Ilir Meta sërish kundër Edi Ramës

20:15 | 23/03/2019

“Unë i ftoj të gjithë të mos sakrifikojë vendin për karriget e tyre apo për ambiciet e veta, jam i gatshëm unë i pari të sakrifikoj. Që nga dorëzimi i mandatit tim si President pasi të sigurohem që vendi ka një zgjidhje politike parimore, kushtetuese, solide që e çon përpara, e deri tek sakrifikimi i jetës sime si Salvador Allende për të ndaluar instalimin e një junte që mund ta kthente Shqipërinë 30 vite pas”.

Ky qëndrim i fortë i Ilir Metës javën politike që lamë pas, i dha peshë asaj që prej javësh kreu i shtetit e quan publikisht krizë politike e institucionale, përkundër përpjekjeve intensive të Kryeministrit, për ta shfaqur si një krizë brenda opozitës. Nuk është hera e parë që Ilir Meta i vihet përballë Edi Ramës, por në panoramën aktuale politike, pozicionimi i Presidentit të Republikës, e shfaq të vetmuar Kryeministrin që qeveris pa aleatë, pavarësisht se vazhdon të shtojë numrat pro tij në kuvend. Mes hemoragjisë më të fortë nga listat e LSI drejt kuvendit, e strategjive për të goditur aleaten e saj PD, duket sikur mazhoranca u vu përballë një aktori më shumë kundër saj, kreut të shtetit.

Po çfarë ndodhi javën politike që lamë pas?

Ilir Meta u aktivizua në debatin politik që në fillim të javës, duke rrëzuar së pari aludimet e deklaratat për një ndikim rus në zhvillimet politike në vend, ku opozita në protesta kërkon largimin e Kryeministrit. Nga pozita e kreut të shtetit, po aq i informuar sa kryeministri, Ilir Meta ironizoi fort Edi Ramën

Akuza për lidhje ruse, u rikthye në vëmendje, të enjten kur Prokuroria e Tiranës e kishte ftuar Lulzim Bashën me ish sekretarin e përgjithshëm Arben Ristani e sekretarin aktual Gazmend Bardhi, për t’u njohur me aktet e dosjes së lobimit të PD në SHBA. Basha refuzoi paraqitjen, me pretendimin se askush nga PD nuk ishte nën hetim, e se përzgjedhja e kohës për këtë veprim të panevojshëm sipas tij, ishte politike. Nga foltorja e kuvendit, Taulant Balla do nënvizonte refuzimin e Lulzim Bashës

Tek opozita u orientuan sytë edhe pas goditjes së radhës me tritol të shtyllës së tensionit të lartë në Fushë-Krujë.

Akti i rëndë është i përsëritur, e ka ndodhur edhe kur socialistët ishin në opozitë. A po përdorej vallë politikisht kundër opozitës?

Por aksioni politik i opozitës vijoi të kritikohej hapur nga diplomatët në Tiranë. Ambasadorja Susane Schutz, që ka takuar këto ditë disa prej deputetëve në parlament të opozitës, nënvizoi qëndrimin e Gjermanisë.

Ambasadori i OSBE në Shqipëri shkon edhe më tej, pas sinjalit që dha opozita për bojkot të zgjedhjeve vendore, duke mos dorëzuar listën e komisionerëve. Bern Borchard foli me gjuhën e njohur të ndërkombëtarëve, që në maj 2017, deklaronin njohjen e zgjedhjeve edhe pa opozitën, nëse ato certifikoheshin si të rregullta

Ambasadorit iu përgjigj një ekspert i zgjedhjeve, që për 6 vite e gjysmë ka drejtuar zyrën e zgjedhjeve pranë OSBE, bashkëkryetari demokrat i reformës zgjedhore, Oerd Bylykbashi.Të kesh prova të regjistruara për shitblerje vote dhe të pengosh hetimet me Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme, që e ke vënë me votat e tua, ky është shembull i keq për rajonin.

Ilir Meta si kryetar shteti e pati një shigjetim të fortë për ndërkombëtarët. PE është në ditët e fundit të legjislaturës së tetë, punimet e së cilës mbyllen më 18 Prill dhe po bën dëgjesa e debate bilanci për situatën në vendet e Ballkanit Perëndimor, që aspirojnë anëtarësim. Në një prej tyre i ftuar presidenti i Komisionit të Venecias Gianni Buquiçhio foli për liderë me mentalitet të rrezikshëm qeverisës.

Një vlerësim negativ për ecurinë e reformave në rajon e ka edhe drejtori i zgjerimit të BE, i sapo kthyer nga një vizitë pune në Shqipëri.

E ndryshme është qasja e komsionerit për zgjerimin, që kujton gjithsesi se BE nuk mund të ndërhyjë. Ndërsa BE ka hyrë tashmë në ethet e zgjedhjeve për PE, nga 23 deri 26 Maj, në Tiranë opozita vazhdon të programojë kalendar protestash.

Edhe Kryeministri ka nisur përgatitjet e veta, për zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Socialistët madje kanë depozituar listën e komisionerëve zgjedhorë, përkundër opozitës që refuzoi ta bënte.

Tre kandidatë të LSI morën mandatet e deputetit nga KQZ javën politike që lamë pas, e tre të tjerë, 2 nga PD e një nga LSI janë gati ta marrin, pasi dorëzuan formularin e dekriminalizimit. Lul Basha e Mona Kryemadhi duken të pafuqishëm për të ndaluar këtë rrjedhje nga rradhët e tyre, e cila më e madhe është nga LSI. Themeluesi i saj, tani President i Republikës reagoi fort.

Si president Ilir Meta është shprehur kundër aktit të opozitës për djegien e mandateve, por paradoksalisht, duket gati të djegë njëlloj të vetin, si kryetar shteti. Akti në vetvete do ishte mjaft i fortë, por Ilir Meta i shtoi edhe doza të forta emocionale. Por historia e Salvator Allendes nuk është aq e admirueshme. Marksisti idealist që qeverisi nga 1970-1973 si president i Kilit, u përball me një grusht ushtarak shteti, të mbështetur nga amerikanët, që druanin se vendi do shndërrohej në një aleat të Bashkimit Sovjetik.

Por Ilir Meta njihet si politikani i lëvizjeve të forta. I vetmi që ka dhënë dorëheqjen kur ishte Kryeministër në shkurt 2002, e si zv.kryeministër në Janar 2011. Dorëheqjen e ka paralajmëruar të paktën dy herë, edhe si kryetar kuvendi. Korrikun e 2016, kur PS e PD nuk kishin konsensus për finalizimin e ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi, Ilir Meta kërcënoi me dorëheqje 2 herë brenda katër ditësh, duke sfiduar edhe ndërkombëtarët.

Tre vjet më vonë, si president i Republikës, Ilir Meta sugjeron konsensus e dialog, teksa kujdesshëm i jep zë aludimeve, se për të ndërtuar një imazh normaliteti në Kuvend, po investohet financiarisht. Edi Rama nuk iu përgjigj atij shigjetimi e paralajmërimi të fortë. Mungesa krejt e pazakontë disa ditore publike e pa asnjë sqarim, u la vend aludimeve për një problem shëndetësor, të cilat morën si përgjigje vetëm të enjten, përmes këtij reagimi të ashpër në tuiter, e të premten e javës politike që lamë pas, edhe një sqarim me zë e figurë.

Në Tiranë mungoi edhe Lulzim Basha që po kërkon mbështetje ndërkombëtare për kauzën e tij, së pari mes PPE, formacioni më i madh politik në PE. Në protestën e gjashtë të opozitës para kuvendit ishin figurat e tjera të PD e aleatët, të cilët i mbajtën për katër orë mbështetësit në shesh. Dita kur në parlament do betoheshin 3 kandidatë të tjerë nga listat e LSI, nisi me incident për njërin prej tyre. Ralf Gjoni, ish këshilltar i Metës kryetar kuvendi, u përball me një sulm me bojë të kuqe teksa po dilte nga banesa për të shkuar në parlament. Ralf Gjoni, Nimet Musai dhe Enada Kapllani janë përfaqësuesit e rinj të Lëvizjes Socialiste për integrim.

96 shkoi numri i deputetëve në Kuvend, të enjten e javës politike që lamë pas, 14 nga të cilët janë nga listat e PD-LSI, e tre deputetë që nuk iu bindën vendimit politik për dorëzimin e mandatit. Këta të fundit vazhdojnë ta kenë të nevojshëm sqarimin e pozicionit të tyre. Për herë të parë që prej largimit të opozitës nga Kuvendi, në seancë u shfaq Rudina Hajdari, që njëlloj shpjegoi vendimin, por edhe planet e saj.

Interesant është kujdesi i socialistëve për të mos cënuar publikisht LSI, që po pëson hemoragjinë më të madhe nga listat e saj. Taulant Balla e gjeti tek Lulzim Basha fajin, kur u godit deputeti i LSI-së Ralf Gjoni.

Përgjigja erdhi nga Kryetarja e LSI-së. Kësaj sfide të hapur të javës politike që lamë pas, Edi Rama vendosi t’i përgjigjej me stilin e njohur e të pakonkurrueshëm: imazhin e perceptimin publik. Numrat e qytetarëve në shesh e në kongresin socialist, simbolizonin fuqinë e pushtetit të një kryeministri, që qeveris i vetëm. Organizimi në sheshin Nënë Tereza, ishte identik me atë të Vlorës 16 Shkurtin e kaluar, kur opozita i protestonte nën dritaret e zyrës. Këtë ngjashmëri Erion Veliaj, kandidati i vetëm socialist që mori konfirmimin publik për një mandat të dytë, e nënvizoi si pjesë e marrëdhënies me Kryeministrin.

Në kongres, me radhë socialistët e asocionin emrin e Edi Ramës me çdo punë të bërë, por vetë Kryeministri kishte zgjedhur sheshin, në krah të Veliajt. Njohës i shkëlqyer i komunikimit publik, zgjodhi diversionin si përgjigje për deklaratat e forta të Ilir Metës.

Mbrojtja më e mirë është sulmi, është parimi tjetër që kryeministri e njeh shumë mirë dhe e tillë ishte përgjigja për aksionin e opozitës, bashkë me një sfidë për kërkesën e saj: zgjedhjet e parakohshme.

Ishte kujdesur që të shmangte imazhin e flamujve socialistë, si ilustrimi që qeveris i vetëm, e i kishte zëvendësuar me flamujve kombëtarë. Një retorikë e para viteve 90 spikati me ngjashmërinë për armiq ngado, përveç opozitës edhe në media.

Një denoncim dy ditor i ish-deputetit Ervin Salianji për një prej kauzave disa mujore të opozitës, që njihet si çështja Babalja, nuk mori dot vëmendjen e duhur publike, edhe pse ish deputeti publikoi material audio të komunikimeve të dëshmitarit të penduar Fredi Alizoti me funksionarë të policisë e të socialistëve.

Bashkë me një intervistë të Lulzim Bashës për të përditshmen italiane “Il Fatto Quotidiano”, ku shpjegonte se përse opozita është në protesta, strategjia reaguese e opozitës mbeti modeste, ndërsa një Twitter shpotitës i sekretarit të përgjithshëm, ishte përgjigja për fjalimin njëorësh të Kryeministrit. Ky i fundit, me simbolikë e mesazhe, i hodhi dorashkën e sfidës opozitës, duke kaluar topin në fushën e Lulzim Bashës, e njëkohësisht duke zbehur qëndrimin e fortë të kreut të shtetit. Një tjetër ilustrim se në fund të ditës, beteja është për perceptimin publik, më shumë se për aktet konkrete. /abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono