Aktualitet

HISTORI-MJERIMI-NE-TIRANE1-1280x720.jpg
ent ela15:53 | 12/11/2018

Nuk ka nevojë të udhëtosh larg për t’u përballur me mjerimin. Ramiz Shika jeton në një ish-kabinë elektrike në mes të Tiranës prej nëntë muajsh i ngujuar në shtrat. Ne po ju përcjellim historinë e 54 vjeçarit te harruar nga shteti. 

Prej nëntë muajsh ky 54 vjeçar është ngujuar në shtrat. Ramiz Shika nga Tirana na tregon se vuan nga shumë sëmundje, por thyerja e këmbës është ajo që tashmë po i rëndon më tepër.

“Kjo është e fundit fare, që këtë nuk e doja, përderisa isha me duar me këmbë bereqaves, keq jam, keq isha, hekri është këtu, po qe du unë këtë, unë s’luj dot”.

Deri në muajin prill shpresat i varte tek ndihma ekonomike tashmë i kanë mbetur vetëm miqtë.

“Bëfshin hajër dynjaja, se njëherë, dyherë të ndihmon tjetri. I mbledh çarçafët, dy klluf jastikësh ua jap mi bijnë, ulem çik në karrige më ndërrojnë”.

Pamundësia për të rinovuar dokumentat bëri ta humbiste dhe pagesën minimaliste që përfitonte më herët.

“Unë s’lëviz dot, ku të shkoj unë, edhe sikur kempi, ato letrat e daljes, ajo thotë t’i do bësh me noter se unë vetë nuk iki dot, noterin me ça ta paguaj unë”.

Na tregon se nuk mund të punojë dhe as ka ku të mbështetet. Prej pesë vitesh ka vetëm një strehë. Këtë ish ish-kabinë elektrike pranë ish Parkut të Autobusëve në kryeqytet.

“Këtu është lagështirë, bi shiu mbushet gropa, po të kalojë ndonjë mi mos u trembni, po shyqyr Zotit sot e dje s’kam pas gjë me hangër se po të kem dun me hëngër dhe ata”.

Këtu u vendos pas një aksidenti në punë, në pamundësi për të siguruar të ardhura për të shlyer qiranë e banesës ku jetonte pas humbjes së parave në firmat piramidale.

“E pastrova me këta çunat dhe që në 2013-n unë jam këtu”.

Ndonëse mjerimi ku pret mëngjeset dhe ngrys netët është i dukshëm, Ramizi institucioneve shtetërore ë drejton vetëm këtë kërkesë:

“Më mori malli me pa diellin me sy, një karrocë me, një karrrocë mer bab, me hangër një çap bukë robi”. /abcnews.al

BABALJA-TEK-TIRANA-1280x720.jpg
ent ela15:20 | 12/11/2018

Gjykata e Tiranës la të pandryshuara masat e sigurisë të dhënë me herët nga Krimet e Rënda për tre nga katër personat e vënë në hetim për çështjen “Babalja”. Ata akuzohen për “kallëzim të rremë”, në lidhje me audio-përgjimin ku pretendohet se Albert Veliu, Babalja, bisedonte me vëllain e ish-ministrit të brendshëm për çështje droge.

Sipas vendimit të Fredi Alizoti do të vijojë të hetohet më masën e sigurisë “arrest në burg” ndërsa gazetari Jetmir Olldashi në “detyrim për paraqitje”. Gjykata la të pandryshuar edhe masën “arrest në burg” në mungesë për Babalen, masë e paekzekutuar për shkak se ai ndodhet në Kosovë në statusin e azilkërkuesit. Masa ndaj tre të dyshuarve u rivlerësua pasi Prokuroria për Krimet e Rënda shpalli moskompetencë, duke ia kaluar dosjen Prokurorisë së Tiranës. I katërti i dyshuar për këtë çështje është deputeti i PD, Ervin Salianji, i cili hetohet pa masë sigurie. /abcnews.al

EKZEKUTIMI-POLICIT-SHKODER-1280x720.jpg
ent ela15:18 | 12/11/2018

Boran Bërçana dhe bashkëjetuesja e tij duket se janë viktima të një kurthi kriminale. Hetimet kanë zbuluar se vendimi për ekzekutimin e çiftit u mor pas një intrige që kishte për qëllim të përplaste bandat kriminale në Shkodër.

Një intrigë çoi në ekzekutimin e ish-policit Boran Bërçanës dhe bashkëjetueses e tij, Silvana Ndoci. Hetimet kanë zbuluar se përhapja e një thashethemi ka patur për qëllim futjen në konflikt të bandave rivale në Shkodër.

Për këtë arsye u përhap fjala sikur Boran Bërçana ishte shprehur, unë e shtypa butonin e bombës ndaj Lul Kullës.

Bëhet fjalë për shpërthimin e tritoli në qendër të Shkodrës, që shkaktoi terror, plagosi kalimtarë dhe vetë Lul Kulla u dëmtua rëndë.

Në të vërtetë, sipas një burimi të ABC News, Boran Bërçana nuk e kishte deklaruar një fakt të tillë dhe ai nuk kishte patur lidhje me ngjarjen. Pas verifkimeve ai ndodhej në Spanjë, për llogari të një grupi kriminal.

Por vendimi i ekzekutimi ishte marrë. Dhe jo vetëm për ish-policin, por edhe për bashkëjetuesen e tij që cilësohej si person që kishte dijeni për shumë ngjarje. Mbi ta u shtinë 28 plumba, por fëmija i vogel i tyre shpëtoi, sepse ndodhej në sediljen e pasme.

Ngjarja ka ndodhur në korrik dhe asnjë i dyshuar nuk është në pranga. Hetuesit nuk kanë gjetur asnjë provë ligjore, as në vendin ku ndodhi ekzekutimi dhe as në makinën e autorëve e cila u gjet e djegur në By Pass. /abcnews.al

PROTESTA-TE-BASHKIA-1280x720.jpg
ent ela15:15 | 12/11/2018

Banorët e zonës së Unazës së Re në Tiranë, që iu prishën shtëpitë e tyre nga projekti i Unazës së Madhe kanë vijuar edhe sot protestën e tyre në rrugë. Gjatë paradites, një grup banorësh janë mbledhur para bashkisë së kryeqytetit për të protestuar kundër shembjes së objekteve të tyre. Ata kanë bllokuar rrugën duke paralizuar edhe qarkullimin e automjeteve. Në këtë protestë banorët e Unazës së re u mbështetën edhe nga deputetë të PD. Përmes zëdhënesës së saj, Ina Zhupa kjo forcë politike akuzoi qeverinë se të 3 fituesit për këtë projekt ishin të paracaktuar , sepse në tre tendera të ndryshëm ka qenë vetëm një ofertues i vlefshëm, ndërsa pjesëmarrësi i dytë, është futur për të legjitimuar tenderin dhe nuk ka bërë asnjë ofertë. /abcnews.al

thumbnail_Veliaj-gjate-perurimit-te-Bustit-te-Papa-Gjon-Palit-3-1280x853.jpg
ent ela15:01 | 12/11/2018

Në 25 vjetorin e vizitës së tij në Shqipëri dhe në 40 vjetorin e zgjedhjes si Papa i parë jo italian, Tirana nderoi sot Shën Gjon Palin e II. Në prani të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Arqipeshkvit të Dioqezës së Tiranës dhe Durrësit, Imzot George Frendo, ambasadorit të Polonisë në vendin tonë, Karol Bachura e shumë besimtarëve dhe qytetarëve të Tiranës, u përurua busti i Papa Gjon Palit të II-të, i cili u vendos në sheshin pas Pallatit të Kongreseve.

Në fjalën e tij në ceremoni, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi se busti i Papa Vojtilës ia shton edhe më shumë vlerat Tiranës, si simboli i një njeriu që la gjurmë në jetën e Kishës Katolike, larg intolerancës dhe nacionalizmave, por edhe që luajti një rol vendimtar në hapjen dhe ngritjen e kishave në gjithë vendet ish-komuniste, siç ishte edhe Shqipëria.

“Sot Shqipëria, me në krye Tiranën, është mishërimi i këtij vizioni të emancipuar të Papës. Liria fetare, por edhe harmonia fetare, janë shembull i virtytit të mirë tek ne shqiptarët. Në Tiranë, në një kilometër katror mund të gjejmë Katedralen Katolike, mbrapa Galerisë së Arteve, Katedralen Ortodokse, përballë Shtëpisë së Gjetheve, një tjetër kujtesë e atij regjimi të vështirë dhe të rëndë sidomos për ata që ishin besimtarë, përballë Pidamidës kemi bustin e Papa Franceskut, kurse këtu përurojmë bustin e Papa Gjon Palit II, e pak metra më tej po ndërtohet xhamia e madhe. Nuk ka një kryeqytet tjetër në botë që në një kilometër katror të jetë i përfaqësuar me të gjitha ngjyrat e besimeve fetare”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Ai vlerësoi se Papa Vojtila me vizitën e tij në Shqipëri i dha shpresë një kombi, i cili sapo kishte dalë nga diktatura. “Me vizitën e tij në 1993, ai i dha shpresë të gjithë popullit shqiptar. Kurse në vitin 2014 kemi vizitën e Papa Franceskut, i cili teksa i referohej vendit tonë thoshte se: ‘Shqipëria ka një karakteristikë shumë të bukur që më jep një kënaqësi të jashtëzakonshme. I referohem vëllazërisë fetare, lidhjeve që ekzistojmë mes feve të besimeve të ndryshme në vendin tuaj. Klima e besimit dhe besimi reciprok midis katolikëve, ortodoksëve dhe myslimanëve është një dhuratë e paçmuar për vendin tuaj”, shtoi Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës tha se nën shembullin dhe ashtu siç predikonte Papa Gjon Pallit i II, Tirana e lufton ekstremizmin duke krijuar një mjedis që lejon ndërveprimin e mendimeve dhe feve të ndryshme. “Tirana ka vendosur ta luftojë ekstremizmin duke krijuar një mjedis që lejon dhe bashkëvepron mes feve të ndryshme, ideve të ndryshme, aftësive, kulturave, apo backround-eve të ndryshme që kemi. Po krijojmë një qytet për të gjithë, pa diskrimimin, një qytet inteligjent, ku të rinjtë mund të mësojnë edhe gjuhën universale të kodimit dhe robotikës, por edhe gjuhën e vjetër të librave të shenjtë. Një qytet të gjelbër, ku qytetarët mund të lëvizin me biçikletë dhe të mbjellin pemë, por edhe të kujtojnë se s’kemi ardhur nga hiçi, se ka patur të tjerë që kanë dhënë kontributin e tyre. Tirana është një qytet që gjithmonë e më shumë shikon nga Europa dhe mezi pret të jetë pjesë e saj”, u shpreh Veliaj.

Ai gjithashtu dha lajmin e mirë se në bashkëpunim edhe me institucionet e tjera do të organizohet një konkurs për të përzgjedhur veprën më të mirë që do të përkujtojë në Tiranë viktimat e komunizmit. “Kam biseduar me ambasadorin polak, me kryetaren e komisionit tonë për hapjen e dosjeve, për organizimin e një konkursi për të patur monumente për të përkujtuar të gjithë viktimat e komunizmit. Kemi marrë propozime nga disa shoqata, për t’i dhënë Tiranës një kujtesë të asaj periudhe që ka kaluar, e që mos të përsëritet më kurrë as në Tiranë, as në ndonjë cep tjetër të Shqipërisë”, tha Veliaj.

Ambasadori i Polonisë në vendin tonë, Karol Bachura, falenderoi Bashkinë e Tiranës dhe institucionet e tjera shqiptare që mundësuan vendosjen e këtij busti dhe theksoi se kjo përkon edhe me vitin e Skëndërbeut, për të cilin Papa Gjon Pali i II dhe kardinalët e tij flisnin shumë. Busti i Papa Gjon Palit të II-të u bë i mundur falë bashkëpunimit të Bashkisë së Tiranës, Kushës Katolike dhe ambasadës polake në vendin tonë edhe me rastin 100 vjetorit të pavarësisë së Polonisë.

SHORAJ-GJYKATA-1280x720.jpg
ent ela13:54 | 12/11/2018

Gjykata e Tiranës caktoi sot masën e sigurisë “arrest në burg” me afat 40 ditë për Dritan Shorajn. Ai u arrestua të premten pasi ishte shpallur në kërkim nga drejtësia italiane, ndaj gjykata caktoi 40 ditë për qëndrimin e tij në qeli, kohë brenda së cilës duhet njoftuar pala italiane për arrestimin e tij, si dhe duhet të mbërrijë nga fqinjët kërkesa për ekstradimin e Shorajt në Itali.

47 vjeçari është dënuar nga Gjykata e Apelit në Venecia me 4 vite e 20 ditë burg për veprën penale “Pjesëmarrje në trafikun e lëndëve narkotike”.

Dritan Shoraj, banues në Tiranë punonte si pedagog ne Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës dhe mban gradën Doktor Shkencash. /abcnews.al

MASA-E-ADMINISTRATORIT-1280x720.jpg
ent ela12:43 | 12/11/2018

Gjykata e Vlorës ka lënë në burg autorin e vrasjes së administratorit të Njësisë Administrative Kote të Selenicës Fatmir Hadon. Edhe në seancën për masën e sigurisë, Admir Deliaj përmes avokatit të tij ka pretenduar se ishte i dehur dhe nuk mbante mend gjë.

Ai nuk mbante mend as kur kishte shkuar të merrte çiften në makinë me të cilën e qëlloi për vdekje Hadon. Më herët ata ishin duke pirë në një lokal, por më pas mes tyre ka nisur një debat i ashpër për çështje politike.

Pas fyerjeve dhe ofendimeve situata degradoi deri në përdorimin e armes. Autori Admir Deliaj vazhdon të këmbëngul që ishte i dehur dhe nuk mbante mend asgjë.  /abcnews.al

ISLAMAJ-KPA-1280x720.jpg
ent ela11:04 | 12/11/2018

Kolegji i Posaçëm i Apelimit nisi të hënën shqyrtimin e ankimit të bërë nga Komisioneri Publik kundër vendimit të KPK-së për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit Edmond Islamaj. Gjyqtari i Gjykatës së Lartë pretendoi se nuk kishte asnjë problem në pasurinë e tij, por Komisionertë thanë se duhet bërë hetim më i thelluar.

Gjashtë muaj pasi kaloi me sukses procesin e vettingut gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj, doli para një pesësheje të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin e tij në detyrë u ankumua nga ana e Komisionerit Publik, institucioni që përfaqëson publikun në procesin e vettingut. Komisioneri Publik i tha Kolegjit se hetimi i bërë nga ana e KPK-së për Islamajn ishte i paplotë, i mangët dhe jo bindës për pasurinë. Sipas Komisionerit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit duhet të prishë vendimin e mëparshëm dhe të hetojë të gjitha pikat e errëta për të dalë me tej me një vendim konfirmi.

Një nga hetimet e paplota sipas Komisionerit ishte blerja e një trualli prej 1 mijë metër në bregdetin e Karpenit nga gjyqtari në vlerën e 1 mijë euro, në një kohë që vlera e shitblerjes në zonë shkonte gati në 25-fishin e vlerës së blerë nga Islamaj. Nevojë për hetim më të thelluar u kërkua edhe për disa mosdeklarime në vite të pasurive të paluajtshme të bashkëjetueses së gjyqtarit dhe blerje mbi mundësitë e saj financiare, si dhe mbi blerjen e një automjeti fuoristradë. Komisionerët Publikë thanë se në deklaratën vetting të Islamajt mungonte një vlerë prej 4.4 milionë lekë në 9 milionë lekët e pretenduara si kursime ndër vite të dy partnerëve. Sipas palës ankuese, KPK duhet të hetonte më shumë edhe për 64 udhëtimet e bëra nga Islamaj në vitet 2008-2016 dhe 56 të bashkëjetueses. “Duhet të hetohej adresa e mbërritjes, ditët qëndrimit dhe kostot përkatëse”, tha Komisioneri Balliu.

Nga ana e tij gjyqtari Islamaj tha se KPK kishte kryer një hetim të thelluar, bazuar në të gjitha të dhënat dhe provt e nevojshme. Ai kundërshtoi të gjitha pretendimet e ngritura nga ana e Komisionerit Publik, duke theksuar se të gjitha pasuritë e tij dhe personave të lidhur ishin të ligjshme. Në përfundim, për t’i dhënë kohë Komisionerëve Publikë për tu shprehur në lidhje me disa prova të paraqitura nga gjyqtari Islamaj, Kolegji shtyu seancën për të premten në orën 09:00./abcnews.al

arr-933x445.jpg
ent ela10:48 | 12/11/2018

Një 24 vjeçar nga Lushnja është vënë në pranga, pasi në makinën me të cilën udhëtonte dhe që e kishte të vjedhur u gjetën 15 doza kokaine. Ai është Sebastian Haliti dhe arrestimi i tij u bë gjatë operacionit “Ndëshkimi i të Fortëve” . Pasagjeri që ndodhej në makinë me Halitin një 27 vjeçar gjithashtu nga Lushnja u procedua dhe u ndalua nga policia. Dyshohet se këta dy persona janë shpërndarës të kokainës në Lushnje dhe në Fier.

Njoftimi i Policisë Lushnjë

Tjetër goditje në kuadër të operacionit “Ndëshkimi i të fortëve”.

Godet një tjetër rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike të forta.

Kontrolle nga policia e Lushnjes dhe FNSH në lokale, akse rrugore dhe ambiente të ndryshme.

Kontrollet për kapjen e personave në kërkim, të atyre që qarkullojnë me armë zjarri apo që tentojnë të shpërndajnë lëndë narkotike.

Patrulla e Policisë Lushnje kap në flagracë një shpërndarës të drogave të forta.

Sekuestrohen 15 doza lëndë narkotike e dyshuar Kokainë.

Si rezultat i kontrolleve u arrestua në flagrancë një shtetas i cili shpërndante lëndë narkotike si dhe u procedua penalisht pasagjeri që ishte në automjet me të, shtetasi L.A, 27 vjeç, banues në Lushnje.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, arrestuan në flagrancë shtetasin:

  • Sebastian Haliti, 24 vjeç, banues në Lushnje.

Gjatë kontrollit të automjetit që drejtohej nga shtetasi Sebastian Haliti, në kroskotin e tij, u gjendën dhe sekuestruan 15 doza me lëndë narkotike e dyshuar Kokainë.

Gjithashtu nga verifikimi që i është bërë automjetit tip Mercedes-Benz, dyshohet se ky automjet mund të jetë i vjedhur dhe trafikuar.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Fier për veprime të mëtejshme proceduriale. /abcnews.al

termet-933x445.jpg
ent ela10:32 | 12/11/2018

Dy tërmete njëri pas tjetrit kanë goditur ishujt grekë mëngjesin e sotëm. Sipas të dhënave sizmiologjike, tërmeti i parë ka rënë në detin Jon dhe ka qenë me magnitudë 4.6. Disa minuta më vonë, ra një tjetër tërmet me magnitudë 4.5.

Tërmetet kanë rënë në një thellësi prej 10 kilometra nën tokë, duke bërë që lëkundjet të ndiheshin në Zakyntho, Patra dhe Athinë. Tërmeti u ndje edhe në jug të Shqipërisë.

Nga lëkundjet sizmike nuk ka persona të lënduar, dhe as dëme materiale. /tvklan.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono