Politika në ABC

edi-ramaaa-1280x716.jpg
nev ila16:40 | 18/05/2019

As Rama e as Basha nuk dhanë të paktën publikisht, shenja tërheqje për një krizë politike që vijon prej tre muajsh. Në terren secili kujton përgjegjësitë e tjetrit për këtë situatë, por asnjëherë të vetat. Politika në ABC News na sjell dinamikën e qëndrimeve e mosveprimeve. Ndjekim Mimoza Koçiun.

Dy protesta kombëtare të opozitës brenda tre ditësh në Tiranë, të pasuara nga një garë komunikimi me opinonin mes Ramës e Bashës, përmes të njëjtit format me gazetarë, ishin zhvillimet kryesore politike që nuk arritën të afronin palët, pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare kundër dhunës e për dialog dhe momentit ku ndodhet vendi, rekomandimi për hapjen e negociatave.

Po cfarë po ndodh me krizën politike në Shqipëri?

Të shtunën e 11 majit, gjatë protestës së katërt kombëtare e opozitës, bashkë me kapsollat e shashkat, u hodhën edhe bomba molotov para derës kryesore të KM.

Basha e drejtoi protestën nga parlamenti (efekt) ku u hodhën të tjera kapsolla e mjete piroteknike, ndërsa policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës nga policia. Sipas policisë 16 uniforma blu u lënduan e disa protestues. Tension solli mënyra e ndalimit të njërit prej tyre, sekretarit organizativ të PD Sahit Dollapi, në transmetim të dpd tv, edhe pasi u identifikua para policisë. Akti që ngjante një mesazh direkt për Lulzim Bashën, solli reagimin këtij të fundit, që e zhvendosi protestën para policisë së Tiranës, ku sërish pati tension mes protestuesve e policisë, deri sa u mësua se Dollapi ishte dërguar për mjekim në spital për shkak të goditjeve. Shumë telefonata direkte e me ndërmjetësim mes palëve, dhe afër mesnatës, policia u tërhoq nga spitali ku mbahej Dollapi, duke e lënë të lirë.

Katër herë reagoi presidenti i republikës gjatë protestës, duke bërë thirrje kundër dhunës e për vetëpërmbajtje. Në të njëjtën linjë edhe ambasada amerikane. Më ashpër OSBE deklaronte se organizatorët e protestës duhet të mbajnë përgjegjësi politike për dhunën kriminale të ushtruar nga disa prej ndjekësit e tyre. 30 minuta më vonë një mesazh indirekt edhe për policinë, se reagimi i rëndë ndaj dhunës nuk ndihmon. Delegacioni i BE reagoi të nesërmen duke e dënuar dhunën si të patolerueshme, e kërkuar vetëpërmbajtje e dialog.

Opozita kishte caktuar tashmë protestën e radhës, dy ditë pas të parës, e në mbështetje të 50 protestuesve të 11 Majit, që mbaheshin të arrestuar në policinë e Tiranës, Basha kishte një mesazh për Ramën

Në një dalje të posaçme, Ministri i Brendshëm pranoi problemin në mënyrën e shoqërimit të sekretarit organizativ të PD, por paralajmëroi edhe ndëshkim për dhunuesit e policisë

I njëjti mëngjes të diele e kishte çuar herët në zyrë KM, për disa takime për atë që e sheh si cënim të rendit kushtetues. Mes funksionarëve të thirrur, edhe prokurorja e përgjithshme e përkohshme e shefi i SHISH. Më pas atë të dielë, si Rama e Basha iu drejtuan publikut, përmes të njëjtit format, bashkëbisedim me gazetarët. Tek Km spikati vëmendja e mbështetja për policinë që përballej me protestat ndaj tij, duke mirëkuptuar mënyrën se si u ndalua sekretari organizativ i PD.

Interesante ishte ftesa për kundërshtarin politik. Mes pasojave që do kishte vendi nga një përplasje civile , zgjodhi t’i kujtojë Bashës se llogaritë do i bëjë me demokratët.

Pak orë para protestës së dytë kombëtare, brenda 3 ditësh, në 13 maj, 5 ambasada në Tiranë reaguan njëlloj e njëra pas tjetrës. Dënuan dhunën, përfshi mbishkrimin “Turp të kesh Borchard” tek banesa e ambasadorit të OSBE në Tiranë. Ambasada amerikane dhe ambasada gjermane u bënin thirrje nominale Bashës e Kryemadhit, që të dënonin publikisht veprimet e dhunshme të mbështetësve të tyre, ndërsa u kujtonin autoriteteve ligjzbatuese përgjegjësinë për vetëpërmbajtje, edhe kur u përgjigjen provokimeve. Nxitja e të gjitha palëve për t’u përfshirë në dialog konstruktiv për t’i dhënë fund ngërçit politik ishte qëndrimi i përbashkët.

A ndikuan vallë ato qëndrime tek protesta e 13 majit? Basha kreu një marshim protestë mbi tre orësh, me një pjesëmarrje mbresuese pavarësisht shiut, me 5 ndalesa Km, Policia e shtetit, parlamenti, ministria e brendshme dhe policia e Tiranës, sipas tij institucionet e kapura nga KM. Thyerje xhamash, kapsolla e lëndë piroteknike. E vetmja bombë Molotov u hodh tek drejtoria e policisë. Nuk pati përdorim të gazit nga policia e as konfrontime të drejtpërdrejta mes policisë e protestuesve. Basha e drejtoi tek Rama vëmendjen ndërkombëtarëve që kishin dënuar dhunën e protestuesve të opzitës.

Ndërsa diplomatët në Tiranë bënin thirrje për dialog, Nga Gjermania erdhi një akt konkret. Dy deputetë të koalicionit qeverisës, nënkryetari i grupit parlamentar të CDU Johan David Vadepul, dhe Kristian Shmid i CSU, raportues për Shqipërinë në komisionin e jashtëm të Bundestagut thanë se dhuna nuk mund të tolerohet aspak si mjet politik, por ata ishin të gatshëm të ndërmjetësonin një dialog pa kushte.

Të nesërmen e protestës së dytë, Rama u ul sërish me gazetarët. Pas tij, njëlloj edhe Basha. Me propozimin e deputetëve gjermanë, pritshmëritë ishin që Kryeministri të jepte një zgjidhje, por përgjigja u duk e koduar.

Basha u shfaq i interesuar për ndërmjetësim ndërkombëtar, por me kushtin e njohur, edhe pse pranon se nuk e shmang dot Ramën në dialog si kryetar të PS.

Vendoret e 30 qershorit duken ngërçi imediat ku asnjëra palë nuk lëshon. Gjithçka ndodh teksa vendi pret më 25 maj opinionin e KE për hapjen e negociatave me BE, e në një moment të dytë, që do varet edhe nga rezultatet e zgjedhjeve për PE, pritet vendimi i Këshillit Evropian. Njëlloj si një vit më pare, në radhë janë Shqipëria e Maqedoninë e Veriut. Çka spikat në deklaratat e këtyre ditëve është veçimi i Maqedonisë në përmbushjen e detyrave.

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Georgios Katrugalos i ka bërë thirrje BE-së që të çojë përpara procesin e hapjes së negociatave të anëtarësimit për vendet e Ballkanit. Në një intervistë për gazetën “Politiko”, Katrugalos është shprehur se shanset duhet t’i jepen edhe Shqipërisë e jo vetëm Maqedonisë së Veriut, vend që sipas tij i ka përmbushur të gjitha detyrimet.

Nëse Shqipëria është gati, atëherë edhe ajo duhet të jetë në bord, por për Maqedoninë e Veriut nuk ka më asnjë dyshim”, ka deklaruar Katrugalos.

Qartazi pro Shqipërisë duket ministri gjerman për integrimin, socialdemokrati Majkell Roth, që i tërheq vëmendjen opozitës për bojkotin e dhunën në protesta, e thotë për DeutcheWelle se vendit tonë i duhen hapur negociatat.

“Unë madje shkoj aq larg sa të them se ndoshta nuk ka vend që të ketë përmbushur kaq shumë detyra para çeljes së negociatave të anëtarësimit. Sigurisht ka akoma shumë për të bërë, por jam optimist, se mbi bazën e kritereve të qarta që janë përmbushur, mund të bëhet një diskutim pozitiv për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë”.

Po për Dwelle euro-komisioneri Hahn thotë se negociatat e zgjerimit janë një proces që bazohen në meritat dhe arritjet e secilit vend. Do të ishte e padrejtë, thotë ai, nëse një vend do të priste, sepse një vend tjetër nuk arrin rezultate. Por për Hahn shqetësim është imazhi që përcjell Shqipëria me situatën politike e protestat.

“Natyrisht. Imazhi që lë një vend ka ndikim shumë të madh te vendimmarrësit në Bashkimin Evropian. Këta janë përfaqësuesit e popullit dhe qytetari i thjeshtë që shikon pamjet e transmetuara në televizion e ka të vështirë ta kuptojë kur dëgjon se ky vend na qenka gati për të filluar bisedimet e anëtarësimit në BE. Pra, edhe një herë apeli im për përgjegjësit është që të jenë të vetëdijshëm për këtë situatë dhe se dihet që një pamje flet më shumë se njëmijë fjalë”.

Në Tiranë, palëve u erdhi një mesazh nxitës nga ambasadori i Austrisë.

Qytetarët kanë gjithmonë të drejtë për të protestuar, dhuna është diçka që ne e dënojmë absolutisht. Ka ardhur koha që partitë ti zgjasin dorën njëra tjetrës, pas pesë protestave tani është koha për dialog politik”.

Por asnjëra palë nuk duket në këtë drejtim. Opozita po përgatit protestën e 6 kombëtare, pasditen e 25 majit, por tani Basha artikulon qartë kërkesën për shtyrje të zgjedhjeve të 30 qershorit.

Nga ana tjetër Edi Rama vazhdon ta refuzojë e prezantoi kandidatët e vet për 61 bashki, ndërsa këshillat bashkiakë do i ndajë me disa aleatë të vegjël. Sipas kërkesave të paraqitura në KQZ, përballë do ketë 25 kandidatë të Bindjes Demokratike të Astrit Patozit, tre nga të cilët janë të pavarur, por që mbështeten nga partia e tij, 2 kandidatë të Zgjidhjes së Koço Kokëdhimës, e 1 të AKZ të Kreshnik Spahiut. E pamundur që këto parti të vogla të mbulojnë territorin me kandidatë e për pasojë në 33 nga 61 bashki, socialistët do jenë alternative e vetme në fletën e votimit.

Në këtë panoramë, befasoi lëvizja e opozitës që nuk është regjistruar në zgjedhje. PD e LSI kanë vendosur të paraqesin anëtarët e tyre nëpër KZAZ. Kodi zgjedhor në nenin 29 të tij ua njeh formalisht këtë të drejtë, deri në 30 ditë para datës së zgjedhjeve, duke zëvendësuar kështu anëtarët e përzgjedhur nga KQZ po sipas ligjit, pas mosparaqitjes së anëtarëve të PD LSI në thirrjen e parë. (Kodi, neni 29, pika 5.2) PD e argumenton këtë akt të pazakontë me pretendimet se po përgatitet manipulimi i zgjedhjeve.

Vetë Km e sheh lëvizjen si paqartësi e opozitës.

Ish nënkryetari i PD, Astrit Patozi, sot në krye të partisë më të re BD, e sheh si lëvizje kundër partisë së tij, por lëvizja e PD LSI duket përtej shqetësimit të Patozit. Me paralajmërimet se nuk do lejojë zgjedhje në 30 qershor, një lëvizje taktike e tërheqjes ditën e votimit të komisionerëve të saj, praktikisht gjysma e trupës menaxhuese të zgjedhjeve, siç kanë bërë socialistët 26 majin e 96, do vinte në vështirësi procesin zgjedhor. Arsyeja e kësaj lëvizje mbetet ende për t’u parë, por cka bie në sy është këmbëngulja e KM për të mos bërë asnjë hap për zgjidhjen e këtij ngërçi politik.

Po çfarë do ndodhë me 30 qershor sipas Kryeministrit?

Ç’ka gjithaq spikat është mungesa e një lëvizje nga presidenti për të ulur palët. E thënë nga KM, nuk u mohua nga kreu i shtetit, që foli për përgjegjësi të secilit.

A ka një përpjekje të errët, për t’u çuar gjërat deri në ekstrem, duke luajtur në fund lojën e përgjegjësive?

Mbresuese mbetet llogaria që bën Kryeministri. E sheh si një betejë politike, nga e cila kosto do ketë vetëm Lulzim Basha brenda partisë së tij.

Duhet pranuar se historia i ngjan një déjà vu-je të dy viteve më parë: e njëjta gjuhë e të njëjtat qëndrime ekstreme, që u finalizuan me një marrëveshje kokë më kokë mes Ramës e Bashës gjatë natës së 17 Majit, e cila nuk u qartësua kurrë plotësisht.

E kanë treguar se zgjidhjen e kanë gjetur në vetëm katër orë kokë më kokë dy vite më parë. Për momentin, mes paralajmërimeve për konflikt civil e refuzimit për kompromis, palët paralajmërojnë të luajnë ruletën ruse, me fishek të fundit, 30 qershorin./ABC News Albania 24/7

POLITIKA-NE-ABC-NEWS-RAMA-BASHA-E-KOSOVA-1280x720.jpg
ent ela14:00 | 11/05/2019

Ende asnjë ndryshim në tensionin politik në Tiranë e megjithatë në mjedisin politik e mediatik pati hapësirë edhe për dialogun Kosovë Serbi. Politika në ABC News na sjell këtë javë këtë dimension interesant të javës politike që lamë pas. Detajet i sjell Mimoza Koçiu.

Një provë force po luhet nga aktorët politikë në vend, teksa të hënën e 13 majit skadon afati i fundit për regjistrim në zgjedhjet vendore të 30 qershorit, ai për kandidatët për kryetarë të bashkive e këshillat bashkiakë në 61 bashkitë e vendit. Në mungesë të një presioni për dialog, Km shfaqet komod me zgjedhjen e opozitës për të mos marrë pjesë në zgjedhje, ndërsa Basha vijoi turin e takimeve nëpër qytete, në përpjekje për të zgjeruar frymën e protestave ndaj Kryeministrit. E megjithatë në këtë panoramë shqetësuese, pati vend për veprime e deklarata për dialogun Kosovë-Serbi. Po çfarë ndodhi javën politike që lamë pas?

PD refuzoi zyrtarisht ftesën për të qenë pjesë e komisionit të posaçëm parlamentar të reformës zgjedhore, në pozicionin ekstraparlamentar të vëzhguesit vendimmarrës. Vendin e Oerd Bylykbashit e ka zënë Rudina Hajdari, e cila ka në krah si bashkëkryetar socialistin Damian Gjiknuri. Komisioni ka marrë mandat të ri, deri në 28 nëntor, dy javë pasi kishte marrë një afat mujor deri në 5 Maj. Tashmë ka në axhendë çështje të zgjedhjeve parlamentare, si ndryshimi i sistemit zgjedhor, një kërkesë e opozitës së re parlamentare, që nuk ka përfaqësim politik jashtë Kuvendit.

Socialistët në qeveri e kanë gati planin e punës, përmes akteve që do vijnë nga këshilli i ministrave.

Për të bekuar këtë proces, të pranishëm edhe ambasadorët kryesorë në vend, i pari ai që mbikëqyr zgjedhjet.

Spikati kujdesi i përfaqësueses më të lartë amerikane në Shqipëri për të qëndruar vetëm në pozitën e vëzhgueses.

Edhe vëmendja e Lulzim Bashës ishte tek ai Komision, që e kishte refuzuar zyrtarisht.

Nga ana tjetër KQZ vazhdon të mandatojë deputetë nga listat e PD-LSI, të cilët më pas betohen në kuvend. 3 mandate opozitare u dhanë një ditë para seancës plenare, por në momentin e betimit, njëri prej tyre bëri aktin befasues.

Po të mërkurën e seancës plenare, opozita e re në kuvend mori edhe postet e paraardhësve. (tabela) Kështu vendin e Edi Palokës si zvkryetar kuvendi e zuri Myslim Murrizi. Në vend të Genc Pollos në krye të Komisionit të Integrimit do jetë Rudina Hajdari. Fatjona Dhimitri zëvendëson Albana Vokshin në krye të komisionit të mediave. Enver Rroshi, Petrit Vasilin në krye të komisionit të shëndetësisë, Alban Zeneli zëvendëson Flamur Nokën si zv.kryetar tek siguria, sic e zëvendësoi edhe në Kukës, Halil Jakini zëvendëson Florion Mimën, si zvkryetar i komisionit të veprimtarive prodhuese, Korab Lita zëvendëson Enkelejd Alibeajn si nr. dy i komisionit të ligjeve dhe Ralf Gjoni zëvendëson Klajda Gjoshën si zvkryetar në komisionin e jashtëm.

Pa një emër mbeti posti i nr. 2 të komisionit të ekonomisë e financave që mbahej nga Jorida Tabaku. Situata ekonomike në vend është me sfida sipas FMN, që javën politike që lamë pas, parashikoi një ngadalësim të rritjes ekonomike në 2019, e identifikoi si rrezik borxhin publik.

Ish-nënkryetarja demokrate e komisionit të ekonomisë e theksoi këtë.

Edhe ekonomia do jetë pjesë e provimit të rëndësishëm që Shqipëria ka sërish këtë vit me BE. Raportet e progresit për vendet aspirante do publikohen nga Komisioni Europian pas zgjedhjeve për PE, më 29 Maj. Për të dytin vit radhazi Shqipëria e Maqedonia e Veriut presin hapjen e negociatave të anëtarësimit. Një vit më parë, nuk e pranuan rekomandimin e KE për hapjen e negociatave, por shtuan detyra për Maqedoninë e Shqipërinë. Kryeministri e ka të qartë si bëhet vendimmarrja, e apelin ua bën ambasadorëve të vendeve të BE në Tiranë, duke u sjellë si argument një pohim të fortë politik, se çfarë përfaqëson integrimi për klasën politike shqiptare.

Njëlloj si një vit më parë në të njëjtën periudhë, një delegacion deputetësh nga Holanda erdhën për t’u njohur me ecurinë e reformave në Shqipëri, të kërkuara për hapjen e negociatave. Vendi themelues i BE njihet si skeptik për reformat e Shqipërisë. Vetë deputetët refuzuan të preknin në Tiranë votimin e para pak javëve në parlamentin e tyre, për heqjen e vizave për Shqipërinë, por dhanë përgjigjen standard.

Por mes tensionit politik, i rritur edhe pas deklaratave për zgjedhje pa opozitën, spikati një zë ndërkombëtar, ambasadori i Britanisë në Shqipëri.

Por ky nuk duket problemi i Kryeministrit, që ka gjetur konsensus për hapjen e negociatave.

Si kurrë ndonjëherë, një numër 2 i KE, bëri për një vend aspirant, vlerësime konkrete, pa dalë raporti i institucionit të saj. Në krah të Kryeministrit Rama në Tiranë, Federica Mogherini shpalli vendimin e Komisionit e bashkë me Kryeministrin, kërkuan nga KE njohjen e arritjeve të Shqipërisë.

Interesant është se zv/kryetarja e KE vlerësimet pozitive për Shqipërinë i ndau me Kryeministrin e Presidentin më pas, ndërsa me opozitën komunikoi përmes foltores së qeverisë.

Tani që Mogherini është në fund të mandatit, Lulzim Basha i artikulon rezervat ndaj saj.

Arsyeja e deklaruar për shmangien e një takimi me shefin e opozitës, kur vendi pret raportin e KE, ishte se shefja e diplomacisë së BE kishte ardhur në Tiranë për samitin e Brdo Brijunit, ku siç njoftoi një javë më herët zëdhënësja e saj, pas Samitit të Berlinit, do fliste me Thaçin e Vuçiç për rifillimin e dialogut KS- Serbi. Por asnjë takim i tillë nuk u publikua. Mogherini qëndroi vetëm pjesën plenare të Samitit në Tiranë.

Në Sibiu të Rumanisë, vendit që ka kryesinë e radhës së BE, u mbajt samit informal i udhëheqësve të Unionit. Të gjithë përgatiten për zgjedhjet e dy javëve më vonë të PE, e për ndryshimin e konfigurimit politik në çdo institucion të BE. Synimi është angazhimi për të mbrojtur një Europë të bashkuar, përballë rritjes së fuqisë së udhëheqësve populistë në vendet e tyre. Merkel dhe Makron kishin kontaktuar një javë më herët me liderët e vendeve të BP, për pasojë për herë të parë vëmendja ishte e ulët për Samitin e Brdo Brijunit që mblidhej në Tiranë. Iniciativa e vitit 2010 e Kryeministrit të kohës të Sllovenisë e Kroacisë, për të forcuar bashkëpunimin si politik ashtu edhe ekonomik mes vendeve të Ballkanit Perëndimor ishte shoqëruar çdo vit me të ftuar të nivelit krejt të lartë.

Kështu, mysafir i Samitit të parë që u mbajt në Kranjë të Sllovenisë në korrik 2013 ishte presidenti francez i kohës, Francois Hollande.

Kancelarja Merkel ishte e pranishme në Samitin e dytë, në korrik të 2014 në Dubrovnik.

Në takimin e tretë të Brdo Brijunit, në Budva të Malit të Zi në 2015, mori pjesë presidenti i Austrisë Heinz Fischer.

Takimi i katërt ishte i jashtëzakonshëm, me fokus emergjencën e krizës së refugjatëve. Në Zagreb në nëntor 2015 me të pranishëm Presidentin e KE Donald Tusk, zv presidentin amerikan Joe Biden e presidentin austriak Heinz fisher.

Presidenti Italian Sergio Mattarella ishte i ftuari i samitit të 5 në maj 2016 në Sarajevë.

Në 2017, në Samitin e gjashtë, në BRDO të Sllovenisë, i pranishëm ishte presidenti gjerman Frank Ëalter Steinmeier.

Në takimin e 7 që u mbajt në Shkup prillin e 2018 mori pjesë presidenti i KE Donald Tusk.

Në takimin e 8 në Tiranë, i ftuar ishte presidenti i Polonisë dhe shefja e diplomacisë së BE që nuk qëndroi deri në fund. Nuk u pa një lëvizje drejt dialogut Kosovë-Serbi, por një ditë para ardhjes në Tiranë, Presidenti serb fliste për refuzim të idesë së rishikimit të kufijve me Kosovën e u thoshte vendeve të BE, se ai nuk do e njihte kurrë Kosovën.

A i referohej vallë Vuçiç, frenimit që erdhi për atë ide, nga Merkel në Berlin? Dy ditë më vonë, për rishikim kufijsh flisnin në Tiranë Hashim Thaçi e Edi Rama.

Një qëndrim që vinte krejt i kundërt me qasjen e Samitit të Berlinit, i iniciuar nga Merkel e Makron, rezervat për të cilin, Thaçi i artikuloi disa herë në Tiranë, së pari në seancën plenare më dyer të mbyllura të samitit të Brdo Brijunit ku po merrte pjesë.

Nga Prishtina, Kryeministri Haradinaj akuzonte 4 persona si pjesë e planit për ndarjen e Kosovës.

Thaçi vijon të mos i përgjigjet direkt, kurse Kryeministri i Shqipërisë nuk e kursen.

Por ishte Thaçi ai që mbrojti në mënyrë të përsëritur në Tiranë, edhe Mogherinin, edhe Ramën

Vetë Presidenti i Kosovës pranon se ka një ndarje brenda BE për idenë e rishikimit të kufijve e i kërkon BE atë unitet qëndrimesh, që vetë nuk e ka në Kosovë.

Mbetet mbresuese se si në situatën politike në Shqipëri, ka vend për debat e manovra edhe për dialogun Serbi-Kosovë. Dukshëm Presidenti Thaçi ka gjetur këtu interlokutorin që i mungon në Kosovë, ndërsa ka luksin të sulmojë fort në Tiranë, këdo që kundërshton idetë e tij.

Duket se shpresat janë tek Samiti i 1 korrikut, që mikpritet në Paris nga presidenti Makron, në përpjekje për të ulur në dialog Kosovën e Serbinë. Pas zgjedhjeve të 23-26 Majit për PE, balancat politike do jenë edhe më të qarta, por të paktën dy prej aktorëve kryesorë në Serbi e Kosovë, po vijojnë fort lobimin. Në mungesë të Mogherinit, Hashim Thaçi po artikulon idenë e përfshirjes së SHBA në procesin e dialogut, ndërsa Aleksandër Vuçiç ishte në Itali për të takuar zvkryeministrin Matteo Salvini, një nga zërat kritikë për mënyrën si funksionon BE.

Në Tiranë Lulzim Basha nuk po përfshihet prej kohësh në këtë debat, i zënë prej 9 javësh me aksionin e protestave, në përpjekje për të rritur mbështetjen qytetare përballë një dialogu të munguar me Ramën e mosangazhimit ndërkombëtar këtë herë, ndryshe nga një vit më parë. A do ndikojë konfigurimi i ri politik në BE për më shumë vëmendje ndaj Shqipërisë? Kjo mbetet për t’u parë, ndërsa vetë Basha artikulon më shpesh pritshmëritë e tij politike.

 

ramna-dhe-macron.jpg
G. P.21:24 | 04/05/2019

Samiti i Berlinit ishte zhvillimi gjeopolitik që testoi tensionin politik në Shqipëri. Kryeministri Rama mbajti një profil të ulët publik mbi atë samit që pati në fokus marrëdhënien Kosovës Serbi, si pjesë e shqetësimit Europian për të patur stabilitet në rajon. Në Tiranë, Lulzim Basha artikuloi për herë të parë kërkesën për shtyrje të zgjedhjeve, ndërsa presidenti Meta deklaroi se nuk mund të ketë zgjedhje me standarde pa opozitën. Vetë Kryeministri i ndjek jo pa vëmendje ato lëvizje.

Po çfarë ndodhi javën politike që lamë pas?

Angela Merkel dhe Emmanuel Macron mblodhën të hënën e 29 Prillit në Berlin udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor, për një takim informal. Formati ishte ai i Procesit të Berlinit të Gushtit 2014, iniciativë e kancelares gjermane. Franca e Gjermania, pavarësisht ulje-ngritjeve ndër vite në marrëdhënien e tyre, njihen motori i ndërtimit të Europës.

Madje miqësia franko gjermane është një nocion i njohur diplomatik, i zhvilluar paralelisht me Bashkimin Europian. Në Janar të këtij viti Merkel e Macron nënshkruan një traktat bashkëpunimi, që u pa si një thellim i marrëveshjes historike të Elysee të vitit 1963 mes presidentit Charles de Gaulle dhe kancelarit Konrad Adenhauer, për ta kthyer bashkëpunimin franko-gjerman në një realitet të përditshëm.

Merkel e Makron kanë marrë përsipër rajonin tonë e në modelin e marrëveshjes së suksesshme mes Athinës e Shkupit, synojnë një të ngjashme mes Kosovës e Serbisë. Por në atë samit dy vende të rajonit, Shqipëria e Maqedonia e Veriut janë në pritje për të dytin vit radhazi dritën jeshile për hapjen e negociatave të antarësimit. Dukshëm ky nuk ishte prioriteti i dyshes franko-gjermane. Për Macron prioritet është stabiliteti në rajon, si çështje europiane.

Por Shqipëria e Maqedonia e Veriut kanë pritshmëri për hapjen e negociatave. Rama e Zaev patën secili takime kokë më kokë me kancelaren. Në një deklaratë të shkurtër e të kujdesshme, Km nuk pati asnjë referencë për qëndrimin e Merkel për Shqipërinë. Entuziazëm nga ai takim përcolli ministri i Jashtëm në Detyrë Gent Cakaj që foli për mbështetje absolute të Gjermanisë për hapjen e negociatave.

Kryeministri Zaev dukej më i pakënaquri për mungesën e një premtimi për hapje negociatash. Vendi i tij ndryshoi emrin për të arritur marrëveshjen me Greqinë, e cila u mor si model në Samitin e Berlinit për ngërçin mes Kosovës e Serbisë, por premtim nuk pati. Mediat raportuan se Zaev u kishte deklaruar interlokutorëve Merkel e Macron, se do jepte dorëheqjen nëse vendit të tij nuk i hapeshin negociatat e anëtarësimit në BE, edhe pse përmbushi kushtin që i ishte vënë për marrëveshje me Athinën. Mesazhi i Zaev për qytetarët e reflektonte këtë

Por dyshja franko-gjermane dukej kishte tjetër plan, normalizimin e marrëdhënies mes Kosovës e Serbisë, duke u ndalur së pari projektin që kishte tensionuar marrëdhënien: korrigjimin e kufijve e më pas në taksën për produktet serbe. Në konkluzionet e përbashkëta të samitit evidentohet rëndësia e një marrëveshje gjithpërfshirëse, sërish me ndërmjetësimin e BE, pavarësisht kërkesave nga pala e KS për përfshirje të SHBA.

Serbia dhe Kosova janë dakordësuar të çojnë përpara përpjekjet për të zbatuar marrëveshjet ekzistuese dhe të angazhohen sërish në mënyrë konstruktive për normalizimin e dialogut me ndërmjetësimin e BE, me qëllim arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare. Mes konkluzioneve, edhe një detyrë që dukej enkas për Mogherinin si lehtësuese e dialogut Kosovë Serbi.

Një nga ata që ka humbur besimin dhe është përplasur me Mogherinin është Kryeministri Haradinaj, që nuk u shfaq në takimin që shefja e diplomacisë zhvilloi me delegacionet në Berlin. Nëse Serbia u paraqit me presidentin Vuçiç e Kryeministren Brnabiç, nga Kosova u shfaq vetëm presidenti e zv.kryeministri.

Një ditë pas samitit, KE njoftonte se në Berlin ishte konfirmuar roli i Mogherinit si ndërmjetëse, ndërsa qëndrimi i saj 2 muaj më herët dukej se ishte harruar. Pas samitit të Berlinit, flitet për dialog, por jo kushte.

Spikati pas këtij Samiti një ndryshim në qëndrim edhe nga Presidenti Thaçi. Me të mbërritur në aeroportin e Prishtinës tha se vendosja e taksës ishte e drejtë, ndërsa Serbia nuk duhej të vinte kushte.

Por palët shqiptare nuk kishin qenë unison në Berlin. Haradinaj arriti një fitore jo të vogël me kundërshtinë e tij ndaj idesë së ndryshimit të kufijve dhe vënien në pikëpyetje të taksës serbe. I dha peshë akteve të veta duke akuzuar publikisht Presidentin Thaçi e Rama për presion në samit për heqjen e taksës.

Nëse Thaçi nuk reagoi, Rama u përgjigj një ditë më vonë. Përmes një statusi të gjatë në rrjetet sociale me titull, e vërteta ime me shumë dëshmitarë, thuhej se Haradinaj po gënjente për përfitim politik.

Por pas këtij mohimi, vinte pohimi se i tiji kishte qenë një sugjerim, që Haradinaj të pranonte propozimin Merkel Makron për pezullim të përkohshëm të taksës, në mënyrë që të mbështesnin njohjen e plotë ndërkombëtarisht të Kosovës.

Ndërsa Lulzim Basha lexonte qëndrimin e Merkel e Macron, si një tjetër “jo” për hapjen e negociatave me Shqipërinë. I qartë se hapja e negociatave ka ndjeshmëri publike, Km publikoi në rrjetet sociale dy takime që i vlerësoi si pozitive për këtë proces: me Kryetaren e socialdemokratëve gjermanë, Andrea Nahles dhe nënkryetarin e Grupit Parlamentar të CDU/CSU, Johann Ëadephul.

Nënkryetari i grupit parlamentar të kancelarës, u pyet nga DW për situatën në Shqipëri e djegien e mandateve nga opozita.  Spikati në përgjigje kujdesi në koment për PD, partinë simotër në PPE. Zyrtari i lartë i grupit parlamentar të Merkel megjithatë, nuk dukej gati për një premtim për hapje negociatash

Në ditën e fundit të afatit ligjor për Koalicionet, në KQZ u regjistrua koalicioni i majtë i udhëhequr nga PS me emrin e njohur Aleanca për Shqipërinë Europiane, si dhe një koalicion i djathtë me një grup partish të vogla, me emrin “Shpresa për ndryshim”. 13 maji është afati për regjistrimin e kandidatëve, e atë ditë socialistët do zyrtarizojnë kandidatët për 61 bashkitë.

Të paktën publikisht palët duken ekstremisht larg: Kryeministri që përgatitet për zgjedhje e opozita që përgatitet për protestë të shtunën e 11 Majit para selisë së qeverisë dhe bojkot zgjedhor.

Sytë mbeten nga presidenti i Republikës. A do arrijë Ilir Meta të ulë palët në tryezë, e a do e ndërmarrë aktin e shtyrjes së zgjedhjeve, ndërsa afatet për 30 qershorin e dekretuar prej tij po skadojnë njëri pas tjetrit për opozitën?/ABC News Albania 24/7

meta-rama-1280x636.jpg
Sej rie13:15 | 27/04/2019

Opozita zyrtarizoi vendimin për të mos hyrë në zgjedhjet e 30 Qershorit, teksa një parti e re u krijua nga të larguarit prej Partisë Demokratike. Këto zhvillime tërhoqën debatin publik, por më në hije, nisi një lëvizje e partive aleate të Lulzim Bashës për të aktivizuar presidentin e Republikës me konsensus të ndërkombëtarëve në Tiranë. Mimoza Koçiu na sjell këtë dinamikë me Politika në ABC News./abcnews.al

pressing-2-1280x671.jpg
Sej rie08:00 | 23/04/2019

Në këtë puntatë të emisionit “Pressing” u diskutua për gjithçka kishte ndodhur gjatë javës në futboll, si dhe për Kampionatin shqiptar të kategorisë Superiore. Gjithashtu u fol edhe për shumë tema të tjera por janë ndalur edhe tek emërimi i trajnerit të ri të Kombëtares.
Të ftuar në studio ishin:Alban Tafaj ish-futbollist, aktualisht specialist pranë drejtorisë së liçensimit të trajnerëve. Dasara Karaiskaj, moderatore dhe tifoze e Partizanit. Eno Skarço, gazetar sporti. Edmond Kodra, ish-futbollist./abcnews.al

holanda-1280x759.jpg
Sej rie22:15 | 20/04/2019

Opozita radikalizoi qëndrimet me deklaratat për të mos hyrë në zgjedhje, e me paralajmërimet për konflikt social. Tonet u rritën edhe pas vendimit të parlamentit të Holandës, për pezullimin e lëvizjes së lirë për Shqipërinë. Tensioni politik mbetet i pranishëm, ndërsa dialogu si mekanizëm jetik demokratik vijon të anashkalohet nga aktorët politikë edhe pas 3 dekadash pluralizëm. Këto zhvillime të javës politike që lamë pas, na i sjell Mimoza Koçiu me “Politika në ABC News.”/abcnews.al

POLITIKA-NE-ABC-NEWS-VJEDHJA-NE-AEROPORT-ASNJE-S’MERR-PERGJEGJESI-13.04.2019.mpg_snapshot_00.09-1280x720.jpg
ent ela14:11 | 13/04/2019

Grabitja e përsëritur e parave gjatë transportit në aeroportin e Rinasit shenjoi zhvillimet e javës politike që lamë pas. Ky cënim i ri i sigurisë kombëtare u bë shkaku për akuza të forta politike, ndërsa përgjegjësitë u deleguan, njëlloj si në grabitjen e dy viteve më herët. detajet i sjell Mimoza Koçiu me Politika në ABC News.

Një grabitje e përsëritur e parave të bankave në pistën e aeroportit të Rinasit, tregoi se sa e brishtë është siguria në aeroportin e vetëm ndërkombëtar të një vendi të NATO-s, e nga ana tjetër, ndërsa sesi pasohet përgjegjësia për një ngjarje të përsëritur, që bëri xhiron e mediave ndërkombëtare. Në vend të nxjerrjes së përgjegjësive, nisi automatikisht përplasja institucionale e politike, në një situatë ngërçi ekzistues, pasi opozita ka nisur një kauzë të re me djegien e mandateve parlamentare, por edhe njëherë javën politike që lamë pas, u heshtua sërish në aksionin e saj, këtë herë nga një zyrtar i departamentit amerikan të shtetit.

Po çfarë ndodhi javën politike që lamë pas?

Vizita e zv/Ndihmës sekretarit amerikan Metju Palmer në Tiranë, u pa si një mundësi për të ndjërmjetësuar në atë që artikulohet si krizë politike e institucionale. Kjo nuk ndodhi pasi ndalesa në Tiranë ishte pjesë e një turi në rajon, por nuk munguan mesazhet e forta. Takoi Kryeministrin, kreun e PD, kryetaren e LSI dhe Presidentin e Republikës. Secili aktor në njoftimet për shtyp foli me nota pozitive për bashkëbisedimin me zv.ndihmës sekretarin amerikan. Ndërsa mesazhet e Palmer u mësuan gjatë një komunikimi me disa gazetarë shqiptarë, pjesëmarrës në programet e shkëmbimit me DASH. Në transkriprin e bisedës publikuar nga ambasada amerikane, Palmer citohet të ketë thënë se nuk ka ardhur për të negociuar apo mbështetur një zgjidhje të caktuar.

Mesazhet ishin dekurajuese për aksionin e opozitës, protestat e të cilës tashmë janë pjesë e gjeografisë së ngjashme politike, edhe në vende të tjera të rajonit, një imazh jo fort interesant përballë BE të brishtë para forcimit të populistëve në europë e zgjedhjeve të majit për PE.

Ndërsa Palmer jepte ato mesazhe për gazetarët, tek zona e Bregut të Lumit po ndodhte për të dytën ditë rradhazi një përplasje me policinë e Inspektoriatin Vendor Ndërtimor, e banorëve që kundërshtonin prishjen e banesave për shkak të ndërtimit të segmentit të tretë të bulevardit të ri, pa u kompensuar më parë, edhe pse banesa të refuzuara nga legalizimi. Policia e INUV ishin rikthyer herët në mëngjes, duke nisur prishjen, pasi kishin bllokuar hyrjen në zonë të cdokujt, edhe mediave. Duke shpërndarë në media këtë video, PD akuzoi policinë për përdorim gazi lotsjellës ndaj banorëve, cka nuk u përgenjeshtrua, ndërsa kreu i shtetit kërkoi hetim nga prokuroria. “Presidenti vlerëson se përdorimi i gazit lotsjellës, duke detyruar banorët të dalin nga shtëpitë e tyre, është një akt i papranueshëm.” thuhet në deklaratën e zëdhënësit.

Por çka sfumoi këtë ngjarje, e sidomos mesazhet e Palmer, ishte një déjà vu e 30 qershorit 2016. Të martën e 9 Prillit, u përsërit grabitja nga një avion me pasagjerë në pistë, e parave të tre bankave të nivelit të dytë, që po transportoheshin jashtë vendit përmes Austria Airlines.

Në pak minuta grabitësit kanë marrë thasët me para nga barku i avionit, e ia kanë dalë t’I shpëtojnë edhe policisë, e cila pasi u njoftua u vu në ndjekje të tyre. Sipas informacionit paraprak zyrtar, ka patur një shkëmbim zjarri me policinë, nga i cili mbeti iI vrarë një prej grabitësve. Identifikimi i tij u bë brenda pak orësh nga mediat greke, ndërsa në Shqipëri konfirmimi erdhi vetëm të nesërmen, pasi familjarët e identifikuan në morg, si Admir Murataj, një personazh tepër i njohur për policinë si në Shqipëri ashtu edhe Greqi, e autor i dyshuar i vjedhjes së para dy viteve, me të njëjtën taktikë po në Rinas, si dhe grabitjeve të tjera.

Kur i gjithë opinioni po vinte në pikëpyetje punën e shtetit, në një ngjarje të përsëritur e në një objekt të sigurisë së lartë si aeroporti, një zë nga qeveria e orientoi përgjegjësinë nga koncesionari. Ministrja e Infrastrukturës, ish drejtore e ANTA tha se përgjegjës për sigurinë në aeroport ishte koncesionari kinez, dhe e vecoi shtetin shqiptar, si palën që tani duhej të vepronte sipas detyrimit për të garantuar sigurinë në aeroporin e vetëm ndërkombëtar të vendit.

Shqipëria u bë lajm në mediat e huaja, që edhe pse nuk kishte konfirmim zyrtar, flisnin se shuma e grabitur ishte 10 milionë euro, nga një avion me pasagjerë në bord, në pistën e aeroportit të vetëm ndërkombëtar në Shqipëri.

24 orë pas angazhimit pa rezultat nga toka e ajri, Kreu i Shtetit reagoi ashpër e kërkoi identifikimin e përgjegjësve.

Referenca ishte për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së 16 majit 2018, ku sipas Presidentit ishin lënë detyra për secilin institucion, për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare problematikës së sigurisë në aeroportin Nënë Tereza. Ky aludim për përgjegjësi të shtetit nuk mori përgjigje nga qeveria. Shefi i saj vijoi me orientimin e nisur nga ministrja e tij Balluku, të përgjegjësisë tek kompania koncesionare.

Ministrja e Mbrojtjes njoftoi dislokimin e forcave speciale të ushtrisë e policisë ushtarake në perimetrin e jashtëm të aeroportit.

Më pas ishte radha e Policisë së Shtetit.

Ministri i brendshëm shkoi edhe më tej, e foli për sukses të policisë.

Për herë të parë reagoi koncesionari i aeroportit që foli për keqinformim të publikut njëlloj si në vjedhjen e 2016, e tha se ka përmbushur pjesën e vet të punës për sigurinë aeroportuale.

Opozita shënjestroi qeverinë.

Interesant është s’kryeministri nuk ka shqiptuar publikisht asnjë qëndrim për këtë ngjarje të rëndë, edhe pse daljet e posaçme për ngjarje të rëndësishme nuk i kanë munguar, së fundmi për protestën e 16 shkurtit të opozitës.

Ata që folën pas ministrave ishin deputetët socialistë, edhe pse jo njëlloj të koordinuar në etiketimin e ngjarjes.

Kompania austriake “Austrian Airlines” avioni i të cilës ra pre e grabitësve, e vetmja kompani që kryente transportin e vlerave monetare jashtë vendit, bëri të ditur se nuk do të ketë më transferta cash nga Tirana në Vienë, çka do të jetë një problem në vazhdim për bankat në vend.

Pikërisht ditën e grabitjes, Kryeministri kishte udhëtuar drejt Principatës së Monakos, i ftuar nga Princi Alberti II. Videon e postoi teksa në Tiranë grabitja spektakolare ishte kryetemë bisede kudo, të parat mediat.

Në mënyrë të pazakontë Kryeministri nuk tha asnjë fjalë për grabitjen në Rinas edhe pse mbajti një fjalë në Kuvend të enjten. Por paralelisht, në Rinas ishin dërguar dy ministre, e Infrastrukturës dhe e Mbrojtjes. E para tha se nuk do tolerohej më koncesionari, por nuk artikuloi asnjë masë ndaj tij.

Ministrja e dytë, ajo e Mbrojtes krijoi imazhin e sigurisë së rivendosur, përmes asistimit në vendosjen e policisë ushtarake e batalionit special të FA në perimetrin e jashtëm të aeroportit, me urdhër të saj. Komandanti i përgjithshëm i FA, Presidenti i Republikës, bëri të ditur se nuk ishte informuar, e për pasojë kërkoi nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, se mbi cilin ligj bazohej ajo lëvizje e trupave ushtarake. Përgjigjen ia dha Ministrja e Mbrojtjes.

Një debat i ri u ndez nëse ishte shkelur apo jo Kushtetuta e ligji për pushtetet në FA, të cilët parashikojnë përdorimin e ushtrisë vetëm për gjendje të jashtëzakonshme dhe për parandalimin, ose mënjanimin e pasojave të një fatkeqësie natyrore. Në të dy rastet, parashikohet autorizim i Kuvendit. Përgjigja erdhi nga Kryeministri, jo me zë e figurë. Në instagram postoi foto nga një aeroporti jashtë vendit me prani ushtarake brenda tij. Në fakt të tilla pamje janë të zakonshme, si masa antiterrorizëm. Kryeministri bëri dallimin e njoftoi se në Shqipëri ushtria do jetë jashtë aeroportit.

Ky debat i ri sfumoi disi atë të përgjegjësve për grabitjen për herë të dytë, të cilën e riktheu Lulzim Basha

Qeveria vazhdoi të akuzonte koncesionarin, e ky i fundit policinë, në të vetmin reagim, por pikëpyetjet mbeten të forta. Sipas kontratës koncesionari ka pjesë të rëndësishme të përgjegjësisë në siguri, e për pasojë ka kontraktuar një kompani private sigurie, ICST Albania, e cila merr nga cdo udhëtar 3 euro për sigurinë, ndërsa dështoi plot dy herë në mënyrë spektakolare.

Po përse atëherë përse nuk merren masa ndaj koncesionarit? Një përgjigje gjendet në kontratën voluminoze prej 209 faqesh të vitit 2004, në të cilën thuhet se koncesionari përgjigjet për sigurinë brenda perimetrit, por me konfirmim shqiptar.

E nëse konrolli i sigurisë në perimetrin e koncesionit i takon koncesionarit, ka një program dhe procedura ndalimi të hyrjes së pautorizuar në zonën e koncesionarit, siç ka ndodhur dy herët e fundit, kanë si përgjegjës koncesionarin, policinë kufitare dhe DPAC, ndërsa për kontrollin e hyrjes, në vijën kufitare edhe MM.

Po sipas kësaj kontrate, qeveria ofron disa shërbime të rëndësishme, edhe sigurinë kur ajo nuk ndërmerret në nivelin e nevojshëm

Të jetë vallë kjo arsyeja se përse qeveria po ngurron të marrë masa ndaj koncesionarit, por i paraqet disa kërkesa për të përmbushur, e vetëm në rast mospërmbushje, atëherë mund të rishikojë marrëdhënien me të?

Të jetë vallë kjo arsyeja përse vetë Kryeministri nuk u prononcua fizikisht për këtë rast? Kjo mbetet ende për t’u vërtetuar. Koncesionarit kinez që mori koncesionin e aeroportit për vitet e mbetura, i është firmosur zgjatja e kontratës më 2 vjet, më 1 prill 2016. Në shtesën kontraktuale nuk ka asnjë kërkesë të re sigurie. Por koncesionari u shënjestrua si përgjegjës pak muaj pas zgjatjes së kontratës, më 30 qershor 2016, kur ndodhi grabitja e parë e parave në aeroport. Ministri i Brendshëm i kohës kërkoi marrje masash, përfshi rishikimin e kontratës me koncesionarin.

Në fakt akti i vetëm publik si reagim, i takon pasardhësit të Tahirit, Fatmir Xhafaj, që nxori një udhëzim në mars të 2018, që përfshin edhe shoqërimin nga policia të transportit të vlerave monetare

A mund të ishte parandaluar vallë grabitja për herë të dytë në aeroport, nëse do ishte respektuar ai udhëzim? Ky është një opsion retorik, por cka spikat është përsëritja e kësaj historie në mënyrë identike: grabitje në një institucion të sigurisë së lartë, asnjë i ndaluar në 24 orët e para të ngjarjes, shënjestrimi i koncesionarit si përgjegjës, e asnjë përgjegjës në policinë e shtetit e organe të tjera ligjzbatuese, që kanë detyrë parandalimin e kësaj ngjarje, që e ktheu Shqipërinë lajm në mediat ndërkombëtare në prag të sezonit turistik.

POLITIKA-NE-ABC-NEWS-PROPOZIMI-I-RAMES-DHE-HESHTJA-E-BASHES-06.04.2019.mpg_snapshot_01.24-1280x720.jpg
ent ela15:09 | 06/04/2019

Një lëvizje e kryeministrit në situatën e tensionuar politike në vend, spikati në zhvillimet e javës që lamë pas. Një ftesë për opozitën jashtë Kuvendit, për t’u bërë pjesë e vendimmarrjes parlamentare, ngriti pikëpyetje, por edhe dëshmoi se pavarësisht nga numrat në kuvend, opozita politike mbetet interlokutori kryesor i shumicës. Këtë dinamikë të javës politike që lamë pas na sjell Mimoza Koçiu me Politika në ABC News.

Deklaratat publike i kanë ekstremisht të largëta, e ajo që njëri e quan krizë të opozitës, e tjetri krizë politike e institucionale, duket se po kthehet në statusquo.

Në këtë panoramë, kur ndërkombëtarët dukshëm nuk po japin sinjale përfshirje, e KM flet me gjuhë force e jo dialogu, spikati një ftesë e socialistëve për ta patur opozitën politike jashtë kuvendit, në vendimmarrjen e komisionit parlamentar për reformën zgjedhore. Për këtë madje do i zgjasnin mandatin deri në 5 Maj. Shkëlqeu heshtja e PD zyrtare përballë një oferte të tillë, e njëlloj edhe irritimi i opozitës së re në Kuvend.

Po çfarë ndodhi javën politike që lamë pas?

Një matje në distancë forcash në Durrës, në takime që i patën njëri pas tjetrit, solli reagimin e rrallë të km, që prej publikimit të disa përgjimeve mbi zgjedhjet të dosjes 339 për Vangjush Dakon, kryebashkiakun që nuk e konfirmoi për rikandidim në Durrës, siç ka bërë në qytete të tjera.

Akuzat për blerje të votës në zgjedhje, vijnë tashmë sporadike në ligjërimin e PD, edhe pse Basha javën politike që lamë pas, përmendi një tjetër deputet socialist, si pjesë e dosjes së prokurorisë mbi zgjedhjet në Dibër.

Akuza e fortë nuk mori përgjigje, njëlloj siç po ndodh me publikimet sistematike prej dy javësh nga ish deputeti Salianji, të përgjimeve të prokurorisë, të asaj që njihet si dosja Babale, në të cilat dëshmitari i penduar Fredi Alizoti ka komunikim sistematik me drejtues vendorë të policisë së Fierit, e aludon për para të marra e takime me eksponentë socialistë.

Strategjia e lexueshme politike duket heshtja, për të mos i dhënë peshë publike, e të njëjtën rrugë duket se po ndjek edhe organi i akuzës.

E megjithatë, një ditë para seancës parlamentare, socialistët bënë të ditur lëvizjen e beftë: zgjatjen deri në 5 Maj, të afatit të punës të komisionit për reformën zgjedhore, mandati i të cilit kishte mbaruar prej 6 javësh. Nuk ka kohë ligjore sipas socialistëve për ndryshime në kod për zgjedhjet vendore, por ligjin nuk e shohin si pengesë, për të ulur PD jashtë kuvendit në një komision parlamentar, e ndryshuar së bashku rregullat për zgjedhjet e përgjithshme, të programuara në 2021.

Përse vallë kjo ftesë për t’u dakordësuar për rregulla loje, që në parim do zbatohen të paktën dy vjet më vonë? PD heshti, e i pyetur direkt, ish anëtari i komisionit të ligjeve Enlekejd Alibeaj dha një përgjigje diplomatike

Ajo ftesa e drejtuar opozitës jashtë Kuvendit për t’u bërë pjesë e vendimmarrjes parlamentare shqetësoi dy deputetët e PD, që kanë refuzuar dorëzimin e mandateve si pjesa tjetër e grupit. E lexuan si anashkalim të tyre, por edhe si pazar mes dy të mëdhenjve

Vetë Kryeministri u përpoq t’i qetësonte këto zëra, përballë heshtjes së deputetëve të tjerë të ulur në karriget e opozitës.

Prej ndryshimit të 2008, vendi ka një sistem zgjedhor proporcional rajonal me lista të mbyllura, që u njeh të drejtën kryetarëve të partive të hartojnë vetë një listë kandidatësh, si alternativë unike për votuesit. Heqja e këtij pushteti kryetarëve të partive, për t’i dhënë hapësirë zgjedhësve me një tjetër sistem, është një kërkesë e njohur e partive aleate të Lulzim Bashës. Ky i fundit, e artikuloi pak javë më herët.

Aleatët e Lulzim Bashës e ushqejnë si shpresë që mund të realizohet me qeverinë tranzitore.

Por Kryeministri që u përball me këtë ide në Kuvend, nuk duket entuziast për ndryshimin e sistemit.

Po përse vallë socialistët po krijojnë precedentin, duke ftuar opozitën jashtë kuvendit në një komision parlamentar, për rregullat e lojës që sic thonë, nuk lidhen me vendoret e fiksuara me 30 qershor? Për herë të parë Edi Rama flet për një opsion zgjedhjesh të parakoshme parlamentare, por si strategji e socialistëve.

Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pas atyre vendore, është një nga variantet që qarkullon në korridoret e mediave. Pa dyshim që ai opsion, do kërkonte impenjim të shtuar për zgjedhjet vendore, sepse bashkitë mbeten epiqendrat politike të rajoneve të vendit, me sistemin aktual zgjedhor. Për Kryeministrin do jetë testi i ri i garës pa aleatë, e dukshëm mungesa e qetësisë i reflektohet tek gjuha e pakujdesshme, për një politikan që shquhet për lëvrimin e shqipes në ligjërimin publik.

Në Parlament vijon të shijojë komoditetin e numrave që arritën 99 javën politike që lamë pas, me plotësimin e ri të karrikeve të opozitës. Fuqia ndaj legjislativit ndihet tek seancat parlamentare, që e kanë humbur prej javësh traditën e të enjteve.

Duhet thënë se impenjimi që u shfaq javën politike që lamë pas, nuk i ngjante dikujt që ndihet i sigurt në reazultatet e tij. Fokusi duket tek perceptimi publik, ndaj realitetit politik. Intensiteti i ngjarjeve kriminale krijon efektin e pasigurisë. Në krye Shkodra, me 9 ekzekutime në 9 muaj e dy persona të zhdukur, të gjitha ngjarje pa autorë. Pas ndryshimit të kupolës së policisë në këtë qark, ministri i brendshëm i intensifikoi vizitat në ketë, ku pasiguria iu artikulua nga vetë kryebashkiakia demokrate

Kur realiteti është i vështirë, beteja është për perceptimin.

Të njëjtin perceptim në fokus edhe për qytetarët, të cilët i ka shpallur aleatë në bashkëqeverisje.

Por ka një vëmendje po aq të shtuar për studentët, protesta e të cilëve vitin e kaluar, e detyroi të ndryshonte mbi gjysmën e qeverisë, të krijuar vetëm 15 muaj më herët. Zërat sporadike të pakënaqësisë mes studentëve, i mbulojnë takimet e shtuara ku flitet për Paktin për Universitetin, e që javën politike që lamë pas, shënjestruan rektorin e UT Mynyr Koni.

Beteja për perceptimin, i ndikon edhe marrëdhënien me opozitën politike, me të cilën ndihet papushim në garë

Në këtë qasje të Ramës, spikati të mërkurën e seancës plenare një zë ndryshe brenda socialistëve. Ish ministri i jashtëm Ditmir Bushati u kujtoi kolegëve të vet, se në lojë nuk është thjesht beteja politike, por e ardhmja e vendit.

Filozofia e socialistëve progresistë, i takon erës para rilindjes në PS, e artikuluar shpesh nga Fatos Nano. Duke e risjellë në kujtesë si filozofi, Ditmir Bushati, veçoi me emër pikërisht senatorët e PS, duke u kërkuar reflektim.

Thjesht mund të merret me mend se si është ndjerë KM, kur i është kujtuar modeli i paraardhësit në PS, ndërsa cka spikati si diferencë ishte se ndryshe nga koha e Fatos Nanos, emrat që Bushati përmendi, heshtën.

Jashtë kuvendit opozita mbajti protestën e rradhës. Për herë të dytë Lulzim Basha mungoi në protestën para parlamentit, pasi ndodhej jashtë vendit, e për herë të parë në një protestë mungoi edhe Sali Berisha. Drejtimin e protestës e kishin marrë të rinjtë, që si zakonisht u shquan për simbolikën e përdorur.

Lulzim Basha vijon ta kërkojë në Berlin mbështetjen për kauzën e tij.  Bëri të ditur se ishte ftuar për takime pune me CDU e kancelares Merkel, ndërsa për DË shpjegoi situatën.

Të enjten në mbrëmje Lulzim Basha deklaroi gjatë një interviste telefonike televizive, se nga takimet e tij në Berlin kishte konstatuar se nuk kishte mbështetje për Kryeministrin. Në fakt të tilla mesazhe ende nuk janë artikuluar në Tiranë, por nga ana tjetër Gjermania ende nuk ka një qëndrim për qershorin kur shqipëria është sërish në pritje për hapjen e negociatave. Njëlloj si një vit më parë, Komisioni Europian tashmë në ditët e fundit të mandatit të tij, do sugjerojë hapjen e negociatave të antarësimit për Shqipërine e Maqedoninë, në progress raportin që do publikohet më 29 Maj, edhe pse kur flitet për përparim, vecohet Maqedonia e Veriut.

Edhe pse nuk ka një lëvizje publike, tradita e zgjidhjes së ngërceve politike në gjuhë të huaj, mbetet pritshmëri.

Por ndërkombëtarët këtë herë, edhe pse me zëra jo vendimmarrës, po nxisin një zgjidhje të brendshme përmes dialogut. I fundit, Delegacioni i BE në Tiranë, e pas tij Km që pjesën e tij, e quan ftesën që opozita jo parlamentare të bëhet pjesë e një komisioni parlamentar. Por në çdo rast opozitës sigurohet t’i rezervojë batutat e njohura

Cuditërisht Lulzim Basha nuk pati një përgjigje për ftesën e përsëritur publike të Edi Ramës, por njëlloj si KM pati vëmendje për studentët. U shpalosi mënyrën se si do e ndryshojë statusquonë e kryetarit omnipotent partiak.

Padyshim që përpjekja ekstraligjore për të përfshirë opozitën jashtë kuvendit, në një vendimmarrje parlamentare ka gjithë tiparet e një shteti që funksionon me vullnet politik, më shumë se me rregulla. Por nga ana tjetër rregullat e lojës miratohen nga aktorët kryesorë në fushë, e heshtja elokuente e Bashës e Kryemadhit, duket miratimi i një realiteti se edhe pse jashtë kuvendit, opozita politike mbetet interlokutori i pazëvendësueshëm i mazhorancës, ndërsa të dy palët duken de facto në fushatë zgjedhore. /abcnews.al

rama-14.jpg
G. P.13:21 | 30/03/2019

Pas gjashtë javësh protesta të opozitës, duket sikur rolet janë ndryshuar për Edi Ramën e Lulzim Bashën. Kryeministri ka kaluar në ofensivë, me përpjekje të dukshme për të kompleksuar opozitën. Publikisht palët duken në qëndrime të kundërta, e megjithatë tensioni politik nuk është ai i para 6 javëve. Këtë dinamikë të javës politike që lamë pas na sjell Mimoza Kociu me Politika në ABC News./abcnews.al

ilir-metaa.jpg
G. P.20:15 | 23/03/2019

“Unë i ftoj të gjithë të mos sakrifikojë vendin për karriget e tyre apo për ambiciet e veta, jam i gatshëm unë i pari të sakrifikoj. Që nga dorëzimi i mandatit tim si President pasi të sigurohem që vendi ka një zgjidhje politike parimore, kushtetuese, solide që e çon përpara, e deri tek sakrifikimi i jetës sime si Salvador Allende për të ndaluar instalimin e një junte që mund ta kthente Shqipërinë 30 vite pas”.

Ky qëndrim i fortë i Ilir Metës javën politike që lamë pas, i dha peshë asaj që prej javësh kreu i shtetit e quan publikisht krizë politike e institucionale, përkundër përpjekjeve intensive të Kryeministrit, për ta shfaqur si një krizë brenda opozitës. Nuk është hera e parë që Ilir Meta i vihet përballë Edi Ramës, por në panoramën aktuale politike, pozicionimi i Presidentit të Republikës, e shfaq të vetmuar Kryeministrin që qeveris pa aleatë, pavarësisht se vazhdon të shtojë numrat pro tij në kuvend. Mes hemoragjisë më të fortë nga listat e LSI drejt kuvendit, e strategjive për të goditur aleaten e saj PD, duket sikur mazhoranca u vu përballë një aktori më shumë kundër saj, kreut të shtetit.

Po çfarë ndodhi javën politike që lamë pas?

Ilir Meta u aktivizua në debatin politik që në fillim të javës, duke rrëzuar së pari aludimet e deklaratat për një ndikim rus në zhvillimet politike në vend, ku opozita në protesta kërkon largimin e Kryeministrit. Nga pozita e kreut të shtetit, po aq i informuar sa kryeministri, Ilir Meta ironizoi fort Edi Ramën

Akuza për lidhje ruse, u rikthye në vëmendje, të enjten kur Prokuroria e Tiranës e kishte ftuar Lulzim Bashën me ish sekretarin e përgjithshëm Arben Ristani e sekretarin aktual Gazmend Bardhi, për t’u njohur me aktet e dosjes së lobimit të PD në SHBA. Basha refuzoi paraqitjen, me pretendimin se askush nga PD nuk ishte nën hetim, e se përzgjedhja e kohës për këtë veprim të panevojshëm sipas tij, ishte politike. Nga foltorja e kuvendit, Taulant Balla do nënvizonte refuzimin e Lulzim Bashës

Tek opozita u orientuan sytë edhe pas goditjes së radhës me tritol të shtyllës së tensionit të lartë në Fushë-Krujë.

Akti i rëndë është i përsëritur, e ka ndodhur edhe kur socialistët ishin në opozitë. A po përdorej vallë politikisht kundër opozitës?

Por aksioni politik i opozitës vijoi të kritikohej hapur nga diplomatët në Tiranë. Ambasadorja Susane Schutz, që ka takuar këto ditë disa prej deputetëve në parlament të opozitës, nënvizoi qëndrimin e Gjermanisë.

Ambasadori i OSBE në Shqipëri shkon edhe më tej, pas sinjalit që dha opozita për bojkot të zgjedhjeve vendore, duke mos dorëzuar listën e komisionerëve. Bern Borchard foli me gjuhën e njohur të ndërkombëtarëve, që në maj 2017, deklaronin njohjen e zgjedhjeve edhe pa opozitën, nëse ato certifikoheshin si të rregullta

Ambasadorit iu përgjigj një ekspert i zgjedhjeve, që për 6 vite e gjysmë ka drejtuar zyrën e zgjedhjeve pranë OSBE, bashkëkryetari demokrat i reformës zgjedhore, Oerd Bylykbashi.Të kesh prova të regjistruara për shitblerje vote dhe të pengosh hetimet me Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme, që e ke vënë me votat e tua, ky është shembull i keq për rajonin.

Ilir Meta si kryetar shteti e pati një shigjetim të fortë për ndërkombëtarët. PE është në ditët e fundit të legjislaturës së tetë, punimet e së cilës mbyllen më 18 Prill dhe po bën dëgjesa e debate bilanci për situatën në vendet e Ballkanit Perëndimor, që aspirojnë anëtarësim. Në një prej tyre i ftuar presidenti i Komisionit të Venecias Gianni Buquiçhio foli për liderë me mentalitet të rrezikshëm qeverisës.

Një vlerësim negativ për ecurinë e reformave në rajon e ka edhe drejtori i zgjerimit të BE, i sapo kthyer nga një vizitë pune në Shqipëri.

E ndryshme është qasja e komsionerit për zgjerimin, që kujton gjithsesi se BE nuk mund të ndërhyjë. Ndërsa BE ka hyrë tashmë në ethet e zgjedhjeve për PE, nga 23 deri 26 Maj, në Tiranë opozita vazhdon të programojë kalendar protestash.

Edhe Kryeministri ka nisur përgatitjet e veta, për zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Socialistët madje kanë depozituar listën e komisionerëve zgjedhorë, përkundër opozitës që refuzoi ta bënte.

Tre kandidatë të LSI morën mandatet e deputetit nga KQZ javën politike që lamë pas, e tre të tjerë, 2 nga PD e një nga LSI janë gati ta marrin, pasi dorëzuan formularin e dekriminalizimit. Lul Basha e Mona Kryemadhi duken të pafuqishëm për të ndaluar këtë rrjedhje nga rradhët e tyre, e cila më e madhe është nga LSI. Themeluesi i saj, tani President i Republikës reagoi fort.

Si president Ilir Meta është shprehur kundër aktit të opozitës për djegien e mandateve, por paradoksalisht, duket gati të djegë njëlloj të vetin, si kryetar shteti. Akti në vetvete do ishte mjaft i fortë, por Ilir Meta i shtoi edhe doza të forta emocionale. Por historia e Salvator Allendes nuk është aq e admirueshme. Marksisti idealist që qeverisi nga 1970-1973 si president i Kilit, u përball me një grusht ushtarak shteti, të mbështetur nga amerikanët, që druanin se vendi do shndërrohej në një aleat të Bashkimit Sovjetik.

Por Ilir Meta njihet si politikani i lëvizjeve të forta. I vetmi që ka dhënë dorëheqjen kur ishte Kryeministër në shkurt 2002, e si zv.kryeministër në Janar 2011. Dorëheqjen e ka paralajmëruar të paktën dy herë, edhe si kryetar kuvendi. Korrikun e 2016, kur PS e PD nuk kishin konsensus për finalizimin e ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi, Ilir Meta kërcënoi me dorëheqje 2 herë brenda katër ditësh, duke sfiduar edhe ndërkombëtarët.

Tre vjet më vonë, si president i Republikës, Ilir Meta sugjeron konsensus e dialog, teksa kujdesshëm i jep zë aludimeve, se për të ndërtuar një imazh normaliteti në Kuvend, po investohet financiarisht. Edi Rama nuk iu përgjigj atij shigjetimi e paralajmërimi të fortë. Mungesa krejt e pazakontë disa ditore publike e pa asnjë sqarim, u la vend aludimeve për një problem shëndetësor, të cilat morën si përgjigje vetëm të enjten, përmes këtij reagimi të ashpër në tuiter, e të premten e javës politike që lamë pas, edhe një sqarim me zë e figurë.

Në Tiranë mungoi edhe Lulzim Basha që po kërkon mbështetje ndërkombëtare për kauzën e tij, së pari mes PPE, formacioni më i madh politik në PE. Në protestën e gjashtë të opozitës para kuvendit ishin figurat e tjera të PD e aleatët, të cilët i mbajtën për katër orë mbështetësit në shesh. Dita kur në parlament do betoheshin 3 kandidatë të tjerë nga listat e LSI, nisi me incident për njërin prej tyre. Ralf Gjoni, ish këshilltar i Metës kryetar kuvendi, u përball me një sulm me bojë të kuqe teksa po dilte nga banesa për të shkuar në parlament. Ralf Gjoni, Nimet Musai dhe Enada Kapllani janë përfaqësuesit e rinj të Lëvizjes Socialiste për integrim.

96 shkoi numri i deputetëve në Kuvend, të enjten e javës politike që lamë pas, 14 nga të cilët janë nga listat e PD-LSI, e tre deputetë që nuk iu bindën vendimit politik për dorëzimin e mandatit. Këta të fundit vazhdojnë ta kenë të nevojshëm sqarimin e pozicionit të tyre. Për herë të parë që prej largimit të opozitës nga Kuvendi, në seancë u shfaq Rudina Hajdari, që njëlloj shpjegoi vendimin, por edhe planet e saj.

Interesant është kujdesi i socialistëve për të mos cënuar publikisht LSI, që po pëson hemoragjinë më të madhe nga listat e saj. Taulant Balla e gjeti tek Lulzim Basha fajin, kur u godit deputeti i LSI-së Ralf Gjoni.

Përgjigja erdhi nga Kryetarja e LSI-së. Kësaj sfide të hapur të javës politike që lamë pas, Edi Rama vendosi t’i përgjigjej me stilin e njohur e të pakonkurrueshëm: imazhin e perceptimin publik. Numrat e qytetarëve në shesh e në kongresin socialist, simbolizonin fuqinë e pushtetit të një kryeministri, që qeveris i vetëm. Organizimi në sheshin Nënë Tereza, ishte identik me atë të Vlorës 16 Shkurtin e kaluar, kur opozita i protestonte nën dritaret e zyrës. Këtë ngjashmëri Erion Veliaj, kandidati i vetëm socialist që mori konfirmimin publik për një mandat të dytë, e nënvizoi si pjesë e marrëdhënies me Kryeministrin.

Në kongres, me radhë socialistët e asocionin emrin e Edi Ramës me çdo punë të bërë, por vetë Kryeministri kishte zgjedhur sheshin, në krah të Veliajt. Njohës i shkëlqyer i komunikimit publik, zgjodhi diversionin si përgjigje për deklaratat e forta të Ilir Metës.

Mbrojtja më e mirë është sulmi, është parimi tjetër që kryeministri e njeh shumë mirë dhe e tillë ishte përgjigja për aksionin e opozitës, bashkë me një sfidë për kërkesën e saj: zgjedhjet e parakohshme.

Ishte kujdesur që të shmangte imazhin e flamujve socialistë, si ilustrimi që qeveris i vetëm, e i kishte zëvendësuar me flamujve kombëtarë. Një retorikë e para viteve 90 spikati me ngjashmërinë për armiq ngado, përveç opozitës edhe në media.

Një denoncim dy ditor i ish-deputetit Ervin Salianji për një prej kauzave disa mujore të opozitës, që njihet si çështja Babalja, nuk mori dot vëmendjen e duhur publike, edhe pse ish deputeti publikoi material audio të komunikimeve të dëshmitarit të penduar Fredi Alizoti me funksionarë të policisë e të socialistëve.

Bashkë me një intervistë të Lulzim Bashës për të përditshmen italiane “Il Fatto Quotidiano”, ku shpjegonte se përse opozita është në protesta, strategjia reaguese e opozitës mbeti modeste, ndërsa një Twitter shpotitës i sekretarit të përgjithshëm, ishte përgjigja për fjalimin njëorësh të Kryeministrit. Ky i fundit, me simbolikë e mesazhe, i hodhi dorashkën e sfidës opozitës, duke kaluar topin në fushën e Lulzim Bashës, e njëkohësisht duke zbehur qëndrimin e fortë të kreut të shtetit. Një tjetër ilustrim se në fund të ditës, beteja është për perceptimin publik, më shumë se për aktet konkrete. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono