Bota

epstein.jpg
G. P.14:45 | 19/07/2019

Rrezikon deri në 45 vjet burg, miliarderi 66 vjecar Jeffrey Epstein. Ai akuzohet për shfrytëzim seksual ndaj të miturve. I konsideruar dhe si një nga miqtë e presidentit amerikan Trump atij iu mohua liria me kusht.

I është mohuar liria me kusht miliarderit Jeffrey Epstein, i akuzuar për shfrytëzim seksual të të miturve. Faktet datojnë në periudhën 2002- 2005. Vendimi u mor nga gjykatësi federal Richard Berman, i cili u dha të drejtë prokurorëve, të cilët kishin kërkuar që të mos u jepej liria me kusht pasi ai rrezikon të arratiset.

Epstein në fakt ka dy avionë privatë. 66-vjeçari u arrestua në 6 Korrik me akuzën se kishte abuzuar me dhjetëra vajza minorene. Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij u gjetën fotografi vajzash nudo, disa prej të cilave minorene.

Gjithashtu u sekuestruan shuma të mëdha parash, diamantë, objekte artistike me vlerë dhe jë pasaportë false e viteve ’80. Nëse do të shpallet fajtor, miliarderi mund të dënohet deri në 45 vjet burg.

Epstein është një ish-mik i Bill Clinton, princit Andrea dhe Donald Trump. Pikërisht gjatë një takimi elektoral të kreut të shtëpisë së bardhë në Kaliforninë e Veriut, një person mbante në dorë parullën ku shkruhej përdhunues fëmijësh.

Një referim ky për Epstein. Por Trump u përgjigj duke thënë se nuk kishte pasur ndonjëherë simpati për të./ABC News Albania 24/7

timmermans.jpg
G. P.13:45 | 19/07/2019

Zv/presidenti i Komisionit Europian Frans Timmermans i ka cilësuar ministrat britanikë si idiotë, në momentet e para të negociatave për Brexit. Reagimi i Londrës ka qenë i menjëhershëm me ministrin për Brexit që e ka cilësuar Timmermans si një djalë budalla.

Ministrat britanikë silleshin si idiotë kur erdhën fillimisht për të negociuar për Brexit. Në këtë mënyrë shprehej zv/presidenti aktual i Komisionit Europian Frans Timmermans në një intervistë për BBC Panorama.

“Herën e parë që pashë deklaratat publike të David Davis dhe pashë që nuk po vinte, nuk po negocionte, nuk kishte peshë, mendova, o zot këta nuk kanë asnjë plan. Ishte e sikletshme pasi ishte diçka e dukshme. Madje komike, si në një serial komik ku protagonist luan rolin e idiotit”.

Reagimi i Londrës ka qenë i menjëhershëm nëpërmjet ministrit për Brexit, Martin Kallanan. Ai tha se Timmermans duhet të frenonte pak dhe nuk duhet të sillet si një djalë budalla.

Goditja e ulët vjen në një moment që Mbretëria e Bashkuar është në pritje të kryeministrit të ri, i cili ka shumë mundësi të jetë ish-ministri i Jashtëm Boris Johnson. Ky i fundit premtoi se do të përfundonte Brexit brenda muajit Nëntor.

Edhe pse në të enjten dhoma e përbashkët votoi një amendament që mund të pengojë planet e Johnson për një Brexit pa marrëveshje, dhe pa debate të tjera në parlament./ABC News Albania 24/7

pompeo.jpg
G. P.10:04 | 19/07/2019

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo pritet të niset drejt Amerikës Latine për t’u takuar me udhëheqësit e atyreve vendeve. Vizita vjen në mesin e negociatave të vështira me Meksikën dhe vendet e Amerikës Qendrore mbi mënyrën se si të ndalet rrjedha e emigrantëve në kufirin jugor amerikan.

Zëdhënësja e Departamentit Morgan Ortagus bëri një pasqyrë të udhëtimit të zotit Pompeo që nis të premten:

Sekretari Pompeo do të shkojë në Argjentinë, Ekuador, Mexico City dhe San Salvador, me qëllim zgjerimin e bashkëpunimit për çështje të sigurisë, përforcimin e angazhimit amerikan për të drejtat e njeriut dhe demokracinë, veçanërisht mbështetjen për popullin e Kubës, Nikaraguas dhe Venezuelës dhe luftën e tyre për liri. Vizitat do të shërbejnë edhe për të rritur partneritetet ekonomik si dhe për të zgjeruar mundësitë ekonomike për qytetarët tanë“, tha zonja Ortagus.

Gjatë qëndrimit në Argjentinë zoti Pompeo do të marrë pjesë në një konferencë kundër terrorizmit me aleatët rajonalë, që përkon me 25 vjetorin e hedhjes në erë të një qendre hebreje në Buenos Aires ku u vranë 85 vetë, ngjarje që prokurorët argjentinas e lidhën me grupin Hezbollah dhe Iranin.

Askush nuk është dënuar lidhur me këtë sulm, i konsideruar si më i rëndi në historinë e vendit.

Migrimi ka të ngjarë të jetë një çështje e rëndësishme në anxhendën e zotit Pompeo. Disa ekspertë thonë se Shtetet e Bashkuara duhet t’i trajtojnë shkaqet në rrënjë të problemit pra “faktorët shtytës” që i detyrojnë këta njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre./VOA

vizita.jpg
G. P.09:23 | 19/07/2019

Komandanti i lartë i Forcave Aleate të NATO-s për Evropë, gjenerali amerikan, Tod Wolters, qëndroi për një vizitë në Kosovë, gjatë së cilës takoi udhëheqësit e institucioneve politike dhe ushtarake të Kosovës.

Vizita e gjeneralit Wolters, i cili në muajin maj bëri betimin si komandanti më i lartë i forcave aleate në Evropë, pasoi ato në Bosne e Hercegovinë dhe Serbi dhe sipas zyrës së tij, kishte për qëllim njohjen nga afër të situatës në terren dhe për të kërkuar mundësi për të përmirësuar bashkëpunimin dhe ndërveprimin me forcat ushtarake të NATO-s si dhe për të nxitur paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon”.

Takimet në Prishtinë u mbajtën pa praninë e medies, ndërsa në një njoftim ndërkaq të zyrës së kryeministri Ramush Haradinaj thuhet se në takim me “gjeneralin Wolters është diskutuar për të arriturat e institucioneve të Kosovës, posaçërisht në fushën e sigurisë, rolin e misionit të NATO-s dhe mbështetjën për rritjen e profesionalizmit të Forcës së Sigurisë së Kosovës”.

Komandanti më i lartë i NATO-s një ditë më parë ishte në Beograd ku u takua me udhëheqësit politikë dhe ushtarakë serbë në Serbi.

Gjenerali Wolters, i tha Zërit të Amerikës nëpërmjet një deklarate se me udhëheqësit në Serbi “është diskutuar për një gamë të gjerë temash ndërsa është shprehur i lumtur me punën dhe përkushtimin e madh të Serbisë për paqen dhe qëndrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor”.

Zyra e presidentit të Serbisë, përmes një deklarate pas takimit me gjeneralin Wolters, citoi presidentin Aleksandër Vuçiç të ketë thënë se “paqeruajtësit ndërkombëtarë të udhëhequr nga NATO-ja në Kosovë janë garantues të sigurisë për serbët që jetojnë në Kosovë, ndërsa e ka quajtur të rëndësishme vendosjen e një linje telefonike për komunikim emergjent midis forcave serbe dhe KFOR-it, për të eliminuar me shpejtësi tensionet ose dhunën”.

Por, zyra e gjeneralit Wolters tha për Zërin e Amerikës se “gjatë takimit me presidentin Vuçiç, nuk kishte diskutim për një “linjë telefonike”, më saktë, kishte të bënte me mbajtjen dhe përmirësimin e linjave ekzistuese të komunikimit. Komandanti aktual i KFOR-it ka komunikim me Forcat e Armatosura Serbe”, thuhet në deklaratë duke nënvizuar se Gjenerali Wolters është i prirur të rrisë përpjekjet dhe të përqëndrohet në promovimin e paqes në Ballkanin Perëndimor.

Forcat e NATO-s në Kosovë vazhdojnë të kujdesen për sigurinë me rreth katër mijë trupa që aktualisht mbetën në terren./VOA

figlie-femmine-femminismo-1560939876-1280x853.jpg
ent ela22:30 | 18/07/2019

Feminizmi ekziston, por nuk është i dukshëm. Është një vijë e hollë midis feminizmit dhe urrejtjes ndaj seksit mashkullor. Një grua amerikane ka menduar mirë të shkojë më tej, duke vendosur që në një shesh lojrash publike, asnjë djalë nuk duhet të luante apo përzihej me fëmijën e saj. Rasti, i raportuar nga The Ëashington Times, është një pretekst për të analizuar feminizmin.

“Në një postim anonim të dërguar në kolonën e Carolyn Hax në The Washington Times, nëna e një fëmije kërkon këshilla se si ta bindë nënën e një fëmije tjetër, për t’u lejuar atyre territorin e hapësirës publike në një shesh lojërash”.

Gruaja në fjalë kishte organizuar një pasdite në park bashkë me nënat e tjera dhe mikeshat e vajzës së saj. Për të “prishur” programin e lumtur do të ishte ardhja e një gruaje me djalin e saj të vogël, i cili me të drejtë donte të bashkohej me grupin e vajzave të vogla dhe të luante me to.

E inatosur protagonistja e tregimit do t’i afrohej nënës së djaloshit për t’i thënë asaj të largohej nga parku, të cilën zonja me të drejtë nuk pranoi ta bënte. E pakënaqur, përvetësuesja e tokës publike ka denoncuar historinë në Washington Times: “Ne jetojmë në një botë ku meshkujt kanë gjithçka dhe femrat janë të kënaqura me thërrimet. Kjo nënë gjithashtu mund ta kuptojë atë, në vend që të mendojë se djali i saj ka të drejtë të shkatërrojë një takim mes femrave “. /abcnews.al

 

 

742786494-1280x720.jpg
nev ila14:30 | 18/07/2019

 

Dhe pse presidenti amerikan Donald Trump këmbëngul se ka një marrëdhënie shumë të mirë me homologun turk Erdoan, shtëpia e bardhë konfirmoi me anë të një deklarate për media se SHBA nuk do ti shesë më avionë ushtarakë Turqisë. Kjo pasi Ankara bleu sisteme mbrojtëse anti raketë nga Rusia.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka konfirmuar se Turqia nuk do të marrë pjesë në programin e avionëve luftarakë amerikanë F-35 NATO, sepse Ankara ka blerë sistemin e mbrojtjes ajrore ruse S-400.

Shtëpia e Bardhë zyrtarizoi faktin se vendimi i Turqisë për të blerë sistemet e raketave nga Rusia, bën të pamundur vijimin e një përfshirjeje në programin e abionëve F-35.

Sipas deklaratës së Shtëpisë së Bardhë këta avionë amerikanë nuk mund të bashkë-ekzistojnë me një platformë ruse për mbledhjen e informacioneve të shërbimit të inteligjencës, që do të përdoret për të mësuar aftësitë e tyre të avancuara.

Por pavarësisht kësaj, Uashingtoni do të vazhdojë bashkëpunimin e gjerë me Turqinë, duke marrë parasysh kufizimet që vijnë si pasojë e pranisë së sistemit S-400.  Presidenti amerikan Donald Tramp deklaroi disa ditë më parë se ka marrëdhënie të mira me homologun e tij Erdoan.

Ai shtoi se Ankara u  detyrua të blejë sisteme raketash nga Rusia pasi administrate Obama kishte refuzuar t’i shiste patriotët.

Por gjithsesi vendimi për të mos i shitur Turqisë avionë ushtarakë tashmë është fakt./ABC News Albania 24/7

chapo-9999.jpg
nev ila14:20 | 18/07/2019

Një gjykatë në Nju Jork ka dënuar me burgim të përjetshëm si dhe me 30 vjet të tjera burg trafikantin e njohur të drogës El Kapo. Ai u shpall fajtor për 10 akuza. Gjithashtu ai duhet të paguajë dhe 12.6 miliard dollar, një shumë e fituar nga trafikimi i drogës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Hoakin Guzman “El Chapo”, trafikanti meksikan i drogës më i njohur në botë, u dënua nga një gjykatë në Nju Jork me burgim të përjetshëm pasi u shpall fajtor për dhjetë akuza. Duke folur nëpërmjet një përkthyesi, ai e cilësoi burgosjen e tij një torturë psikologjike, emotive dhe mendore 24 orë në ditë.

Dënimi parashikon dhe një 30 vjet të tjera burg. Gjykatësi ndër të tjera i ka urdhëruar të paguajë 12.6 miliard dollar. Një shumë e barabartë me paratë e fituara nga trafiku i drogës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës para arrestimit të tij.

“El Chapo”, 62 vjeç, ishte shpallur fajtor në muajin shkurt për trafikun e disa ton kokainë, heroinë dhe marijuanë si dhe disa vrasje si bosi i kartelit të Sinaloas, një prej organizatave meksikane më të mëdha dhe të dhunshme.

I arrestuar në Meksikë, Guzman u ekstradua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në marrëveshjen për ekstradimin mes Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të firmosur në 2017-ën, është përjashtuar mundësia e dënimit me vdekje./ABC News Albania 24/7

profimedia-0232331913-1280x757.jpg
nev ila14:09 | 18/07/2019

Turi i Francës është një sukses i madh sportiv, por edhe promovim i turizmit. Gara më e vjetër e çiklizmit në botë tërheq çdo vit miliona njerëz.

Ky qytet përfitoi shumë në fare pak ditë.

Brukseli, kryeqyteti i Belgjikës, besohet se ka futur në xhep rreth 60 milionë euro vetëm sepse organizoi nisjen e Turit të Francës, pra etapën e parë të tij.

Rreth 1 milionë turistë vizituan qytetin historik, me hotelet, transportin dhe shitoret e gjithçkaje, që patën të ardhura të mëdha.

“Le Grande Bukle”, gara e madhe franceze, është më e lavdishmja e çiklizmit në të gjithë botën, një sukses sportiv, por edhe financiar.

Rreth 15 milionë spektatorë e ndjekin Turin në rrugët e Francës çdo vit, ndërsa mbi 20 milionë të tjerë e shohin nga televizori.

Kjo do të thotë turizëm i pastër, dhe reklamë e fuqishme e vendeve më të bukura, historike, gjeografike apo artistike të shtetit të famshëm të Europës Perëndimore.

Kështjella, sheshe e rrugë të veçanta, masive pyjorë, fshatra turistikë, liqene e lumenj, filmohen me helikopterë apo dronë dhe promovohen në gjithë rruzullin.

Vetë Parisi ka 50 milionë turistë në vit, për shumë arsye, ndërsa Francës i shtohen miliona sa herë vjen korriku, thjesht nga çiklizmi.

Në Angli, numri i turistëve u rrit me 12 për qind, dhe shpenzimet totale të tyre arritën në 465 milionë paundë stërlina, në vetëm pak ditë që ndoqën etapat që kaluan në ishull, pak vjet më parë.

Kompanitë e ndryshme japin nga 200 000 deri në 500 000 euro për të qenë pjesë e karvanit çdo vit, ndërsa xhiroja vjetore e Turit arrin në 150 milionë euro, me fitimet që janë mbi 30 milionë euro.

Vetë çiklistët, protagonistët kryesorë të, nuk është se kanë fitime kaq të mëdha.

Fituesi merr 500 000 euro, shumë herë më pak sesa një yll i futbollit apo sesa emrat e mëdhenj të tenisit, basketbollit apo futbollit amerikan.

Që nga vendi i 20-të e më pas, çdo çiklist merr vetëm nga 1 000 euro, diçka qesharake./ABC News Albania 24/7

trumpo.jpg
nev ila13:49 | 18/07/2019

 

Presidenti amerikan ka sulmuar sërish deputetet demokrate me ngjyrë këtë herë i mbështetur dhe nga turma gjatë një takimi elektoral në Karolinën e veriut. Trump gjithashtu deklaroi se procesi për shkarkimin e tij kishte dështuar përfundimisht.

Gjatë një takimi në Karolinën e Veriut, presidenti amerikan Donald Trump sulmoi sërish deputeten demokrate me origjinë somaleze Ilhan Omar, një nga katër parlamentaret progresiste me ngjyrë objekt i postimeve raciste në Twitter nga ana e kreut të shtëpisë së bardhë.

Turma e mbështetësve të tij në kor bërtiti: Ktheje andej nga ka ardhur duke përforcuar kërkesën e Trump i cili u kërkoi atyre të kthehen në vendet e origjinës. Trump gjithashtu e cilësoi si një fitore faktin që dhoma e përfaqësuesve votoi kundër rezolutës për shkarkimin e tij.

Por në takim kishte dhe nga ata që ishin kundër Trump me një grua e cili mbante në dorë një parullë ku shkruhej “përdhunues fëmijësh” me fotografinë e Trump dhe të Xhefri Epstein, miliarderin e arrestuar për trafik seksual minorenësh.

Ndërkohë pavarësisht miratimit të rezolutave kundër shitjes së armëve tek sauditët, në të dyja degët e parlamentit amerikan numri i votave është larg dy të tretave që duhen për të anuluar veton e paralajmëruar nga Donald Trump. Kongresi ndryshoi qëndrimin pas vrasjes së gazetarit disident saudit Jamal Khashoggi./ABC News Albania 24/7

 

fire.jpg
G. P.13:30 | 18/07/2019

Një zjarr i shpërthyer në një studio animimi në Japoni shkaktoi 23 viktima dhe dhjetëra të plagosur. Policia japoneze arrestoi një 41-vjeçar përgjegjës të zjarrvënies i cili gjithashtu mbeti i plagosur.

Të paktën 23 persona kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri të shpërthyer brenda një studio animimi në Kioto, Japoni. Lajmi është konfirmuar nga zjarrfikësit të cilët konfirmojnë dhe 36 të plagosur, njëri prej të cilëve në gjendje kritike për jetën. Policia arrestoi një 41-vjeçar i cili kishte hyrë në ndërtesë duke vënë zjarrin me anë të një lëngu të djegshëm.

Policia japoneze konfirmoi se shumë trupa të pajetë u gjetën në katin e dytë të ndërtesës së Kioto Animation, një shoqëri e themeluar në vitin 1981. Ndërsa dëshmitarët okularë u shprehën se kishin dëgjuar një seri shpërthimesh të ndjekura nga flakë të mëdha. Një 41-vjeçar i konsideruar si përgjegjës i zjarrvënies ka mbetur i plagosur gjithashtu dhe u transferua në spital./ABC News Albania 24/7


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono