Juncker pret Ramën: Shtyrja e zgjedhjeve dëmton perspektiven europiane të Shqipërisë

20:19 | 11/06/2019

Çdo shtyrje e zgjedhjeve lokale dëmton perspektivën europiane të Shqipërisë. Ka qenë ky mesazhi që i ka përcjellë klasës politike shqiptare presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker. Pasi ka pritur në një takim kryeministrin Edi Rama, Juncker ka deklaruar se Shqipëria është gati për hapjen e negociatave të anëtarësimit dhe se do të punohet për të bindur vendet skeptike.

Presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker ka deklaruar se një shtyrje e mundshme e zgjedhjeve lokale në Shqipëri do të dëmtonte perspektivën europiane të vendit. Në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama në Bruksel, Juncker ka nënvizuar se të gjitha palët politike në Shqipëri duhet të angazhohen për zgjidhjen e krizës, me qëllim mbajtjen e zgjedhjeve demokratike.

“Njerëzit nuk duhet të pengohen që të ushtrohet e drejta e tyre demokratike. Nuk mund të bllokosh vullnetin e qytetarëve. Ndaj mendoj se zgjedhjet duhet të zhvillohen, ndryshe do të shtyhet më tej perspektiva europiane e Shqipërisë”, tha Juncker.

Juncker ka nënvizuar se personalisht mbështet hapjen e negociatave për Shqipërinë, pasi sipas tij vendi i ka plotësuar kërkesat e Unionit sa i takon reformës në drejtësi, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Shqipëria është gati për hapin tjetër, ndaj dhe kemi përsëritur propozimin tonë për Këshillin Europian për hapjen e negociatave. Janë disa pengesa që duhen kaluar, por më duhet të ritheksoj se ne u kemi bërë disa kërkesa autoriteteve shqiptare, të cilat i kanë realizuar ato. Ndaj unë nuk them jo për hapjen e negociatave. Jam në favor të hapjes së negociatave për Shqipërinë sa më shpejt sepse ajo i ka plotësuar kërkesat”, tha ai.

Presidenti i Komisionit Europian është shprehur i vetëdijshëm se në radhët e BE-së ka vende skeptike, por ka shtuar se bindja e tyre nuk është një mision i pamundur.

“Nuk është mision i pamundur. Ne duhet t’u shpjegojmë atyre se më së shumti për arsye të brendshme dhe jo europiane mendojmë se negociatat me Shqipërinë duhet të hapen në muajt e ardhshëm. Nuk po i referohem këtu qershorit, sepse ka reforma që duhet të miratohen dhe shumë sesione parlamentare dhe mund të jetë më vonë, por bindja ime është se duhet të jemi të qartë si kristali se negociatat duhet të hapen”, theksoi ai.

Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama ka nënvizuar se, zgjedhjet lokale në Shqipëri do të mbahen sipas parashikimeve, duke marrë parasysh se një shtyrje e tyre mund të dëmtojë të ardhmen europiane të vendit.

“Situata në Shqipëri është një çështje e brendshme që duhet të zgjidhet nga institucionet shqiptare, por që ka të bëjë edhe me të ardhmen europiane, ndaj zgjedhjet duhet të mbahen, askush nuk duhet të pengohet të marrë pjesë në to, sikurse kushdo është i lirë për të mos marrë pjesë në to”, tha kryeministri.

Sa i takon integrimit, Rama ka theksuar se, ka ardhur koha që Europa të bëjë atë që shqiptarët presin prej saj, pasi sipas tij, qeveria shqiptare i ka kryer detyrat.

“Të njohë meritën tonë dhe të hapë bisedimet e anëtarësimit, që është veçse një kapitull i ri që do të kërkojë përpjekje, kohë dhe durim”.

Në vijim, si Rama edhe Juncker kanë refuzuar të komentojnë lëvizjet dhe deklaratat e fundit të presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta. Kreu i Komisionit Europian ka thënë se nuk do të ndërhyjë në një debat të brendshëm, por ka përsëritur se nëse nuk zhvillohen zgjedhjet do të dëmtohet perspektiva europiane e Shqipërisë. Ndërkohë, duke iu përgjigjur interesit të mediave serbe lidhur me deklaratat e tij për bashkimin shqiptar, Rama është përgjigjur:

 “Ëndërroj diçka të madhe, por ajo është një Europë e madhe…”


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono