Jordan Daci për VOA: Politika ka frikë nga vetingu

21:44 | 15/08/2018

Përfaqësuesi i Qendrës Shqiptare për Shtetin e së Drejtës profesor doktor Jordan Daci thotë se është e nevojshme që politika në Shqipëri të arrijnë një konsensus edhe më të gjerë për të tejkaluar ngërçin e krijuar me zbatimin e reformës në drejtësi, sesa ai që u desh për miratimin e saj. Gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës” eksperti i çështjeve ligjore bën një analizë të ecurisë së procesit deri më tani. Ai thotë se do të ishte iluzion po të mendohej se gjithçka do të shkonte në mënyrë perfekte. Vonesat sipas tij lidhen me mungesën e vullnetit të një pjesë të politikës për ta zbatuar reformën, nga frika e ndëshkimit:

“Përtej deklaratave që bën, në thelb politika nuk është e gjitha pro reformës. Arsyeja numër një është vetë risku që ata shohin, tashmë ata kanë një shembull që janë gjyqtarët dhe prokurorët dhe e shohin me rrezik qënien e tyre, me ngritjen sidomos të strukturave si SPAKU (Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar) dhe Prokuroria e Posaçme, të cilat do hetojnë dhe që besoj se do të çojnë në gjykimin edhe politikanë aktualë”, thotë ai.

2 vite më parë parlamenti shqiptar miratoi me unanimitet ndryshimet kushtetuese për një reformë të thellë në sistemin e drejtësisë. Dy vjet më vonë procesi ka rritur shqetësimet e ekspertëve të fushës lidhur me afatet e përfundimit të saj, që nënkupton jo vetëm përfundimin e procesit të rivlerësimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve por dhe ngritjen e funksionimin e institucioneve të drejtësisë. Si pasojë e procesit të rivlerësimit Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë kanë dalë jashtë funksionit. Kjo për shkak të numrit të reduktuar të anëtarëve, por dhe mosmarrëveshjeve politike që e kanë bërë të pamundur deri më tani, plotësimin me anëtarë të rinj. Reforma parashikon dhe ngritjen e disa struktura të reja të rëndësishme, siç janë Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, përfshirë Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar (SPAK-un) pjesë e së cilës do të jetë dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, që në fokus do të ketë rastet e korrupsionit tek zyrtarët.

Lidhur me afatet e përfundimit të reformës zoti Daci thotë se “një përkrahje më e madhe financiare për strukturat e vetigut mund ta nxiste procesin. Nëse punohet me një ritëm 50 për qind më shumë sesa sot, reforma mund të mbyllej në 3 apo 4 vite”.

Por eksperti ligjor thotë se afatet nuk duhet të shqetësojnë askënd, pasi kjo është dëshmi e seriozitetit të insitucioneve të vetingut dhe nevojës për vazhdimin e frymës së reformës edhe pas përfundimit të tij.

Një nga çështjet e rëndësishme që sipas ekspertit duhet të marrë përgjigje është ajo se çfarë duhet të ndodhë me gjyqtarët dhe prokurorët të larguar nga sistemit për shkak të vetingut. Sipas ekspertit ndaj tyre “duhet të vijohet më tej me hetime pasi kalimi në veting” siç thotë ai “nuk i shmang ata nga veprat penale që mund të kenë kryer nëse gjithnjë janë autorë dhe do provohet bazuar në ligj”. /VOA



Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono