Instant

ramamaaa.jpg
Autor E16:01 | 10/12/2019

Kryeministri Rama paralajmëroi pak ditë më parë se këtë vit nuk do të ketë shpërblime për atë pjesë të administratës që kanë përfituar gjatë viteve të fundit.

Sëfundmi është publikuar në Fletoren Zyrtare vendimi në fjalë, i cili ndalon përdorimin e fondit të veçantë për shpërblime apo aktivitete social-kulturore të punonjësve.

Vendimi i Këshillit të Ministrave

VENDIM

Nr. 781, datë 6.12.2019 për një ndryshim në vendimin nr.929, datë 17.11.2010, të këshillit të ministrave, “për krijimin dhe përdorimin e fondit të veçantë”, të ndryshua. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4, të ligjit nr. 10405, datë 23.4.2011, “Për kompetencat për përcaktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, dhe të nenit 11, të ligjit nr. 99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1. Pika 9, e vendimit nr. 929, datë 17.11.2010, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, riformulohet, si më poshtë vijon: “9. Përjashtimisht për vitin 2019, fondi i veçantë i institucioneve qendrore, buxhetore dhe jobuxhetore, institucioneve të vetëqeverisjes vendore, njësive të fondeve speciale, institucioneve publike, të krijuara me ligj të posaçëm, ndërmarrjeve dhe shoqërive tregtare me kapital mbi 50% shtetëror, në varësi të institucioneve qendrore dhe të vetëqeverisjes vendore, nuk do të përdoret për veprimtari social-kulturore dhe shpërblimin e punonjësve.”.

2. Ngarkohen institucionet e përmendura në pikën 1 për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.

KRYEMINISTËR

Edi Rama

kamberi.jpg
Vladimir Prenga12:07 | 08/12/2019

Florian Kamberi po kalon një formë të mirë në Skoci me Hibernian. Ditën e djeshme ai ka qenë protagonist në fitoren 3-0 që skuadra e tij regjistroi në shtëpi kundër Aberdeen, teksa asistoi në golin e dytë të shënuar nga Boyle.

Jo vetëm kaq, pasi sulmuesi shënoi golin e tretë të takimit, që përkon edhe me të tretin në kampionat këtë sezon dhe ishte mjaft i bukur. Kamberi “vallëzoi” në zonën e kundërshtarit dhe më pas u tregua i saktë, duke e dërguar topin në rrjetë. /abcnews.al

freedie.jpg
Klejdi Kaimi11:57 | 08/12/2019

Manchester United arriti një fitore shumë të rëndësishme dje në derbi kundër Manchester Cityt, duke suprizuar në ‘Etihad Stadium’ të besuarit e Guardiolës. Në një derbi ku shijuam gola, spektakël, apo edhe kartonë, nuk kishte si të mos mungonin polemikat. Tifozët e Cityt nuk u treguan aspak ‘qytetarë’, duke u kthyer protagonist për keq gjatë pjesës së dytë të takimit.

Në minutën e 67-të, mesfushori i United, Fred, shkoi për të ekzekutuar një goditje këndi. Kur braziliani po bëhej gati, tifozët nuk e përmbajtën veten, duke e goditur lojtarin me shishe uji si dhe me disa çakmakë. Por, si të mos mjaftonte kjo një tifoz është kapur nga kamerat duke imituar majmunin, pra sjellje raciste ndaj Fred.

Ai provoi sërish ta godiste, por një objekt goditi shpinën e mesfushorit. Në këtë moment gjyqtari komunikon me kapitenin e Cityt, David Silvën, për të qetësuar tifozët. Policia angleze e ka marrë  çështjen dhe po kërkon autorët. Gjithashtu klubi i Manchester United konfirmoi incidentin dhe po bashkëpunon me policinë për të identifikuar tifozët. /abcnews.al

Pioli.png
Klejdi Kaimi10:54 | 08/12/2019

Në prag të ndeshjes në transfertë kundër Bolognas, trajneri Pioli ka folur për mediat në Milanello. Trajneri i Milanit ka treguar për ‘Milannews.it’, situatën ku ndodhet ‘Djalli’ për momentin si dhe nëse në janar do ta shikojmë Ibrahimovic me fanellën kuqezi.

‘’Ibrahimovic? Babagjyshi i Vitit të Ri vjen në 25 dhjetor. Ju keni folur për këtë temë që në tetor. Nëse unë dëshiroj një dhuratë sot, janë vetëm tre pikët me Bolognan. Për momentin jemi të përqendruar te sfida e sotme,’’ deklaron Stefano Pioli.

Sipas mediave në Itali, kuqezinjtë kërkojnë vetëm gjigantin suedez dhe nuk kanë asnjë plan B për merkaton e janarit. Milanezët vijnë pas një fitore shumë të rëndësishme me Parmën dhe do të përpiqen të vazhdojnë serinë positive dhe ndaj Bolognas. /abcnews.al

tevez.jpg
Klejdi Kaimi10:36 | 08/12/2019

Wayne Rooney dhe Carlos Tevez formuan një dyshe të fortë tek Manchester United. Nën drejtimin e Alex Ferguson ata fituan gjithçka në 2008. ‘Apashi’ formoi një miqësi të ngushtë me anglezin kur e kuptoi që historitë e jetëve të tyre ishin shumë të ngjashme. Në një intervistë për ‘ESPN’, sulmuesi i Boca Juniors kujton momente nga koha e tij tek United.

”E vura re që në fillim se do shkonim mirë me Rooney. Ai luftonte për çdo top si të ishte i fundit, tamam si unë. Më pas mora vesh që kishte kaluar të njëjtën fëmijëri me probleme, pak a shumë ajo që ma ka ndodhur dhe mua. Më ngjante si një person i njohur,” kujton argjentinasi.

”Mbaj mend në seancat stërvitore ai vinte me Ferrari ose Lamborghini. Madje mund të them se edhe lojtari më i dobët u shfaqte me Ferrari. Unë shkoja me Audin që ma kishte dhuruar klubi dhe të gjithë talleshin me mua si kur Audi të ishte Fiat 600. Unë pyeta Wayne dhe ai mu përgjigj: ”Merre Lamborghinin tim”. Ma dhuroi me të vërtetë, nuk dija si të reagoja,” deklaron me nostalgji Tevez. /abcnews.al

sadiku-1.jpg
Vladimir Prenga10:21 | 08/12/2019

Armando Sadiku ishte heroi i Malagës, pasi shënoi dy golat që i dhanë fitoren kundër Tenerife. Sulmuesi ka dhënë një intervistë të gjatë për “eldesmarque.com” dhe rrëfen transferimin e tij në verë, jetën që bën në Malaga, raportin me Keidi Baren dhe trajnerin Victor Sanchez. Sadiku nuk lë mënjanë tifozët, të cilët e duartrokitën kur u zëvendësua me Tenerifen, ndërkohë që flet edhe për të ardhmen dhe dëshirën e tij për të qëndruar dhe shënuar sa më shumë gola me fanellën e Malaga.

JETA NË MALAGA DHE TRANSFERIMI – “Ndihem shumë mirë këtu, si në shtëpi, dhe kjo falë njerëzve në klub, tifozëve dhe njerëzve të tjerë jashtë. Jam i lumtur te Malaga. Jetoj këtu me familjen time dhe jemi të lumtur me jetën që bëjmë. Lumturia e familjes time është shumë e rëndësishme për mua. Jam i lumtur që e mora vendimin për të ardhur këtu. Ishte një vendim i marrë shumë shpejt, pasi ishin ditët e fundit të merkatos. Fola me Keidin dhe më tha që ekipi ishte i mirë, ashtu sikurse edhe qyteti.

Që në ditën e parë më tha se duhet të shënoja shumë gola. Fjalët e tij ishin shumë të mira dhe vendosa të vij këtu. Kam një raport shumë të mirë me Keidin dhe me familjen e tij. Jemi gjithmonë bashkë, kalojmë kohën së bashku të dyja familjet. Ai është shoku im i parë këtu në Malaga, më ka ndihmuar shumë. Jeta këtu? Jam djalë i qetë dhe nuk bëj shumë gjëra. Mbaroj stërvitjen dhe shkoj në shtëpi për të ngrënë. Më pas fle gjumë. Kohën e lirë dal me gruan në qytet. Më pëlqen të shikoj filma, të pushoj dhe të bëj shopping”, tregon sulmuesi i kombëtares.

ELOZHET E TIFOZËT – “Është me të vërtetë një ndjenjë e jashtëzakonshme. Kur luaj në Rosaleda ndjej diçka që më ndodh vetëm në ndeshjet e kombëtares sime. Atje njerëzit e duan futbollin, kur luan Shqipëria, stadiumi është gjithmonë plot. Kur luaj në Malaga ndihem si në shtëpinë time. Ndihem në mënyrë të mrekullueshme kur zbres në fushë. Emocionohem dhe dua të jap më shumë se 100% nga vetja. Ishte diçka e veçantë kur tifozët më duartrokitën”, rrëfen autori i 6 golave me Malagën këtë sezon.

RAPORTI ME TRAJNERIN DHE PRESIONI – “Të jem sulmuesi i vetëm në skuadër më motivon. Kur luaj dua të jem shembull për shokët e skuadrës. Dua gjithmonë të jap më shumë. Jam dëmtuar për dy javë dhe kam vuajtur shumë. Doja të luaja, edhe pse i dëmtuar. Jam i privilegjuar sa herë zbres në fushë dhe luaj. E kam thënë gjithmonë, trajneri më ka dhënë besim. Për një sulmues është diçka e rëndësishme. Kur e ke besimin e trajnerit, e di që kur të dështosh ndonjëherë nuk do të ndodhë asgjë.

Kjo të jep mundësinë që herën tjetër të bësh më mirë. Trajneri është një person shumë pozitiv, kurrë nuk kam parë një trajner kaq pozitiv. Kjo më bën të ndihem i emocionuar dhe më detyron të jap edhe më shumë për ekipin dhe klubin. Marrëdhënia ime me Victor është krijuar vetëm falë besimit që më ka dhënë. Shpresojmë të qëndrojmë gjatë së bashku dhe të bëjmë gjëra të rëndësishme për Malagan”, shprehet sulmuesi.

E ARDHMJA – “Dua të qëndroj këtu dhe të shënoj sa më shumë gola. Shpresoj që në fund të sezonit të bëjmë diçka të mirë për tifozët e Malaga dhe për klubin. Ata e meritojnë më shumë nga ne tani. Duhet të punoj dhe të shënoj sa më shumë gola. Gjithçka mund të ndodhë deri në verë, por ka shumë kohë deri në mbyllje të sezonit. Thjesht dua të paraqitem sa më mirë këtu, të luaj dhe të ndihmoj ekipin. Të shohim përpara”, përfundon Sadiku. /abcnews.al

mesi-moreno.jpg
Klejdi Kaimi09:58 | 08/12/2019

Barcelona vazhdoi serinë e fitoreve në La Liga, ku mposhti dje në mbrëmje 5-2 Mallorca në ‘Camp Nou’. Kapiteni i blaugranave, Lionel Messi, para fillimit të takimit prezantoi para tifozëve ‘Ballon d’Or’ e tij të gjashtë. Ndeshja për argjenitasin nuk kaloi shumë e qet,ë sepse u përfshi në një debat me trajnerin mik.

Kur miqtë shkurtuan diferencën në 2-1, Messi ndodhej afër pankinës së Mallorcës dhe ai i kërkonte gjyqtarëve ndëshkimin me karton të verdhë për një faull. Këtu ndërhyri trajneri i Mallorca, Vicente Moreno, i cili shkëmbeu disa fjalë me Messin.

Në përfundim të ndeshjes, Moreno sqaroi situatën për mediat. ‘’Janë disa lojtarë që jetojnë në flluska dhe nuk kemi çfarë të bëjmë. Ai është një lojtar ndryshe nga të tjerët, por si njeri ai duhet të trajtohet si gjithë të tjerët. Gjyqtari i tha atij se nuk ishte faull, por Messi nuk ishte i bindur. Thjesht nuk kishte vend për diskutime,’’ tregon trajneri i Mallorca. /abcnews.al

Momenti kur Messi dhe Vicente Moreno kapen mes tyre
Mbappe-2.png
Klejdi Kaimi09:21 | 08/12/2019

Gjigantët e PSG-së arritën të fitojnë 1-3 me përmbysje dje në transfertën kundër Montpellierit në ‘Stade de la Mosson’. Kylian Mbappe u zëvendësua në minutën e 90-të, për t’ia lënë vendin Eric Maxim Choupo-Moting, pasi shënoi golin e avantazhit për ekipin e tij duke e çuar rezultatin në 1-2.

Ishte një vendim i çuditshëm nga ana e trajnerit, Tomas Tuchel, dhe siç duket dhe në video francezi nuk është aspak dakord. Ylli i PSG-së as nuk e shikon në sy trajnerin, edhe pse ky i fundit përpiqet që Mbappe ta kuptojë.

Ndeshja ishte shumë fizike dhe në fundin e takimit 20-vjeçari u përfshi në disa duele fizike, ku kujtojmë se ai nuk ka shumë që është rikuperuar nga dëmtimi. Ndoshta trajneri Tuchel ka dashur që ta mbrojë francezin, por ata që kanë mbetur të kënaqur nga ky episod janë në Madrid. Reali Madrid ka kohë që e monitoron Kylian dhe në merkaton e verës pritet të vijë dhe oferta nga klubi mbretëror. /abcnews.al

Krasniqi-Skenderbeu.jpg
Vladimir Prenga08:41 | 08/12/2019

Superiorja vijon marshimin. Sot luhen dy përballjet e tjera të javës së 14-te dhe gjithçka nis nga Laçi, prej orës 13:30, aty ku skuadra vendase pret Flamurtarin e vendit të fundit. Stadiumi do të jetë i hapur për tifozët dhe për trajnerin Armando Cungu i gatshëm është edhe mbrojtësi Abdurrahman Fangaj, i cili mungoi për shkak kartonësh me Partizanin.

Formacioni i kurbinasve pritet të jetë ai i zakonshmi, ndërkohë që në krahun tjetër Flamurtari nuk ka një titullar të rëndësishëm si Xhevahir Sukaj. Favoritë absolutë në këtë takim janë kurbinasit, që kërkojnë kthesën pas humbjes së pësuar një javë më parë me Partizanin.

Takimi i fundit i javës luhet në Durrës, aty ku klubi i Teutës u ka bërë thirrje tifozëve të jenë të pranishëm sa më të shumtë për të mbështetur skuadrën dhe për t’u solidarizuar me të prekurit nga tërmeti. Në qytetin bregdetar janë të shumtë ata që kanë pasur pasoja dhe të ardhurat nga biletat do të shkojnë si donacion për ta.

Për të kaluar te fusha, trajneri Bledi Shkëmbi nuk ka në dispozicion Sherif Kallakun, i pezulluar me kartonë të verdhë. Për arsye dëmtimi nuk mund të luajë as Khalid, ndërkohë që është rikthyer Rustem Hoxha. Teuta do të jetë më e plotë dhe duhet të rigjejë fitoren, ndaj një ekipi si Skënderbeu, që po merr rezultate pozitive këto javë. Kjo ndeshje do të luhet prej orës 16:30.

KATEGORIA E PARË – Sot luhen edhe dy ndeshje të Kategorisë së Parë. Në grupin B ishin veçuar dy takime. Në orën 13:00 Iliria e Fushë-Krujës prej Turbinën në stadiumin “Redi Maloku”, kurse 30 minuta më pas zbresin në fushë edhe Besa e Oriku, që përballen mes tyre në Kavajë. /abcnews.al

Ahmataj.png
Vladimir Prenga08:13 | 08/12/2019

“Çfarë të them?”, ishin fjalët e Refik Halilit, presidentit të Tiranës, teksa dilte nga stadiumi “Selman Stërmasi” një ditë më parë. Bardheblutë ishin mundur nga Kukësi, edhe pse kishin shënuar të parët me Edon Hasanin. Një goditje para derbit në çdo aspekt.

Skuadra është e rënduar psikologjikisht, disa lojtarë janë të dëmtuar, ndërkohë që Elton Cale nuk mund të luajë në derbi për shkak se ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë. Veç gjithë këtyre, në mendjen e drejtuesve bardheblu ka një pikëpyetje të madhe.

Janë të zhgënjyer nga trajneri Julian Ahmataj dhe dilemat për të ndërprerë ose jo bashkëpunimin janë prezente. Ndeshja me Kukësin mund të ketë qenë ajo që mbushi kupën. Gjithsesi duhet pritur se çfarë do të ndodhë, pasi te Tirana nuk kanë dashur të veprojnë në gjaknxehtësi e sipër.

Presidenti Halili duhet ta ndaje mendjen dhe sigurisht nuk i pëlqen aspak që ndodhet në të njëjtën situatë në një periudhë kaq të shkurtër. E provoi edhe me Ardian Memën, të cilin e riktheu dhe më pas shtrëngoi duart me të. Një takim me Ahmatajn do i sqarojë të gjitha gjërat.

SITUATA NË GJIROKASTËR – “Unë nuk e lë skuadrën në mes të katër rrugëve, siç bënë dy paraardhësit e mi”, ka deklaruar Giorgos Marantas, në konferencën e djeshme për shtyp sipas “Panorama Sport”. Trajneri grek është i vendosur të qëndrojë, madje dje u shpreh i bindur se Luftëtari do të qëndrojë në Superiore.

Shifrat janë kundër tij, pasi gjirokastritët kur kanë kaluar 14 javë kampionat numërojnë vetëm 8 pikë. Vendi i tetë ka 11 pikë më shumë, ndërkohë që deri në mbyllje të fazës së dytë kjo diferencë mund të rritet edhe më shumë.

Përforcimet në janar shikohen si rruga e shpëtimit, por këtë e besojnë vetëm më fanatikët e apasionuar pas Luftëtarit dhe Marantas. Momentalisht ai nuk ka ndërmend të tërhiqet, edhe pse i është kërkuar të dorëhiqet. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono