Juventusi vendos rekord pikësh

19:25 | 25/11/2018

Juventusi nuk njeh limite në kampionatin italian. Fitorja ndaj Spalit hyri në histori, në një mbrëmje të shënuar për Ronaldon e Kielinin.

Theu rekordin e vet në Serinë A. Juventusi nuk ka mëshirë as për të kaluarën e vet, apo ndoshta dëshiron ta përmirësojë, siç bëri me sasinë e pikëve të grumbulluara pas 13 javëve në Serinë A. Suksesi 2-0 ndaj Spalit, me gola të Ronaldos e Manxhukiçit, bëri që bardhezinjtë të kenë 37 pikë në 13 ndeshje, duke lënë pas rekordin e vjetër.

Ai i takonte skuadrës së madhe juventine të drejtuar nga Fabio Kapelo, në sezonin 2005-2006, kur mblodhi 36 pikë në 13 javët e para. Gazetat kryesore sportive në Itali thurën lavdet e rastit.

“La Gazeta delo Sport”: Interi rikthehet, por Juventusi është gjithnjë aty!

“Il Korriere delo Sport”: Seriali Juve! Kristiano zhbllokon dhe arrin në kuotën 9 gola, është kryeshënues. Alegri e quan “mjeshtër”!

“Tutosport”: Topat e Artë! Ronaldo e Manxhukiç, gjithnjë ata. Në sy të francezëve, dyshja bardhezi likujdon edhe Spalin, dhe bën Juventusin të fluturojë!

Jo vetëm kaq, por pati edhe shkëlqim individual. Kristiano Ronaldo arriti në kuotën e 9 golave në Serinë A, baraz me sulmuesin polak të Xhenoas, Krzistof Piontekun, duke qenë dy golshënuesit më të mirë të kampionatit deri tani. CR7-ta u kthye aty ku i takon dhe ku është mësuar të jetë, por edhe ai vendos një rekord.

Bëhet i pari juventin që shënon 9 herë në 13 takime në Serinë A. Trajneri Alegri nuk i kurseu fjalët e mira.

“Ronaldo është një mjeshtër. Ai bën veprime që i zënë në befasi kundërshtarët, dhe ne kemi nevojë pikërisht për këtë. Kristiano mendon dhe lëviz tepër shpejt, diçka që na ndihmon, madje ne duhet ta ndihmojmë më shumë një lojtar si ai”.

Gjithsesi, ndaj Spalit, ishte edhe mbrëmja e Xhorxho Kielinit, edhe pse hyri në pjesën e dytë. Mbrojtësi veteran 34-vjeçar luajti ndeshjen zyrtare numër 483 me fanelën bardhezi, duke lënë pas legjendën Roberto Betega në renditjen e të gjitha kohëve.

Kanë kaluar më shumë se 13 vjet që kur debutoi për Juventusin, dhe kontributi i tij është tepër i madh, ashtu si dhe numri i trofeve të fituar. Kielini ndodhet në vend të pestë, dhe përpara tij janë vetëm Del Piero, Bufon, Shirea e Furino./abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono