Kastrioti përmbys Kukësin

19:40 | 06/04/201919:400

Kastrioti mund Kukësin dhe thuajse i dorëzon titullin kampion Partizanit. Skuadra krutane mori tri pikë tepër të rëndësishme në luftën për mbijetesë në Superligë.

Një pjesë loje nuk mjafton për të fituar, herë edhe mund të jetë mjaft. Kukësit nuk i bëri punë epërsia në gjysmën e parë të ndeshjes në Fushë-Krujë të cilën e humbi, por Kastriotit nuk iu deshën më shumë se 45 minutat e dyta për të fituar. Një sukses 2-1, arritur me forcën e karakterit dhe që ka një efekt të dyfishtë mbi Superligën shqiptare të këtij sezoni.

Së pari, kuksianët thuajse e kanë humbur plotësisht titullin, tani në fund të fazës së tretë kur kanë 46 pikë, dhe së dyti, krutanët vazhdojnë të kenë shpresë për të mbijetuar, duke rrezikuar dy ekipe të tjerë, Tiranën dhe Luftëtarin.

Në pjesën e parë, miqtë ishin më lart dhe mund të kishin fituar më shumë se 1-0. Vasil Shkurtaj bëri më në fund atë për të cilën u mor nga Luftëtari, pra shënoi, veçse vetë Shkurtaj dhe Reginaldo shpërdoruan gola të tjerë.

Pas pushimit, Kastrioti luajti më mirë e bëri presion, në një fushë të cilën e njeh shumë mirë. Ky presion dha rezultat, pasi fillimisht u barazua rezultati me golin e brazilianit Rozher. Pasi iu afrua edhe disa herë të tjera portës së Frashërit, ekipi krutan shënoi pikërisht në fund, në minutën e 89-të me anë të Ndrecës.

Më herët, Kastrioti fitoi po në Fushë Krujë ndaj Skënderbeut e ndaj Tiranës, por që të dyja herët me polemika, me korçarët për kërcënim të lojtarëve miq, dhe me tiranasit me një penallti të padrejtë.

Në ndeshjen tjetër, Laçi fitoi habitshëm 5-0 me Teutën, në një ndeshje që pritej të ishte mes pretendentëve. Gjithsesi, durrsakët e mbajtën vendin e tretë me 43 pikë ndaj 41 të kurbinasve./abcnews.al

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono