një ambient publik. “Abc news” publikoi sot në mëngjes në emisionin “ABC e mëngjesit” foto të këtij momenti, të vëna në dispozicion nga gazetari investigativ, Artan Hoxha.

Video e siguruar nga  gazetari do të publikohet sot pasdite në televizionin “ABC News”.

Bëhet  fjalë për një kryebashkiak në detyrë, të zgjedhur në zgjedhjet e 30 qershorit. Ai ka qenë duke konsumuar kokainë në një lokal, ndërsa është regjistruar nga kamerat e sigurisë së lokalit.

/abcnews.al

 

 

Screenshot_2-11.png
R D11:25 | 22/01/2020

Një grup studentësh kanë bojkutuar mësimin dhe i janë rikthyer protestave, 1 vit e 1 muaj nga protesta madhështore e dhjetorit 2018. Ata shprehen se “pakti për universitetin” i miratuar nga qeveria nuk u zbatua. “Sot jemi sërish në pikën zero”, tha një prej studentëve protestues.

“Familja ime nuk ka mundësi të paguajë luksin e rektorëve. Unë s’kam lek tepër t’i paguaj qeverisë”, tha një tjetër student.

Dëgjohen thirrjet e shpeshta: “studentët e bashkuar kanë për të fituar!” “Nuk e duam Shipërinë si e Europa, e duam Shqipërinë si Kosova”.

Gazetari i Abc News, Maks Rama në një lidhje direkte tha se studentët theksojnë se pakti për universitetin është fantazmë sepse asgjë nuk është realizluar. Ata u mblodhën sot për të kërkuar kushte më të mira në konvikte. Ata thonë se nuk është përgjysmuar tarifa e studimit, siç ishte premtuar. Po kështu shprehen se karta e studentit nuk ofron shërbimet bazike, si transporti publik.

Në këtë protestë marrin pjesë studentë të Universitetit të Tiranës, kryesisht nga fakulteti i Histori-Filologjisë, fakultetit të Drejtësisë; fakultetit të Shkencave Sociale. /abcnews.al

vilsontafciu-1280x720.jpg
So Nila11:21 | 22/01/2020

Policia e Tiranës ka zbardhur ngjarjen e Astirit, ku mbeti i vrarë 28 vjeçari Vilson (Tafçiu) Noka, mbrëmjen e 20 janarit. “Nga provat e grumbulluara rezulton se si pasojë e një konflikti të çastit, shtetasi N. D., alias N. K., alias M.P., 29 vjeç, në orën 20:30 të mbrëmjes së datës 20 janar, në rrugën “Dhaskal Todri”, në Unazën e Re, ka qëlluar disa herë me armë zjarri duke  vrarë shtetasin V. T.”, deklaroi policia.

Sic shihet në njoftimin e policisë, vrasësi mbante tre identitete, por burime të abcnews.al thanë se emri i parë i autorit është Noel Dishi nga Dibra, banues në Sukth. Gjithashtu  mësohet se Dishi ka qenë i njohur me viktimën, ata kanë qenë bashkë në Francë dhe Zvicër. Ende nuk dihet motivi i vrasjes, por sa i përket viktimës, Vilson Noka (Tafciu) bëhet e ditur se ishte deportuar nga Franca pasi ishte kapur me drogë.

Njoftimi policisë:

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, po vijojnë intensivisht punën për zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të ngjarjeve të ndodhur në Allias dhe në Astir.

Si rezultat i punës profesionale, reagimit të menjëhershëm të strukturave të Policisë dhe  bërjes së një sërë veprimesh proaktive, grupi i posaçëm hetimor ka mundur të dokumentojë me prova ligjore ngjarjen e ndodhur në orët e mbrëmjes së datës 20 janar 2020 në Astir, ku mbeti i vrarë me armë zjarri 29-vjeçari V. T.

Bazuar në veprimet e kryera dhe  provat e grumbulluara rezulton se si pasojë e një konflikti të çastit, shtetasi N. D., alias N. K., alias M.P., 29 vjeç, në orën 20:30 të mbrëmjes së datës 20 janar, në rrugën “Dhaskal Todri”, në Unazën e Re, ka qëlluar disa herë me armë zjarri duke  vrarë shtetasin V. T.

Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim policor 29-vjeçarin dhe gjatë ditës së djeshme dhe mëngjesit të sotëm ka ushtruar një sërë kontrollesh në disa ambiente dhe terrrene, ku dyshohej se mund të fshihej 29-vjecari dhe vijon punën e pandërprerë për kapjen e tij.

Policia e Tiranës garanton qytetarët se është tërësisht e angazhuar për të parandaluar, evidentuar dhe goditur paligjshmërinë, si dhe fton qytetarët për të bashkëpunuar më tej, në drejtim të krijimit të një ambienti sa më të sigurt./abcnews.al

2aefe61a-6a0a-462f-a82b-927fe0934bb3.jpg
R D10:35 | 22/01/2020

Një kryetar bashkie merr drogë në publik! Videoja për të cilën flitej gjerësisht në rrethet mediatike dhe politike është publikuar sot në Abc News. Saktësisht janë publikuar disa sekuenca (foto) në emisionin e Enkel Demit, Abc-ja e Mëngjesit, ndërsa videoja e plotë pritet të publikohet nga Artan Hoxha gjatë ditës së sotme po në Abc News.

Drejtuesi i emisionit të mëngjesit, Enkel Demi teksa shfaqeshin këto imazhe në ekran tha se “Artan Hoxha disponon videon e plotë. Këto janë vetëm disa sekuenca. E kishim lënë që ta kishim Artan Hoxhën në emision por nuk përgjigjet në telefon. Në këto pamje shohim një zotëri që është duke thithur kokainë në një bar publik. Nuk është identifikuar publikisht por ne e dimë emrin dhe mbiemrin e tij. Gazetari Artan Hoxha ka patur një punë deri vonë, prandaj nuk është i disponueshëm, por gjatë ditës ai do të sqarojë dhe do të publikojë të plotë videon. Siç është thënë edhe në disa portale, kryebashkiaku po festonte marrjen e mandatit duke konsumuar kokainë.” /abcnews.al

izrael.jpg
in a10:11 | 22/01/2020

Në ditën e parë të vizitës së tij zyrtare në Izrael, Presidenti i Republikës, Ilir Meta u prit në një takim të veçantë nga Presidenti i Izraelit, Reuven Rivlin.

Presidenti Meta e falenderoi homologun izraelit për ftesën për të marrë pjesë në Forumin Ndërkombëtar të Liderëve për të përkujtuar Ditën e Kujtesës së Holokaustit dhe 75-vjetorin e Çlirimit të kampit të Aushvitz-Birkenau.

“Ndihem krenar që jam kreu i një shteti ku antisemitizmi jo vetëm nuk ka ekzistuar kurrë, por edhe i një vendi ku numri i hebrenjve jo vetëm u shumëfishua gjatë Luftës së Dytë Botërore, por asnjë prej tyre nuk iu dorëzua pushtuesve”, vuri në dukje Kreu i Shtetit shqiptar.

Ndërsa Presidenti Rivlin nënvizoi se “shembulli i popullit shqiptar për shpëtimin e hebrenjve përbën një model unik për të gjithë botën”.

Gjithashtu, Presidenti Meta vuri në dukje faktin se Shqipëria dhe Izraeli gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera dhe se të dy vendet e popujt tanë ndajnë të njëjtat vlera të lirisë dhe demokracisë.

“Ne do të jemi bashkë, edhe në përpjekjet për t’i mbrojtur këto vlera nga kërcënimet e përbashkëta si terrorizmi, ekstremizmi i dhunshëm dhe fondamentalizmi fetar”, – nënvizoi Kreu i Shtetit.

Presidenti Meta inkurajoi rritjen e investimeve izraelite në vendin tonë.

“Shqipëria ka shumë për të mësuar nga Izraeli rreth përdorimit të teknologjisë, për të nxitur zhvillimin ekonomik. Në të njëjtën kohë, edhe ne kemi shumë për t’iu ofruar investitorëve, si dhe turistëve izraelitë që duan të vizitojnë vijën tonë të mrekullueshme të bregdetit, malet tona të larta dhe vendet tona historike,” – theksoi Presidenti Meta.

Kreu i Shtetit e falënderoi homologun izraelit për mesazhet e solidaritetit pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar në Shqipëri, vlerësoi operacionet e kërkim-shpëtimit izraelite që erdhën menjëherë pas tërmetit, si edhe punën e grupeve të specializuara për vlerësimin e ndërtesave të dëmtuara. “Ne jemi thellësisht mirënjohës për mbështetjen mbresëlënëse të Izraelit gjatë atyre ditëve”, – u  shpreh Kreu i Shtetit.

Presidenti Meta e ftoi Presidentin Rivlin për një vizitë në Shqipëri, ftesë që u mirëprit me kënaqësi.

“Do të jetë kënaqësia ime”, shtoi ai – “të jem Presidenti i parë i Izraelit që viziton vendin tuaj aq mikpritës për ne”./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono