Jemen, sulm ndaj paradës ushtarake, mbi 30 të vdekur

17:40 | 01/08/2019

Mbi 30 persona kanë humbur jetën në Jemen, si pasojë e një atentati të kryer ndaj një parade ushtarake. Sulmi është marrë përsipër nga rebelët që kontrollojnë perëndimin e vendit, të cilët kanë akuzuar qeverinë se po përgatitej për t’i sulmuar.

Të paktën 32 persona kanë mbetur të vrarë në një sulm të kryer gjatë një parade ushtarake në Jemen. Parada, e mbajtur në qytetin jugor të Adenit, u sulmua me raketa dhe dronë të armatosur, bëjnë të ditur mediat ndërkombëtare. Ndërkohë, rebelët huthi, që kanë marrë përsipër përgjegjësinë e sulmit, kanë deklaruar se parada ishte pjesë e përgatitjeve për një sulm të ri në territoret e tyre, në veri të qytetit. Por qeveria jemenase ka deklaruar se gjithçka ishte vetëm një ceremoni diplomimi për rekrutët e rinj. Më herët gjatë së enjtes, një atentat vetëvrasës në një rajon policie po në Aden u mori jetën të paktën 3 oficerëve.

Megjithatë, nuk dihet nëse sulmi në fjalë ka qenë i lidhur me atë ndaj paradës ushtarake. Jemeni është shkatërruar nga konflikti që u përshkallëzua në mars të vitit 2015, kur rebelët huthi morën nën kontroll pjesën dërrmuese të perëndimit të vendit dhe detyruan presidentin Mansur Hadi të largohej jashtë shtetit.

Të alarmuar nga fuqizimi i grupit që thuhet se mbështetet nga Irani, Arabia Saudite dhe 8 vende të tjera sunite nisën fushatën ajrore kundër tyre, me qëllim rivendosjen e qeverisë legjitime. Koalicioni arab ka marrë rregullisht mbështetje logjistike dhe inteligjence nga Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca. Personat e vrarë gjatë konfliktit variojnë nga 10 mijë deri në mbi 70 mijë viktima. /ABC News Albania 24/7



Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono