Kapitenia e anijes me emigrantë kundër Salvinit

23:45 | 11/07/2019

Kapitenia e anijes me emigrantë, Karola Rakete ka vendosur t’i shpallë luftë ministrit të Brendshëm italian, Mateo Salvini. Përmes një padie drejtuar gjykatës, 31-vjeçarja kërkon që numrit dy të qeverisë italiane t’i bllokohen profilet në rrjetet sociale, për shkak se përhap urrejtjen.

Kapitenia gjermane e anijes me emigrantë u ka kërkuar prokurorëve italianë që të bllokojnë profilet e ministrit të Brendshëm Mateo Salvini në rrjetet sociale, për shkak se sipas saj, ai i përdor ato për të përhapur urrejtjen.

Karola Rakete, 31 vjeç, ndodhet nën hetim për ankorimin e anijes “Sea Watch 3” në portin e Lampeduzës pa lejen e autoriteteve italiane dhe është përballur me një valë kritikash nga Salvini, që në profilet e tij në Facebook e Tëitter e ka quajtur atë “pirate” dhe “shkelëse të ligjit”.

Në përpjekje për të kundërsulmuar, avokati i saj Alesandro Gamberini tha për agjencinë “Reuters” se 31-vjeçarja do të depozitojë një padi për shpifje ndaj Salvinit ditën e premte.

“Kur vjen fjala tek fyerjet, shpifjet dhe deklaratat që ndjellin urrejtje, si ato të ministrit, mënyra më e mirë për t’i ndalur ato është duke bllokuar profilet në rrjetet sociale”, deklaroi Gamberini.

Aktualisht Rakete mbahet në një vend të fshehtë në Siçili për shkak të mesazheve kërcënuese që ka marrë pikërisht në rrjetet sociale pasi futi anijen me emigrantë në port muajin e kaluar.

Salvini, që është betuar se do ta dëbojë Rakete nga Italia, deklaroi se nuk ndihet i kërcënuar nga bllokimi i profileve të tij. “Komunistja gjermane, ajo që sulmoi patrullat detare të policisë, i paska kërkuar prokurorëve të bllokojnë faqen time në Facebook dhe Twitter.

Absurditeti nuk ka limit”, tha Salvini. “E çfarë pastaj, do të përdor vetëm Instagramin”, shtoi ai në reagimin e tij. Anija e kapitenes gjermane goditi një varkë policie teksa hynte në portin e Lampeduzës. Ajo më vonë kërkoi falje për episodin duke thënë se ishte vetëm një aksident./ABC News Albania 24/7


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono